Connect with Us

Dëshmia e rrallë e ish-ballistit/ E vërteta e vrasjes së Ali Demit në tavanin e shtëpisë në fshatin Kaninë

Histori

Dëshmia e rrallë e ish-ballistit/ E vërteta e vrasjes së Ali Demit në tavanin e shtëpisë në fshatin Kaninë

Publikuar

-

Publikohet historia e panjohur e familjes Roshi nga fshati Golem i Gjirokastrës,  ku disa nga burrat më në zë të saj, pasi kishin luftuar kundra forcave osmane dhe çetave të andartëve grekë, në 1912-ën, u rreshtuan me Ismail Qemalin, duke shërbyer si oficerë të Ushtrisë Kombëtare të porsakrijuar. Memorie.al sjell dëshminë e rrallë e Avdyl Hakan Banushit, lidhur me familjen nacionaliste Roshi, të cilët gjatë periudhës së pushtimit të vëndit, u rreshtuan me forcat nacionalsite të Ballit Kombëtar, duke luftuar kundër forcave partizane, pas luftës vëllavrasëse që kishte filluar pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes. Historia e përplasjes së forcave partizane të komanduara nga Ali Demi në fshatin Kaninë të Vlorës në dhjetorin e vitit 1943, me forcat balliste të komanduara nga profesor Tare Kalo, ku mbeti mbeti i vrarë dhe Ali Demi. Ngjarje e cila solli persekutimin e fisit Roshi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke filluar nga Alem Reiz Roshi, që u dënua me pushkatim që në ditët e para të mbarimit të Luftës në vitin 1943, Osman Roshi, që u pushktua në vitin 1950, si dhe të tjerë pjestarë të kësaj familje, si Mehmet Reiz Roshi, që u detyruan të arratisej nga Shqipëria, apo si Bajram Roshi, që kaloi 23 vite në qelitë errta të burgjeve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, etj.

Historia tragjike për familjen Roshi do të vazhdonte gjatë, zanafilla e saj nisi në dhjetorin e vitit 1943, kur në fshatit Kaninë në përpjekje me forcat komuniste, të kryesuara nga Ali Demi, mbeti i vrarë Refik Osman Roshi. Akoma pa u shuar mirë hidhërimi në këtë familje, në nëntor të 1944-ës, në qytetin e Shkodrës, arrestohet një tjetër djalë i kësaj familjeje, i quajtur Alem Reiz Roshi. Gjyqi kundër tyre u zhvillua në Gjykatën Ushtarake të Qarkut të Gjirokastrës, ku ai u dënua me vdekje së bashku me dy nacionalistë Zenel Gjoleka, dhe Selam Karma. Që nga ajo kohë familja Roshi nga Golemi i Gjirokastrës, do të vuante persekutim e egër dhe barbar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ky persekucion do të mbaronte vetëm në vitin 1991”. Kështu e kujtonte historinë e kësaj familjeje, Abdyl Hakan Banushi, me origjinë nga fshati Golem i Gjirokastrës, ish-pjestar i forcave nacionaliste të Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë periudhës së Luftës, i cili e kaloi gjithë jetën e tij në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës deri në vitin 1990.

Cila ishte e kaluara e fisi të njohur Roshi dhe cilët ishin disa nga përfaqësuesit më në zë të tij që bënë emër të madh në luftrat dhe kryengritjet shqiptare në vitet e para të shekullit të kaluar, si dhe gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist! Cili ishte qëndrimi politik që mbajtën pjestarët e atij fisi dhe roli i tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare? Përse ata u perfshinë me organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe cilat ishin rrethanat e vrasjes së Refik Osman Roshit?! Përse forcat balliste u konfrontuan me armë me forcat partizane të komanduara nga Ali Demi. Cilët ishin burrat më të njohur të atij fisi dhe përse u persekutuan ata nga regjimi komunist i Enver Hoxhës?!

Roshajt në Shpalljen e Pavarësisë

Origjina e fisit Roshi është nga Golemi i Gjirokastrës, i cili ndodhet në veri-lindje të qytetit të gurtë. Ai është i njohur për historinë e tij që nga kohërat e lashta. Mendohet që të parët e asaj familje janë vendosur në fshat përpara periudhës së Skëndërbeut, por të dhëna të sakta rreth arrdhjes së tyre në fshat, janë fare të pakta. Ndonëse kjo familje ka qenë tepër e njohur, gjatë periudhës së pushtimit osman, një nga më të njohurit e atij fisi ka qënë Osman Roshi. Lidhur me këtë Abdyl Banushi tregonte: “Bëmat dhe historitë e atij burri të famshëm të quajtur Osman Roshi, kujtohen edhe sot e kësaj dite nga bisedat me banorët e ndryshëm të fshatit tonë. Shumë prej tyre mburren me të kaluarën e tij. Ashtu si dhe të parët e fisit dhe familjes së tij, që kishin luftuar kundër pushtuesit turk, dhe Osman Roshi, në vitet 1911 – 1912 mori pjesë aktive në kryengritjet që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Bashkë me Osmanin, në ato luftra morën pjesë dhe disa nga të afërmit e tij, të cilët ashtu si ai, jo vetëm e nderuan emrin e asaj familjeje, por edhe historinë e fshatit tonë të njohur për traditat atdhetare. Vetëm pak ditë pas ngjarjes së madhe të 28 nëntorit 1912, Ismail Qemali, me cilësinë e Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, e dekretoi Osman Roshin si oficer të Ushtrisë Shqiptare, të krijuar më 4 dhjetor. Pas kësaj ai u emërua si oficer në një regjiment ushtarak që u caktua për mbrojtjen e kufijve juglindorë të vëndit nga kërcënimet e trupave greke. Gjatë asaj periudhe Osmani, drejtoi me qetësi dhe maturi atë regjiment, i cili u bëri ballë sulmeve dhe incidenteve artificiale të krijuara nga çetat e andartëve grekë. Osmani shërbeu në forcat e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare edhe pas rënies së qeverisë së Ismail Qemalit. Pas ikjes së Princ Ëidit nga Shqipëria, Osman Roshi, u largua nga rradhët e ushtrisë dhe u kthye në vëndlindjen e tij”, kujtonte Abdyl Banushi, lidhur me të kaluarën e fisit Roshi, dhe historinë e Osmanit.

Po kështu ajo familje, është e njohur edhe për përkrahjen që i dha qeverisë së sapodalë nga Kongresi i Lushnjes në 1920-ën dhe për pjesëmarrjen si vullnetarë në Luftën e Vlorës. Gjatë asaj lufte, kundër forcave të ushtrisë italiane të udhëhequr nga burrat më në zë të Vlorës, si Osman Haxhiu, Qazim Kokoshi, Qazim Koculi, etj,. përveç Osmanit, luftuan dhe dy vëllezërit e tij, Mustafai dhe Reizi. Ky kontribut i’u njoh edhe gjatë periudhës së Monarkisë së Mbretit Zog.

Incidentet në Libihovë dhe Glinë

Gjatë viteve të Monarkisë së Mbretit Zog, pjestarët e fisit Roshi nuk u përzien me politikë por shikuan punët e tyre. Ndryshe nga ajo periudhë, gjatë kohës së pushtimit italian dhe gjerman të vëndit, pothuajse i gjithë fisi, mbajti anën e Ballit Kombëtar, të drejtuar nga Mit’hat Frashëri. Lidhur me ketë, Abdyli Banushi në mes të tjerash tregonte: “Historia tragjike për familjen Roshi, e ka zanafillën në vjeshtën e vitit 1943, kur Partia Komuniste Shqiptare në mënyrë të njëanshme, prishi Marrëveshjen e Mukjes. Prishja e asaj marrëveshjeje dha menjëherë frytet e hidhura në të gjitha krahinat e vëndit, duke filluar vëlla-vrasjen! Kjo gjë ndodhi dhe në rrethin tonë të Gjirokastrës, ku shtatë ditë pas mbledhjes, në shtatorin e vitit 1943, forcat partizane hynë në Komunën e Libohovës dhe vranë shumë nacionalistë dhe antarë të Ballit Kombëtar që ndodheshin aty. Kjo masakër e madhe shkaktoi një indinjatë të thellë tek banorët dhe për këtë arsye, forcat balliste të komanduara nga Qazim Rustemi, morën si detyrë që të rrethonte forcat partizane që ishin pozicionuar në Glinë, afër Gjirokastrës. Pas këtij rrethimi, ai i sulmoi duke i asgjësuar plotësisht ata. Por pas këtij akti, edhe pse e dinte që trupat komuniste kishin filluar të parët luftimet, Komanda e Ballit Kombëtar të Gjirokastrës, e dënoi këtë sulm të forcave të Qazim Rustemit. Ky konflikt do të shënonte dhe fillimin e armiqësisë midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste, dhe për këtë arsye fisi Roshi do ta pësonte mjaft rëndë”.

Vrasja e Ali Demit nga Refiku

Pas fillimit të luftës vëllavrasëse midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste, ndodhi dhe një nga ngjarjet më tragjike për familjen Roshi të fshatit Golem të Gjirokastrës. Lidhur me këtë, Abdyl Banushi tregonte: “Në dhjetorin e vitit 1943, një batalion partizanësh i komanduar nga komunisti Ali Demi, i njohur si atentatori profesionist, hyri në fshatin Kaninë të Vlorës, ku dhe vendosi shtabin e tij. Në atë kohë kjo zonë kontrollohej nga forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe komandanti i forcave të Vlorës, major Enver Risilia, i cili dha urdhër që batalioni komunist i Ali Demit, të largohej menjëherë nga ai fshat. Pasi Ali Demi e refuzoi urdhërin e dhënë, major Enver Risilia njoftoi Komandantin e Xhandarmërisë së zonës Gjirokastër – Vlorë, Ismail Golemin, i cili urdhëroi komandantin e batalionit, Profesor Tare Kalon, që të shkonte në ndihmë të forcave të Ballit Kombëtar që ishin nisur për në Kaninë. Pas këtij urdhëri, Profesor Tare Kalo së bashku me Ali Shefqet Mustafarajn, u nisën për në drejtim të fshatit Kaninë, ku ishte instaluar batalioni partizan i komanduar nga Ali Demi. Ata kishin marrë urdhër që në rast kundërshtimi nga ana e forcave partizane të Ali Demit, kundër tyre të përdorej forca. Dhe ashtu siç ishte parashikuar, Ali Demi, me forcat që komandonte e kundërshtuan urdhërin për t’u larguar nga ai fshat, dhe pas kësaj, ndërmjet dy palëve u nis një luftë e ashpër. Pas disa orë luftimesh, batalioni partizan filloi të tërhiqej, por komandanti i tyre, Ali Demi, bashkë me dy partizan që ishin shoqërues të tij, mbetën të rrethuar brenda në fshat dhe u fshehën në një shtëpi njëkatëshe, e cila njihej si mbështetëse e partizanëve. Pas kësaj, komandanti i batalionit të Ballit Kombëtar dhe urdhër që të kontrolloheshin të gjitha shtëpitë që dyshoheshin se ishin të lidhur me partizanët. Gjatë atij kontrolli, mori pjesë dhe kapterri 23 vjeçar i forcave balliste, Refik Osman Rroshi, i cili e zbuloi Ali Demin e dy rojet e tij që ishin fshehur në tavanin e një shtëpie ku ata bënë kontroll. Pas kësaj, Refiku i urdhëroi ata që të dorëzohen, por Ali Demi me dy partizanët e tjerë shpërthyen çatinë e shtëpisë dhe tentuan të dilnin nga rrethimi. Në atë moment, Refiku u gjend ballë për ballë me Ali Demin dhe qëlloi me automatik, duke e vrarë atë dhe dy rojet e tij. Pas asaj vrasje, forcat partizane u kthyen përsëri në fshat dhe gjatë betejës së ashpër që u ndez midis tyre, mbeti i vrarë edhe Refik Osman Rroshi”, tregon Avdul Banushi, për incidentin në fshatin Kaninë, ku mbeti i vrarë Ali Demi, (“Hero i Popullit”).

Ekzekutimi i Alem Rroshit

Pas vrasjes së Refik Rroshit, në rradhët e forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar, mbeti një nga djemtë e tjerë të asaj familje, 18 vjeçari Alem Reiz Rroshi, i cili në atë kohë shërbente si truprojë e Zenel Gjolekës, njërit prej eksponentëve kryesor të Ballit Kombëtar për rrethin e Vlorës. Pasi kishte marrë pjesë në disa luftime kundra forcave partizane, Alemi u arrestua prej tyre në nëntorin e vitit 1944, në qytetin e Shkodrës. Pas arrestimit ai u soll në qytetin e Gjirokastrës, për t’u gjykuar nga Gjykata Ushtarake e atij Qarku, ku bashkë me të, në bankën e të akuzuarve ishin dhe Zenel Gjoleka, Selam Karma dhe Rexhep Guga. Në seancën që u dha pretenca, prokurori Bexhet Mema, kërkoi dënimin me vdekje, për Zenelin, Selamin dhe Rexhepin, ndërsa për Alemin, vetëm 15 vjet burg. Pas dhënies së dënimit, Kryetari i Gjyqit, i tha Alemit: “I pandehur Alem Rroshi, megjithëse ke qenë roje besnike i Zenel Gjolekës, megjithëse keni kryer krime, Partia jonë dhe shoku Enver të falin jetën”. Pas kësaj ai i kërkoi fjalën e fundit Alemit, i cili i’u përgjigj: ”Zotërinj të trupit gjykues, unë kam qenë truproje i këtij patrioti, i cili është nipi i Zeneli Gjolekës së madh, që u vra në Mal të Zi, duke luftuar për trojet shqiptare, që populli edhe sot i këndon për trimërin e tij. Ja, këta janë Gjoleka-jt zoti kryetar. Nëse ju do t’i falni jetën komandanti tim Zenel Gjoleka, ju do të kryeni një vepër patriotike për një patriot të madh. Përndryshe, unë dua dhe e kam për nder që të pushkatohem lidhur dorë për dore me komandantin tim, patriot dhe trim, se edhe atje në gropën e përbashkët ku do të na hidhni, edhe atje do t’i bëjë roje”! Pas kësaj, trupi gjykues u tërhoq për të dhënë vendimin dhe pas disa minutash, e komunikoi atë duke thënë: “Zenel Gjoleka, Selman Karma dhe Alem Roshi dënohen me vdekje, me pushkatim, ndërsa Rexhep Gega, me 25 vite heqje lirie”.

Pushkatimi i Syrja Roshit

Gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, familja Roshi nga fshati Golem i Gjirokastrës, i’u nënshtrua një persekucioni të egër, të cilit mundi t’i shpëtonte vetëm Mehmet Reiz Roshi, vëllai i Alemit, i cili u detyrua dhe u arratis nga Shqipëria. Ndërsa për të tjerët që mbetën në Shqipëri, Avdyl Banushi tregonte: “Një nga djemtë e familjes Roshi, që nuk u përkul asnjëherë para dhunës së regjimit komunist, ishte dhe Syrja Osman Roshi, i cili në fillimin e viteve ’50-të, u arrestua gjoja se i implikuar në një grup fallsifikatorësh. Pas kësaj ai u dënua me vdekje, me pushkatim, dhe ekzekutimi i tij u krye në qytetin e Vlorës. Ekzekutimi i Syrjait shënoi dhe viktimën e tretë nga ajo familje, e cila do të vazhdonte të ishte nën dhunën e egër të komunistëve. Pas kësaj, babai i Alem Roshit, Reizi, e kaloi gjithë jetën në internim dhe vdiq në mjerim të thellë në fshatin Shtepës të Gjirokastrës, bashkë me djalin e tij të vogël, Bajramin, i cili vuajti 23 vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxhës”./Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

“Ia dogjën mishin me hekur të nxehtë, e qëlluan me plumb në kokë”/ Dëshmia shokuese për vdekjen e avokatit

Publikuar

-

Nga

Publikohet historia e panjohur e familjes Pipa me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës ku të parët pasi ishin diplomuar në universitetet më të njohura të perandorisë osmane dhe shërbyen për disa vjet në Stamboll në profesionet e tyre, në 1912-ën u kthyen në Shqipëri, duke i’u përgjigjur thirrjes së kryeministrit Ismail Qemali, për të ardhur dhe kontribuar në atdheun e tyre për formimin e konsolidimin e shtetit të ri shqiptar.  Historia e rrallë dhe tragjike e një prej pinjollëve të saj, Myzafer Pipës, i cili pasi mbaroi gjimnazin klasik në qytetin e Shkodrës ku ishte vendosur familja e tyre pas kthimit nga Turqia, fitoi një të drejtë studimi dhe u diplomua për Jurisprudencë në Universitetin e Padovës në Itali, në prillin e ’39-ës, ai  u arrestua dhe u internua për disa vjet në ishullin e Ventotenës.
Kthimi i Myzaferit në Shqipëri në vitin 1943 dhe emërimi i tij si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së parë të Tuzit nga ku ai u largua shpejt duke dhënë dorëheqjen dhe u kthye në Shkodër e më pas në Tiranë ku hapi studjon e tij avokatore duke marrë në mbrojtje shumë të rinj antifashiste. Arrestimi i tij nga gjermanët pas një shkrimi që bëri në revistën ‘Fryma’ që ai drejtonte së bashku me të vëllanë, Arshiun dhe internimi në Kampin e Prishtinës nga ku ai mundi të lirohet në shtatorin e ’44-ës dhe kthimi në Tiranë ku ai pas mbarimit të Luftës hapi përsëri zyrën e tij si avokat dhe në Gjyqin Special, ai morri në mbrojtje Tahsim Bishqemin, Abedin Xhikun, Andon Kozmaçin e Manush Peshkëpinë, duke debatuar ashpër me kryetarin e gjyqit, gjeneral-leitnant, Koci Xoxen. Arrestimi i tij në ’46-ën duke u akuzuar si pjesmarrës në Kryengritjen e Postribës dhe eleminimi fizik në hetuesinë e Shkodrës, pas torturave ç’njerzore që i’u bënë nga edhe nga vetë kryetari i Degës Brendshme, kolonel Zoi Themeli.

“Myzaferi ishte një patriot dhe demokrat i vendosur me ide shumë përparimtare për kohën. Ai ishte kundra çdo lloj dhune në planin qytetar dhe politik. Në bindjet e pikpamjet social-politike, Myzaferi ishte dhe predikonte për një shtet me republikë parlamentare dhe demokraci të vërtetë, ku t’i jepej prioritet politikës sociale në favor të shtresave të gjera. Ndonëse Myzaferi ishte një demokrat e antifashist i vendosur, asnjëherë nuk mori pjesë dhe nuk u organizua në asnjë forcë apo grupim politik që doli gjatë asaj kohe, sepse sipas tij, ai dëshironte një pavarsi të plotë në veprim, dhe kërkonte po kështu atë pavarsi në mendimin e lirë. Pas kulturës së gjerë juridike dhe social-politike, ai kishte dhe njohuri të thella në fushën letrare e artistike. Ai njihte e ndjente si muzikën popullore e të kultivuar shkodrane, ashtu dhe atë klasike për të cilën kishte njohuri të thella e interpretonte dhe vetë herë pas here si amator. Myzaferi gjithashtu ishte një tip shumë i dashur dhe i shoqërueshëm me një rreth të gjerë miqsh e shokësh, jo vetëm në Shkodër, por dhe në Tiranë e ngado. Ai ishte tip vital e me humor, që dinte t’a harmonizonte hokatarin me seriozitetin në punë e jetën shoqërore qytetare. Muzaferi ishte njohës i disa gjuhëve të huaja dhe shumë i dhënë pas librave, ku biblioteka e shtëpisë tyre ka qenë një nga më të njohurat në qytetin e Shkodrës. Myzaferi vishej me shije të hollë dhe kishte sensin e masës në çdo hap të jetës”.

Kështu e kujtonte avokatin dhe publicistin e njohur, Myzafer Pipa, kunati i tij (burri i motrës), Uran Kalakulla, ish-i burgosur politik për 21 vjet në regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili na tregonte të gjithë historinë e familjes Pipa, për të cilin bën fjalë ky shkrim të cilin e kemi ndërtuar sipas dëshmive të tij.

Familja Pipa nga Libohova e Gjirokastrës, të diplomuar në Stamboll

Familja Pipa është me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës e sipas dokumenteve qe ndodhen në arkivat e Stambollit, njëri nga të parët e kësaj familje i quajtur Rashit, ka qenë Guvernator i Rumelisë. Rashiti kishte dhe dy vëllezër të tjerë, Arshiun e Tafilin, të cilët ishin diplomuar në Drejtësi dhe ushtronin profesionin e gjykatësit. Tre breza pas tyre njihet Mustafa Pipa, i cili ishte shkolluar e diplomuar në kryeqëndrën e Perandorisë Osmane për Jurisprudencë, e së bashku me dy vëllezërit e tjerë, punonin në administratën shtetërore. Mustafai ishte babai i Myzaferit, i cili lindi në Turqi në vitin 1914-të. Familja Pipa, duke ju përgjigjur thirrjes së Ismail Qemalit që bëri pas shpalljes së pavarsisë, për kthimin në Shqipëri të gjithë intelektualëve e patriotëve që donin të kontribonin në ngritjen e forcimin e shtetit të ri shqiptar, u kthye në atdhe nga fundi i vitit 1914.

 

 

Nga Turqia në qytetin e Shkodrës

Familja e Mustafa Pipës u vendos në qytetin e Shkodrës ku dhe Myzaferi mori mësimet e para e mbaroi gjimnazin e famshëm klasik të atij qyteti në vitin 1936. Myzaferi ishte fëmija i parë nga dy djem e katër vajza që kishte Mustafai nga dy martesat e tija. Gjatë gjithë periudhës së gjimnazit, Myzaferi dallonte shumë nga bashkë moshatarët e tij si nga sjellja, ashtu dhe nga rezultatet mësimore. Po kështu ai shquhej dhe në pregatitjen fizike dhe bënte pjesë në ekipin e futbollit “Vllaznia” të qytetit të Shkodrës, ku luante së bashku me Riza Lushtën e Naim Kryeziun, dy futbollistët e famshëm që luajtën e shkëlqyen më pas në ekipet italiane. Në vitin 1936, kur ai ishte ende në mature, shënoi golin e fitores me ekipin e Elbasanit, në një ndeshje deçizive që është kujtuar gjatë nga tifozët shkodranë.

Student për Jurisprudencë në Padova

Pas mbarimit të gjimnazit, babai tij duke dashur që dhe i biri, Myzaferi, të ndiqte traditën familjare, vendosi që ta dërgonte për studime në Itali në degën e Jurisprudencës. Kjo gjë nuk qe e vështirë të realizohej, falë dhe diplomës së shkëlqyer të Myzaferit, i cili plotësoi të gjitha kriteret për të studjuar në Universitetin e Padovas në Itali në degën e Jurisprudencës. Kështu në shtatorin e vitit 1936, ai la Shkodrën e udhëtoi drejt Italisë së bashku me shumë shokë të tjerë që kishin fituar bursat apo të drejtat e sudimit nga qeveria mbretërore. Pak vite përpara tij, kishte fituar një të drejtë studimi dhe kishte shkuar për t’u shkolluar në Itali edhe i vëllai, Arshi Pipa, i cili u dipllomua në fakultetin e Filozofisë në Firence në vitin 1941. Në atë fakultet në Padova së bashku me Myzaferin kishin studjuar e ishin dipllomuar edhe Abaz Ermenji, (kreu i mëvonshëm i “Ballit Kombëtar”) Jakov Milaj, (studjuesi i njohur) Nikolla Shurbani etj. Në vitin 1940, gjatë kohës kur Myzaferi ishte ende student në vitin e fundit të fakultetit, duke qenë me bindje të thella antifashiste, u arrestua nga autoritetet italiane në një nga lokalet e atij qyteti ku mblidheshin zakonisht studentët shqiptarë. Shkak për arrestimin e tij u bë protesta që ai bëri ndaj agresionit fashist kundër Shqipërisë në 7 prillin e ’39-ës. Në atë lokal Myzaferi së bashku me disa shokë të tjerë këndoi me zë të lartë këngën “Vlora Vlora / bjeri më të lumtë dora”, që ishte kënga që këndohej shpesh nga studentët shqiptarë për t`ju kujtuar italianëve Vlorën e 1920-ës kur u hodhën në det. Pas arrestimit ai doli në gjygj dhe u dënua me burg, duke u dërguar për t’a vuajtur dënimin në kampin e famshëm të Ventotenes. Në këtë kamp asokohe ishin të internuar dhe shumë shqiptarë të tjerë, si profesorët e gjimnazit të Korçës, Abaz Ermenji, Safet Butka, Selman Riza, Faslli Frashëri, Abdurrahman Kreshpani, si dhe Zef Mala, Emin Duraku, Masar Shehu, Abdyl Këllezi etj., që përfaqsonin rrymën e majtë të asaj kohë në Shqipëri. Në kampin e Ventotenes në atë kohë ishin të internuar si antifashistë dhe disa nga personalitetet e të majtës italiane, si Sandro Pertini, (President i mëvonshëm i Italisë) Skoçimaro, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Italiane, Pietro Neni etj. Aty nga fundi i 1940-ës, mbas një viti internimi, Myzaferi lirohet dhe kthehet në fakultetin e Padovas, ku merr dhe dipllomën me rezultate të larta.

Avokat në Shkodër, mbron antifashistët

Mbas diplomimit në Universitetin e Padovas, Myzaferi u kthye pranë familjes në qytetin e Shkodrës dhe po atë vit, nga ana e qeverisë shqiptare ai u emërua për të punuar si gjykatës në Gjykatën e Shkallës së parë të Tuzit, që ishte brenda kufijëve politikë të Shqipërisë së asaj kohe, të njohura dhe nga Italia fashiste e Benito Musolinit. Në atë gjykatë Myzaferi nuk punoi as tre muaj dhe dha dorheqjen. Arsyet e dorheqjes ai i shpjegoi duke thënë:” Unë nuk kam mbaruar shkollën për të dënuar njerzit, por për t’i mbrojtur ata, aq më shumë kur dënohen politikisht”. Pas kësaj ai u kthye dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, duke punuar si avokat në studjon e babait tij Mustafait. Përveçse në qytetin e Shkodrës, Myzaferi asokohe ushtronte profesionin e tij si avokat dhe në Tiranë, nga ku më vonë në tetorin e vitin 1943, u vendosën të gjithë familjarisht. Që nga viti 1940 e deri në tetorin e 1943- it, periudhë që ai punoi si avokat, mori pjesë në shumë gjygje politike, duke marrë përsipër me kurajo mbrojtjen e shumë personave, kryesisht të rinj që akuzoheshin si antifashistë. Një nga ato “klientë” që asokohe u morr në mbrojtje nga ana e avokat Muzafer Pipës dhe ai mundi t’a lironte nga burgu, ka qenë dhe e reja antifashiste, Vitore Kalakulla, e cila u kap nga policia fashiste italiane, duke ngjitur trakte. Falë mbrojtjes te kualifikuar që i bëri asaj Myzaferi, mundi ta shpëtojë nga internimi i sigurtë në ishujt e Italisë.

Dëshmia e Uran Kalakullës për familjen Pipa

Lidhur me Myzaferin dhe gjithë familjen Pipa, kunati i tij (burri i motrës), Uran Kalakulla, tregonte: “Ajo ishte një familje e intelektuale e me kulturë të gjerë, duke filluar që nga babai Mustafai, vëllai Arshiu, e katër motrat e tyre. Ata ishin të gjithë të shkolluar e kishin bindje të thella antifashiste. Myzaferi ishte gjithashtu një patriot dhe demokrat i vendosur me ide shumë përparimtare për kohën. Ai ishte kundra çdo lloj dhune në planin qytetar dhe politik. Në bindjet e pikpamjet social-politike, Myzaferi ishte dhe predikonte për një shtet me republikë parlamentare dhe demokraci të vërtetë, ku t’i jepej prioritet politikës sociale në favor të shtresave të gjera. Ndonëse Myzaferi ishte një demokrat e antifashist i vendosur, asnjëherë nuk mori pjesë dhe nuk u organizua në asnjë forcë apo grupim politik që doli gjatë asaj kohe, sepse sipas tij, ai dëshironte një pavarsi të plotë në veprim, dhe kërkonte po kështu atë pavarsi në mendimin e lirë. Pas kulturës së gjerë juridike dhe social-politike, ai kishte dhe njohuri të thella në fushën letrare e artistike. Ai njihte e ndjente si muzikën popullore e të kultivuar shkodrane, ashtu dhe atë klasike për të cilën kishte njohuri të thella e interpretonte dhe vetë herë pas here si amator. Myzaferi gjithashtu ishte një tip shumë i dashur dhe i shoqërueshëm me një rreth të gjerë miqsh e shokësh, jo vetëm në Shkodër, por dhe në Tiranë e ngado. Ai ishte tip vital e me humor, që dinte t’a harmonizonte hokatarin me seriozitetin në punë e jetën shoqërore qytetare. Muzaferi ishte njohës i disa gjuhëve të huaja dhe shumë i dhënë pas librave, ku biblioteka e shtëpisë tyre ka qenë një nga më të njohurat në qytetin e Shkodrës. Myzaferi vishej me shije të hollë dhe kishte sensin e masës në çdo hap të jetës”, përfundon përcaktimin e ‘portretit’ tij, Uran Kalakulla.

Kryeredaktor i revistës “Fryma” në vitin 1944

Myzaferi me Arshiun ishin jo vetëm vëllezër, por dhe shokë të një ideali dhe mendimi. Ata mirkuptoheshin për çdo gjë duke bashkpunuar në disa drejtime. Kështu aty nga viti 1944, ata të dy pregatitën dhe nxorrën revistën me prirje nacionale e përparimtare “Fryma”. Atë revistë ata e nxorrën në qytetin e Shkodrës dhe Myzaferi ishte kryeredaktori saj. Ajo ishte një revistë shumë prestigjoze për atë kohë dhe mundi të dalë në shtatë-tetë numra. Si bashkpuntorë të saj në atë kohë, pati disa pena dhe emra të spikatur në fushën e letrave, si: Qemal Draçini, Besim Qorri, ing. Andrea Xega etj. Si editor i saj, Myzaferi u shqua për shkrime me mprehtësi, ku binte në sy erudicioni i tij dhe kopetenca profesionale në trajtimin e fenomeneve social-politikë si dhe atyre letrare të kohës. Kështu në numrin e fundit të asaj reviste, Myzaferi shkroi një artikull të gjatë, ku analizonte dhe kritikonte disa nga gabimet e qeverisë shqiptare që ishte asokohe nën okupacion gjerman.

Arrestimi nga gjermanët dhe internimi në Kampin e Prishtinës

Ishte ai artikull i cili i solli Myzaferit andralla të pafundme, deri sa përfundoi i arrestuar nga gjermanët. Pas kësaj, aty nga vera e vitit 1944 ai u internua në kampin famëkeq të Prishtinës. Në atë kamp asokohe së bashku me Myzaferin u internua dhe Gjikë Kuqali (“Hero i popullit”, por Myzaferi mundi të lirohet falë ndërhyrjes së një prej personaliteteve të njohura të Kosovës, që ishin njohur së bashku në rrethet intelektuale të Tiranës. Pas daljes nga kampi i Prishtinës, Myzaferi u vesh si partizan dhe duke kaluar nëpër male, erdhi deri në Priskë të Tiranës ku asokohe ishin grumbulluar formacione të mëdha partizane, e ndodhej shtabi kryesor i tyre. Ndonëse me uniformën e partizanit, ai nuk u inkuadrua në asnjë formacion të tillë dhe nuk mori pjesë në asnjë aksion të tyre. Mbarimi i Luftës e gjeti Myzafer Pipën në shtëpinë e tij në Tiranë, pranë prindërve, motrave, e vëllait Arshiut. Myzaferi nuk mendoi kurrë që të largohej nga Shqipëria si shumë nacionalistë të tjerë, për arsye se ai ishte i njohur si një antifashist dhe ishte dënuar si nga italianët, ashtu edhe nga gjermanët. Në këto rrethana, ai vendosi dhe hapi përsëri një zyrë avokatore në qytetin e Tiranës, për të ushtruar profesionin e tij.

Avokat në “Gjygjin Special” dhe debate me Koci Xoxen

Në avokatoren e tij e gjeti Myzaferin fillimi i marsit të vitit 1945, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës që kishte zbritur me eufori nga malet, hapi “Gjygjin Special”, për dënimin e të gjithë atyre që i konsideronte si kriminelë lufte. Në atë kohë me gjithë klimën e rëndë dhe mbytëse që ishte krijuar për atë proces gjygjësor nga ana e pushtetit komunist ku ishin vendosur në bankon e të akuzuarit mbi 60 persona, Myzafer Pipa pati kurajon që të merrte përsipër mbrojtjen e Tahsim Bishqemit, Abedin Xhikut, Andon Kozmaçit e Manush Peshkëpisë. që ishin shpallur “kriminelë lufte”. Myzaferi u mundua t`i mbronte me kopetencë profesionale e dinjitet klientët e tij dhe gjatë seancave gjyqësore ai debatoi ashpër, si me prokurorin, gjeneral-major Bedri Spahiun, ashtu dhe me kryetarin e gjyqit, gjeneral-leitnant Koci Xoxen. Kështu në një nga seancat e atij gjyqi, avokat Pipa i’u drejtua Koci Xoxes, ku midis të tjerave i tha: “Ti je një copë teneqexhi dhe nuk ke as kulturën e as dinjitetin e duhur juridik për të gjykuar këta njerëz që keni sjellë këtu, ku shumica e të cilëve janë patriotë të vërtetë” Këtë stigmatizim publik që Pipa i bëri Kryetarit të Gjyqit, ai nuk do t`ja harronte kollaj.

Arrestimi dhe vrasja në hetuesi

Nga fillimi i shtatorit të vitit 1946 në rrethinat e Shkodrës nisi ajo ngjarje që njihet tashmë si “Kryengritja e Postribës”, ku një numër i madh antikomunistësh që qëndronin të fshehur nëpër male, u organizuan dhe sulmuan me armë në drejtim të Shkodrës. Kështu pas shtypjes së saj nga brigadat partizane dhe Forcat e Ndjekjes të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit të komanduara nga Mehmet Shehu dhe Shefqet Peçi, nisën arrestimet masive. Një nga këtë persona që u akuzua dhe u arrestua si organizator e pjesmarrës në atë kryengritje, ishte dhe Myzafer Pipa. Ajo akuzë ndaj tij ishte e montuar dhe nuk qëndronte aspak, sepse ai jo vetëm që nuk kishte marrë pjesë aty, por as nuk kishte fare dijeni se kishte ndodhur një gjë e tillë. Sipas urdhërave që vinin nga Koci Xoxe e të miratuara nga Enver Hoxha, ndaj atyre të arrestuarëve të akuzuar për Postribën, u përdorën torturat më të rënda të drejtuara nga instruktorët jugosllavë që ishin atashuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme që asokohe drejtohej nga ministri, kolonel, Haxhi Lleshi. Këto tortura u përdorën dhe ndaj avokat Myzafer Pipës, ku sipas materialeve arkivore që hedhin dritë mbi këto proçes, morën pjesë që nga Kryetari i Degës Brendshme, kolonel Zoi Themeli, e ushtarakët e tjerë, si: Nesti Kopali, Vaskë Koleci, Enver Mesi etj., që asokohe shërbenin në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Sipas dëshmive të një kleriku katolik që asokohe ka qenë i arrestuar së bashku me Myzafer Pipën dhe që ka mundur të jetojë mbas shumë viteve burg, Myzaferit ja dogjën mishin me hekur të nxehtë dhe më pas i ranë me një plumb pas koke, duke e lënë të vdekur në vend. Pas kësaj, trupin e tij të pajetë e hodhën nga dritarja e hetuesisë, duke shënuar në kartelën e tij se ai u qëllua nga rojet e burgut, pasi tentoi të arratisej. Kështu avokati i njohur Myzafer Pipa, që ishte arrestuar e dënuar si antifashist me fakte e prova nga italianët e gjermanët dhe kishte shpëtuar i gjallë, nuk mundi të shpëtonte nga komunistët që e arrestuan e dënuan pa asnjë prove, duke mos i dhënë mundësinë as për të dalë në ato që ata i quanin “Gjyqet e Popullit”. Që nga ajo ditë dhe sot, akoma familja e tij nuk e di se ku mund të prehen eshtrat e Myzafer Pipës. /Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Debatet në mbledhjen me Ramiz Alinë/ Dritëro Agolli: Veprat më të mira të Kadaresë, janë trajtuar keq nga kinematografia

Publikuar

-

Nga

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1990, ku ndodhet një proces – verbal i mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila si pikë kryesore të rendit të ditës, kishte “mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike” dhe në atë mbledhje e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, përveç sekretarëve të Komitetit Qendror si: Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, merrnin pjesë edhe disa prej funksionarëve më të lartë të udhëheqjes partiake e shtetërore të asaj kohe, si: Spiro Dede, Abdyl Backa, Ali Vukatana, Sotir Koçollari, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Lisen Bashkurti, Skënder Gjinushi, Neritan Babamusta, Dhimitër Shandro, Marash Hajati etj. Proces-verbali i plotë i zhvillimit të mbledhjes me bisedat e diskutimet në mes Ramiz Alisë e udhëheqjes së lartë partiake e shtetërore të asaj kohe, me drejtuesit kryesorë nga sektori i krijimtarisë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si: Teodor Laço, Dhimitër Anagnosti e Nexhati Tafa, të cilët u ndalën gjatë në problemet e kinematografisë shqiptare.

“Të dy rrugët duket se janë racionale dhe me dobi. Janë të domosdoshme dhe studimet e plota, p.sh. studentët e degës së regjisë në Institutin e Lartë të Arteve, mund të studiojnë për regjisorë pasi të kenë mbaruar 3-4 vjet shkollë. Në përgjithësi dhe në vendet e tjera të botës, regjisorët përgatiten pasi të kenë mbaruar shkollën e lartë. Studimet për regjizurë janë për ta një shkollë e dytë. Madje në mjaft raste ata që përgatiten për regjizurë, nuk shkojnë nga fakultetet e dramës apo të regjisë, por nga fakultetet e tjera, sidomos nga ai i letërsisë. Këtë deri më sot nuk e kemi praktikuar, por me ato të regjisorit, sepse në kohën e tanishme zakonisht regjisori i filmit është dhe autor ose bashkautor i skenarit. Kjo do të ishte njëra rrugë e përgatitjes së plotë profesionale. Rruga e dytë është që kuadrot që kemi, t’i përgatisim me kurse pasuniversitare me periudhë të shkurtër 1 vjeçare për regjizurë. Përshembull, ne këtë vit mbyllëm me sukses një kurs pasuniversitar me 4 studentë të regjizurës, të cilët realizuan dy filma të mirë. Për t’u përgatitur në rrugën e parë kemi dërguar një student në Francë që do të studiojë 4 vjet regji. Megjithatë ai është një i vetëm dhe për mendimin tim, duke parë kërkesat që ka sot Kinostudioja, është shumë pak…!”

Kështu u shpreh mes të tjerash në fjalën e tij në një nga mbledhjet e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1990, Teodor Laço, asokohe shef i redaksisë së skenarëve në Kinostudion “Shqipëria e Re”, mbledhje me temë “Mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike”, e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, ku përveç sekretarëve të tjerë të Komitetit Qendror, si Foto Çami, Lenka Çuko dhe Hekuran Isai, ishin të pranishëm edhe pjesa më e madhe e udhëheqjes së lartë partiake e shtetërore e asaj kohe që kishin lidhje direkte apo indirekt me artin e kulturën. Për më shumë se çfarë është diskutuar në atë mbledhje ku përveç Teodor Laços, nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, merrnin pjesë dhe regjisori Dhimitër Anagnosti e skenaristi, Nexhati Tafa, na njeh dokumenti në fjalë me proces-verbalin e asaj mbledhje, që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë në disa numra të rubrikës dossier.

Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me kuadrot e sektorit të krijimtarisë së Kinostudios “Shqipëria e Re”

SHOKU RAMIZ ALIA: Këtë parim e mbështes dhe unë, veç lidhja e këtyre dy hallkave duhet të jetë e tillë, që me të ardhurat e filmave Kinostudioja të jetë në gjendje të ndërtojë dhe salla kinemaje.

SHOKU ALFRED UÇI: Të ardhurat nga kinematë do të vijnë duke u përmirësuar. Ka dhe një problem tjetër. Filmat e Kinostudios jepen jo vetëm në sistemin tonë, por edhe në atë të MPB-së, MMP-së, Televizionit. P.sh., Televizioni merr rreth 100 filma në vit nga Kinostudioja dhe jep për ta një shpërblim fare minimal. Kështu ndodh dhe në institucionet e tjera, prandaj të ardhurat që sigurohen nga këto filma nuk janë realë. Në fakt të ardhurat nga filmat janë të mëdha, por ato nuk grumbullohen nga Kinostudio, por ngelen nëpër xhepa të tjerë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju duhet të studioni tërë impaktin ekonomik të kësaj çështjeje.

SHOKU ALFRED UÇI: Kemi propozuar të studiohet tani.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mos u mjaftoni vetëm me propozimin por filloni studimin. Puna mbi çdo sektor duhet të ndërtohet mbi baza ekonomike. Në qoftë se Radio-Televizioni merr filma nga kinostudioja ai duhet të paguajë para për ta.

SHOKU ALFRED UÇI: Televizioni paguan vetëm një shumë simbolike.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ai duhet të paguajë aq para sa e gjykoni ju të arsyeshme. Po kështu dhe Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, etj. Kemi thënë që edhe kur t’u duhet për mbledhje Pallati i Kongreseve, Lidhja e Shkrimtarëve, apo ndonjë organizatë tjetër, do të paguajë shpenzimet që bëhen për ngrohjen dhe pastrimin.

SHOKU ALFRED UÇI: Një problem tjetër që u ngrit këtu dhe që duhet parë mirë është prodhimi i 14 filmave. Nuk është nevoja që për hir të numrit, të prodhohet edhe ndonjë film i nivelit jo të lartë. Por ekziston dhe rreziku tjetër që, nëse sot biem dakord që të pakësohet sasia vjetore e filmave, mund të realizohen shumë pak filma. Prandaj në këtë çështje duhet ecur në mënyrë të matur. Dhe kur të kemi bindjen se nuk kemi skenarë të mirë, atëherë mund të lejonim të mos bëhet ndonjë film që do rriste kot shpenzimet. Megjithatë nga ana e Kinostudios duhet luftuar që të sigurohet një minimum skenarësh rezervë. Vëmendja duhet përqëndruar në kualifikimin e skenaristëve dhe në heqjen e atyre që nuk kanë aftësitë e nevojshme. Ne kemi në kinostudio 3-4 skenaristë të tillë. Mendojmë që për skenaristët të organizohet një kurs i pandërprerë për një periudhë 5 vjeçare nga i cili mund të dalë çdo vit nga një i tillë. Kështu brenda kësaj periudhe mund të siguronim një grup skenaristësh që do të përballonin më mirë punën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Sa filma shqiptarë kemi në qarkullim në një vit?!

SHOKU ALFRED UÇI: Numri është rritur shumë dhe qarkullojnë për një vit 200 filma.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për shembull në vitin 1990, sa filma shqiptarë janë vënë në qarkullim nga të vjetrit dhe nga të rinjtë?!

SHOKU TEODOR LAÇO: Për këtë vit, po vihen në qarkullim 14 filma të rinj që po prodhohen dhe 50-60 filma të fondit të vjetër. Disa nga këta filma, janë konsumuar.

SHOKU ALFRED UÇI: Shoku Alfred Uçi: Ndryshe nga disa vite më parë, tani kemi një rezervë filmash dhe mund të bëhet më mirë qarkullimi i tyre.

SHOKU RAMIZ ALIA: Çështja e prodhimit të filmave, varet nga nevoja që ka tregu. Në qoftë se këto nevoja i plotësojmë me filmin ekzistues, duke shtuar dhe filmin e ri që prodhohet, atëherë çështja e prodhimit të 14 filmave në vit, nuk do të jetë më një kufi. Pse është caktuar sasia vjetore prej 14 filmash?! Ajo u caktua atëherë kur ne kishim fare pak filma dhe ishim të detyruar që të përballonim nevojat. Kjo porosi është dhënë pas Pleniumit të 4 të K.Q. të Partisë në 1974, kur kishim vështirësi dhe nevoja të mëdha për filmat tanë. Po tani që kemi mbi 150 filma shqiptarë, kemi mundësi t’i qarkullojmë.

SHOKU ALFRED UÇI: Vitet e fundit është rritur shumë interesimi për filmin tonë. Nga 50 mijë shikues që frekuentonin më parë filmin tonë, tani numri i tyre ka arritur në mbi 150 mijë. Kurse për filmin e huaj nga 22 mijë shikues tani, ka arritur në afro 200 mijë pra është pesëfishuar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Është rritur numri i shikuesve edhe për filmin e huaj, se kanë filluar që të marrin disa filma të rinj.

SHOKU ALFRED UÇI: Ndoshta do të duhet të shtohet importi i filmave të huaj. P.sh., nëse Televizioni ka një film tonin dhe pesë të huaj, nëpër kinema raporti i këtyre filmave është një me një.

SHOKU RAMIZ ALIA: Televizioni i merr disa filma drejtë për drejt nëpërmjet stacioneve të huaja televizive, kurse kinostudio nuk e bën dot këtë gjë.

SHOKU PIRRO KONDI: Sa kushton një film i huaj?!

SHOKU TEODOR LAÇO: Nuk kushton më shumë se 3 mijë dollarë.

SHOKU ALFRED UÇI: Mund të kushtojë edhe 4500 deri në 600 mijë dollarë bashkë me lëndën për riprodhim. Një problem tjetër, është ai i një drejtimi më të mirë nga ana e drejtorisë që është në Kinostudio. Ka nevojë të përsoset drejtimi dhe organizimi i punës në kinostudio, që nga Organizata e Partisë, Bashkimet Profesionale, etj. Kinostudio ka forca të shumta pune por mungesa e organizimit, ka ndikuar në aritminë e punës. Me gjithë përpjekjet dhe kritikat që janë bërë nga viti në vit, aritmia ka sjellë një ambjentim me situatën jo shumë të shëndoshë në organizim dhe drejtim.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kam edhe unë nja dy mendime. Është objektive që filmi ka një ecuri shumë të mirë. Perspektiva është e mirë por, shqetësimet që dalin përpara janë për tematikën dhe problematikën e filmit sepse, me gjithë përpjekjet që janë bërë ajo është e ngushtë dhe krijon monotoni. Disa filma, duken si seriale, veçanërisht ato që kanë në qendër drejtorin apo shefin. Kjo ndodh ngaqë në to del një tip drejtori që shfrytëzon postin, një tip shefi që vjedh apo shpërdoron. Ata në çdo film janë pothuajse njëlloj siç ndodh dhe në filmat me kauboj. Kjo e largon spektatorin. P.sh., pas filmit “Hije që mbeten pas”, i cili qe një sukses për kinematografinë tonë, u bënë disa modele të këtij filmi. Në Kinostudio ka një redaksi për skenarët e cila, ka një përgjegjës, shokun Teodor. Mendoj që kjo redaksi duhet ta ketë parasysh këtë çështje. Të mos lejohen përsëritje të ideve, problematikës, dhe skemave. Ajo i kalon nëpër duar gjithë skenarët. Prandaj duhet të mbajmë lidhje më të ngushta me krijuesit dhe të mos i lejojmë përsëritjet. Skenarët kalojnë për t’u parë dhe në Komitetin e Kulturës, i cili nuk duhet të lejojë një përsëritje të tyre.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ti mendon se Komiteti i Kulturës, duhet të vazhdojë ti shikojë skenarët?!

SHOKU DRITERO AGOLLI: Deri tani ka qenë kjo praktikë. Megjithatë atje nuk mund të lexohen skenarët e plotë. Atje duhet të shkojë vetëm tematika, dhe një rezyme e çdo skenari. Në material është shprehur mendimi se kjo është gjëndja e letërsisë të cilën filmi e reflekton. Nuk pajtohem me këtë mendim sepse filmi, sidoqoftë e ka tematikën shumë të ngushtë. Letërsia ka një tematikë shumë të gjërë dhe është me autoritet të madh. Ajo nuk matet me krijimtarinë e një viti apo gjashtë muajve. Ka pasur raste që veprat më të mira të letërsisë, janë trajtuar shumë keq nga filmi. Kjo ka ndodhur me romanet e Shefqet Musarajt, me pjesën më të madhe të romaneve të Kadaresë, përveç “Gjenerali të ushtrisë së vdekur”. Veprat e Jakov Xoxes, Petro Markos, Migjenit, Foqion Postolit, Haki Stërmillit, etj., nuk janë bërë fare filma. Po të shprehesha në mënyrë figurative, ndërsa shtresa e letërsisë është 5 metra, shtresa e filmit është 1 centimetër. Me gjithë respektin që kam për filmin, ai nuk e pasqyron letërsinë, sepse tjetër gjë është letërsia, dhe tjetër gjë filmi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ti je i mendimit që letërsia jonë, duhet të përdoret më shumë për të bërë filma?!

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Jam i mendimit se letërsia duhet të përdoret më shumë dhe më thellë, të mos trajtohet përciptazi. Filmat që bëhen, me përjashtime të rralla, qëndrojnë më poshtë se materiali letrar mbi të cilin bazohen. Duhet të ketë normë për të bërë skenarë. Shkruaj për qejf ndonjë skenar, kur më kërkojnë bashkëpunim regjisorët. Prandaj kam mendimin se, po të mos ketë skenarë të mirëfilltë Kinostudioja, siç kemi, p.sh., Nexhatiun, nuk mund të realizohen skenarët e nevojshëm në sasi dhe cilësi. Edhe Nexhatiu mund të ishte bërë shkrimtar, novelist, tregimtar, unë e njoh krijimtarinë e tij, por ai i’u përkushtua filmit, ku ka krijuar personalitetin dhe individualitetin e tij të veçantë. Pra skenaristët duhet të krijojnë skenarë, pa hequr dorë nga bashkëpunimi me shkrimtarët. Në të njëjtën kohë duhet shfrytëzuar dhe vjelë veprat letrare më të mira.

Në qoftë se skenarë do të bëjnë vetëm skenaristët, atëhere krijimi i skenarëve do të kthehet në industri. Duhet të bëjnë skenarë të gjithë shkrimtarët.

Nuk jam dakord edhe me mendimin që të mos prodhohen 14 filma në vit. Për prodhimin e filmave duhet të ketë një marzh prej 13-14 filmash në vit. Kjo traditë tashmë është formuar, sikurse ndodh edhe me daljen e gazetës. P.sh., gazeta “Drita” del një herë në javë. Meqënse në këtë gazetë nuk dalin gjithmonë materiale të mira, duhet të themi se ajo duhet të dalë një herë në dy javë?! Për daljen e gazetës janë vënë disa rregulla që duhen zbatuar dhe kjo çështje nuk duhet lënë në dëshirën tonë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Të meta ka edhe në “Zërin e Popullit”. A rregullohen ato duke pakësuar një numër gazete?

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Edhe në qoftë se do ta heqim një numër të “Zëri i Popullit”, nuk besoj se rregullohet cilësia e shkrimeve. Edhe për sasinë e filmave, po ta kemi planin shtatë filma në vit, do të pretendohet më vonë që të mbeten pesë.

Ndërsa vetë shkrimtarët dhe artistët do të kërkojnë që të bëjnë më shumë skenarë dhe do të na duhet që të marrim një vendim më vonë që ta ngremë numrin vjetor të filmave në 16. Prirja e sektorit të kinematografisë shkon drejt rritjes.

Lidhur me përgatitjen e kuadrit regjisor, do të thosha se përveç studios së vjetër që është forcuar dhe ka përgatitur gjithë ata kuadro, është edhe Instituti i Lartë i Arteve. Kam përshtypjen se këtij të fundit ne e nën vleftësojmë. Atje duhet të ketë specialist edhe për regjisorë të filmit, por edhe për regjisorë të teatrit mezi i përgatitin. Ka më shumë një prirje që edhe regjisorin ta kthejnë në aktor, sepse në këtë institucion ekziston një mendim që po nuk ishte aktor i mirë, nuk bëhesh regjisor i mirë. Nuk është plotësisht kështu. Habitem që studenti i vitit të katërt në Institutin e Lartë të Arteve, nuk ka të drejtë të vërë në skenë një pjesë teatrale ose një skenar të vogël të tij. Edhe këto pjesë vënë në skenë profesorët dhe regjisori student, kthehet në aktor. Pra ai e merr diplomën si aktor, jo si regjisor. Diploma e regjisorit nuk duhet të jetë vënia në skenë e një vepre. Megjithëse kam mendimin se shifra e 14 filmave në vit, mos të jetë e prerë, e palëvizur, ajo mund të jetë si orientim, pastaj a realizohen 12 apo 13 filma, kjo çështje mund të shikohet, ashtu siç mund të manovrohet duke prodhuar ndoshta ndonjë film me metrazh të shkurtër, për të plotësuar numrin. /Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Kastriot Dervishi publikon dokumentin zyrtar mbi vrasjen e Qemal Stafës

Publikuar

-

Nga

Kastriot Dervishi publikon dokumentin zyrtar mbi vrasjen e Qemal Stafës

Sipas njoftimit të Mëkëmbësisë të datës 16.3.1942, Qemal Stafa dhe Drita Kosturi ishin kallëzuar penalisht më 15.11.1941 në Gjykatën e Posaçme në Romë për veprimtari komuniste, por me vendimin e datës 22.1.1942 ishin liruar nga akuzat për mungesë provash. Ndërsa njoftimi kryesor mbi vrasjen e Qemal Stafës është i Kuesturës së Tiranës.

***

Tiranë, më 5 maj 1942

Rreth orës 14.00 të datës së sotme, gjatë një operacioni të papritur në një shtëpi që ndodhet në rrugën “Lumi”, në afërsi të kolegjit muhamedan (medrese), e mbajtur me qira prej Beqir Vanit (Beqir Minxhozi-shënim), i arrestuar sot në mëngjes për hetime të policisë, agjentët hasën në qëndresë nga ana e disa personave, të cilët ishin duke u orvatur të iknin për t’i shpëtuar arrestimit.

Janë hedhur tre bomba dore kundër agjentëve, të gjitha shpërthyese, po pa pasojë dhe janë zbrazur shumë fishekë revolveri, gjithashtu pa pasoja.

Agjentët kanë nisur përgjigjen me armë duke vrarë komunistin Qemal Stafa, i të ndjerit Hasan dhe Sabire, lindur në Elbasan, më 10.9.1921, ish student. Janë arrestuar:

1-Drita Kosturi, e Aliut dhe e të ndjerës Nafije, lindur në Lezhë më 12.7.1920, ish studente.

3-Gjustina Sata, bashkëshorte e Zef Ndojës, në lidhje me shënimin nr.2699, të datës 4 të këtij muaji.

4-Marie Lezhja, e Franos dhe Angjelisë, vjeç 19 nga Tirana, të kapura befas në shtëpinë e përmendur duke tentuar të ikin me Qemal Stafën dhe një tjetër person të ikur të panjohur, të paidentifikuar (Kristo Themelko-shënim).

I vdekuri ndodhet i ruajtur në vendin e ngjarjes në pritje të shikimit në vend nga autoritetet përkatëse.

Kuestori Pandeli Papalilo

 

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: