Connect with Us

Si të shmanget një luftë brenda NATO-s

Blog

Si të shmanget një luftë brenda NATO-s

Publikuar

-

Si të shmanget një luftë brenda NATO-s

Nga Thomas Trask & Jonathan Ruhe “National Interest”

Duke pasur parasysh gjithçka që ka ndodhur këtë vit, nuk do të ishte ndonjë habi po të shihnim këtë vit një “konflikt të armatosur brendapërbrenda NATO-s”. Kjo është pikërisht ajo që mund të ndodhë pa udhëheqjen e vonuar të SHBA-së në Mesdheun Lindor, një rajon gjithnjë e më i paqëndrueshëm dhe shumë i rëndësishëm në aspektin strategjik.

Uashingtoni e ka shpërfillur këtë zonën në dekadat që pasuan fundin e Luftës së Ftohtë, si për shkak të mundësive që kishte në dispozicion, ashtu edhe për shkak se kishte probleme më të ngutshme diku tjetër. Por 2 tendenca fillimisht të ndara po bashkohen për ta ri-formatuar, duke paraqitur mundësi dhe sfida të reja për SHBA-në.

E para është transformimi i Turqisë nën presidentin Rexhep Taip Erdogan. Vendi që dikur ishte një partner shekullor dhe demokratik i Perëndimit, që ruante krahun juglindor të NATO-s, është tashmë shumë më islamik, nacionaliste dhe autokratik. Një tipar kryesor i kësaj Turqie të re, është ndërhyrja e saj në Mesdheun Lindor, duke shpalosur një version shumë më agresiv të diplomacisë turke.

Tensionet me Turqinë/ Greqia plane për të blerë armë

Tendenca e dytë është zbulimi i rezervave të mëdha energjike nënujore nga Qipro, Egjipti, Izraeli, dhe potencialisht edhe aktorë të tjerë rajonalë në të ardhmen. Të kombinuara së bashku, këto burime përbëjnë disa nga burimet më të mëdha të gazit natyror në botë në det të hapur të zbuluara gjatë dekadës së fundit.

Këto dy tendenca u shfaqën për herë të parë në fund të vitit të kaluar kur Turqia ndërhyri ushtarakisht në luftën civile të Libisë. Në këmbim të shpëtimit nga humbja, Ankaraja siguroi nga qeveria e Tripolit me lidhje të forta me Vëllazërinë Myslimane një marrëveshje mbi kufirin detar, që pretendonte të njihte pretendimet e mëdha territoriale turke në Mesdheun Lindor.

Jo rastësisht, kjo marrëveshje kërcënon drejtpërdrejt të gjithë të tjerët në rajon. Ndryshe nga fqinjët e saj, që janë dakord me zbatimin e Ligjit të Detit, Ankaraja pretendon në mënyrë unike se ishujt nuk mund të jenë pjesë e një Zone Ekonomike Ekskluzive (EEZ).

Prandaj, marrëveshja e saj me Tripolin shtrihet gati buzë bregdetit të Qipros dhe ishujve Grekë si Kreta dhe Rodosi, duke kërcënuar përpjekjet e këtyre vendeve për të kërkuar burime energjitike shtesë, dhe që bashkë me Izraelin ta shpërndajnë atë përmes gazsjellësve në Evropë.

Tani tensionet po rriten. Për të treguar pretendimin e saj të ri mbi EEZ, Turqia dërgoi anijet e veta të kërkimit në ujërat qipriote dhe muajin e kaluar edhe në ujërat greke. Ato ishin  të shoqëruara nga luftanijet turke. Bashkë me rritjen e pranisë ushtarake dhe ekonomike të Ankarasë në Libi, këto provokime kanë shkaktuar gati shkëmbime zjarri midis anijeve detare të aleatëve të NATO-s si Turqia, Franca dhe Greqia.

LEXO EDHE:  SHBA dhuron 29 mijë teste/ Deri tani në Shqipëri janë testuar...

antaresimi i shqiperise ne BE

Në ditët dhe javët e fundit Turqia, Rusia, Franca, Emiratet e Bashkuara Arabe, Greqia dhe Qipro, kanë forcuar secila praninë e ushtrisë së tyre në rajon. Brukseli dhe Berlini janë përpjekur që t’i zbusin këto tensione, teksa shprehin mbështetje për Greqinë dhe Qipron, por përshkallëzimi i mëtejshëm i veprimeve të Turqisë duket i mundshëm.

Edhe kur flet me një zë, Bashkimit Evropian i mungojnë mjetet e forta stimuluese për ta penguar Ankaranë, sidomos tani pasi kriza ekonomike në Turqi – e rënduar nga pandemia – po e shton  tundimin e Erdoganit për të nxitur nacionalizmin brenda vendit dhe synuar përçarjen jashtë vendit.

Deri tani, Shtetet e Bashkuara kanë lejuar përshkallëzimin e situatës, duke qëndruar mënjanë. Siç e argumenton Instituti Hebre për Sigurinë Kombëtare të Amerikës (JINSA) në disa raporte të fundit, Uashingtoni duhet të riafirmojë rolin e tij të mëparshëm stabilizues në rajon për t’i adresuar këto kriza të rrezikshme e për të mbrojtur interesat e SHBA-së.

Një hap vendimtar do të jetë emërimi i një të dërguari special amerikan për Mesdheun Lindor. Ai ose ajo duhet të punojë me Forumin e Gazit të Mesdhun Lindor – Qipron, Egjiptin, Greqinë, Izraelin, Italinë, Jordaninë dhe Autoritetin Palestinez – për të krijuar një kundërpeshë të qartë ndaj pengesave në rritje të Turqisë për zhvillimin rajonal të energjisë.

Udhëheqja diplomatike amerikane, mund të ndihmojë edhe në përshkallëzimin e tensioneve midis Ankarasë dhe Athinës, ku që të dyja janë të hapura ndaj bisedimeve.

Një i dërguar i posaçëm i Uashingtonit, duhet t’i japë fund një dekade “drejtimi nga prapaskena” në Libi, ku Turqia dhe Rusia duket se po krijojnë një bazë të përhershme, dhe po koordinojnë veprimet mes tyre për të diktuar të ardhmen e këtij vendi, edhe pse janë rreshtuar në anë të kundërta të konfliktit.

Zyrtarët amerikanë duhet të fokusohen në kufizimin e ndikimit të Ankarasë mbi qeverinë e Tripolit. Kufizime të tilla duhet të përfshijnë shpërnguljen e aseteve ushtarake të SHBA-së nga Turqia, duke marrë ndoshta në konsideratë vendosjen e tyre në Greqi.

Si një plotësues i një diplomacie më të fortë, Shtetet e Bashkuara gjithashtu duhet të forcojnë praninë e tyre ushtarake në Mesdheun Lindor. Lidhjet e forta në fushën e mbrojtjes me Athinën, do të ndihmonin në përballjen kundër Turqisë dhe Rusisë.

Kjo mund të arrihet përmes rritjes së financimit amerikan mbi ushtrinë greke, dhe ndoshta edhe ngritjes së një baze të përhershme ushtarake në Greqi. Vendim i fundit nga Uashingtoni për të zbutur embargon e armëve ndaj Qipros, duhet të shihet si një hap produktiv drejt eliminimit të pranisë së vetë Rusisë në ishullin me rëndësi strategjike.

Në mesin e tensioneve gati të papara në gjirin e aleancën transatlantike, këto masa fillestare do të promovonin interesat e SHBA në stabilitetin dhe zhvillimin paqësor të burimeve të energjisë./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Projekti politik, që fshihet pas provokimeve të Erdoganit

Publikuar

-

Nga

Nga Pierre Haski “Internazionale”

Rexhep Tajip Erdogan, është një politikan që nuk nuk i mungon nuhatja politike. Në fakt kjo është një nga cilësitë e tij kryesore. Prandaj, nuk është për t’u habitur, pse presidenti turk e shfrytëzoi shpejt mundësinë politike, që krijoi vrasja e mësuesit francez Samuel Pati.

Erdogan reagoi në mënyrën e tij, domethënë si një tribun populist, që nuk heq kurrë dorë nga gjuha e ashpër për të kënaqur audiencën e tij, dhe për të siguruar një rezonancë maksimale të deklaratave të tij.

Në këtë rast, ai e bëri këtë duke ngritur dyshime rreth “gjendjes mendore” të presidentit francez Emanuel Makron. Një akt agresiv befasues, nëse marrim parasysh se Franca është teorikisht një aleate e Turqisë.

Ekzistojnë dy mënyra për të analizuar provokimin e fundit të Erdoganit:E para është ta konsiderojmë atë si një rast tjetër për fërkime midis dy vendeve (në konflikt në Mesdheun Lindor, në Siri, në Liban dhe në Nagorno-Karabak).

Parisi dhe Ankaraja gjenden shpesh në kundërvënie mes tyre. Edhe në të shkuarën, Erdogan ka thënë fjalë aspak miqësore ndaj homologut të tij francez. Një aspekt tjetër lidhet me betejën mbi kontrollin e Islamit. Presidenti turk, paraqitet si një “sulltan” mbrojtës i myslimanëve, si në kohën e Perandorisë Osmane që e frymëzon shumë atë.

Synimi ideal

Javën e kaluar, unë fola për kritikat drejtuar Makronit nga xhamia Al-Azhar, autoriteti më i lartë sunit me qendër në Kajro të Egjiptit, me propozimin e rektorit për të miratuar një ligj botëror kundër blasfemisë. Erdogan reagoi menjëherë, pasi ai nuk ka ndërmend t’i lërë Al-Azharit monopolin e kritikës.

Në këtë kontekst, Franca është një objektiv ideal. Laicizmi francez, është një burim i vazhdueshëm keqkuptimesh me botën myslimane, nga debatet e stuhishme mbi ferexhenë tek karikaturave mbi Profetin Muhamed.

LEXO EDHE:  SHBA dhuron 29 mijë teste/ Deri tani në Shqipëri janë testuar…

LEXO EDHE:  SHBA: Sfidat me të cilat do të ndeshet qeveria e re e Kosovës

Myslimanët tradicionalistë (jo domosdoshmërisht islamikë), që dinë të kuptojnë kontekstin francez janë të rrallë. Erdogan e sulmon Francën, edhe sepse është i bindur se Evropa është në një fazë rënieje dhe nuk meriton asnjë lloj respekti.

Por ne nuk e kemi dëgjuar ende atë të kritikojë Kinën për persekutimin e ujgurëve myslimanë. Dhe kjo është çështje e raporteve të forcës. Franca nuk ka asnjë interes ta vendosë veten në të njëjtin nivel me Erdoganin dhe të përfshihet në një luftë fjalësh.

Por në të njëjtën kohë nuk mund t’i lërë presidenti turk, një aleat i Vëllazërisë Myslimane, monopolin e fjalës dhe pasionit për masat muslimane. Siç e tregon edhe fillimi i bojkotit ndaj produkteve franceze, ka terren pjellor edhe për një “stuhi” irracionale.

Zëri i Francës, duhet të dëgjohet në botën myslimane, për të shpjeguar laicitetin francez. Në fjalimin e tij mbi “separatizmin” të mbajtur në fillim të tetorit, Makron kishte shmangur rënien në grackën e “stigmatizimit të të gjithë myslimanëve”, duke u përqendruar tek ata që nuk e pranojnë republikën.

Por mesa duket ditët e fundit, Franca nuk ka arritur t’i shpëtojë këtij kurthi. Mendimi i Francës nuk është mjaft i dëgjueshëm në botën myslimane. Kurthi tjetër, konsiston në fakt në lejimin e Erdoganit që të paraqitet si mbrojtës i myslimanëve në Francë, dhe në pjesën tjetër të botës. Pas fjalëve të “kristalta” të presidentit turk, ekziston një projekt politik shumë më i frikshëm se sa thjesht ofendimet e tij në adresë të Makron./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Neo-marksistët që po synojnë të shkatërrojnë SHBA-në

Publikuar

-

Nga

Neo-marksistët që po synojnë të shkatërrojnë SHBA-në

Nga Andrew A.Michta “The Wall Street Journal”

“Vdekje Amerikës!”, është një parullë e zakonshme e protestuesve të ANTIFA-s nga Portlandit në Kenosha. Fëmijët në rrugë janë duke bërë thirrje për shkatërrimin e vendit, ndërsa më të rriturit shkatërrojnë hapësirat publike, duke filmuar veten si të ishin pjesë e një spektakli.

Asnjëra nga partitë politike nuk ka qenë e gatshme dhe e aftë që t’i japë fund kësaj anarkie. Çdo ditë që kalon, ekstremizmi po bëhet më i ngulitur në politikën amerikane. Këto akte dhune, janë nxitur nga 5 dekadat e indoktrinimit neo-marksist në shkollat, kolegjet dhe universitetet amerikane.

“Marshimi i Gjatë” i së majtës nëpër institucionet tona ka qenë i pandalshëm. Intoleranca ekstreme ka zëvendësuar tani konceptin liberal të kompromisit të negociuar, që është kusht i panegociueshëm i demokracisë.

Të rinjtë amerikanë, veçanërisht ata të rritur në shtëpitë e familjeve të shtresës së mesme ose të pasur, kanë pësuar aq shumë shpëlarje truri, sa që nuk e kuptojnë se sa absurde është të bëjnë thirrje për shkatërrimin e shtetit të tyre kombëtar, tamam si ajo që urojnë mullahët e Iranit.

Padija e tyre mbi historinë, është shenja dalluese e krizës aktuale. Pakkush duket se është në gjendje të kuptojë historinë e ndërlikuar, shpesh të dhimbshme, por të ekuilibruar të Amerikës – që është një shembull i asaj që mund të arrijë një popull i përkushtuar ndaj lirisë individuale.

Përkundrazi, ata janë indoktrinuar për t`a reduktuar jetën në SHBA në një binar racor të të bardhëve përkundrejt “njerëzve me ngjyrë”. Është pak e shumësi binari komunist i borgjezisë kundër proletariatit, që bolshevikët e përdorën për të marrë pushtetin në vitin 1917, pas të cilit miliona njerëz vdiqën në eksperimentin totalitar sovjetik.

Dhuna tregon se tribalizmi i bazuar në identitetin e grupit, është i gatshëm të pasojë komunitetin më të madh kombëtar, që për më shumë se 2 shekuj ka mbrojtur dhe zgjeruar lirinë në të gjithë botën. Shteti-kombi amerikan është një eksperiment unik, dhe i pashembullt në histori.

Ai është një projekt politik që lindi nga një kulturë koloniale angleze, por që krijoi një identitet të veçantë kombëtar aq të fortë, sa të integronte shumë grupime etnike që kanë emigruar në SHBA. Sigurisht, kombi amerikan ka edhe anët e tij të errëta, me skllavërinë që mbetet një plagë e thellë në historinë e tij.

LEXO EDHE:  Zbardhet marrëveshja me BE/ Deputetë, ministra dhe ish-ministra drejt prangave?

LEXO EDHE:  SHBA: Sfidat me të cilat do të ndeshet qeveria e re e Kosovës

Sidoqoftë, fuqia e idealit amerikan u ofroi miliona njerëzve diçka që asnjë kulturë tjetër nuk mund ta bënte, pra shansin për të ri-shpikur dhe ripërtërirë jetën e dikujt, për ta përparuar pozitën e tij,dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tij.

Nacionalizmi pasionant i Amerikës, është rrënjosur tek besimi e jashtëzakonshmërisë si një popull i destinuar për të qenë madhështor, dhe mbi faktin se barazia e mundësive sipas ligjit, mund të kufizojë impulset instiktive të njeriut.

Sot pikëpamja tradicionale, se fitorja dhe humbja në politikë janë që të dyja pjesë e procesit demokratik, dhe thelbi i një politike vetë-konstituese, është zëvendësuar me një përpjekje leniniste për të anuluar kundërshtarin. Parimi i politikës radikale, që tani po gërryen vendin, duket se është:”Unë fitoj, ti zhdukesh!”.

Elitat, veçanërisht profesorët, mbajnë shumë përgjegjësi për këtë gjendje ku janë sot punët e vendit. Për dekada të tëra, në klasa dhe salla leksionesh ata hodhën bazat për atë që po ndodh tani. Politika e intolerancës, që predikohet në thuajse çdo sektor të jetës, supozon se më të varfrit, nuk janë më bashkëqytetarë, pasi ata janë të paaftë të rrokin parimet e rendit ndërkombëtar globalist.

Ndërkohë, ata që flasin në emër të tyre, demonizohen si “populistë”. Në të kundërt, elita e korporatave amerikan sot, sidomos plutokratët e saj financiarë në Bregun Lindor, dhe aristokracia digjitale në Bregun Perëndimor, duket se janë më të prirur për të punuar mbi “problemet globale”.

Liria e kombit po rrudhet nga akuzat e pandërprera mbi racizmin strukturor, privilegjin e të bardhëve, homofobisë dhe intolerancës. Sot neo-marksistët kontrollojnë pothuajse të gjitha fushat e diskursit elitar në SHBA, dhe kësisoj,ata mund të shuajnë çdo zë kundër,duke e cilësuar si “populist”apo“racist” cilindo që refuzon t’i nënshtrohet linjës së tyre ideologjike.

E majta neo-marksiste, po i ndan institucionet e demokracisë amerikane nga themelet e tyre kombëtare. Nëse ajo ka sukses, SHBA me kalimin e kohës do të humbasë kulturën e vet republikane, dhe do të shndërrohet në një shtet në të cilin aristokracia e re e zotëron pushtetin, mbi një popullsi të përçarë dhe të varfëruar./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Si Kompania e Indisë Lindore, u bë monopoli më i fuqishëm i botës

Publikuar

-

Nga

Si Kompania e Indisë Lindore, u bë monopoli më i fuqishëm i botës

Një nga korporatat më të mëdha dhe më dominuese në histori, ka operuar shumë kohë para shfaqjes së gjigantëve të teknologjisë si Apple, Google ose Amazon. Kompania Angleze e Indisë Lindore u krijuar nga kurora mbretërore më 31 dhjetor 1600, dhe nga ai moment vazhdoi të veprojë si një organizatë e tregtisë, duke fituar shumë nga tregtia me Indinë, Kinën, Persinë dhe Indonezinë për më shumë se 2 shekuj.

Biznesi i saj e furnizoi Anglinë me çaj me një kosto të përballueshme për të gjithë, me tekstile pambuku dhe erëza,të cilat u garantonin investitorë të saj në Londër një fitim në 30 për qind. “Në kulmin e vet, Kompania Angleze e Indisë Lindore, ishte korporata më e madhe e këtij lloji në botë”- thotë Emili Erikson, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Jeilit në SHBA, dhe autore e librit “Midis monopolit dhe tregtisë së lirë:Kompania Angleze e Indisë Lindore”.

“Ajo ishte më e madhe edhe se disa kombe. Qe në thelb perandoria de facto e pjesëve të mëdha të Indisë, e cila ishte një nga ekonomitë më produktive në botë në atë kohë”- shtoi ajo. Në fundin e shekullit XVIII-të, kjo mega korporatë komandonte një ushtri private prej 260.000 ushtarësh, dyfishin e madhësisë së ushtrisë këmbësore britanike.

Ajo ushtri e madhe mjaftonte për të trembur çdo lloj konkurrenti, për të pushtuar territore, dhe për t’i detyruar sundimtarë lokalë indianë të nënshkruanin kontrata të njëanshme, që i jepnin Kompanisë kompetenca shumë fitimprurëse. Pa Kompaninë e Indisë Lindore, nuk do të kishte asnjë dominim perandorak të Britanisë në Indi gjatë shekujve XIX-XX.

Dhe për mirë a keq, suksesi i korporatës së parë të madhe në botë, ndihmoi në formësimin e ekonomisë moderne globale. Kompania e re angleze e Indisë Lindore ishte një monopol, në kuptimin që asnjë subjekt tjetër britanik, nuk mund të tregtonte legalisht në atë territor.

Gjithsesi, ajo u përball me një konkurrencë të fortë nga spanjollët dhe portugezët, të cilët tashmë kishin disa baza tregtare në Indi, dhe gjithashtu edhe Kompania Holandeze e Indive Lindore,e  themeluar në vitin 1602.

Anglia, ashtu si pjesa tjetër e Evropës Perëndimore, kishte një oreks të madh për mallra ekzotike Lindore si erëza, tekstile dhe bizhuteri. Por udhëtimet detare drejt Indive Lindore, ishin ndërmarrje jashtëzakonisht të rrezikshme, që përfshinin përplasje të armatosura me tregtarët rivalë, apo sëmundje vdekjeprurëse si skorbuti.

Shkalla e vdekshmërisë për një punonjës të “East India Company” ishte 30 për qind, thotë Erikson. Monopoli i garantuar nga kurora mbretërore, i mbronte tregtarët londinezë nga konkurrenca e brendshme, teksa i garantonte gjithashtu një fitim të majmë edhe vetë monarkisë, e cila kishte shumë nevojë për fonde.

Kompania ishte shoqëria aksionare më e madhe. Ajo e mblodhi dhe bashkoi kapitalin duke shitur aksione për publikun. Drejtohej nga një president, por kishte ndërkohë edhe një “bord kontrolli”. Ndryshe nga mbledhjet e sotme të bordit të korporatave, takimet e Kompanisë së Indisë Lindore shoqëroheshin me debate të ashpra, ku merrnin pjesë qindra aksionarë.

Në fillim, Kompania nuk kishte shumë para për t’i paguar punonjësit e saj për këtë punë tepër të rrezikshme, ndaj iu desh të siguronte stimuj të tjerë. “Ai stimul ishte që ata të tregtonin për interesat e tyre private jashtë shtetit. Në atë kohë, kishte shumë mundësi për të mashtruar dhe bërë kontrabandë”- thekson Erikson.

Kur britanikët dhe tregtarët e tjerë evropianë mbërritën në Indi, u detyruan t’u bënin ndere sundimtarëve dhe mbretërve vendas, duke përfshirë Perandorinë e fuqishme Mugul, që shtrihej në të gjithë Indinë. Sundimtarët indianë i ftonin krerët lokalë të Kompanisë në oborrin e tyre, u merrnin para, teksa përdornin ushtarët e Kompanisë në luftërat rajonale, ndonjëherë kundër kompanive tregtare franceze ose holandeze.

LEXO EDHE:  SHBA dhuron 29 mijë teste/ Deri tani në Shqipëri janë testuar…

LEXO EDHE:  Zgjedhja e Kryeprokurorit/ Kush mbështet kapjen e Prokurorit, nuk është mik i Shqipërisë

Një pikë e madhe kthese në transformimin e Kompanisë së Indisë Lindore, nga një kompani tregtare fitimprurëse në një perandori de fakto, erdhi pas Betejës së Plasej në vitin 1757. Ajo vuri përballë 50.000 ushtarë Indianë nën Navabin e Bengalit kundër vetëm 3.000 ushtarëve të Kompanisë.

Nauab ishte zemëruar me Kompaninë për uljen e taksave. Por ajo që ai nuk dinte ishte se udhëheqësi ushtarak i Kompanisë Lindore të Indisë në Bengal, Robert Klajv, kishte arritur një marrëveshje me bankierët indianë, në mënyrë që shumica e ushtrisë indiane të mos pranonte të luftonte në Plasej.

Fitorja e Klajv i dha Kompanisë së Indisë Lindore kompetenca të gjera të taksimit në Bengal, asokohe një nga provincat më të pasura në Indi. Klajv e plaçkiti thesarin e Navab, dhe e dërgoi atë në Londër, natyrisht duke mbajtur shumë edhe për vete.

Në vitin 1784, Parlamenti Britanik miratoi “Aktin e Indisë” të Kryeministrit Uilliam Pit, qëe përfshinte zyrtarisht qeverinë Britanike në sundimin e tokave të Kompanisë së Indisë Lindore në Indi. Por Kompania e Indisë Lindore nuk operoi vetëm në Indi.

Në një nga kapitujt e saj më të errët, Kompania kontrabandoi opium në Kinë, në këmbim të mallit më të çmuar të këtij vendi:çajit. Kina tregtonte vetëm çaj në këmbim të argjendit. Por kjo ishte e vështirë për Anglinë.

Prandaj Kompania sabotoi embargon e Kinës për opiumin, përmes një tregu të zi të prodhuesve dhe kontrabanduesve indiane të opiumit. Ndërsa çaji shkonte në Londër, investitorët e Kompanisë u pasuruan, ndërsa miliona kinezë u shkatërruan nga opiumi.

Kur Kina e goditi tregtinë e opiumit, qeveria britanike dërgoi anije luftarake, duke shkaktuar kështu nisjen e Luftës së Opiumit të vitit 1840. Humbja poshtëruese e kinezëve, i garantoi britanikëve kontrollin e Hong Kongut. Nga mesi i shekullit XIX-të, kundërshtimi ndaj statusit monopol të Kompanisë së Indisë Lindore, arriti kulmin në parlamentin britanik, i nxitur nga argumentet e tregut të lirë të Adam Smithit.

Erikson thotë se perëndimi i Kompanisë së Indisë Lindore në vitet 1870, kishte të bënte më pak me zemërimin moral ndaj korrupsionit të korporatës, dhe më shumë me politikanët dhe biznesmenët anglezë, që e kuptuan se mund të fitonin edhe më shumë para me partnerë që kishin një bazë më të fortë ekonomike.

Edhe pse Kompania e Indisë Lindore u shpërbë më shumë se një shekull më parë, ndikimi i saj si një pioniere e korporatave, e ka diktuar mënyrën e zhvillimit të biznesit modern në një ekonomi globale./ History.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE