LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si do ndryshojë peisazhi politik në Ballkanin Perëndimor, pas asaj që ndodhi së fundmi në Malin e Zi?

17 Shtator 2020, 07:05, Blog CNA

Nga Sinisa Vukovic & Majda Ruge ?European Council on Foreign Relation?

Zgjedhjet parlamentare të muajit të shkuar në Malin e Zi, prodhuan një rezultat historik, dhe për shumëkënd të papritur, që mund të rezultojë tepër domethënës për peizazhin politik të Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë në 30 vjet Demokratska Partija Socijalista (DPS) nuk do të qeverisë vendin.

E udhëhequr nga presidenti i vendit, Milo Gjukanoviç, DPS e ka dominuar skenën politike malazeze që nga zgjedhjet e para shumëpartiake në vitin 1990. Në vend të saj, 3 koalicione të gjera, me platforma të ndryshme politike, kanë arritur të fitojnë 41 vende në parlament, minimumi i nevojshëm për të formuar një shumicë qeverisëse.

Këto koalicione kanë nënshkruar një marrëveshje mbi parimet për koalicionin e ri, që do të përbëhet nga jo më pak se 20 parti. Narrativa dominuese e këtyre tre blloqeve politike është ?Jashtë e vjetra, sot me të renë!?. Por një vështrim nga afërt i partive dhe udhëheqësve të tyre, na ofron një panoramë më komplekse, që mund të rezultojë destabilizuese për Malin e Zi dhe rajonin.

Nga këto tre blloqe, më i madhi (Za Buducnost Crne Gore, ZBCG) është një koalicion i gjerë i partive populiste etno-nacionaliste, klerike, konservatore, me një platformë të hapur pro-serbe, pro-ruse, anti-NATO dhe euro-skeptike.

Shumica e udhëheqësve të tyre drejtuan fushatën në favor të ruajtjes së Unionit Shtetëror me Serbinë gjatë referendumit të vitit 2006 për pavarësinë. 27 deputetët e tyre vijnë kryesisht nga Fronti Demokratski (DF), një koalicion ky ku dy udhëheqësit e tij, Milan Knezeviç dhe Andrija Mandiç, janë dënuar secili me 5 vjet burg për krijimin e një organizate kriminale që organizoi grushtin e dshtuar të shtetit të mbështetur nga Rusia, në prag të zgjedhjeve parlamentare të tetorit 2016.

Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat pro-qeveritare në Serbi, e mbështetën hapur fushatën zgjedhore të DF. Blloku i dytë më i madh në shumicën e re, tubohet rreth një partie relativisht të re populiste, Demokrate Crne Gore (DCG), e udhëhequr nga Aleksa Beçiç.

Ndërsa ky bllok portretizohet nga shumë analistë si një opozitë qytetare, udhëheqësi është një ish-udhëheqësi i forumit rinor të Socijalisticka Narodna Partija Crne Gore (SNP), një parti që ishte zëri kryesor në favor të bashkimit me Serbinë dhe një aleate besnike e Sllobodan Millosheviçit deri në rrëzimin e këtij të fundit në vitin 2000.

Një parti tjetër në këtë bllok është Demos, një parti konservatore e udhëhequr nga Miodrag Lekiç, ish-ambasador i Jugosllavisë në Itali në kohën e Millosheviçit. Ai mbetet një nga kritikët më të fortë të qeverisë në largim, për shkak të vendimit të kësaj të fundit pro sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Koalicioni i tretë dhe linja kryesore e shumicës së ardhshme qeverisëse në parlament, është Ujedinjena Reformska Akcija (URA). Kjo është një parti qytetare, e gjelbër dhe pro-evropiane. Ajo ka vetëm 4 deputetë, të cilët u zgjodhën nga 5.2 për qind e votave.

Pritshmëria e analistëve më optimistë, është që kjo parti të arrijë të mbajë nën kontroll dy më të mëdhatë, një skenar që vihet në dyshim nga shumë të tjerë. Zyrtarisht, krerët e 3 partive që dominojnë secilin bllok, kanë rënë dakord mbi disa parime minimale si themelin e koalicionit të tyre qeverisës.

Ata janë zotuar zyrtarisht të mos tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe të mos dalin nga NATO. Gjithashtu, kanë rënë dakord të formojnë një qeveri teknokratësh, që do të vazhdojë procesin e pranimit në Bashkimin Evropian. Por nuk është aspak e qartë sesi një amalgamë e tillë heterogjene me prejardhje ideologjike konfliktuale, do t?i mbështesë vërtet këto politika.

Rreziqet në këtë kuadër janë disa.

Së pari, do të jetë shumë e rëndësishme të shihen emërimet në sektorin e sigurisë dhe kontrolli i tyre. Nëse DF merr nën kontroll sektorin e sigurisë, qeveria e re mund të jetë e prirur të thellojë lidhjet me shërbimet ruse dhe serbe të sigurisë. Nën një skenar të tillë, qeveria mund të minojë detyrimet e vendit nga anëtarësimi në NATO.

Së dyti, duke pasur parasysh orientimin e theksuar ideologjik të partive më të mëdha drejt Serbisë dhe Rusisë, mbetet e paqartë nëse qeveria e re do t?i përmbahet realisht angazhimeve ndërkombëtare të Malit të Zi. Nën qeverinë e mëparshme, politika e jashtme e Malit të Zi ishte 100 për qind pro BE-së.

Duke marrë parasysh historikun e DF dhe partive aleate, nuk ka gjasa që ato ta ruajnë një kurs të tillë në politikën e jashtme. Kjo mund të ndikojë në çështje të tilla si rinovimi i sanksioneve kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë, në politikat e BE-së mbi Ukrainën, Kosovën dhe çështje të tjera rajonale.

Së treti, qeveria e re ka premtuar të anulojë Ligjin mbi Lirinë e Fesë, që ndër të tjera kërkon regjistrimin zyrtar të Kishës Ortodokse Serbe. Kjo e fundit është i vetmi institucion fetar që nuk është regjistruar në Malin e Zi. Ajo operon në një vakum ligjor ndërsa ndjek si agjendën politike ashtu edhe interesat e saj ekonomike:kisha pretendon pronësinë mbi një sipërfaqe të mëdha toke dhe pasurish të patundshme dhe drejton hotele, restorante, agjenci udhëtimesh, por nuk ka një status zyrtar.

Përveç kësaj, qeveria e re mund të kërkojë të rishikojë Ligjin e Shtetësisë. Nëse kjo ndodh sipas preferencave të DF, ligji i ri do t?u japë mundësi një numri të konsiderueshëm qytetarësh serbë të marrin dy shtetësi në Malin e Zi. Ka shumë pak gjasa që URA dhe blloku i saj i vogël i partive papërvojë, të kenë një kontroll efektiv ndaj dy blloqeve të tjera.

Një skenar i mundshëm është që URA ta braktisë koalicionin, akt që mund të dobësojë aleatët e saj përballë zgjedhjeve të reja që do të shpalleshin në mënyrë të pashmangshme. Nëse malazezët shkojnë sërish në votime, ata mund të kenë të ngjarë të mbështesin blloqet më të mëdha që shfrytëzojnë levat e pushtetit të sapoformuar, mbështetjen e vazhdueshme nga Beogradi dhe fuqinë mobilizuese të Kishës Ortodokse Serbe, dhe kësisoj të krijojnë një pasiguri edhe më të madhe në lidhje me rrugën perëndimore të Malit të Zi./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga