Connect with Us

Video-Enver Hoxha, “demoni” që ia merrte këngës “Për ty atdhe”, pasi vriste shokët e afërt

Histori

Video-Enver Hoxha, “demoni” që ia merrte këngës “Për ty atdhe”, pasi vriste shokët e afërt

Publikuar

-

/

Gjatë periudhës së komunizmit shqiptarëve, përmes propagandës, ju dha për konsum një udhëheqës madhështor, babaxhan, i dashur me popullin e të tjera.

Por kush ishte Enver Hoxha përtej kësaj fasade?

Ndërtuar përmes rrëfimeve apo shënimeve të disa personazheve që e njohën nga afër, seria e re e emisionit Abc/Story, që do të shfaqet premierë të shtunën në orën 22:15, ndërton një profil krejt të panjohur për Enver Hoxhën.

Zemërak, katil, deri në shtatë breza me të gjithë ata që i konsideronte armiq, i paduruar, mosbesues, dhe tmerrësisht i lodhshëm për sekretarët dhe stafin e tij në Komitetin Qendror të Partisë, Enver Hoxha ishte konvertuar në një personazh të frikshëm.

Të frikshëm e kishin bërë lufta e egër me të gjithë ata që i kishte konsideruar kundërshtarë të regjimit të tij, pushkatimet, burgosjet dhe internimet masive, porse lufta periodike brenda Partisë, eleminimet një pas një të bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të afërt të kohës së luftës, e kishin shndërruar në një demon.

LEXO EDHE:  Mbështetja ndaj Enver Hoxhës, shkak dëshpërimi nga situata aktuale”

Një demon, që sipas njerëzve që e njohën nga afër, niste të këndonte këngën e Mentor Xhemalit “Për ty atdhe”, sa herë dëgjonte gjykatësin të shqiptonte dënimin me vdekje të ish-miqve e ish-kolegëve të tij.

Pikërisht një profil sa më të përafërt të Enver Hoxhës që nuk kemi njohur mëton të ndërtojë edhe kjo seri, që vendoset në fund të këtij cikli dokumentarësh./ Abc news

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Aktualitet

Kisha Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri është i vetmi komunitet fetar që bekon flamurin kombëtar në ditën e Flamurit!?

Publikuar

-

Nga

Nga Miron Çako

Dita e Flamurit ose ndryshe e njohur si dita e pavarësisë së Shqipërisë nga pushtuesit osman në trojet Shqipëtare dhe ngritjës së flamurit së Shqipërisë në Vlorë në 28 nëntor 1912, që i përputhet me njëjtën ditë në të cilën heroi komtar Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti flamurin e njëjtë në Krujë më 28 nëntor 1443 është një ditë e veçantë për Kishën Orthodhkse Autoqefale të Shqipëri dhe për të krishterët orthodhoks  shqiptar.

Në këtë ditë të  krishterët orthodhoks  mblidhen nëpër kishat dhe adhurojnë dhe falenderojnë Perëndinë Triadik, Atin ,Birin dhe Shpirtin e Shenjtë që i dha lirinë e shumë kërkuar popullit shqiptar dhe e lejoi të riformohet përsëri shteti shqiptar që kishte shekuj i robëruar nën perandorinë osmane.

Me klerikët në krye besimtarët orthodhoksë nderojnë dhe bekojnë flamurin kombëtar që vendoset në mes të kishës duke iu drejtuar Zotit Jisu Krisht me këtë lutje :“O Zot, që bekon dhe shenjtëron, ti bekoje flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngicë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar, me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo.Se ti je Perëndi mëshirëplotë dhe njeridashës, dhe ty ta dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve”.

Kisha  Orthodhoske në Shqipëri edhe kudo që ajo shtrihet  në botë e nderon flamurin e çdo kombi sepse  Kisha Katholike Apostolike Orthodhokse si trupi i Krishtit  është atdhedashëse , por jo nacionaliste, bazuar në të drejtën Kanonike dhe në Traditën e Kishës, pranoi njëzëri reagimin teologjik të Patriarkanës Ekumenike ,që dënoi entofiletizmin ose racizmin e popujve ndaj nëri-tjetrit si herezi, që minon themelet kishtare të besimit të krishterë. Sinodi i Madh në Kostandinopojë  (1872) vendosi se kriteri “racor” bie ndesh me Kishën Katholike (gjitëpërfshirëse), sepse cënon dogmatikisht dhe administrativisht unitetin e Kishës lokale. Duke qenë se kisha lokale përcaktohet me kritere territoriale-gjeografike, kriteri “racial” nuk favorizon praninë e diversitetit, si pasuri kishtare, por si element ndarjeje.

Kisha orthodhokse përpiqet dhe kultivon atdhedashurinë sipas shembullit të Krishtit Birit të Perëndisë që kur erdhi në botë  si Biri i njeriut, një jude Ai e deshte kombin e tij deri në fund , pavarësisht se judenjtë e refuzuan si Mesian e tyre .Krishti duke parë pasojat tragjike të këtij refuzimi,  nga dashuria dhe dhimbja qau për Jeruzalemin duke thënë këto fjalë; “Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: “I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!”( Mateu 23 -37-39).

Po ashtu apostull Pavli edhe pse ishte caktuar si apostulli i kombeve ,(Veprat : 9-15) ai nuk e mohon të qënit një jude. Apostulli shkruan: “Unë jam një njeri jude nga Tarsi, qytetar i një qyteti me emër të Kilikisë; edhe të lutem, jepmë leje t’i flas popullit” (Veprat: 21.39)

Edhe pse apostulli  përndiqej nga judenjtë fanatik ai kurrë nuk i harroi bashkëkombasit e tij por gjithmonë i kujton në lutje dhe është madje gati të sakrifikojë edhe shpirtin për ata , kur shkruan : “ Sepse do të doja të isha vetë i mallkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit,të cilët janë Izraelitë dhe atyre u përket birëria, lavdia, besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet”.(Romakët 9-3-4)

Apostulli ishte shumë i qartë se çdo komb është i krijuar edhe i caktuar vendi në tokë sipas providencës hyjnore,dhe secili duhet të mbrojë vendin e tij, ai shkruan : “ (Perëndia) caktoj çdo komb njerëzish, që të banojnë mbi gjithë faqen e dheut, edhe paracaktoi rendin e kohëve dhe kufijtë e vendbanimit të tyre” (Veprat e Apostujve. 17.26).

LEXO EDHE:  Artan Hoxha zbulon lëvizjet e fundit të Cukës/U qëllua në ashensor me …!

LEXO EDHE:  Kastriot Dervishi publikon dokumentin zyrtar mbi vrasjen e Qemal Stafës

Për Kishën Orthodhokse thirrja e atdheut në rrezik është e thellë në ndërgjegjen e krishterë.

Edhe Etërit e mëdhenjë të Kishës na mësojnë që të duam  atdheun tokësor, të marrim pjesë në luftën mbrojtëse  dhe t’i nderojmë ata që e mbrojnë edhe japin jetën për vendin.

Shën Athanasi i Madh , i mbi quajtur “ Atë i Orthodhoksisë” mëson: “Të vrasësh nuk është e lejushme, por të vrasësh armiq në kohë lufte është dhe e ligjshme dhe e denjë e përvladë. Kështu ,vlerësohen për nderime të mëdha ata që janë shquar edhe ngrihen atyre përkujtimore, që dëshmojnë veprat e tyre.”



Shën Joan Gojarti: “Gjithësecili mund të përdorë armë, për shembull vyrtyti është ai i cili lufton me të për mbrojtjen e atdheut të tij”.

Shën Grigori i Nisës: “Tradhëtia ndaj atdheut është një veprim imoral”.

Shën Vasili i Madh: “ I denjë është ai që nderon atdheun e tij siç nderon prindërit e tij”.

Shën Grigor Theologu: “Nëna e përbashkët e të gjithëve është Atdheu”.

Shën Pais Agjorit : “Së pari, i krishteri i mirë është edhe një patriot i mirë”.

Patriotizmi që frymëzon kisha është sigurisht jo me kuptimin e shovinizmit, që manifestohet me urrejtjen e popujve për njëri tjetrin, por me kuptimin e patriotizmit, atdhedashurisë që është një ndjenjë dashurie dhe sakrifice  për tokën atërore, e cila na ka lindur si komb dhe popull, jo vetëm me kuptimin rracor, të gjakut  por edhe në atë shirtëror në kuptimin fetar që na bashkon me Zotin dhe I japim adhurim dhe falenderim Perëndisë.

Patriotizmi autentik bazohet në filantropinë e sinqertë të shenjtorëve si bijë të zgjedhur të kishës dhe të kombit që u dalluan për luftërat e madha sakrifikuese: “për fe dhe atdhe”.

Për këtë arsye Kisha ka me mijëra dëshmor për dashurinë e Krishtit dhe për mbrojtjen e atdheut që i përfaqëson edhe flamuri kombëtar, prandaj në këtë ditë edhe në çdo Liturgji Hyjnore Kisha Orthodhokse lutet : “Për ata që ranë për fe edhe për atdhe”

Besimtarët orthodhoksë shqipëtar mund të themi pa e ekzagjeruar ishin më të i interesuarit nga të gjithë  besimtarët e komuniteteve të tjera fetare për pavarësinë, sepse besimtarët dhe komunitetet e tjera fetare kishin lidhje shpërtërore me vende të caktuara në botë ku centraloizohej feja e tyre, psh muslimanët me Mekën ose katolikët me Vatikanin, kurse orthodhoksët shqipëtar të gjendur përpara fakteve historike si të coptimit të perandorisë osmane dhe pavarësisë së kombeve dhe krijimit të shteteve të reja në rajon sëbashku me shpalljen e kishave autoqefale të tyre nga Patriarkana Ekumenike  sipas devizës “Kishë e pavarur në shtet të pavarur”,  nxitonin për pavarësinë e vendit dhe krijimin e shtetit shqipëtar dhe rjedhimisht për autoqefalinë e kishës në shqipëri,  ashtu si ndodhi mbas shumë përpjekjeve nga burra atdhedashës dhe të krishterë orthodhoksë si episkop Fan Noli, episkop Visarjon Xhuvani, etj,  ku në më 17 Prill 1937 u dha Tomos-i Patriarkal dhe Sinodal: “mbi bekimin e Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse në Shqipëri” me kryepiskop kanonik i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Kristofori Kisi.

Prandaj këtë ditë orthodhoksaët shqiptar jo vetëm si shtetas por edhe si besimtar nderojnë flamurin sepse në simbolin e flamurit ata nderojnë ata që ranë për fe edhe për atdhe dhe vecanërisht ata orthodhkoksë që kontribuan për pavarësinë dhe rilindjen kombëtare që u përmbush me nënshkrimin e deklaratën e pavarësisë nga 40 burra patriot ku 11 prej tyre ishin orthodhoks, si Jorgji Karbunara – Bab Dud Karbunara (1842-1917)• Jani Minga (1872-1947)• Dhimitër Tutulani (1875-1937)• Spiridon Ilo (1876-1950)• Thanas Floqi (1884-1945)• Lef Nosi (1873-1946)• Dhimitër Berati (1888-1970)• Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)• Dimitër Zografi (1878-1945)• Pandeli Cale (1879-1923)• Aristidh Ruci (1875-1950) dhe i shumë të tjerëve që kanë sakrifikuar për fe edhe për atdhe deri më sot.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre/CNA.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Nga Bashkim Trenova/ Si e denigroi Enveri presidentin Omer Nishani

Publikuar

-

Nga

ME “HERONJTË E POPULLIT”

BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA

Në vitin 1991, Haxhi Lleshi bëri thirrje për luftë civile dhe për mbrojtjen e figurës së Enver Hoxhës!

Haxhi Lleshi thotë: “Unë edhe sipas kanunit të malësisë, nuk e ndjej veten në gjak me askënd, nuk kam as hak për të marrë, as gjak për të larë”. Po për gjakun e derdhur në Shqipëri pas Luftës, po për idealet e tradhtuara, po për shokët e vrarë nga shokët në llogoret e Luftës Antifashiste apo në rrëpira të fshehta, për ata që as u dihet varri dhe as u gjenden eshtrat, kush do përgjigjet, kush është në gjak sipas kanunit nëse jo Enveri dhe bashkëpunëtorët e tij?!

Haxhi Lleshi nuk i priti mirë as ndryshimet demokratike në Shqipëri. Ai, madje, nuk qëndroi as indiferent në pleqërinë e tij të thellë. Haxhiu bëri thirrje për të marrë armët dhe për të derdhur sërish gjak shqiptari, gjakun e studentëve, të popullit që ishte ngritur për të përmbysur diktaturën. Në një kohë kur në mbarë Shqipërinë buçiste thirrja “Enver-Hitler”, ai frymëzonte “vullnetarët e Enverit”, që ishin organizuar në njësi të armatosura, të mbronin diktaturën, emrin dhe veprën e Enver Hoxhës! Ai bënte thirrje për luftë civile.

Sipas mendimit tim, Haxhi Lleshi ishte një hero në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai u bë një lake i trembur i diktatorit pas luftës. Ai mund të jetë portreti i degradimit të një heroi që zbret nga malet për të përfituar më pas nga privilegjet e jetës që të siguron pushteti, duke të kërkuar të shndërrohesh në lake. Ai jetoi me lavdi përpara plumbave në luftë dhe u mbulua me turp nga pesha e pushtetit të dhunshëm e të keqpërdorur në paqe.

Haxhi Lleshi ka qenë presidenti apo kryetari i dytë i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Presidenti i parë, i zgjedhur në 12 janar të vitit 1946, ka qenë Omer Nishani. Ai qëndroi në këtë post deri në 31 korrik 1953.

Si e njoha gruan austriake të ish-Presidentit, Omer Nishani!

Me Omer Nishanin nuk jam takuar ndonjëherë. Di se në vitin 1916 ai u largua nga Shqipëria e shkoi në Austri, ku u njoh me shtetasen austriake, Rozvita von Voler. Kam njohur Rozvitën ose Rozën në fëmijërinë dhe në rininë time. Në të vërtetë unë kam njohur Trëndafile Nishanin. Kështu u quajt ajo pasi u martua me Omer Nishanin dhe pasi shqipëroi emrin e saj nga Rozvita në Trëndafile. Nga Trëndafilja, por jo prej saj, kam njohur disi edhe Omer Nishanin, jetën e tij mjaft të vrullshme e me kontraste dhe fundin e tij të trishtuar.

Trëndafilja ishte poete dhe shkrimtare. Në vitin 1933, apo 1936, nuk jam i sigurt, ajo botoi në Halle të Gjermanisë, librin “Shqipëria vend i lakmuar nga Musolini”. Më 7 prill 1939, Shqipëria do të pushtohet nga trupat e Musolinit. Nga sa më kujtohet nga bisedat me të, ky libër përmban disa kapituj. Kapitulli i parë i kushtohet heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriot Skenderbeut. Kapitulli i dytë i kushtohet pashait legjendar të Janinës, Ali Pashë Tepelenës. Ai i treti i është kushtuar demokratit revolucionar, Heroit të Popullit Avni Rustemi. Nuk jam i sigurt nëse libri ka edhe një kapitull të katërt, ku flitet për Mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogun. Di, sidoqoftë se ajo nuk ka shkruajtur pozitivisht për Ahmet Zogun dhe se për këtë, ishte këshilluar miqësisht që të anulonte edhe një takim të planifikuar me të.

Mua Trëndafilja më ka dhuruar, me dedikim, origjinalin e një kapitulli të daktilografuar të librit “Shqipëria vend i lakmuar nga Musolini”, atë kushtuar Skënderbeut. Përkthimi në shqip ishte bërë nga Robert Shvarc. Ndoshta ajo ka dashur ta botojë librin e saj edhe në Shqipëri, pas Luftës, prandaj edhe ka kërkuar ndihmën e Shvarcit për ta përkthyer. “Shqipëria vend i lakmuar nga Musolini”, megjithëkëtë, nuk u botua kurrë në shqip.  Kjo, jo se libri kishte diçka që duhej censuruar, por se autorja ishte izoluar nga diktatura. Ajo duhej të harrohej, siç duhej të harrohej më vonë edhe bashkëshorti i saj, Omer Nishani.

Në kapitullin kushtuar heroit tonë kombëtar, Trëndafile Nishani vazhdon në gjurmët e literaturës evropiane, e cila e ka himnizuar Gjergj Kastriotin. “Kush e di se ç’rrugë do të kish marrë historia e Evropës’, shkruan ajo në librin e saj, ‘sikur ky burrë bashkë me popullin e vet, të mos kishte qëndruar si një kështjellë gjigante përpara turqve që, të palodhur e këmbëngulës, përpiqeshin të çanin vazhdimisht përpara. Emri i Skënderbeut hyri në historinë botërore i mbuluar me lavdi ashtu siç e meritonte”. Ajo qëndron jo vetëm në rolin historik që ka luajtur Skënderbeu për fatet e popullit tonë dhe të Evropës, por edhe në karakterin dhe virtytet e pashembullta të tij. “Jeta e pastërt shembullore që bënte Skënderbeu’, shkruan Trëndafilja, drejtësia dhe urtësia e tij, jo vetëm ndaj popullit të vet, por edhe ndaj armiqve, humanizmi i tij i thellë, e bënë atë në sytë e të gjithëve mbartës të së mirës dhe fisnikes”.

Letra e gruas së Omer Nishanit nga Austria për nënën time në ’69-ën!

“Takimet” e mia të para me Rozvitën apo me Trëndafile Nishanin, nuk i mbaj mend sepse ato janë bërë kur unë isha ende disa muajsh. Ishin vitet e Luftës dhe nëna ime shpërndante ndihma për familjet e partizanëve. Në këto raste ajo më linte mua në duart e sigurta të austriakes, e cila nuk pati kurrë fëmijë. Edhe në vitet e para të pasluftës, nëna do të kërkonte nga unë që ta shoqëroja në vizitat e herë pas hershme tek Trëndafile Nishani. Trëndafilja do të më thonte shpesh më vonë, se si ajo më kishte mbajtur dikur në krahë si djalin e saj. Edhe pasi u largua nga Shqipëria në pleqërinë e saj, nga Hamburgu më 26 janar 1969, ajo do t’i shkruaj nënës time: “Po ta dish ti moj Ismete – djali yt Bashkimi është bërë gjithashtu djali im”. Disa muaj më pas ajo do të përsërisë të njëjtën gjë, duke më shkruajtur: “Fort i dashur Bashkim. Më mungojnë fjalët për të thënë sa të kam në kujtim, si nëna tënde.Nuk mund të shprehen dëshirat e mia për ty. Një të ardhme të mbarë për ty dhe t’i shërbesh atdheut tënd të dashur gjithmonë me shpirtin tënd të pastër dhe të pasur. Kaq dhe të fala-Trëndafile. Më 3 qershor 1969”

Gjatë viteve të Luftës, Trëndafile Nishani ishte fqinja jonë. Me pushtimin fashist të Shqipërisë, Omer Nishani u bë anëtar i Këshillit të Shtetit. Enver Hoxha në kujtimet e tij, thotë se ai qëndronte në këtë post për të ndihmuar qëndresën e armatosur antifashiste. Në verën e vitit 1943, ai u largua prej Këshillit të Shtetit dhe u bashkua me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, që drejtohej nga komunistët. Omeri edhe më parë, në emigracion, kishte qenë i angazhuar me lëvizjet e majta, revolucionare dhe mbante lidhje me Internacionalen Komuniste. Me largimin e Omerit nga Tirana, Trëndafilja mbeti e vetme, pa asnjë ndihmë apo mjet jetese. Nëna ime e ndihmonte edhe atë, ashtu sikurse bënte edhe për familjet e tjera të partizanëve, që gjendeshin në vështirësi. Këtë ajo nuk do ta harronte kurrë. Më 25 mars 1968, ajo do të më shkruaj: “Jo, nuk do të harroj unë kurrë miqësinë tuaj karshi një jabanxhie, siç kam qenë unë derëzeza, plot me dashuri për Shqipëri, e cila u bë për mua atdhe i dytë. Më beso dhe nuk kam turp, do ta them dhe para botës, derdha shumë lot duke u larguar nga ju, nga vendi juaj, nga Shqipëria”. Disa muaj më pas, në një nga kartolinat që i ka dërguar nënës time dhe mua pasi u largua nga Shqipëria, ajo shkruan: “Nuk kam asnjë lajm nga ty Ismete, ti moj besnike, nga lufta partizane kur më ke ndihmuar. Mos më ke harruar? Të dija shqipen më mirë do të kisha shkruajtur unë letra gjerë e gjatë. Po ti mor i dashur Bashkim, pse më le fare pa njohuri? Mamanë unë e fal, ty nuk të fal mor vogëlush, sado i gjatë të jesh me trup e me mend”.

Pas Luftës Trëndafilja u vendos me bashkëshortin e saj në një nga vilat më të bukura të kryeqytetit. Fill pas Luftës, Omeri u bë ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe pastaj, sikurse e kam përmendur, ai u zgjodh kryetar apo president i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Me marrjen e pushtetit nga komunistët, vilat e borgjezisë shqiptare u zunë nga krerët komunistë, që kishin si ideologji të tyren “ideologjinë proletare”. Trëndafilja nuk jetoi shumë në vilën borgjeze. Ajo u largua prej saj sepse ishte me botëkuptim, formim dhe edukatë borgjeze. Duket sikur me sa thashë, gjendemi përpara një logjike kontradiktore. Nuk është kështu.



Në vilën e Omer Nishanit, shërbenin si kuzhiniere një italiane e një hungareze dhe, pas tyre, një gjermane, burri i së cilës ishte pushkatuar nga komunistët. Kjo nuk ishte diçka e kapërdishme për regjimin për shumë arsye. Të huajat apo të huajt janë parë gjithnjë me dyshim nga diktatura, janë trajtuar si agjentë në shërbim të armiqve.

Si të tillë, apo të tilla, ata nuk mund të kishin vend në shtëpinë e një udhëheqësi komunist. Këtë logjikë Trëndafilja nuk e kuptonte. Ajo vazhdonte të priste e përcillte në vilën ku banonte me të shoqin edhe mjaft përfaqësues të kulturës borgjeze, që ishin në shënjestër të regjimit. Kështu filluan të lindin edhe mosmarrëveshjet midis saj dhe të shoqit. Trëndafilja ishte një grua tepër dinjitoze, tepër krenare. Ajo nuk bënte tregti me dinjitetin dhe krenarinë e saj. Si përfundim, ata edhe u ndanë. Nuk e di nëse bënë një divorc zyrtar. Trëndafilja u rikthye në shtëpinë e vogël pranë nesh. Mund të kishte zgjedhur edhe gjetkë. Ajo u kthye aty ku kishte kaluar vitet më të vështira, pranë njerëzve që i kishte njohur, i kishte dashur dhe e kishin dashur.

“Armiqtë e popullit” që frekuentonin shtëpinë e gruas së divorcuar të Presidentit, Omer Nishani!

Nga shtëpia ku banoja, mund të shihja çdo hyrje e dalje në shtëpinë e Trëndafiles. Prindërit e mi banonin në një ndërtesë dykatëshe. Në katin e dytë banonte gjyshja ime Shyqyria dhe xhaxhai im, Ejup Trenova. Djemtë e tij, Estrefi dhe Tomorri, ishin moshatarë me vëllanë tim Gencin dhe me mua. Shpesh, ndoshta çdo ditë, sidomos në dimër, unë dhe vëllai im ngjiteshim në katin e dytë tek gjyshja. Aty mblidheshim e luanim me djemtë e xhaxhait. Në dimër afroheshim pranë sobës për t’u ngrohur. Soba e vjetër italiane, ishte vendosur pranë dritares, që zotëronte me shikimin e saj nga lart oborret e shtëpive të disa fqinjëve tanë, midis të cilëve edhe oborrin e shtëpisë së Trëndafiles. Ne përdornim si karrige për t’u ulur pragun e dritares. Kështu, duke luajtur e duke u ngrohur, duke hedhur shikimin nga rruga dhe nga fqinjët, kam njohur nga larg shumë nga miqtë e Trëndafiles. Shpesh shihja një veturë të zezë. Shihja të zbriste shoferi i saj i ngarkuar me shporta, ushqime e fruta për Trëndafilen.

LEXO EDHE:  Artan Hoxha zbulon lëvizjet e fundit të Cukës/U qëllua në ashensor me …!

LEXO EDHE:  Kastriot Dervishi publikon dokumentin zyrtar mbi vrasjen e Qemal Stafës

Të rriturit e familjes më shpjeguan se ajo ishte vetura e Omer Nishanit dhe se ai kujdesej për Trëndafilen, pavarësisht se ishin ndarë. Vetë Omer Nishanin nuk e kam parë të vijë për vizitë tek Trëndafilja. Ajo, më duket, shkonte herë pas here tek ai. Nga dritarja e shtëpisë sime, shihja edhe komshien tonë Petin, një grua e shëndoshe, gjithnjë e gëzuar, që ishte bërë si e shtëpisë tek Trëndafilja. Shtëpia e Petit dhe ajo e Trëndafiles, ndaheshin nga një mur qerpiçi. Një pjesë e vogël e tij ishte shembur për të lejuar kalimin e Petit në oborrin e shtëpisë së Trëndafiles. Në kohën e Luftës, të gjitha muret e oborreve të lagjes sonë ishin shembur pjesërisht nga banorët për të bërë të mundur kalimin e tyre nga njëra shtëpi tek tjetra duke shmangur rrugët. Kjo praktikë e atyre viteve u ripërtëri tani, disa vite pas Luftës, tek Trëndafilja e Peti.

Një tjetër vizitore e shpeshtë ishte edhe Katerina, nëna e Rudolf Stambollës, apo gruaja e Balto Stambollës, që ishte mallkuar nga diktatura. Kam parë si vizitor të Trëndafiles edhe Mit’hat Fagun, një regjisor i ri filmi, që njihte mirë gjermanishten dhe që u dënua nga diktatura. Trëndafilja vazhdonte të injoronte “luftën e klasave”, të cilën besoj se nuk arriti ta kuptojë kurrë. Vizitor i saj i rregullt ishte edhe poeti dhe përkthyesi i talentuar Robert Shvarc, dosja e të cilit qëndronte e hapur në zyrat e Sigurimit të Shtetit. Mjaft burra dhe gra elegante, miq të saj, nuk e mësova kurrë se cilët ishin. Në shtëpi përmendeshin ndonjëherë emrat e tyre, por mua nuk më ka mbetur në kujtesë asgjë.

Me kalimin e viteve, pasi u rrita disi, u bëra edhe unë një nga vizitorët jo të pakët të Trëndafiles. Në shtëpinë e saj kam ndjekur për herë të parë një emision shkencor mbi botën e oqeaneve në ekranin e vogël të televizorit bardhë e zi. Pranë sobës së saj gjithnjë të ngrohtë, kemi biseduar për shumë gjëra. Ajo më ka folur për takimin e saj me Mbretin e shqiptarëve, Zogun e I-rë, për paganizmin dhe kishën, për vargjet e Gjergj Fishtës të cilat nisi t’i përkthejë e t’i dërgojë tek një shoqe e saj në Gjermani. Kemi biseduar për mësimin e gjermanishtes në vitin e parë të gjimnazit dhe profesorin tim të kësaj lënde, Mahmut Bobratin dhe për motrën time Engjëllushen, që kishte qenë nxënësja e saj e parë në mësimin e gjermanishtes. Ajo më fliste shpesh për vitet e luftës dhe unë për Operan shqiptare. Një herë, madje, e kam ftuar të shohim bashkë “Traviatën” e Xhuzepe Verdit, që mua më pëlqente shumë, më tërhiqte veçanërisht interpretimi me shumë ndjenjë i sopranos Gjyzepina Kosturi. Nuk e pamë dot “Traviatën”, sepse, sikurse më tha Trëndafilja, dita e spektaklit përkonte me Ditën e të Rënëve në Luftërat Botërore. Ajo nderonte kujtimin e tyre. Vinte edhe një shirit të zi në krah në këtë ditë.

Me Trëndafilen nuk biseduam pothuajse kurrë për Omer Nishanin. Vetëm një herë kur më tregonte për vitet e Luftës, ajo e përmendi atë dhe më tha: “Si janë këta burrat shqiptarë. Ai më solli këtu dhe iku në mal duke më lënë vetëm, pas asnjë mbështetje, pa asnjë mjet jetese”! Nuk i tha me zemërim këto fjalë. Më tepër dukej sikur donte të më tregonte diçka të veçantë, një kuriozitet. Për Omerin më foli edhe një herë tjetër para se të largohej nga Shqipëria, në vitin 1968, në mos gaboj. Në ditën e saj të fundit në Shqipëri, shkova të përshëndetem me të. Ajo më shoqëroi në një nga dhomat e saj dhe më tregoi një grumbull me libra, të cilat nuk kishte mundësi t’i merrte me vete në Gjermani. “Janë për ty”, tha ajo. Ishin libra të Omer Nishanit në frëngjisht. “Të tjerët, më tha, morën qilimat…” Ajo më mbushi një valixhe me libra. Midis tyre ishin “Garda e re” e shkrimtarit sovjetik Fadajev, apo edhe botime franceze si  “Grammaire Cours supérieur”, i Claude Augé-së apo “Morceaux Choisis des auteurs français du X-e au XX-e siécle” i J. Calvet. Këto të fundit i kam edhe sot në bibliotekën time të vogël në Bruksel. “Valixhen ma kthe”, më tha ajo. I duhej për të futur aty reliket e saja të vogla nga Shqipëria.

Me Omer Nishanin jam “takuar” në vdekjen,  vrasjen apo vetëvrasjen e tij në ditët e fundit të majit të vitit 1954. Në atë kohë kam qenë 10-11 vjeç. E pashë Trëndafilen, që zakonisht mbante një pardesy të bardhë, të shtonte mbi të, në krahun e saj, një shirit të gjerë të zi. Omer Nishani nuk u varros në Varrezat e Dëshmorëve. Ndryshe ishte vepruar më parë me udhëheqës të tjerë të vendit, që nuk kishin rënë dëshmorë në Luftë. Për tu nderuar ata ishin varrosur në këto varreza. Kështu u bë vite më pas edhe me vetë diktatorin Enver Hoxha.

Varrimi i Omer Nishanit të “Varri i Bamit”, ku nuk erdhën udhëheqësit e lartë!

Unë e ndoqa kortezhin, që shoqëroi Omer Nishanin për në varrezat e kryeqytetit, të cilat gjendeshin pranë shtëpisë ku banoja në ato vite. Ceremonia ishte shumë e thjeshtë. Pjesëmarrja e udhëheqësve të Partisë apo të qeverisë, ishte mjaft e kufizuar dhe jo në nivelet më të larta.Përse? Omer Nishani pranoi të prishte familjen, të largonte  bashkëshorten, ta lërë në vetmi e të jetojë në vetmi, për të mos u ndarë nga komunizmi. Ai i kishte shërbyer me besnikëri Enver Hoxhës. Diktatori, siç duket, ka kërkuar edhe më shumë, ka kërkuar që ai të sillej si i vdekur duke qenë i gjallë. Omer Nishani nuk ka pranuar t’ia bëjë edhe këtë shërbim. Prandaj ai u vetëvra, ose e vetëvranë apo e vranë.

Diktatura u mundua ta mbajë të fshehtë mënyrën dhe shkakun apo shkaqet se përse u largua nga jeta Omer Nishani. Në fillim u tha se ai vdiq pas një sëmundjeje të rëndë. Pastaj u tha se ai kishte vrarë veten. Më 27 maj 1954, Dega e Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit, me nënkryetar nënkolonel Nevzat Haznedarin, ka hartuar relacionin mbi vdekjen e Omer Nishanit. Në të thuhet as më pak e as më shumë se: “Dr.Omer Nishani në orën 23.00 të datës 25 maj 1954, ka vrarë veten me dy të shtëna me armë zjarri”. Pastaj u tha se ai e kishte bërë vetëvrasje sepse nuk i duronte dot vuajtjet, që i shkaktonte sëmundja.

Është e vërtetë se Omer Nishani ishte i sëmurë rëndë, por është po kaq e vërtetë se para vdekjes, vrasjes apo vetëvrasjes së tij, Enver Hoxha e kishte larguar atë nga tribuna kryesore e podiumit të Kuvendit Popullor. Është po kaq e vërtetë se dy ditë pas vdekjes, vrasjes apo vetëvrasjes së Omer Nishanit, do të bëheshin zgjedhjet për Kuvendin Popullor dhe Omer Nishani nuk ishte propozuar si kandidat për deputet. Është po kaq e vërtetë, se Enver Hoxha e kishte detyruar më parë Omer Nishanin, që të jepte dorëheqjen si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, gjë që ai e bëri më 1 gusht 1953. Sikur të mos mjaftonin këto, shokët e tij të luftës, kërkuan ta nxjerrin edhe jashtë shtëpisë ku banonte. Sigurimi i Shtetit kishte nisur ndërkohë edhe përgjimin sistematik të jetës së tij të ngushtë private, gjë që nuk mund të bëhej kurrsesi pa një urdhër nga lart. Në këto kushte, mundet që Omer Nishani e ka ndjerë veten të poshtëruar, të zhgënjyer dhe ka vrarë veten.

Ka edhe një dëshmi që flet për vrasjen dhe jo vdekjen apo vetëvrasjen e Omer Nishanit. Një shoqe e Trëndafiles, edhe ajo austriake, gruaja e Kostë Boshnjakut, dënuar me burgim të përjetshëm nga diktatura, ka hedhur poshtë versionin zyrtar të vdekjes së Omer Nishanit. Sipas tregimit të saj, gjatë një vizite që ajo i ka bërë Trëndafiles në shtëpinë në rrugën “Arkitekt Sinani”, ka ardhur gjithashtu për vizitë edhe ish bahçevani i Omer Nishanit, një fshatar nga Grori. Ai ka kërkuar të flasë vetëm për vetëm me Trëndafilen. Kjo nuk ka pranuar. Atëhere bahçevani, pasi ka kërkuar që thëniet e tij të mbaheshin sekret, u ka treguar të dyja grave austriake, atë që ka parë. Sipas tij, Omer Nishani është vrarë nga djali i madh i njërit prej zëvendëspresidentëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, “atij të paarsimuarit”. Por, nëse është kështu, përse është vrarë ai?

Ditari i ambasadorit sovjetik në Tiranë, Çuhavkin, për të vërtetën e vrasjes së Omer Nishanit!

Omer Nishani dinte shumë gjëra dhe ai kishte treguar se dinte edhe të fliste një ditë të bukur, të dëshmonte për krimet dhe terrorin e njerëzve të kupolës komuniste. Në këtë përfundim të nxjerr edhe ditari sekret i datës 7 dhjetor 1948, i ambasadorit sovjetik në Tiranë, D. S. Çuvakin. Ai shkruan në ditar se më këtë datë, ka patur një takim me Omer Nishanin, sipas kërkesës së këtij të fundit. (Në parantezë desha të shtoj, se edhe sot e kësaj dite, krerët e politikës shqiptare shkojnë e marrin dorë, falen apo rrëfehen tek të huajt. Ka vetëm një ndryshim, ambasadori sovjetik është zëvendësuar me atë amerikan. Por le t’i kthehem sërish ditarit të Çuvakinit). Ambasadori sovjetik vendos në ditar thënie të Omer Nishanit si: “Megjithëqë qeveria e tanishme ka ardhur në pushtet falë fitoreve të të gjithë popullit në luftën kundër pushtuesve, këtë popull nuk e llogarisin, zërit të tij s’ia venë veshin…”! Më tej në bisedë, Omer Nishani ka thënë: “Ajo që përjetoi populli ynë gjatë viteve të fundit, është një natë e zezë në historinë e tij. Paligjshmëri të tillë nuk ka pasur as në kohën e “ballistëve”. Omer Nishani, kur bën dëshmi të tilla dënon Koçi Xoxen, një homolog i Berias në Bashkimin Sovjetik. Gjithçka i’a ngarkon atij. Por ai nuk mund të mos ketë vënë re me kalimin e viteve se edhe pas Koci Xoxes krimet, dhuna, paligjshmëria etj., etj., jo vetëm nuk ishin ndalur, por ishin rënduar edhe më tej/Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Përgjimet e Sigurimit për Mimika Lucën/ “Udhëheqësi s’ka dy pare mend në kokë, ka qenë vagabond…”

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Kur Sigurimi i Shtetit survejonte aktoren Mimika Luca e në kurthin e bashkëpunëtorit të Sigurimit binte edhe bashkëshorti Ndrekë Luca dhe i biri Gjergj Luca

Gjatë këtyre 30 viteve të tranzicionit, është bërë shpesh temë e debateve nëpër media roli i artistëve gjatë diktaturës komuniste. Janë sulmuar shpesh për rolin propagandistik që ata kanë luajtur në shërbim te diktaturës. Padyshim që filmat shqiptarë të Kinostudios “Shqipëria e re” janë tërësisht me rol propagandistik dhe në funksion të ruajtjes së pushtetit diktatorial. Por është po kaq e vërtetë se shumë aktorë dhe artistë të asaj armate të propagandës së diktaturës, nuk ishin aspak dakord me punën që bënin, por ishin të detyruar ashtu siç ishin të detyruar të gjithë të tjerët nëpër rolet e tyre brenda mureve të diktaturës. Ashtu siç ishin të detyruar të shkonin në burg mijëra shqiptarë të pafajshëm që u cilësuan padrejtësisht “Armiq të Popullit”.

Ashtu siç mijëra të tjerë u pushkatuan.

Padyshim, që shumica prej nesh mendojmë se aktorët dhe artistët patën jetë të mirë, ishin të përkëdhelur nga sistemi dhe se jetuan shumë më mirë se sa të tjerët. Mund të jetë kështu për shumë prej tyre, por kur hyn nëpër faqet e raporteve të Sigurimit të Shtetit, vëren se ata nuk kanë qenë aq të qetë e të lumtur siç ne i kemi perceptuar.

Dosja e Sigurimit të shtetit për Kinostudion “Shqipëria e re” tregon detaje të përndjekjes së vazhdueshme të aktorëve, artistëve e punonjësve të këtij institucioni propagandistik. Gjejmë nëpër faqet e Sigurimit të Shtetit qëndrime të ashpra të aktorëve kundër udhëheqësit. Kemi zgjedhur një prej bisedave të përgjuara të Sigurimit të Shtetit në vitin 1982, ku survejohet aktorja dhe pedagogia e Institutit të Arteve, Mimika Luca. Në bisedat e përgjuara shfaqet urrejtja që kishte akumuluar aktorja, por edhe bashkëshorti i saj, aktori i famshëm Ndrekë Luca si dhe i biri Gjergj Luca.

Ishte viti 1982 kur Sigurimi i Shtetit kishte avancuar në një aksion të përqëndruar tek Kinostudio “Shqipëria e re”. Prej shumë kohësh ishin vënë nën survejim të gjithë punonjësit: aktorë, regjisorë, skenaristë e punonjës të ndryshëm. Duke e konsideruar si një institucion të rëndësisë së veçantë sa i përket propagandës së diktaturës, regjimi kishte vëmendje të shtuar për Kinostudion. Kështu në rrjetën e Sigurimit të Shtetit do të binin njëri pas tjetrit shumë aktorë e regjisorë të Kinostudios “Shqipëria e re”. Ndër ta ishte edhe aktorja Mimika Luca, prej së cilës më pas do të përgjoheshin edhe bashkëshorti i saj, Ndrek Luca si dhe i biri, Gjergj Luca.

Në fjalët e renditura nga bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit në bisedën me Mimika Lucën, shquhet urrejtja që ajo kishte për udhëheqësin komunist. Ajo kujton një bisedë të hershme me një personazh që e kishte njohur diktatorin në kohën e  rinisë së tij. Bie në sy mënyra se si përshkruhet në raportin e  Sigurimit pjesa kur Mimika Luca e quan dikatorin “homoseksual”. Agjentët e Sigurimit kanë shkruar vetëm shkronjat e para të fjalës (pederast- homoseksual) dhe sqarojnë në kllapa se fjala është shumë fyese për diktatorin. Ata as që guxonin të shkruanin edhe pse në atë rast ishin duke cituar dikë tjetër. Ata e dinin rreptësinë e diktaturës ndaj dhe nuk guxonin as të perifrazonin të tjerë kur sulmohej diktatori.

LEXO EDHE:  Tjetër ngjarje e rëndë/ Vritet me thikë 65-vjeçari, plagoset i vëllai

LEXO EDHE:  Artan Hoxha zbulon lëvizjet e fundit të Cukës/U qëllua në ashensor me ...!

Në bisedën e aktores Mimika Luca ka të dhëna për mënyrën se si perceptohej diktatori dhe udhëheqja në vitin 1980, ka urrejtje në fjalët e saj, mllef për jetën e mjerë e artin e pamundur në Shqipëri. Në këtë bisedë të përgjuar është edhe bashkëshorti i saj Ndrekë Luca dhe i biri Gjergj Luca. Që të dy shfaqin gjithashtu urrejtjen për regjimin dhe udhëheqësin komunist. Më poshtë, është zbardhur biseda e përgjuar nga Sigurimi i Shtetit. Bashkëpunëtori i Sigurimit ka nxitur aktoren të flasë kundër regjimit ndërkohë që në bisedë është afruar rastësisht edhe bashkëshorti i saj, Ndrekë Luca dhe i biri, Gjergj Luca.



Mimika Luca: Pedagoge e Institutit të Lartë të Arteve

“Udhëheqësi kryesor ka rrjedhur, ai s’ka pasur mend kurrë. Të gjitha punët i bën e shoqja, ajo udhëheq e vendos. Nga Demir Alizoti kam dëgjuar se në rini, kur Demiri ka qenë drejtor i turizmit (koha para luftës) i ka dhënë para udhëheqësit kryesor (Enver Hoxhës).  Ka thënë se ai (Enver Hoxha)  ishte vagabond e s’kishte dy para mend në kokë. I jepte para dhe i harxhonte se ishte pe…(homoseksual) (përdor fjalë fyese… tepër banale dhe fyese). Nuk e çmonte njeri udhëheqësin por e quanin bu….e G… (fjalë fyese). Këto që ngjanin tani janë të tmershme, nuk jetohet kështu, jemi bërë robot. E lus Ndrekën që të qepë gojën se do ta pësojë. Dje ishte tek ne një mik i Ndrekës nga Dukagjini. Ata të dy po flisnin hapur dhe unë u tmerrova. Po sikur ai të ishte spiun?… dhe ndërhyra duke i thënë Ndrekës…”ky pushtet ty të bëri njeri dhe nuk ke gojë të flasësh”… si mund të ecë arti përpara kur atij i është zënë fryma dhe krijohet me ca shabllonë…  S’ka liri dhe s’ka art ….

Nga fundi i kësaj bisede erdhi edhe Ndrek Luca i cili është shprehur: këta ngrenë Ruzhdi Pulahën, drama e tij “komunistët” bëri skifjo. Çfarë drame është kjo, ajo është një kronikë e poshtër! Po në këtë bisedë Gjergj Luca, djali i tyre, është shprehur: “Këta të vrasin natën e të qajnë ditën”.

Ndaj personave të mësipërm ne kemi marrë masa kontrolli, janë në ndjekje nga ana jonë dhe do të punojmë për thellimin e vërtetimit të plotë të veprimtarisë së tyre armiqësore.

Drejtori i Punëve të Brendshme Zef Loka

Tetor 1982″

Nuk janë sqaruar rrethanat në të cilat i kanë shpëtuar ndëshkimit familja Luca. Ishte krejt e paimagjinueshme për kohën që të arrije të sulmoje figurën e diktatorit në këtë mënyrë dhe të mund t’i shpëtoje burgut, por me sa duket edhe në dosjen e Kinostudios, ndoshta sepse të gjithë aktorët, regjisorët, skenaristët e punonjës të tjerë, me shumë pak përjashtime, lëshonin fjalë fyese e urrejtje për diktatorin Enver Hoxha, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij. Në këtë situatë, ndoshta ishte e pamundur që të ndëshkoheshin të gjithë dhe kështu është lënë në heshtje.

Ndoshta ka një tjetër histori që ne nuk e dimë sepse nuk sqarohet vazhdimësia në dosjen e Sigurimit përveçse saktësohet detyra e lënë bashkëpunëtorëve për të vazhduar survejimin. Sidoqoftë, në faqet e kësaj dosjeje shohim se artistët janë përgjuar, survejuar dhe mbajtur nën presion të vazhdueshëm nga diktatura komuniste./Kujto.al

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: