Connect with Us

Në nëntor votoj Trump/ Biden do ishte një “lolo” në duart e ekstremistëve të majtë

Blog

Në nëntor votoj Trump/ Biden do ishte një “lolo” në duart e ekstremistëve të majtë

Publikuar

-

Nga Danielle Pletka “The Washington Post”

Në vitin 2016, nuk mendova në asnjë moment të votoja për Donald Trumpin. Sjellja e tij arrogante më dukej si degradimi më i keq i politikës amerikane. Por në vitin 2020, unë mund të detyrohem të votoj për të.

Më dëgjoni. Unë nuk kam shumë nevojë të parashtroj këtu rezervat e mia ndaj Trumpit, postimet e tij agresive në rrjetet sociale, mendjemadhësinë e tij kronike dhe vrazhdësinë që karakterizon në përgjithësi sjelljen e tij.

Gjatë 4 viteve të fundit, si një njollë nafte që bën pis të gjitha ato që prek, vetë Trump ka arritur të errësojë arritjet më thelbësore të administratës së tij, si fokusimi i vëmendjes së botës tek kërcënimi që paraqet Kina për sigurinë globale, dhe për ndërmjetësimin e një epoke të re të paqes në Lindjen e Mesme.

Unë kam frikë nga vendimmarrja kaotike, e diktuar nga personaliteti i vetë Trump. Përbuzja e tij ndaj NATO-s është alarmante, ashtu si dhe lajthitja e tij se ai mund të mbajë nën kontroll udhëheqësit autoritarë. Unë nuk dyshoj se padurimi i tij për të tërhequr trupat amerikane nga misionet e tyre në vende të tilla si Afganistani dhe Iraku, do të inkurajojë konfliktet dhe terrorizmin.

Habit Trump/  Vaksina e Covid-19 mund të jetë gati pas 3-4 javësh

Dhe shqetësohem se qëndrimi i tij çuditërisht izolacionist ndaj tregtisë ndërkombëtare, do ta dëmtojë ekonominë e SHBA-së, dhe do të shpërbëjë mekanizmat tregtarë globalë që gjatë gjysmëshekullit të kaluar i kanë sjellë botës një prosperitet të mahnitshëm, duke nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria ekstreme.

Por nga ana tjetër unë u trembem akoma më shumë ekstremistëve të së majtës brenda Partisë Demokratike. E nga çfarë duhet të frikësohemi? Unë druhem se ish-zv/presidenti Xho Bajden do të ishte një president lolo, sa për figurë, i paaftë për t’u fokusuar në detyrat e tij dhe për të udhëhequr, një presidenti që do ta drejtonte presidencën me teleprompter, me fjalimet e hartuara nga ideologët e majtë të partisë së tij.

Unë kam frikë se një Kongres  dhe Senat i kontrolluar nga demokratët – një skenar thuajse i sigurt nëse Bajden fiton në nëntor – do të shënonte fillimin e një sulmi ndaj institucioneve që ruajnë demokracinë e vogël.

Këtu mund të përfshihen krijimi i një bashkimi qeveri-parlament me një pushtet të pakufizuar politik; një rritje e numrit të vendeve në Gjykatën e Lartë për të siguruar një super-shumicë liberale; miratimi i masave shkatërruese ekonomike siç është Marrëveshja e Re e Gjelbër; shtetëzimi i kujdesit shëndetësor; çmontimi i kufijve të SHBA-së, dhe zbatimi i masave të frymëzuara nga socialistët, të gjitha këto do të shkatërronin një ekonomi që duhet ende ta marrë veten nga mbyllja për shkak të pandemisë.

Unë kam frikë nga përhapja e zakoneve progresive që po depërtojnë gjithnjë e më shumë në gazeta, programet mësimore të fëmijëve të mi dhe qeverinë time lokale. Unë kam frikë nga bullistët që mendojnë se përfaqësojnë virtytin, të cilët gjithnjë e më shumë po përpiqen të dominojnë ose heshtin ligjërimin publik.

LEXO EDHE:  Çfarë po ndodh në PD-në e Pogradecit?/Nga mandati i deputetit tek pazari i Fahri Balliut me Lulzim Bashën

Dhe që i inkurajojnë fëmijët e mi të mendojnë, se të qenit të bardhë është diçka thelbësisht e keqe, dhe se establishmenti i Amerikës është i ngjashëm me mëkatin origjinal. Ndërkohë, kam frikë edhe nga vetë-censura në rritje që po dikton çdo qëndrim të shumë njerëzve.

Të majtët e shohin çdo zgjedhje personale – nga recetat tek stili i flokëve – përmes prizmave të tyre të shtrembëruar të politikës dhe kulturës. Një Uashington i drejtuar plotësisht nga Demokratët, i nxitur nga aleatët e progresistëve në media, pa dyshim që vetëm sa do t’i përshpejtonte këto prirje.

As qasja e Bajden ndaj çështjes së sigurisë kombëtare nuk është më pak shqetësuese. Ndërsa ai premton një ndryshim të mirëpritur të aleancave të SHBA, Bajden ashtu si Trump, do që të tërheqë trupat tona nga Lindja e Mesme dhe Azia e Jugut.

Më keq akoma, ai do të shkurtojë shpenzimet në fushën e mbrojtjes, dhe ka të ngjarë të rinovojë lidhjen e gabuar të dashurisë së administratës Obama me tiranët e Iranit. Pastaj është armiqësia e Partisë Demokratike ndaj shtetit të Izraelit. Mbështetësit e Bajden do të bërtasin me të madhe se historia e kandidatit të tyre është shumë pro-Izraelit.

Zgjedhjet në SHBA/ Dallimet e politikës së jashtme tek dy kandidatët presidencialë

Por si president, a do të ishte ai aq i fortë sa t’i rezistonte mbështetjes më pak të zjarrtë të Partisë së re Demokratike ndaj shtetit hebre? A ka probleme në të djathtë, me fanatikët e tmerrshëm në të njëjtin nivel me protestuesit e dhunshëm, që kohët e fundit kanë shkaktuar dëme të papara në shumë qytete dhe biznese në SHBA?

Sigurisht që po. Këta racistë që bredhin nëpër rrugë me armë, kanë marrë inkurajimin e heshtur nga Trump. Por ato nuk përfaqësojnë rrymën kryesore të Partisë Republikane, apo bazën më të gjerë të anëtarëve të kësaj partie.

Një vit më parë, mendova se Partia Demokratike ishte e izoluar nga e majta ekstreme. Por sot nuk mendoj kështu. Pasi mendimi i partisë sot drejtohet nga senatorët Berni Sanders, Elizabet Uorren, Aleksandria Okasio-Kortez, dhe Rashida Tlaib, që dikur ishin në periferinë e politikës së brendshme të PD.

Me Donald Trump, unë e di se çfarë po marr. Për mirë apo keq, ai e drejton administratën e tij. Unë shqetësohem më shumë për paaftësinë dhe lëkundjet e tij, sesa për çdo tendencë diktatoriale.

Por nga ana tjetër, unë jam gjithnjë e më e bindur se ajo që shoh tek Xho Bajden, të cilin e kam takuar për herë të parë në vitin 1992, dhe që e besoj se është një njeri i mirë, do të ishte thjesht fasada e një administrate, e mbështetur plotësisht nga Senati dhe Kongresit, me një axhendë që do të dëmtonte seriozisht SHBA-në.

Ekstremizmi gërryes i krahut të majtë, do të ishte një gangrenë për kombin. Pavarësisht gjithë të metave të tij, Trump mund të jetë një digë midis demokracisë sonë të papërsosur, dhe tiranisë së të majtës së ringjallur./ CNA.al

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Projekti politik, që fshihet pas provokimeve të Erdoganit

Publikuar

-

Nga

Nga Pierre Haski “Internazionale”

Rexhep Tajip Erdogan, është një politikan që nuk nuk i mungon nuhatja politike. Në fakt kjo është një nga cilësitë e tij kryesore. Prandaj, nuk është për t’u habitur, pse presidenti turk e shfrytëzoi shpejt mundësinë politike, që krijoi vrasja e mësuesit francez Samuel Pati.

Erdogan reagoi në mënyrën e tij, domethënë si një tribun populist, që nuk heq kurrë dorë nga gjuha e ashpër për të kënaqur audiencën e tij, dhe për të siguruar një rezonancë maksimale të deklaratave të tij.

Në këtë rast, ai e bëri këtë duke ngritur dyshime rreth “gjendjes mendore” të presidentit francez Emanuel Makron. Një akt agresiv befasues, nëse marrim parasysh se Franca është teorikisht një aleate e Turqisë.

Ekzistojnë dy mënyra për të analizuar provokimin e fundit të Erdoganit:E para është ta konsiderojmë atë si një rast tjetër për fërkime midis dy vendeve (në konflikt në Mesdheun Lindor, në Siri, në Liban dhe në Nagorno-Karabak).

Parisi dhe Ankaraja gjenden shpesh në kundërvënie mes tyre. Edhe në të shkuarën, Erdogan ka thënë fjalë aspak miqësore ndaj homologut të tij francez. Një aspekt tjetër lidhet me betejën mbi kontrollin e Islamit. Presidenti turk, paraqitet si një “sulltan” mbrojtës i myslimanëve, si në kohën e Perandorisë Osmane që e frymëzon shumë atë.

Synimi ideal

Javën e kaluar, unë fola për kritikat drejtuar Makronit nga xhamia Al-Azhar, autoriteti më i lartë sunit me qendër në Kajro të Egjiptit, me propozimin e rektorit për të miratuar një ligj botëror kundër blasfemisë. Erdogan reagoi menjëherë, pasi ai nuk ka ndërmend t’i lërë Al-Azharit monopolin e kritikës.

Në këtë kontekst, Franca është një objektiv ideal. Laicizmi francez, është një burim i vazhdueshëm keqkuptimesh me botën myslimane, nga debatet e stuhishme mbi ferexhenë tek karikaturave mbi Profetin Muhamed.

LEXO EDHE:  Ambasadori i SHBA: Rusia të heqë dorë nga keqinterpretimi i historisë

LEXO EDHE:  Nga Astrit PATOZI/Hashash - buxheti ose testamenti politik i Edi Ramës

Myslimanët tradicionalistë (jo domosdoshmërisht islamikë), që dinë të kuptojnë kontekstin francez janë të rrallë. Erdogan e sulmon Francën, edhe sepse është i bindur se Evropa është në një fazë rënieje dhe nuk meriton asnjë lloj respekti.

Por ne nuk e kemi dëgjuar ende atë të kritikojë Kinën për persekutimin e ujgurëve myslimanë. Dhe kjo është çështje e raporteve të forcës. Franca nuk ka asnjë interes ta vendosë veten në të njëjtin nivel me Erdoganin dhe të përfshihet në një luftë fjalësh.

Por në të njëjtën kohë nuk mund t’i lërë presidenti turk, një aleat i Vëllazërisë Myslimane, monopolin e fjalës dhe pasionit për masat muslimane. Siç e tregon edhe fillimi i bojkotit ndaj produkteve franceze, ka terren pjellor edhe për një “stuhi” irracionale.

Zëri i Francës, duhet të dëgjohet në botën myslimane, për të shpjeguar laicitetin francez. Në fjalimin e tij mbi “separatizmin” të mbajtur në fillim të tetorit, Makron kishte shmangur rënien në grackën e “stigmatizimit të të gjithë myslimanëve”, duke u përqendruar tek ata që nuk e pranojnë republikën.

Por mesa duket ditët e fundit, Franca nuk ka arritur t’i shpëtojë këtij kurthi. Mendimi i Francës nuk është mjaft i dëgjueshëm në botën myslimane. Kurthi tjetër, konsiston në fakt në lejimin e Erdoganit që të paraqitet si mbrojtës i myslimanëve në Francë, dhe në pjesën tjetër të botës. Pas fjalëve të “kristalta” të presidentit turk, ekziston një projekt politik shumë më i frikshëm se sa thjesht ofendimet e tij në adresë të Makron./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Neo-marksistët që po synojnë të shkatërrojnë SHBA-në

Publikuar

-

Nga

Neo-marksistët që po synojnë të shkatërrojnë SHBA-në

Nga Andrew A.Michta “The Wall Street Journal”

“Vdekje Amerikës!”, është një parullë e zakonshme e protestuesve të ANTIFA-s nga Portlandit në Kenosha. Fëmijët në rrugë janë duke bërë thirrje për shkatërrimin e vendit, ndërsa më të rriturit shkatërrojnë hapësirat publike, duke filmuar veten si të ishin pjesë e një spektakli.

Asnjëra nga partitë politike nuk ka qenë e gatshme dhe e aftë që t’i japë fund kësaj anarkie. Çdo ditë që kalon, ekstremizmi po bëhet më i ngulitur në politikën amerikane. Këto akte dhune, janë nxitur nga 5 dekadat e indoktrinimit neo-marksist në shkollat, kolegjet dhe universitetet amerikane.

“Marshimi i Gjatë” i së majtës nëpër institucionet tona ka qenë i pandalshëm. Intoleranca ekstreme ka zëvendësuar tani konceptin liberal të kompromisit të negociuar, që është kusht i panegociueshëm i demokracisë.

Të rinjtë amerikanë, veçanërisht ata të rritur në shtëpitë e familjeve të shtresës së mesme ose të pasur, kanë pësuar aq shumë shpëlarje truri, sa që nuk e kuptojnë se sa absurde është të bëjnë thirrje për shkatërrimin e shtetit të tyre kombëtar, tamam si ajo që urojnë mullahët e Iranit.

Padija e tyre mbi historinë, është shenja dalluese e krizës aktuale. Pakkush duket se është në gjendje të kuptojë historinë e ndërlikuar, shpesh të dhimbshme, por të ekuilibruar të Amerikës – që është një shembull i asaj që mund të arrijë një popull i përkushtuar ndaj lirisë individuale.

Përkundrazi, ata janë indoktrinuar për t`a reduktuar jetën në SHBA në një binar racor të të bardhëve përkundrejt “njerëzve me ngjyrë”. Është pak e shumësi binari komunist i borgjezisë kundër proletariatit, që bolshevikët e përdorën për të marrë pushtetin në vitin 1917, pas të cilit miliona njerëz vdiqën në eksperimentin totalitar sovjetik.

Dhuna tregon se tribalizmi i bazuar në identitetin e grupit, është i gatshëm të pasojë komunitetin më të madh kombëtar, që për më shumë se 2 shekuj ka mbrojtur dhe zgjeruar lirinë në të gjithë botën. Shteti-kombi amerikan është një eksperiment unik, dhe i pashembullt në histori.

Ai është një projekt politik që lindi nga një kulturë koloniale angleze, por që krijoi një identitet të veçantë kombëtar aq të fortë, sa të integronte shumë grupime etnike që kanë emigruar në SHBA. Sigurisht, kombi amerikan ka edhe anët e tij të errëta, me skllavërinë që mbetet një plagë e thellë në historinë e tij.

LEXO EDHE:  Rama debat me koordinatoret e rajoneve

LEXO EDHE:  Trump synon krijimin e Forcës Hapësinore deri më 2020

Sidoqoftë, fuqia e idealit amerikan u ofroi miliona njerëzve diçka që asnjë kulturë tjetër nuk mund ta bënte, pra shansin për të ri-shpikur dhe ripërtërirë jetën e dikujt, për ta përparuar pozitën e tij,dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tij.

Nacionalizmi pasionant i Amerikës, është rrënjosur tek besimi e jashtëzakonshmërisë si një popull i destinuar për të qenë madhështor, dhe mbi faktin se barazia e mundësive sipas ligjit, mund të kufizojë impulset instiktive të njeriut.

Sot pikëpamja tradicionale, se fitorja dhe humbja në politikë janë që të dyja pjesë e procesit demokratik, dhe thelbi i një politike vetë-konstituese, është zëvendësuar me një përpjekje leniniste për të anuluar kundërshtarin. Parimi i politikës radikale, që tani po gërryen vendin, duket se është:”Unë fitoj, ti zhdukesh!”.

Elitat, veçanërisht profesorët, mbajnë shumë përgjegjësi për këtë gjendje ku janë sot punët e vendit. Për dekada të tëra, në klasa dhe salla leksionesh ata hodhën bazat për atë që po ndodh tani. Politika e intolerancës, që predikohet në thuajse çdo sektor të jetës, supozon se më të varfrit, nuk janë më bashkëqytetarë, pasi ata janë të paaftë të rrokin parimet e rendit ndërkombëtar globalist.

Ndërkohë, ata që flasin në emër të tyre, demonizohen si “populistë”. Në të kundërt, elita e korporatave amerikan sot, sidomos plutokratët e saj financiarë në Bregun Lindor, dhe aristokracia digjitale në Bregun Perëndimor, duket se janë më të prirur për të punuar mbi “problemet globale”.

Liria e kombit po rrudhet nga akuzat e pandërprera mbi racizmin strukturor, privilegjin e të bardhëve, homofobisë dhe intolerancës. Sot neo-marksistët kontrollojnë pothuajse të gjitha fushat e diskursit elitar në SHBA, dhe kësisoj,ata mund të shuajnë çdo zë kundër,duke e cilësuar si “populist”apo“racist” cilindo që refuzon t’i nënshtrohet linjës së tyre ideologjike.

E majta neo-marksiste, po i ndan institucionet e demokracisë amerikane nga themelet e tyre kombëtare. Nëse ajo ka sukses, SHBA me kalimin e kohës do të humbasë kulturën e vet republikane, dhe do të shndërrohet në një shtet në të cilin aristokracia e re e zotëron pushtetin, mbi një popullsi të përçarë dhe të varfëruar./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Si Kompania e Indisë Lindore, u bë monopoli më i fuqishëm i botës

Publikuar

-

Nga

Si Kompania e Indisë Lindore, u bë monopoli më i fuqishëm i botës

Një nga korporatat më të mëdha dhe më dominuese në histori, ka operuar shumë kohë para shfaqjes së gjigantëve të teknologjisë si Apple, Google ose Amazon. Kompania Angleze e Indisë Lindore u krijuar nga kurora mbretërore më 31 dhjetor 1600, dhe nga ai moment vazhdoi të veprojë si një organizatë e tregtisë, duke fituar shumë nga tregtia me Indinë, Kinën, Persinë dhe Indonezinë për më shumë se 2 shekuj.

Biznesi i saj e furnizoi Anglinë me çaj me një kosto të përballueshme për të gjithë, me tekstile pambuku dhe erëza,të cilat u garantonin investitorë të saj në Londër një fitim në 30 për qind. “Në kulmin e vet, Kompania Angleze e Indisë Lindore, ishte korporata më e madhe e këtij lloji në botë”- thotë Emili Erikson, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Jeilit në SHBA, dhe autore e librit “Midis monopolit dhe tregtisë së lirë:Kompania Angleze e Indisë Lindore”.

“Ajo ishte më e madhe edhe se disa kombe. Qe në thelb perandoria de facto e pjesëve të mëdha të Indisë, e cila ishte një nga ekonomitë më produktive në botë në atë kohë”- shtoi ajo. Në fundin e shekullit XVIII-të, kjo mega korporatë komandonte një ushtri private prej 260.000 ushtarësh, dyfishin e madhësisë së ushtrisë këmbësore britanike.

Ajo ushtri e madhe mjaftonte për të trembur çdo lloj konkurrenti, për të pushtuar territore, dhe për t’i detyruar sundimtarë lokalë indianë të nënshkruanin kontrata të njëanshme, që i jepnin Kompanisë kompetenca shumë fitimprurëse. Pa Kompaninë e Indisë Lindore, nuk do të kishte asnjë dominim perandorak të Britanisë në Indi gjatë shekujve XIX-XX.

Dhe për mirë a keq, suksesi i korporatës së parë të madhe në botë, ndihmoi në formësimin e ekonomisë moderne globale. Kompania e re angleze e Indisë Lindore ishte një monopol, në kuptimin që asnjë subjekt tjetër britanik, nuk mund të tregtonte legalisht në atë territor.

Gjithsesi, ajo u përball me një konkurrencë të fortë nga spanjollët dhe portugezët, të cilët tashmë kishin disa baza tregtare në Indi, dhe gjithashtu edhe Kompania Holandeze e Indive Lindore,e  themeluar në vitin 1602.

Anglia, ashtu si pjesa tjetër e Evropës Perëndimore, kishte një oreks të madh për mallra ekzotike Lindore si erëza, tekstile dhe bizhuteri. Por udhëtimet detare drejt Indive Lindore, ishin ndërmarrje jashtëzakonisht të rrezikshme, që përfshinin përplasje të armatosura me tregtarët rivalë, apo sëmundje vdekjeprurëse si skorbuti.

Shkalla e vdekshmërisë për një punonjës të “East India Company” ishte 30 për qind, thotë Erikson. Monopoli i garantuar nga kurora mbretërore, i mbronte tregtarët londinezë nga konkurrenca e brendshme, teksa i garantonte gjithashtu një fitim të majmë edhe vetë monarkisë, e cila kishte shumë nevojë për fonde.

Kompania ishte shoqëria aksionare më e madhe. Ajo e mblodhi dhe bashkoi kapitalin duke shitur aksione për publikun. Drejtohej nga një president, por kishte ndërkohë edhe një “bord kontrolli”. Ndryshe nga mbledhjet e sotme të bordit të korporatave, takimet e Kompanisë së Indisë Lindore shoqëroheshin me debate të ashpra, ku merrnin pjesë qindra aksionarë.

Në fillim, Kompania nuk kishte shumë para për t’i paguar punonjësit e saj për këtë punë tepër të rrezikshme, ndaj iu desh të siguronte stimuj të tjerë. “Ai stimul ishte që ata të tregtonin për interesat e tyre private jashtë shtetit. Në atë kohë, kishte shumë mundësi për të mashtruar dhe bërë kontrabandë”- thekson Erikson.

Kur britanikët dhe tregtarët e tjerë evropianë mbërritën në Indi, u detyruan t’u bënin ndere sundimtarëve dhe mbretërve vendas, duke përfshirë Perandorinë e fuqishme Mugul, që shtrihej në të gjithë Indinë. Sundimtarët indianë i ftonin krerët lokalë të Kompanisë në oborrin e tyre, u merrnin para, teksa përdornin ushtarët e Kompanisë në luftërat rajonale, ndonjëherë kundër kompanive tregtare franceze ose holandeze.

LEXO EDHE:  Trump dërgon njeriun e tij të besuar në Kosovë 

LEXO EDHE:  Berisha konfirmon lajmin e CityNews/Pse u trajnuan me ekspertë amerikanë të rinjtë e PD

Një pikë e madhe kthese në transformimin e Kompanisë së Indisë Lindore, nga një kompani tregtare fitimprurëse në një perandori de fakto, erdhi pas Betejës së Plasej në vitin 1757. Ajo vuri përballë 50.000 ushtarë Indianë nën Navabin e Bengalit kundër vetëm 3.000 ushtarëve të Kompanisë.

Nauab ishte zemëruar me Kompaninë për uljen e taksave. Por ajo që ai nuk dinte ishte se udhëheqësi ushtarak i Kompanisë Lindore të Indisë në Bengal, Robert Klajv, kishte arritur një marrëveshje me bankierët indianë, në mënyrë që shumica e ushtrisë indiane të mos pranonte të luftonte në Plasej.

Fitorja e Klajv i dha Kompanisë së Indisë Lindore kompetenca të gjera të taksimit në Bengal, asokohe një nga provincat më të pasura në Indi. Klajv e plaçkiti thesarin e Navab, dhe e dërgoi atë në Londër, natyrisht duke mbajtur shumë edhe për vete.

Në vitin 1784, Parlamenti Britanik miratoi “Aktin e Indisë” të Kryeministrit Uilliam Pit, qëe përfshinte zyrtarisht qeverinë Britanike në sundimin e tokave të Kompanisë së Indisë Lindore në Indi. Por Kompania e Indisë Lindore nuk operoi vetëm në Indi.

Në një nga kapitujt e saj më të errët, Kompania kontrabandoi opium në Kinë, në këmbim të mallit më të çmuar të këtij vendi:çajit. Kina tregtonte vetëm çaj në këmbim të argjendit. Por kjo ishte e vështirë për Anglinë.

Prandaj Kompania sabotoi embargon e Kinës për opiumin, përmes një tregu të zi të prodhuesve dhe kontrabanduesve indiane të opiumit. Ndërsa çaji shkonte në Londër, investitorët e Kompanisë u pasuruan, ndërsa miliona kinezë u shkatërruan nga opiumi.

Kur Kina e goditi tregtinë e opiumit, qeveria britanike dërgoi anije luftarake, duke shkaktuar kështu nisjen e Luftës së Opiumit të vitit 1840. Humbja poshtëruese e kinezëve, i garantoi britanikëve kontrollin e Hong Kongut. Nga mesi i shekullit XIX-të, kundërshtimi ndaj statusit monopol të Kompanisë së Indisë Lindore, arriti kulmin në parlamentin britanik, i nxitur nga argumentet e tregut të lirë të Adam Smithit.

Erikson thotë se perëndimi i Kompanisë së Indisë Lindore në vitet 1870, kishte të bënte më pak me zemërimin moral ndaj korrupsionit të korporatës, dhe më shumë me politikanët dhe biznesmenët anglezë, që e kuptuan se mund të fitonin edhe më shumë para me partnerë që kishin një bazë më të fortë ekonomike.

Edhe pse Kompania e Indisë Lindore u shpërbë më shumë se një shekull më parë, ndikimi i saj si një pioniere e korporatave, e ka diktuar mënyrën e zhvillimit të biznesit modern në një ekonomi globale./ History.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE