Connect with Us

Covid-19/ Sa rrezikojmë kur udhëtojmë me avion?

Blog

Covid-19/ Sa rrezikojmë kur udhëtojmë me avion?

Publikuar

-

Covid-19/ Sa rrezikojmë kur udhëtojmë me avion?

Sa rrezikojmë të prekemi nga Covid-19, kur udhëtojmë me avion? Kjo është një pyetje që ia kemi bërë shpesh vetes, por gjithashtu edhe shkencëtarët. Kjo pyetje lind natyrshëm për shkak të afërsisë së udhëtarëve në bord, nga fakti që nganjëherë qëndrimi aty është i gjatë, dhe se është një ambient i mbyllur, edhe pse me një ventilim të madh të ajrit (me ligj ajroset çdo 3 minuta).

Tashmë dy studime të reja që përshkruajnë 2 episode të infektimit në bordin e avionit, tregojnë se rreziku i infektimit, nëse ka një ose më shumë pasagjerë pozitivë me koronavirus, ekziston dhe është i lidhur kryesisht me distancën dhe kohëzgjatjen e udhëtimit.

Pasja e sa më shumë informacioni mbi transmetimin e Sars-Cov-2, është gjithashtu e rëndësishme për të marrë të gjitha masat e nevojshme paraprake, dhe për të pasur një strategji alternative. Po cilat? Për shembull, ndarjen e udhëtimit në disa fluturime më të shkurtra, edhe nëse kjo është më pak e pëlqyeshme, siç sugjerohet nga dy epidemiologë amerikanë në një artikull në “The Conversation”, duke e ditur që kur rezervoni një udhëtim veçanërisht të gjatë, mund të ketë këto rreziqe.

Kjo pasi, nëse do të ketë një udhëtar pozitiv në Sars-Cov-2, periudha kohore e qëndrimit në bord do të zvogëlohej, duke e ulur kështu probabilitetin e infektimit. Studimi parë, i kryer nga Instituti Kombëtar i Higjienës dhe Epidemiologjisë në Hanoi të Vietnamit, analizon rastin e një epidemie të Covid-19 të shpërthyer në një avion ku fluturimi zgjati 10 orë, në të cilën prania e një pasagjeri simptomatik, në një fazë të hershme të epidemisë (në mars 2020) shkaktoi transmetimin e virusit tek 16 njerëz.

Një menaxhere vietnameze me banim në Londër që nga shkurti i vitit 2020, është ndoshta “rasti nr.1” nga i cili filloi infeksioni në këtë vend. Pas rindërtimit të lëvizjeve të saj, në fund të shkurtit, u mësua se gruaja kishte udhëtuar me motrën e saj në Itali, në dy raste të tjera edhe në Francë, për t`u nisur më pas më 1 mars 2020 për në Hanoi.

Ajo filloi të përjetonte simptoma si dhimbje fyti dhe kollë, më 29 shkurt (një ditë para se të nisej). Gjatë fluturimit, simptomat u përkeqësuan, me ethe dhe lodhje. Të 217 personat në bord, përfshirë pasagjerët dhe stafin, u vendosën në izolim në pritje të tamponit për Sars-Cov-2, dhe 16 nga pasagjerët rezultuan pozitivë.

Prej tyre, 12 (75 për qind) ishin ulur në klasin e biznesit, bashkë me personin tashmë pozitiv ndaj koronavirusit. Në këtë rast, distanca është një element thelbësor. Pasi sipas studimit nga 12 personat në të njëjtin klas, 11 prej tyre ishin një ose dy poltrone larg gruas, dhe vetëm 1 person ishte më shumë se dy vende larg.

Transporti në rënie edhe në korrik/ Bien me mbi 60% pasagjerët që udhëtuan me avionë e tragete

Duke përjashtuar çdo kontakt tjetër me njerëz pozitivë para dhe pas fluturimit, studimi ka kufizime, meqë nuk është e mundur të përcaktohet në mënyrë unike nëse infektimi i disa prej udhëtarëve ishte shkaktuar nga kontakti me pasagjeren e parë (menaxheren vietnameze).

LEXO EDHE:  Debati mbi testet për Covid-19/ Komiteti Teknik i Ekspertëve sqaron qytetarët

Për më tepër, nuk ka të dhëna për përdorimin e maskave, të cilat në kohën e fluturimit nuk ishin ende të detyrueshme as në bord ose në aeroport. Ndërkohë studimi i dytë, përshkruan një rast transmetimi në fazën e parë të epidemisë. Në një tjetër fluturim të datës 9 mars, dy bashkëshortë rezultuan pozitivë me koronavirusit pasi kishin udhëtuar në klasin e biznesit nga Bostoni në Hong Kong, duke shfaqur menjëherë simptoma sapo mbërritën në destinacion.

Çifti thuhet se infektoi dy persona të tjerë, një anëtar 25-vjeçar të stafit të avionit, që konsiderohet si kontakt i afërt, pasi u kishte shërbyer vaktin e tyre gjatë fluturimit, dhe një stjuardesë 51-vjeçare, e identifikuar gjithashtu si kontakt i ngushtë. Megjithatë, edhe në këtë rast, ne nuk kemi informacione mbi përdorimin e maskës.

Duke u kthye tek studimi i parë, në të cilin të infektuarit janë më shumë në numër dhe për të cilët ka më shumë informacion, madje edhe duke supozuar një skenar në të cilin njerëzit nuk mbanin maska, shifrat e transmetimit të virusit arrijnë kufijtë e sipërm të vlerësimeve të siguruara nga modelet e transmetimit të SarsCov-2 në avion.

Gjithsesi, autorët e studimit theksojnë se transmetimi i Sars-Cov-2 në bordin e avionit përmes spërklave të mëdha dhe përmes ajrit nuk dihet ende me siguri. Në rastin e transmetimit përmes ajrit nuk ka njohuri të thelluara dhe të qarta edhe në lidhje me infektimin në mjedise të tjera përveç avionit.

Por në çdo rast, ka prova se mund të ketë transmetim, pavarësisht nga masat paraprake të ventilimit në bord. “Rruga më e mundshme e infektimit gjatë fluturimit është transmetimi përmes aerosolit në veçanti nga njerëzit e infektuar që ishin ulur në klasin e biznesit, pra në të njëjtin seksion të avionit”- shkruajnë autorët e studimit.

Ata arrijnë në përfundimin se rreziku i transmetimit të Sars-Cov-2 në bord gjatë udhëtimeve të gjata me avion është real, dhe mund të shkaktojë shpërthime epidemike të mëdha./Wired.it-Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse shtrigat fluturojnë mbi fshesat magjike?/ Ja si ka lindur kjo legjendë

Publikuar

-

Nga

Shtriga e keqe me lëkurë të gjelbër që fluturon mbi fshesën e saj magjike, mund të jetë një imazh ikonik i Festës së Hallouinit. Por historia e vërtetë se pse shtrigat lidheshin me një objekt kaq të zakonshëm në shtëpitë tona, është gjithçka përveçse jo magjepsëse.

Nuk është e tamam e qartë, kur u shpik vetë fshesa për herë të parë. Por akti i fshirjes daton që nga kohërat antike, kur njerëzit me gjasë përdorën tufa bimësh të lidhura pas një shkopi, kallamishteje dhe fibrave të tjera natyrore për të hequr pluhurin apo hirin nga një zjarr ose vatër.

Siç shkruan Xh.Brajan Lauder, kjo punë shtëpiake shfaqet madje edhe në Dhjatën e Re, e cila daton në shekujt I dhe II Pas Krishtit. Vetë fjala fshesë, broom në anglisht vjen një bimë me të njëjtin emër, ose kaçube, që është përdorur për të prodhuar shumë pajisje të hershme të pastrimit.

Që nga fillimi, fshesat lidheshin kryesisht me gratë. Por pavarësisht kësaj, shtriga e parë që u tha se hipte dhe fluturonte mbi një fshesë magjike ishte një burrë:Gijon Edelin. Ky ishte një prift nga Shën Zhermen-en-Laje, afër Parisit. Ai u arrestua në vitin 1453 dhe u gjykua për magji, pasi kritikoi publikisht gjuetinë e Kishës kundër shtrigave.

Rrëfimi i tij u bën nën tortura. Në fund ai u pendua, por u burgos për jetë. Në kohën e “rrëfimit” të Edelinit, ishte bërë shumë popullor ideja e shtrigave që hipnin mbi fshesat magjike dhe fluturonin në qiell. Imazhi më i hershëm i njohur i shtrigave mbi fshesa, daton në vitin 1451, kur dy ilustrime u shfaqën në dorëshkrimin e poetit francez Martin Le Shampion dë Dames (Mbrojtësi i Zonjave) .

Në të dyja vizatimet, një grua fluturon në ajër mbi një fshesë; ndërsa tjetra mbi shkop të bardhë.  Që të dyja gratë mbajnë shalle në kokë, që i identifikojnë ato si Valdensiane, anëtarë të një sekti të krishterë të themeluar në shekullin XII-të, të cilësuar si heretiks nga Kisha Katolike, pjesërisht pasi i lejonte edhe gratë të bëheshin priftëresha.

Antropologia Robin Skelton, sugjeron që lidhja midis shtrigave dhe fshesave, mund ta ketë origjinën në një ritual pagan të pjellorisë, në të cilin fermerët kërcenin mbi fshesa nën dritën e Hënës së plotë për të inkurajuar shtimin e të korrave të tyre. Kjo “vallëzim i fshesave”, shkruan ajo, u përzje me tregimet e zakonshme të shtrigave që fluturonin natën rrugës për në aktivitete okulte dhe të paligjshme.

Në vitin 1324, kur vejusha e pasur irlandeze Elis Kajteller u gjykua për magji dhe herezi, hetuesit raportuan se gjatë kontrollit të shtëpisë së saj, ata gjetën “një shkop të vajisur, mbi të cilën besohej se ajo fluturonte”.

Farmakologu Dejvid Kroll shkruan në “Forbes” se shtrigat e dyshuara në Mesjetë, mendohej se i sajonin porcionet e tyre magjike nga bimë të tilla si Atropa belladonna, Hyoscyamus niger, Mandragora officinarum dhe Datura stramonium, ku që të gjitha përmbajnë kimikate halucinogjene, të njohura si alkaloide tropane.

LEXO EDHE:  Greqia, baza nga ku terroristët e ISIS mund të sulmojnë Evropën

LEXO EDHE:  Covid-19 shkakton viktimën e radhës/ Ndërron jetë pacienti nga Tirana te Infektivi

Sipas disa rrëfimeve historike, në vend se t’i gëlltisnin këto substanca që ndryshojnë mendjen duke i ngrënë apo pirë, gjë që do t’u shkaktonte shqetësime në zorrë, shtrigat zgjodhën t’i thithnin ato përmes lëkurës, shpesh në zonat më intime të trupit të tyre.

Në librin e tij “Vrasja, magjia dhe mjekësia”, Xhon Man citon një tekst të shekullit XV-të të teologut Xhordan de Bergamo, i cili shkroi se “vulgarët besojnë edhe shtrigat rrëfehen, se në disa ditë ose net të caktuara, ato vajosin një shkop, dhe hipin mbi të në vendin e caktuar”’.

Është e pamundur të dihet nëse histori të tilla, të raportuara në kulmin e ankthit dhe frikës mbi magjinë në Evropë në kohën e Mesjetës, pasqyrojnë apo jo realitetin. Shumica e asaj që dimë mbi magjinë e Mesjetës, na vjen sot nga regjistrat e inkuizitorëve fetarë, gjyqtarët, dhe dëshmitë e vetë shtrigave të akuzuara, zakonisht gjatë torturave.

Duke filluar nga shekulli XVII-të, dëshmitë mbi shtrigat që përdorin fshesat për të fluturuar nga oxhaqet e shtëpive u bënë më të zakonshme, edhe pse gratë u lidhën më ngushtë me familjen dhe punët e shtëpisë se kurrë më parë.

Sipas një zakoni, gratë mbështesnin një fshesë jashtë derës, ose e vendosnin atë në një oxhak, për t’u lënë të tjerëve të kuptonin se ndodheshin larg shtëpisë. Ndoshta për shkak të kësaj, legjenda popullore përqafoi idenë se shtrigat largoheshin nga shtëpitë e tyre përmes oxhaqeve të tyre, edhe pse shumë pak shtriga të akuzuara, kanë rrëfyer ndonjëherë se e kanë bërë këtë gjë.

Ankthi popullor mbi magjinë, u reduktua ndjeshëm duke nisur nga shekulli XVIII-të. Megjithëse sot në SHBA ka ende shumë “shtriga” të vetë-identifikuara si të tilla, falë rritjes së traditave fetare neo-pagane si “Wicca”, pak prej tyre pretendojnë se fluturojnë në qiell. Por imazhi i shtrigave që fluturojnë mbi fshesat e tyre qëndron ende, sidomos gjatë festës së Halluinit./ History.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Legjenda e Marshimit të Gjatë të Mao Ce Dunit, ja cila ishte e vërteta

Publikuar

-

Nga

Mao Ce Duni, krijoi një kapital të madh politik nga udhëtimi epik i Ushtrisë së Kuqe, për t’i shpëtuar armiqve të tyre në Kinë 85 vjet më parë. Por, siç shpjegon Eduard Stourton, versioni i marshimit që jep udhëheqësi komunist, nuk pasqyronte gjithmonë realitetin

“Marshimi i Gjatë është një propagandë”- deklaroi vetë Mao Ce Duni në një fjalim të dhjetorit 1935. “Rreth 200 milionë njerëz në 11 provinca, janë njoftuar se rruga e Ushtrisë së Kuqe është rruga e tyre e vetme drejt çlirimit”- tha ai. Ne e përdorim thuajse gjithmonë fjalën “propagandë” në mënyrë negative.

Por për Maon, kjo nënkuptonte diçka shumë më afër “ungjillëzimit”, në kuptimin që përdorej ky term në kishën e hershme të krishterë. Propaganda, ishte mjeti përmes të cilit lajmi i mirë i besimit të ri ideologjik, do të përhapej në territoret e mëdha të Kinës. Politika kineze në mesin e viteve 1930 ishte kaotike.

Çang Kai-Shek, ishte sundimtari zyrtar i Kinës. Ai e qeveriste vendin përmes Guomindang, Partisë Nacionaliste. Por një pjesë e madhe e vendit kontrollohej nga komandantët lokalë të luftës, dhe Çang u përball me dy kërcënime të fuqishme ndaj autoritetit të tij:pushtimi japonez në Kinën Veriore, që nisi në vitin 1931; dhe rebelimi komunist i fokusuar në provincën juglindore Jiangxi.

Mao mbërriti atje në vitin 1929. Ai dhe udhëheqja e Partisë Komuniste, shpallën krijimin e një prototipi shtet komunist – Republikën Sovjetike të Jiangxi. Por forcat e Kai-Shek u vunë komunistët jo pak në vështirësi në vjeshtën e vitit 1934, dhe sovjeti i Jiangxi nuk mund të rezistonte edhe për shumë kohë.

Herrison Salisbëri, gazetar dhe historian amerikan, që shkroi një kronikë të Marshimit të Gjatë, citon një vlerësim se komunistët humbën 60.000 burra në betejën e fundit mbrojtëse kundër Guomindang. Opsioni i tyre i vetëm ishte arratisja. Në tetor 1935, 86.000 trupa të Ushtrisë së Kuqe kaluan lumin Judu.

Udhëheqësit komunistë shpresonin të lidheshin me njësitë e tjera të Ushtrisë së Kuqe që vepronion në Kinën Jug-qendrore, me synim krijimin e një sovjeti të ri sipas modelit të Jiangxi. Beteja e parë serioze që zhvilluan ishte një humbje me pasoja katastrofike.

Forcat e Çang i zunë pritë në lumin Xiang në Provincën Guangxi. Humbjet e komunistëve ishin 15.000- 40.000 ushtarë. Propaganda politike, ishte gjithmonë një element qendror në fushatën ushtarake. Fitoret ushtarake ishin të pakta, dhe kur ato erdhën, ekipet e propagandës i shfrytëzuan më së miri.

Më e famshmja, beteja e Urës së Ludingut, ka hyrë në historinë zyrtare si një operacion i shkëlqyeshëm i komandove. Por shumë historianë modernë, e kanë vënë në dyshim nëse ajo ishte aq dramatike apo vendimtare sa pretendojnë komunistët kinezë.

LEXO EDHE:  Greqia, baza nga ku terroristët e ISIS mund të sulmojnë Evropën

LEXO EDHE:  Covid-19 shkakton viktimën e radhës/ Ndërron jetë pacienti nga Tirana te Infektivi

Në majin e vitit 1935, Ushtria e Kuqe rrezikonte të bllokohej në brigjet e lumit Dadu në Siçuan. Në shtëpinë e një prifti katolik në qytetin malor Moxi, Mao hartoi një plan të guximshëm për të shmangur katastrofën. Ai përfshinte pushtimin dhe mbajtjen e një ure pasarelë të shekullit XVIII-të, që kalonte në qytetin e largët Luding.

Shpejtësia ishte thelbësore; detashmenti i Ushtrisë së Kuqe i ngarkuar për pushtimin e urës, kreu një marshim të detyruar prej 120 km brenda 24 orësh, nëpër një rrugë të ashpër malore.

Kur të kuqtë arritën në Luding, zbuluan se nacionalistë kishin hequr shumicën e dërrasave të urës, për ta bërë edhe më të vështirë kalimin. 22 komando u ngjitën përgjatë zinxhirëve; teksa ishin nën zjarrin e vazhdueshëm nga bregu përballë.

Ura është e gjatë rreth 100 metra, por thuajse të gjithë komandot e kaluan. Mbrojtësit ikën dhe kalimi u sigurua. Mao e shpalli Marshimin e Gjatë kur mbërriti në provincën Shaanxi, që do të shërbente si bazë e Partisë Komuniste për pjesën më të madhe të kohës, deri në fitoren e saj përfundimtare në vitin 1949.

Ushtria e tij e Kuqe, ishte tkurrur në jo më shumë se disa mijëra trupa. Disa vlerësime flasin për vetëm 4.000 trupa. Shpesh thuhet se historia shkruhet nga fituesit. Marshimi ndodhi vërtet, po ai ka shumë ekzagjerime.

Së pari, marshimi nuk ishte aq i gjatë sa pretendonte Mao. Ai pretendoi një marshim prej 12.500 kilometrash. Në fakt nga përllogaritja e itinerarit, distanca është afro 6.000 km.

Së dyti Mao thoshte se Marshimi “i shpalli botës se Ushtria e Kuqe është një ushtri heronjsh”.

Por dy misionarë protestantë që u morën peng nga të kuqtë, Rudolf Boshardt dhe Arnolis Hejman, japin dëshmi rrëqethëse të marrjes peng dhe torturave ndaj “armiqve të klasës”.

“Të kuqtë nuk mbanin asnjë të burgosur për më shumë se tre ditë. Ata merrnin shpërblimin në para dhe e lironin, ose jeta e robit përfundonte aty. Prerja e kokës, ishte metoda e preferuar e ekzekutimit”- shkruan në ditarin e tij Hejman.

Shumë prej “heronjve” të Maos ishin fëmijë-ushtarë, disa prej tyre madje vetëm 11-vjeç. Një numër i madh prej tyre dezertoi, dhe ata përballeshin me ekzekutimin nëse kapeshin./ historyextra.com–Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Super-kanabisi po pushton Evropën

Publikuar

-

Nga

Nuk është më kanabisi i dikurshëm. Kjo theksohet në raportin e këtij viti të EMCDDA, agjencia e Bashkimit Evropian që merret me varësinë nga droga. Ajo kap një dukuri në zhvillim, me karakteristika të papara, befasuese, dhe mbi të gjitha më shqetësuese.

Dokumenti nënvizon se si është “bërë gjithnjë e më e lehtë” të kesh akses në produkte me një përmbajtje të lartë të THC, tetrahidrokanabinolit, përbërësi psikoaktiv i kësaj bime narkotike. Mesatarisht, niveli i THC tek marijuana që është më së shumti në qarkullim, është ekuivalente me “dyfishin” e saj që u analizua në vitin 2008.

Agjencia e BE-së, thekson se kanabisi është një element “i rëndësishëm” në procedurat e rehabilitimit nga droga. Por marrëdhënia midis problemeve të lidhura me këtë substancë, dhe zhvillimeve në tregun e barnave, vazhdimisht në ndryshim, janë kuptuar shumë dobët deri më tani.

Krahasuar me vetëm 10 vjet më parë, është bërë gjithnjë e më e lehtë blerja e formave të reja të kanabisit, si dhe produkteve komerciale të bazuara tek ekstraktet bimore. Për më tepër, rrëshira e kanabisit dhe kanabisi në formë gjethesh dhe boçesh, kanë mesatarisht një përmbajtje “2 herë më të madhe” të THC krahasuar me 10 vjet më parë.

Të gjitha këto të dhëna, kërkojnë që një mbikëqyrje “më intensive” në këtë sektor. Këto probleme dhe të tjera, si disponueshmëria e produkteve narkotike me përmbajtje më të ulët të THC, të tregtuara për përmbajtjen e lartë të CBB (kanabidiolit, një tjetër përbërës aktiv në këtë bimë, që megjithatë nuk ka efekte narkotike), do të shqyrtohen në një nga botimet e ardhshme të EMCDDA.

Analiza e kryer nga kjo agjenci, nënvizon “një rritje të potencës së kanabisit në formë gjetheje dhe boçeje, si dhe pjesën e tij të lëngshme që nga viti 2008. Të dhënat më të fundit sugjerojnë se përmbajtja e THC në rrëshirën e kanabisit të shitur në Evropë, është sot mesatarisht dy herë më e lartë, sesa ajo e kanabisit në gjethe dhe boçe.

Nga vendet që kanë kryer sondazhe që nga viti 2001, 8 raportuan vlerësime më të larta për përdorimin e kanabisit tek të rriturit e rinj (15-34 vjeç), sesa vitin e kaluar. Në 3 vende të dhënat janë të qëndrueshme, dhe vetëm një vend mund të shfaqë vlerësime më të ulëta sesa sondazhi i mëparshëm. Në tetë prej këtyre vendeve, dhe kjo është ndoshta shifra më alarmante, përdorimi është rritur në mesin e të rinjve të moshës 15-24 vjeç.

LEXO EDHE:  U pezulluan pak ditë më parë/ Universiteti i Oksfordit do të rinisë testimet për vaksinën

LEXO EDHE:  Lamtumira e trishtë/ Lindi në epokën e shpresave të mëdha, po vdes në kohën e lajmeve të rreme

Sa janë konsumatorët e rregullt të këtij lloj kanabisi në Evropë?

Bazuar në sondazhet e popullatës së përgjithshme, vlerësohet se në Bashkimin Evropian përdoruesit e përditshëm ose gati ditorë të kanabisit, pra ata që e kanë përdorur këtë drogë për 20 ose më shumë ditë në muajin e fundit, janë rreth 1 për qind e të rriturve, ku shumicën e përbëjnë (rreth 60 për qind) njerëzit nën moshën 35 vjeç, dhe rreth treçereku i tyre janë meshkuj.

Në vitin 2018, rreth 135.000 njerëz në Evropë iu nënshtruan trajtimit të specializuar për problemet që lidhen me përdorimin e kanabisit (32 për qind e të gjitha kërkesave për trajtim). Nga këta, rreth 80 mijë e kanë bërë këtë për herë të parë.

Në 24 vendet e BE-së që kanë të dhëna, numri i përgjithshëm i përdoruesve të pranuar në qendrat e rehabilitimit për problemet e lidhura me kanabisin, u rrit me 64 për qind midis viteve 2006-2018.

Pesëmbëdhjetë vende, raportuan një rritje midis 2006-2018, dhe 14 prej tyre raportuan një rritje në vitin e fundit (2017-2018). Në përgjithësi, 50 për qind e përdoruesve që hynë për herë të parë në rehabilitim në vitin 2018 për shkak të përdorimit të kanabisit, raportuan një përdorim ditor të kësaj droge muajin e fundit./ focus.it–Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE