Connect with Us

“Bisha”/ Si është ndërtuar limuzina e blinduar e presidentit amerikan Donald Trump

Blog

“Bisha”/ Si është ndërtuar limuzina e blinduar e presidentit amerikan Donald Trump

Publikuar

-

Emri i makinës është “Cadillac One”, por njihet më shumë si “Bisha”. Arsyeja është e qartë: makina e fundit e presidentit të Shteteve të Bashkuara, ajo me të cilën udhëton sot Donald Trump, është më e sigurta në botë.

Në fakt është një bunker i vërtetë me rrota:ajo mund të përballojë një sulm kimik, një sulm me armë zjarri, dhe madje edhe shpërthimin e një mine. Nga ana tjetër, siguria e presidentit amerikan ka qenë gjithmonë në plan të parë. Dhe historia amerikane na mëson se përveç Xhon Kenedit, viktimë e sulmeve kanë qenë edhe presidentë të tjerë të SHBA-së. Le të shohim super teknologjinë e këtij modeli presidencial që u shfaq për herë të parë në publik në vitin 2018.

Shoferi

Kjo makinë drejtohet jo nga një shofer dosido, por nga një ushtarak i trajnuar enkas nga shërbimet sekrete amerikane për çdo të papritur që mund të ndodhë, përfshirë edhe nevojën për të kryer manovra, si ato që zakonisht i shohim në filmat aksion.

Dritaret

Të përbëra nga 5 shtresa xhami dhe polikarbonati, ato janë të afta të përballojnë edhe plumbat e kalibrit 44 Magnum. Dritaret nuk mund të hapen, me përjashtim të asaj të shoferit, që mund të hapet vetëm 8 centimetra.

Sistemet e komunikimit

I inkorporuar me sediljen e presidentit është një telefon satelitor me një linjë të drejtpërdrejtë gjithmonë të hapur me zv/presidentin dhe Pentagonin, dhe selinë qendrore të Ministrisë së Mbrojtjes. E gjitha kjo është e mundur falë një ripetitori privat, i cili sinjalizon në rast se ka mungesë të sinjalit, dhe që përcillet nga një prej makinave të eskortës presidenciale.

Dyert

Janë të blinduara dhe mbi 20 centimetra të trasha, më shumë se dyfishi i një makine normale. Pasi mbyllen, ato krijojnë një mjedis 100 për qind të izoluar, që i mbron ata që gjenden brenda edhe në rast të një sulmi kimik.

Pjesa e pasme

Në të mund të ulen presidenti dhe katër pasagjerë të tjerë, dhe është e ndarë nga një sipërfaqe qelqi e përforcuar, të cilën vetëm presidenti mund të vendosë ta ulë. Gjithashtu është e pajisur me një buton anti-panik dhe një furnizues oksigjeni shtesë.

Bagazhi i makinës

Ashtu si pjesa e përparme, edhe pjesa e pasme ka pajisjet e saj të sigurisë, me një portabagazh të pajisur me sistemet e fikjes së zjarrit, gaz lotsjellës dhe tymuese.

LEXO EDHE:  Mateo Salvini, “Donald Trump” i Evropës/ Burokracia e Brukselit, e ka shkatërruar ëndrrën evropiane

Pajisjet e emergjencës

Pavarësisht sigurisë që ofron ky bunker me rrota, nëse presidenti do të plagosej, në makinë gjendet një çantë e ndihmës së shpejtë, që përfshin një qese gjaku (që përputhet me grupin e gjakut të presidentit) në rast se nevojitet një transfuzion.

Serbatori

Ai është i blinduar dhe i veshur me një shkumë të veçantë, që nuk e lejon të shpërthejë edhe nëse goditet nga një plumb. Një kuriozitet:Cadillac One punon me naftë, dhe një nga të paktat raste që u “neutralizua” ndodhi në 2013-ën, kur menaxheri i karburantit e mbushi plot… me karburantin e gabuar.

Trupi i makinës

I integruar me një armaturë të nivelit ushtarak dhe me trashësi afërsisht 13 centimetra, është dizenjuar nga një aliazh çeliku i përforcuar me alumin, titan dhe qeramikë, i aftë që të shkatërrojë edhe plumbat.

Korniza

Pjesa e poshtme e “Bishës”, është e pajisur me pllaka çeliku të afta të sigurojnë mbrojtje për pasagjerët edhe në rastin e shpërthimit të një mine apo një granate nën makinë.

Pajisjet e sigurisë

Në bordin e makinës gjendet një arsenal i vërtetë dhe disa truke alla James Bond, si armë gjahu dhe pompa që lëshojnë gaz lotsjellës nga poshtë makinës. Po në rast se një mysafir

nuk di t’i përdorë ato? Mos u trembni – ka edhe një manual udhëzimi që quhet “Futboll Bërthamor”.

Gomat

Janë të përforcuara nga një fibër sintetike, që i reziston shumë nxehtësisë që quhet kevlar, dhe që është në gjendje t’i rezistojnë shpimeve dhe prerjeve. Dhe si të mos mjaftonte kjo, disqet prej çeliku do t’a lejonin shoferin që ta ngiste makinën, edhe nëse gomat do të ishin tërësisht të shkatërruara.

Kabina e shoferit

Nga kroskoti menaxhohen të gjitha zbulimet teknologjike të gjeneratës së fundit, me të cilat është pajisur limuzina presidenciale, përfshirë një sistem të drejtpërdrejtë të komunikimit me shërbimet e sigurisë dhe një sistem të integruar GPS që është gjithmonë aktiv. Në pjesën e përparme të makinës janë dhe dy kamera me rreze infra të kuqe, që lejojnë drejtimin e makinës përmes ekranit, madje edhe me drita të fikura dhe në errësirë ​​absolute./ focus.itPërshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Super-kanabisi po pushton Evropën

Publikuar

-

Nga

Nuk është më kanabisi i dikurshëm. Kjo theksohet në raportin e këtij viti të EMCDDA, agjencia e Bashkimit Evropian që merret me varësinë nga droga. Ajo kap një dukuri në zhvillim, me karakteristika të papara, befasuese, dhe mbi të gjitha më shqetësuese.

Dokumenti nënvizon se si është “bërë gjithnjë e më e lehtë” të kesh akses në produkte me një përmbajtje të lartë të THC, tetrahidrokanabinolit, përbërësi psikoaktiv i kësaj bime narkotike. Mesatarisht, niveli i THC tek marijuana që është më së shumti në qarkullim, është ekuivalente me “dyfishin” e saj që u analizua në vitin 2008.

Agjencia e BE-së, thekson se kanabisi është një element “i rëndësishëm” në procedurat e rehabilitimit nga droga. Por marrëdhënia midis problemeve të lidhura me këtë substancë, dhe zhvillimeve në tregun e barnave, vazhdimisht në ndryshim, janë kuptuar shumë dobët deri më tani.

Krahasuar me vetëm 10 vjet më parë, është bërë gjithnjë e më e lehtë blerja e formave të reja të kanabisit, si dhe produkteve komerciale të bazuara tek ekstraktet bimore. Për më tepër, rrëshira e kanabisit dhe kanabisi në formë gjethesh dhe boçesh, kanë mesatarisht një përmbajtje “2 herë më të madhe” të THC krahasuar me 10 vjet më parë.

Të gjitha këto të dhëna, kërkojnë që një mbikëqyrje “më intensive” në këtë sektor. Këto probleme dhe të tjera, si disponueshmëria e produkteve narkotike me përmbajtje më të ulët të THC, të tregtuara për përmbajtjen e lartë të CBB (kanabidiolit, një tjetër përbërës aktiv në këtë bimë, që megjithatë nuk ka efekte narkotike), do të shqyrtohen në një nga botimet e ardhshme të EMCDDA.

Analiza e kryer nga kjo agjenci, nënvizon “një rritje të potencës së kanabisit në formë gjetheje dhe boçeje, si dhe pjesën e tij të lëngshme që nga viti 2008. Të dhënat më të fundit sugjerojnë se përmbajtja e THC në rrëshirën e kanabisit të shitur në Evropë, është sot mesatarisht dy herë më e lartë, sesa ajo e kanabisit në gjethe dhe boçe.

Nga vendet që kanë kryer sondazhe që nga viti 2001, 8 raportuan vlerësime më të larta për përdorimin e kanabisit tek të rriturit e rinj (15-34 vjeç), sesa vitin e kaluar. Në 3 vende të dhënat janë të qëndrueshme, dhe vetëm një vend mund të shfaqë vlerësime më të ulëta sesa sondazhi i mëparshëm. Në tetë prej këtyre vendeve, dhe kjo është ndoshta shifra më alarmante, përdorimi është rritur në mesin e të rinjve të moshës 15-24 vjeç.

LEXO EDHE:  Atentati ndaj prokurorit i mirëmenduar/ Zbardhen fakte të reja

LEXO EDHE:  Aksident në Durrës/ Makina kthehet përmbys, shoferi përfundon në spital

Sa janë konsumatorët e rregullt të këtij lloj kanabisi në Evropë?

Bazuar në sondazhet e popullatës së përgjithshme, vlerësohet se në Bashkimin Evropian përdoruesit e përditshëm ose gati ditorë të kanabisit, pra ata që e kanë përdorur këtë drogë për 20 ose më shumë ditë në muajin e fundit, janë rreth 1 për qind e të rriturve, ku shumicën e përbëjnë (rreth 60 për qind) njerëzit nën moshën 35 vjeç, dhe rreth treçereku i tyre janë meshkuj.

Në vitin 2018, rreth 135.000 njerëz në Evropë iu nënshtruan trajtimit të specializuar për problemet që lidhen me përdorimin e kanabisit (32 për qind e të gjitha kërkesave për trajtim). Nga këta, rreth 80 mijë e kanë bërë këtë për herë të parë.

Në 24 vendet e BE-së që kanë të dhëna, numri i përgjithshëm i përdoruesve të pranuar në qendrat e rehabilitimit për problemet e lidhura me kanabisin, u rrit me 64 për qind midis viteve 2006-2018.

Pesëmbëdhjetë vende, raportuan një rritje midis 2006-2018, dhe 14 prej tyre raportuan një rritje në vitin e fundit (2017-2018). Në përgjithësi, 50 për qind e përdoruesve që hynë për herë të parë në rehabilitim në vitin 2018 për shkak të përdorimit të kanabisit, raportuan një përdorim ditor të kësaj droge muajin e fundit./ focus.it–Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Sukseset dhe dështimet me integrimin e emigrantëve në Gjermani

Publikuar

-

Nga

Nga Emily Schultheis “Foreign Policy”

* Gelsenkirshen – Gati pesë vjet më parë, kur Muhamad Akur mbërriti në këtë qytet me 260.000 banorë në rajonin perëndimor të Ruhrit, ai ishte aq i etur të mësonte gjermanisht, sa që i kërkoi ndihmë kujtdo që mund ta ndihmonte:mësues, miq dhe madje edhe të huaj në rrugë – me të cilët ai zhvilloi intervista të rreme për të praktikuar gjuhën, dhe për të pasuruar fjalorin.

Atëherë vetëm 15 vjeç, Akur ishte larguar nga qyteti i tij i lindjes Alepo, dhe kishte pasur një udhëtim të vështirë nëpër Siri, Turqi dhe Ballkan, për të arritur deri në Gjermani. Sot, në moshën 20-vjeçare,  jeta e Akur ka ndryshuar plotësisht.

Ai këtë pranverë mbaroi shkollën e mesme, duke dalë me nota shumë të mira në provime ndryshe prej shumë bashkëmoshatarëve të tij gjermanë. Tani, ai shpreson të studiojë për mjekësi, si motra e tij e madhe që ndodhet ende në Siri. Edhe pse pa sukses, Akur kandidoi edhe në zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte në landin Nordrhein-Westfalen, për një vend në këshillin e integrimit të Gelsenkirshen, në radhët e socialdemokratëve të qendrës së majtë.

“Shkolla dhe gjuha ishte ndryshe. Dhe unë e pranova atë. Unë e njoh kulturën, tani e di se si sillen gjermanët, cilat vlera përfaqësojnë, dhe jam mirënjohës për këtë. Dhe për shkak të kësaj, ndihem i integruar. Njerëzit flasin gjithmonë për integrimin, dhe shumë prej nesh janë të integruar. Shumë punojnë, paguajnë taksa”- thotë ai.

Në vitet 2015-2016, Gelsenkirshen pranoi mijëra refugjatë si Akur. Ishte një prej shumë qyteteve që e bënë këtë. Por 5 vjet më vonë, emigrimi dhe integrimi mbeten çështje thellësisht përçarëse në vend, dhe kanë ndihmuar në nxitjen e mbështetjes për partinë populiste të së djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD), që në vitin 2017 hyri për herë të parë në parlament.

Ndërsa Gjermania parashikon të ketë fluks të madh të emigrantësh – dhe po shqyrton nëse do t`i pranojë dhe si do t’i pranojë të sapoardhurit – shumë analistë po pyesin nëse pohimi i Merkelit ishte i vërtetë:A është ngritur vërtet vendi në sfidën e integrimit të shumë emigrantëve që ka pranuar vitet e fundit?

Kësaj pyetje nuk mund t’i përgjigjesh, pa u menduar më parë për një pyetje tjetër:Çfarë do të thotë të jesh plotësisht i integruar, dhe kush është përfundimisht përgjegjës për nxitjen e procesit të integrimit? Ka histori suksesi si ajo e Akur dhe shumë të tjerëve që kanë punuar pa u lodhur për të ndërtuar një jetë të re për veten e tyre.

Ka edhe disa të tjerë që me sa duket nuk duan të integrohen; dhe ka të tjerë akoma, të cilëve sistemi ua vështirëson shumë integrimit, edhe nëse këtë e dëshirojnë emigrantët. Por integrimi mund të nënkuptojë gjëra të ndryshme për komunitete të ndryshme, dhe llojet e ndihmës që merr një emigrant, e gjitha kjo varet nga vendi prej nga vjen dhe arsyeja pse ka ardhur në Gjermani.

“Integrimi kërkon kohë, durim, personel dhe para. Ai nuk funksionon në asnjë mënyrë tjetër”- thotë Melek Topaloglu, kreu i Këshillit të Integrimit në Gelsenkirshen. “Sigurisht, ndonjëherë nuk funksionon. Por sfidat janë pjesë e procesit, dhe s’ka asnjë formulë magjike për të bërë që gjithçka të funksionojë në mënyrë perfekte”- shton ai.

LEXO EDHE:  Mateo Salvini, “Donald Trump” i Evropës/ Burokracia e Brukselit, e ka shkatërruar ëndrrën evropiane

LEXO EDHE:  Zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë/ Përshkallëzohet gara në dy kampet

Ndërsa Gelsenkirchen ka qenë gjithnjë i larmishëm në aspektin demografik – gjatë periudhës së lulëzimit të industrisë së qymyrit dhe çelikut në Ruhr, mijëra punëtorë erdhën këtu nga e gjithë Evropa, si dhe nga Turqia dhe Afrika Veriore – fluksi i të ardhurve në 6 vitet e fundit, e ka vendosur nën presion traditën e vjetër të qytetit dhe jetesën harmonike multikulturore.

Sot, afro 36 për qind e banorëve të qytetit janë më origjinë emigrante, pra ata ose të paktën një nga prindërit e tyre nuk kanë lindur këtu. Shtetasit jo-gjermanë përbëjnë 20 për qind të popullsisë së përgjithshme. Nga këta, rreth një e treta janë me origjinë turke, 12 për qind janë nga Siria dhe 9 për qind nga Rumania.

Por sot qyteti përballet me një krizë ekonomike. Sot, banorët e saj kanë të ardhurat më të ulëta për frymë në të gjithë Gjermaninë, dhe shkallën më të lartë të papunësisë. Për pasojë emigrantët fajësohen shpesh për problemet e qytetit.

Dhe diskutimet rreth integrimit dhe problemet e krijuara nga emigracioni, nuk arrijnë jo rrallë të bëjnë dallimin midis njerëzve për të cilët integrimi po funksionon, dhe atyre për të cilët nuk funksionon. Këto probleme kanë ndihmuar në suksesin relativ të AfD.

Ajo fitoi këtu 17 për qind në zgjedhjet federale të 2017-ës, krahasuar me 12.6 për qind në të gjithë vendin.

Enxhi Seli-Zakarias, që është anëtare e këshillit të qytetit për AfD, pasi u largua nga Shqipëria me prindërit u vendos në Gjermani kur ishte 6-vjeçe, ajo thotë se e kupton shumë mirë se sa i vështirë mund të jetë integrimi. Njëherazi, pikërisht për shkak të përvojës së saj, ajo ka pak durim me ata që nuk bëjnë të njëjtën përpjekje që bëri ajo për t’u integruar në shoqërinë gjermane.

AfD ka një pikëpamje më të rreptë mbi integrimi, që është më e ngjashme me asimilimin: ajo pret jo vetëm që emigrantët të flasin gjermanisht dhe të gjejnë një vend në shoqëri, por që gjithashtu ta përqafojnë plotësisht kulturën, vlerat dhe traditat gjermane.

“Një nga gjërat më me rëndësi që kam dëgjuar në jetën time, ishte kur nëna ime më tha në fillim të klasës së parë:Dëgjo, këtu ne flasim gjermanisht. Kjo ishte pozitive për mua, por sigurisht ishte e vështirë. Emigrantët duhet ta shohin integrimin si një kërkesë”-vazhdon ajo. “Ne nuk mund të ndjekim thjesht moton:Dyert janë të hapura për të gjithë. Të gjithë janë të mirëpritur. Duhet të ketë një marrëdhënie jep-merr, dhe integrimi funksionon vetëm kur ruan një lloj ekuilibri”- thekson ajo./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Trump vs Biden/ Pesë arsye, pse një amerikan i arsyeshëm duhet të votojë sërish Trumpin

Publikuar

-

Nga

Trump vs Biden/ Pesë arsye, pse një amerikan i arsyeshëm duhet të votojë sërish Trumpin

Nga Liz Peek “Fox News”

* Katër vjet më parë, mbështetja ndaj Donald Trumpit për t’u bërë president ishte e diskutueshme. Sot, mbështetja ndaj presidentit është bërë e rrezikshme. Njerëzit po humbin punën e tyre, fëmijët po dëbohen nga shkollat, dhe bizneset po bojkotohen, pasi pronarët e tyre mbështesin Presidentin Trump. Imagjinoni ku kemi mbërritur.

Në përgjigje ndaj sulmit të “demokratëve” ndaj kandidatit Trump në vitin 2016, unë shkrova një artikull me titull:”Pesë arsyet pse një person i arsyeshëm mund të votojë për Trumpin”. Argumentet që vura në dukje atëherë qëndrojnë, madje janë ndoshta sot edhe më bindëse.

E para:Edukimi. Nëse besoni në mundësi të barabarta, dhe doni që të gjithë të rinjtë amerikanë të marrin një arsimim të denjë. Në shumë qytete të drejtuara nga demokratët, fëmijët hispanikë dhe afro-amerikanë nuk e marrin diçka të tillë.

E megjithatë sindikatat e mësuesve dhe mbështetësit e tyre në Partinë Demokratike refuzojnë të marrin përgjegjësitë për dështimet, apo reforma për të dalë nga kjo situatë, duke i katandisur miliona fëmijë zezakë dhe hispanikë si qytetarë të dorë së dytë.

Qyteti i Nju Jorkut shpenzon 28.808 dollarë për çdo nxënës në shkollat publike. Por në vitin 2019 vetëm 28 për qind e fëmijëve zezakë ishin të aftë në matematikë, dhe 35 për qind ishin kalues në gjuhën angleze. Kjo është e papranueshme, por kandidati demokrat Xho Bajden, synon t’u japë edhe më shumë fonde miqve të tij në Shoqatën Kombëtare e Arsimit dhe Federatën Amerikane të Mësuesve. Vetëm gjatë vitit të kaluar, këto 2 sindikata shpenzuan 25 milion dollarë në fushata politike, ku 94 për qind e tyre shkuan për demokratët.

Arsyeja e dytë: ObamaCare. Ndërsa Bajden përpiqet t’i trembë njerëzit, duke thënë se Shtëpia e Bardhë e Trumpit do të nxjerrë nga skema njerëzit me sëmundje kronike, gjë që nuk është e vërtetë, demokratët harrojnë të përmendin faktin se kostoja e primeve të sigurimit nën ObamaCare për njerëzit që nuk marrin subvencione, e dyfishuar midis viteve 2013-2017, duke e bërë të papërballueshme skemën për miliona amerikanë.

Për pasojë, u shtua numri i njerëzve të pasiguruar në vend. Deri në vitin 2019, vetëm 11.4 milionë amerikanë u regjistruan në shkëmbimet e kujdesit shëndetësor. Administrata Trump dëshiron të rrisë numrin e njerëzve me mbulim të shpenzimeve shëndetësore, duke lejuar plane private afatshkurtra më pak të kushtueshme.

Presidenti Trump po përpiqet ndërkohë të ndalë rritjen e kostove të kujdesit shëndetësor duke firmosur një urdhër ekzekutiv që u kërkon kompanive të bëjnë transparencën e çmimeve, gjë që kundërshtohet nga komuniteti mjekësor.

Arsyeja e tretë: Ekonomia. Ndërsa po dalim nga një recesion ekonomik serioz, politika e Trump për taksa më të ulëta, dhe këmbëngulja për marrëveshje më të mira tregtare për punëtorët amerikanë, do të frymëzojë investime dhe zgjerim të biznesit, dhe do të nxisë krijimin e më shumë vendeve të reja të punës.

LEXO EDHE:  VIDEO/ Shihni çfarë i bën Trump, Macron-it

LEXO EDHE:  E parkoi makinën jashtë shtëpisë/ Disa persona i vënë flakën me lëndë djegëse

Kjo është ajo që ndodhi në vitin 2016; sapo u zgjodh presidenti, optimizmi i biznesit dhe konsumatorit u rrit, duke e nxjerrë ekonominë tonë nga letargjia ku kishte rënë dhe duke e futur në binarët e një rritje të kënaqshme ekonomike.

Rezultati ishte një rritje e paprecedentë e punësimit, dhe rritja më e madhe e pagave në një dekadë. Të ardhurat e vitit të kaluar, u rritën me 6.8 për qind si rezultat i pagave më të larta. Kjo do të ndodhë sërish. Aktiviteti ekonomik është rikthyer më shpejt në muajt e fundit sesa prisnin ekonomistët, edhe pse pjesa më e madhe e vendit ka qenë e mbyllur, dhe parashikohet më shumë rritje në vitin 2021.

Receta e Xho Bajdenit për taksa më të larta, sidomos për investitorët, do ta ndalnin këtë vrull. Po kështu do të bënte edhe ri-hyrja e SHBA në Marrëveshjen e Klimës në Paris, dhe zotimit për të eleminuar plotësisht karburantet fosile.

Arsyeja e katërt: Pakënaqësia me qeverinë. Amerikanët nuk duan një qeveri më të madhe federale. Sot, falë përpjekjeve të Trumpit për të zvogëluar barrën rregullatore për pronarët e bizneseve të vogla dhe individët, vetëm 36 për qind e amerikanëve thonë që ka shumë më tepër rregullore sesa duhet, ndërsa 36 për qind mendojnë se kemi “sasinë e duhur të mbikëqyrjes”. Ky quhet progres.

Dhe arsyeja e pestë dhe e fundit:Gjykata e Lartë. Katër vite më parë shkrova se ata që besonin tek tregjet e lira dhe qeveria e vogël, kishin nevojë të mbështesnin një president të përkushtuar në emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe gjykatësve në gjykatat e tjera, të cilët do të mbronin kushtetutën tonë.

Trump i ka tejkaluar pritjet në këtë front dhe çuarja e Emi Barret në Gjykatën e Lartë, do të jetë një mbrojtje tjetër kundër aktivizmit gjyqësor, dhe rritjes së pushtetit federal. Por mos kini ndonjë iluzion: sfidat vazhdojnë.

Këto pesë arsye për të votuar Trumpin, mbeten të rëndësishme edhe sot. Arritjet e tij të shumta – sjellja e pengjeve në shtëpi, marrëveshjet e rishikuara tregtare, frenimi i Kinës, rindërtimi i ushtrisë, forcimi i kufijve tanë, nismat për paqe në Lindjen e Mesme – dhe radikalizmi i së majtës amerikane, e bëjnë edhe më të lehtë zgjedhjen e tij./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE