Blog
Nga Rusia tek Kina/ 10 shtetet, ku pozita gjeografike është njëherazi bekim dhe mallkim për një vend apo rajon

Ne e dimë se gjeografia e një vendi, luan një rol të madh në përparimin e tij social dhe ekonomik. Shumë rajone në botë, kanë qenë relativisht gjithnjë më mirë se të tjerët, për shkak të përparësive të qenësishme që u ofron pozicioni i tyre gjeografik, siç është toka e punueshme apo kufijtë natyrorë.
Dhe kjo gjë nuk është e vështirë të provohet; mjafton të shihni Zvicrën. Por e vërtetë është edhe e kundërta. Gjeografia luan një rol po aq të rëndësishëm në prapambetjen e një rajoni, edhe pse kjo gjë zakonisht i atribuohet politikës së keqe apo diferencave kulturore.
Rusia
Rusia ka shumë probleme me gjeografinë e saj. Madhësia e saj është e jashtëzakonshme. Ndërsa nga njëra anë, kjo e bën vendin të pamundur për t’u pushtuar, nga ana tjetër e shndërron në një makth transportin dhe tregtinë. Kjo është arsyeja pse Rusia ishte një nga fuqitë e fundit evropiane që u industrializua.
Një problem tjetër është lidhja e Rusisë me oqeanet. Për shkak të pozicionimit gjeografik në një djerrinë kryesisht të ngrirë, shumica e porteve të rëndësishme ruse janë të ngrira për disa muaj të vitit. Porti rus më i madh në Paqësor, Vladivostoku, është i bllokuar nga Deti i Japonisë, që kontrollohet gati tërësisht nga Japonia. Pra Rusia nuk ka asnjë port të madh, që të jetë funksional për tregti gjatë gjithë vitit, ndaj nuk ka qenë kurrë në gjendje të zgjerojë ndikimin e vet detar përtej kufijve të saj.
Australia
Është ndoshta i vetmi vend thuajse tërësisht i pabanuar, pasi shumica e popullsisë së saj jeton në qendra urbane në Australinë jugore dhe juglindore.
Ky vend përmban zona aspak mikpritëse, nga shkretëtirat e thata tek pyjet e rrezikshëm tropikale. Kontinenti ka gjithnjë e më pak ujë të pijshëm, dhe në qendrat e mëdha urbane si Sidnej dhe Melburn bien gjithnjë e më pak shira.
Indonezia
Përbëhet nga mbi 18.000 ishuj me madhësi të ndryshme. Distanca e madhe midis ishujve, ka qenë dhe është një sfidë e madhe për përparimin e vendit. Kjo gjë paraqet edhe një sfidë identitetare, pasi është gati e pamundur të bashkosh në një identitet të vetëm kombëtar, njerëzit dhe kulturat e ndryshme që gjenden në gjithë territorin e tij.
Ndërkohë afërsia e Indonezisë me Unazën e Zjarrit në Paqësor, e bën vendin veçanërisht të prirur ndaj katastrofave natyrore. Aty ndodhen 136 vullkane, nga të cilat 61 kanë shpërthyer që nga viti 1900. Edhe aktiviteti tektonik në rajon është aq i madh, saqë vendi përjeton gati çdo ditë një tërmet me magnitudë 5 ose më të vogël.
Egjipti
Si një nga djepet e civilizimit, fushat pjellore të deltës së Nilit i kanë siguruar Egjiptit një avantazh të natyrshëm ndaj vendeve të tjera. Por kjo në të kaluarën, ose më saktë para ndërtimit të Kanalit të Suezit në vitin 1868, që lidhi Detin Mesdhe me Detin e Kuq.
Kanali ishte diçka padyshim e mirë për biznesin, por jo dhe aq për stabilitetin politik të Egjiptit. Që nga ndërtimi i tij, vendi ka qenë në qendër të mjaft konflikteve të mëdha që lidhen drejtpërdrejt me kontrollin e kanalit; nga Kriza e Suezit e vitit 1956 tek Lufta Arabo-Izraelite e vitit 1967. Edhe sot, hyrja e lirë në kanal, është një nga problemet politike kryesore në rajon.
Pakistani
Gati të gjitha qytetet e Pakistanit janë të vendosura pranë kufirit, dhe kjo për shkak se vendi ka qenë në një gjendje lufte me fqinjin e saj Indinë, që nga themelimi i shtetit në vitin 1947.
Për më tepër, i gjithë kufiri Pakistan-Indi është një terren i hapur, që është thuajse i pamundur të mbrohet në rastin e një pushtimi në shkallë të plotë.
Holanda
Pavarësisht historisë së lavdishme koloniale, Holanda e ka një problem serioz. Gati një e treta e vendit ndodhet nën nivelin e detit. I gjithë vendi është plot me struktura – si duna rëre artificiale, diga, ledhe dheu etj – të destinuara për të frenuar vërshimin e detit në tokë.
Kina
Nëse studioni historinë e Kinës, do të vëreni se ajo është plot me grindje dhe konflikte të brendshme. Por sfidat e saj nuk janë ndihmuar aspak nga gjeografia. Kina është e ndarë topografikisht në ultësira pjellore, të rrethuara nga malësi të thata me një popullsi të paktë.
Ultësira është vendi ku kanë jetuar tradicionalisht shumica e kinezëve Han, ndërsa malësia ka qenë gjithmonë e vështirë për t’u kontrolluar. Për më tepër, territori i saj i gjerë është gjithashtu shtëpia e një larmie të gjerë kulturash dhe etnish, secila me interesat dhe kulturat e tyre të kundërta.
Uzbekistani
Mungesa e daljes në det krijon probleme të mëdha në drejtim të tregtisë, zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit politik. Vende të tilla, duhet të shpenzojnë shumë para dhe ndikim politik për të pasur qasje në ndonjë port, pasi tregtia tokësore është shumë e shtrenjtë, dhe kërkon shumë kohë. Edhe atëherë, ato janë gjithmonë të varura nga stabiliteti i fqinjëve të tyre. Kështu ka ndodhur me Uzbekistanin, shtet i formuar pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Japonia
Japonia ka shumë probleme me gjeografinë e saj. Më e rëndësishmja, ajo shtrihet përgjatë Unazës së Zjarrit në Paqësor; një zinxhir ishujsh dhe vullkanesh në formë patkoi, që janë rajoni më tektonik më aktiv në botë. Kjo është arsyeja pse aty tërmetet janë kaq të zakonshme. Për më tepër, vendi përbëhet tërësisht nga kodra dhe male, prandaj toka e punueshme përbën vetëm rreth 20 për qind të hapësirës tokësore.
Kjo jo vetëm që rrit kostot e importit të ushqimit nga jashtë, por kufizon numrin e njerëzve që mund ta fitojnë jetesën duke u angazhuar në bujqësi. Për më tepër, Japonia është e varfër në burime minerale dhe të tjera natyrore, gjë që e rrit më tej koston e importeve të saj.
Kontinenti afrikan
Afrika, një kontinent që përbëhet nga shumë rajone dhe kultura të ndryshme me identitetin e tyre të veçantë, ka një problem serioz gjeografik:ajo ka një shtirrje shumë gjatësore. Kjo gjë ndryshe nga Azia dhe Evropa, e ka penguar gjithnjë progresin e saj teknologjik dhe zhvillimor.
Për shkak të shtrirjes kryesisht vertikale dhe jo horizontale, kulturat afrikane kanë evoluar vetëm në boshtin lindje-perëndim, çka do të thotë se teknologjitë e reja dhe zhvillimet e tjera kanë kërkuar më shumë kohë për t’u përhapur në të gjithë kontinentin. Deri diku kjo ka ndodhur edhe me dy Amerikat./ listverse.com–Përshtatur nga CNA.al
Lajme të Rekomanduara:

Dhjetëra të vdekur pas marrjes së vaksinës së Pfizer, çfarë po ndodh?
Nga Nathan Bartlett “The Conversation” Raportet për rreth 30 vdekje midis të moshuarve në një azil që morën vaksinën Pfizer, kanë bërë xhiron e mediave...

Pse reagimi i dobët ndaj Covid-19, po e bën Francën gazin e botës
Nga John Keiger “Spectator” Franca është anëtarja e vetme e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, që nuk ka zhvilluar një vaksinë të saj...