LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dorëzohet kryeministri i emëruar i Libanit/ Largohet nga posti

26 Shtator 2020, 21:11, Kosova & Bota CNA
Dorëzohet kryeministri i emëruar i Libanit/ Largohet nga posti

Kryeministri i emëruar i Libanit është larguar nga posti.

Moustapha Adib nuk ishte në gjendje të formojë një qeveri të re për të zëvendësuar qeverinë që dha dorëheqjen pas shpërthimit vdekjeprurës masiv në portin e Bejrutit muajin e kaluar.

Të shtunën, zoti Adib tha në një fjalim televiziv, “Unë kërkoj falje që nuk isha në gjendje të vazhdoja detyrën për formimin e qeverisë”.

Ai ishte në negociata të gjata me fraksionet e ndryshme politike të vendit, por ata nuk ishin në gjendje të arrijnë një konsensus.

Dorëheqja e zotit Adib është një pengesë për Presidentin francez Emmanuel Macron, i cili është përpjekur të ndihmojë formimin e një qeverie të re në ish-koloninë franceze të përballur me krizën.

Një zyrtar i presidentit Macron e quajti dorëheqjen e zotit Adib si “një tradhti kolektive” të partive politike të vendit.

“Eshtë e domosdoshme të kesh një qeveri të aftë për të marrë ndihmë ndërkombëtare,” tha zyrtari i paidentifikuar. “Franca nuk do ta braktisë Libanin.”

Ndërsa kundërshtarët e zotit Adib e akuzuan atë për mos konsultim më të ngushtë me fraksionet politike për të formuar një kabinet të ri, ish-kryeministri Saad al-Hariri, një mbështetës i zotit Adib, tha se ata që duartrokisin pengesat e presidentit Macron “do të pendohen”.

Shpërthimi në portin e Bejrut më 4 gusht, i cili vrau të paktën 200 njerëz, plagosi mijëra të tjerë dhe la më shumë se 250,000 të pastrehë, erdhi si pasojë e 2,750 tonë nitrat amoni që ishte ruajtur në mënyrë të papërshtatshme për gjashtë vjet në port.

Shpërthimi, për të cilin shumë fajësuan elitën politike të Libanit, shkaktoi shkatërrim politik dhe ekonomik dhe përkeqësoi problemet ekzistuese të mëparshme në vend.

Lajmet e fundit nga