LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Skandal në KLGJ/ Si u emërua Alban Toro me të dhëna false         

26 Shtator 2020, 11:20, Vetingu CNA

Institucionet e prodhuara nga Reforma në Drejtësi, shpesh herë kanë ngjallur debat sa i përket ppërbërjes.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, kupola apo rregullatori i gjyqësorit, dyshohet se ka në përbërje anëtarë të zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme.

Njëri prej anëtarëve është Alban Toro, i cili është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë në dt 05.02.2018, si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve.

Kushtetuta dhe ligji kanë përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë anëtarët që zgjidhen nga avokatia.

Kështu sipas nenit 47 të Kushtetutës dhe nenit 19, gërma ” d”, të ligjit nr 115/2016, anëtarët e KLGJ-së, që vijnë nga avokatia,  zgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion si jurist, nga të cilat të paktën 10 vitet e fundit të kenë ushtruar profesionin e avokatit pa ndërprerje.

CNA.al bëri një investigim nëse anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zoti Alban Toro i plotëson krieteret e zgjedhjes apo jo.

Nuk harxhuam kohë të investigonim nëse është jurist i spikatur apo jo, sepse asnjë nuk e njeh si të tillë. Për më tepër ligji apo ndonjë akt i Kuvendit nuk ka përcaktuar kritere se cili quhet jurist i spikatur, ashtu siç vepron KLGJ-ja për të përcaktuar juristët e spikatur që shkojnë në Gjykatë të Lartë nga jashtë gjyqësorit.

Pra ky kriter mbetet i natyrës subjektive dhe nuk vazhduam më tej, pasi edhe vetë KLGJ-ja në faqen e saj zyrtare ka shkruar vetëm dy fjali për biografinë e Alban Toros, që ka punuar rreth 20 vjet avokat si dhe jurist në drejtorinë e sigurimit të depozitave.

Se ku ka punuar 20 vjet avokat Alban Toro një zot e di, por është për të ardhur keq që në faqen zyrtare të KLGJ-së hidhen CV paçavure dhe me gënjeshtra.

Nuk investiguam as faktin e konfliktit të interesit për shkak të qënurit të bashkëshortes së tij gjyqtare Apeli në Tiranë, shkak për të cilin shumë kandidatë të tjerë u skualifikuan nga vazhdimi garës për anëtar të KLGJ-së.

Çfarë ka rezultuar nga investigimi i plotësimit apo jo të kriterit ” të ketë ushtruar dhjetë vitet e fundit profesionin e avokatit pa ndërprerje”?

Për këtë ju drejtuam faqes zyrtare të QKB-së dhe kërkuam historikun e regjistrimit si avokat të zotit Alban Toro, sepse vetëm regjistrimi në QKB dhe në tatime është momenti që plotësohet kriteri i ushtrimit të profesionit të avokatit.

Rezulton se z. Toro është regjistruar në QKB për të ushtruar profesionin si avokat në dt 16.11.2007, me Nipt : K72316004E.

Duke qenë se ai është zgjedhur nga Kuvendi si anëtar i KLGJ-së në datën 05.02.2018, plotësohet kushti formal i të qenit avokat jo më pak se 10 vjetësh, pasi e kalon me afro tre muaj  dhjetë vjetëshin.

Por, ligji ka dhe një kriter tjetër për t?u zgjedhur anëtar i KLGJ-së. Kërkohet që 10 vjetët e fundit duhet ta kesh ushtruar pa ndërprerje profesionin e avokatit, dmth, nga data 05.02.2008 deri në datë 05.02.2018 zoti Toro nuk duhet ta ketë ndërprerë asnjëherë ushtrimin e profesionit të avokatit.

Duke ju referuar faqes së QKB-së, rezulton se zoti Toro nga data 02.03.2010 deri në dt 20.09.2011 e ka pezulluar ushtrimin e aktivitetit si avokat, pra për afro 1,5 vjet. Më pas figuron në QKB se ka ushtruar profesionin e avokatit nga dt 20.11.2011 deri në dt 27.02.2018, megjithëse edhe gjatë kësaj periudhe që figuron se është me status “aktiv”, shumë zëra thonë që ai ka ushtruar detyra si jurist në institucione, që nuk e lejonin ushtrimin e profesionit të avokatit.

E çuditshme duket sjellja e tij, që megjithese ishte zgjedhur anëtar i KLGJ-së, e riaktivizon statusin e tij në QKB në dt 24.04.2018, nga status i pezulluar meqënëse u zgjodh anëtar i KLGJ-së, në status “aktiv”, dhe më pas, në dt 21.12.2018 bën ndryshimin e statusit nga “aktiv” në ” të pezulluar “.

Situata e përshkruar më sipër, ngarkon me përgjegjësi Kuvendin e Shqipërisë, komisionet ad hoc të tij,  që në rastin më të mirë qëndrojnë indiferent ndaj verifikimit të kushteve të zgjedhjes në organet e larta të drejtësisë, siç është KLGJ-ja, dhe Avokatin e Popullit që ka rol në procedurën e perzgjedhjes së kandidatëve . SPAK-u, nëse do të veproj, ka material boll që të nxjerr përgjegjësitë e personave konkret për veprat penale të falsifikimit apo të shpërdorimit të detyrës.

Kaq për sot ./CNA.al

Lajmet e fundit nga