Connect with Us

Ku është më e rrezikuar jeta në botë?

Blog

Ku është më e rrezikuar jeta në botë?

Publikuar

-

Një raport i OKB-së thekson, se më të varfrit dhe refugjatët janë edhe më të rrezikuarit nga katastrofat. Se si përballohet një katastrofë varet shumë nga kapacitetet e një shteti dhe shoqërie.

Pandemia e Coronës e ka rritur edhe më shumë gjendjen e rrezikshmërisë për migrantët. Ajo e ashpërson edhe më shumë jetesën e afër 80 milionë refugjatëve dhe të dëbuarve të prekur nga krizat dhe eksodi në të gjithë botën, që edhe pa pandeminë është e vështirë, thuhet në raportin e OKB-së për rreziqet për vitin 2020. Sidomos më të prekurit nga mbyllja e kufijve janë punëtorët sezonalë, shkruajnë autorët e studimit, që publikohet nga Aleanca “Zhvillimi ndihmon” e Universitetit Ruhr në Bochum.

Çdo vit ky raport publikon një listë ku janë renditur të gjitha vendet e botës në bazë të shkallës së rrezikshmërisë. Edhe këtë vit në krye qëndron shteti ishullor i Paqësorit, Vanuatu. Vendi i dytë më i rrezikuar në botë është Tonga, e ndjekur nga Antijet e Vogla. Vendet me rrezikun më të vogël statistikor janë si në vitin e kaluar Katari dhe shteti i BE, Malta. Gjermania bën pjesë tek 20 vendet më pak të rrezikuara. Këtu renditen kryesisht vendet europiane, por edhe shtete si Arabia Saudite dhe Egjipti.

Koncepti i rrezikshmërisë në raport merr në konsideratë si ekspozimin ndaj rrezikut, që do të thotë, se sa i rrezikuar është një rajon apo një vend nga disa katastrofa natyrore. Por nga ana tjetër shihet edhe aftësia e një shoqërie për të përballuar katatrofat. Kështu shtetet me një ekspozim të njëjtë ndaj rrezikut, mund të kenë renditje të ndryshme, për shkak të cilësisë së infrastrukturës publike, situatës së banimit mesatarisht, përgatitja në përballimin e katastrofave dhe sistemi shëndetësor. Shumë vende afrikane nuk marrin shumë pikë në këto kategori, ato janë të rrezikuara nga pozicioni gjeografik, por edhe nga mungesa e kapaciteteve.

New Orleans, Louisiana Katrina Super Bowl (picture-alliance/dpa)

Një ndikim të veçantë ka ndryshimi i klimës. Në studim thuhet, se kjo ka ndryshuar shpeshtësinë dhe intensitetin e stuhive, përmbytjeve apo thatësirës. Si pasojë rritet edhe presioni i migrimit. Kur dhe nëse një person e “bën hapin vendimtar” dhe braktis vendlindjen, kjo nuk varet vetëm nga faktorët e jashtëm. “Një rol të madh luajnë edhe faktorët socialë, mbrojtja nga komuniteti dhe situata individuale financiare.” Autorët e përpilimit të raportit botërore theksojnë përgjegjësinë e vendeve më të pasura që vetë emetojnë shumë gaz karbonik. Ato jo vetëm duhet të ofrojnë mjetet për t’u përshtatur me ndryshimet e klimës, por duhet të ofrojnë edhe pagesa kompensimi për dëmet e klimës të shkaktuara ndërkohë./ DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Historia e kryqit, dhe kuptimet e tij të shumta përgjatë shekujve

Publikuar

-

Nga

Në vjeshtë, katolikët dhe disa kisha të tjera të krishtera festojnë Festën e Kryqit të Shenjtë. Gjatë festës, të krishterët përkujtojnë jetën e Jezu Krishtit, veçanërisht vdekjen e tij në kryq dhe Ringjalljen e tij të mëvonshme, duke besuar se kjo u ofron atyre premtimin e faljes dhe jetën e përjetshme.

Kjo festë i ka rrënjët në antikitetin e vonë, një periudhë kur kryqi u bë një pjesë e rëndësishme e artit dhe adhurimit të krishterë. Kryqi, dikur një formë e turpshme e ekzekutimit të kriminelëve, u shndërrua në një simbol dominues i Krishtit dhe Krishtërimit. Por nga ana tjetër, kryqi nganjëherë ka marrë edhe kuptime më të errëta si një simbol i përndjekjes, dhunës dhe madje edhe racizmit.

Kryqi i hershëm

Një murale e famshme e romakëve e fillimit të shekullit III-të, “grafito Alexamenos”, përshkruan dy figura njerëzore me kokën e një gomari, me krahët e shtrirë në një kryq në formë T-je, dhe me mbishkrimin “Aleksamenos adhuron Zotin e tij”.

Në atë kohë, Krishterimi ishte i jashtëligjshëm në Perandorinë Romake, dhe kritikohej nga disa si një fe për budallenjtë. Karikatura e “Aleksamenos”, ishte një përpjekje për të përshkruar Krishtin me kokën e një gomari dhe për të tallur Zotin e tij.

Por për të krishterët, kryqi kishte kuptim shumë të thellë. Ata e kuptuan se vdekja e Krishtit në kryq do të “përfundonte” me ringjalljen dhe ngjitjen në qiell tek Zoti 3 ditë më vonë. Kjo Ringjallje ishte një shenjë e “fitores” së Krishtit mbi mëkatin dhe vdekjen.

Besimtarët mund të merrnin pjesë në këtë fitore duke u pagëzuar, duke iu falur mëkatet e së shkuarës dhe duke “rilindur” në një jetë të re në komunitetin e krishterë, Kishën. Pra të krishterët, i referoheshin kryqit të Krishtit si “druri i jetës” dhe si “Kryqi fitimtar”.

Kryqi i vërtetë?

Në fillimin e shekullit IV, perandori romak Konstandini e legalizoi Krishtërimin. Ai autorizoi gërmimin e disa prej vendeve të shenjta ku kishte jetuar Krishti në atë që u quajt “Toka e Shenjtë”. Në atë kohë, ajo ishte pjesë e provincës romake të Sirisë Palestiniane, e kufizuar nga lumi Jordan në Lindje, Deti Mesdhe në Perëndim dhe Siria në Veri.

Në shekullin V, u përhap legjenda se gjatë atyre gërmimeve u zbuluan disa copa kryqesh nga nëna e Konstandinit, Helena. Besimtarët thanë se një mrekulli në formën e një shërimi të pashpjegueshëm ndodhi kur një grua e sëmurë u prek me njërën nga copat e kryqit, çka u cilësua si një  provë se ato ishin pjesë e kryqit ky u kryqëzua dikur Krishti.

Konstandini ndërtoi një kishë të madhe, Martirium, aty ku supozohej se ishte vendi i varrit të Jezuit. Një ditë në shtator iu përkushtua festimit të “Lartësimit të Kryqit”. Vetë “gjetja” e kryqit nga Helena u kremtua me një festë që kremtohej në muajin maj si “Shpikja e Kryqit”. Të dyja festat u festuan në Romë duke nisur nga shekulli i VII. Një pjesë e asaj që besohej të ishte kryqi i vërtetë u mbajt dhe u nderua të Premten e Madhe në Jeruzalem nga mesi i shekullit IV deri në pushtimin e tij nga një kalif mysliman në shekullin VII.

Përfaqësime të mëvonshme

Shuma kisha të krishtera u ndërtuan në Perandorinë Romake gjatë IV-V. Me mbështetjen financiare të perandorisë, këto godina të mëdha u zbukuruan me mozaikë të ndërlikuar që përshkruanin figura nga shkrimet e shenjta, veçanërisht të Krishtit dhe apostujve të tij.



Nga shekulli VI deri në Mesjetën e hershme, përfaqësimet artistike të Kryqëzimit u bënë më të zakonshme. Ndonjëherë Krishti përshkruhej i vetëm në kryq, ndoshta midis dy kriminelëve të tjerë të kryqëzuar me të. Më shpesh, Krishti në kryq është i rrethuar në të dyja anët nga figurat e Marias dhe apostullit Gjon.

LEXO EDHE:  Bota është kaq e bukur falë kafshëve

LEXO EDHE:  Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së: Bota pas coronavirusit, me ekonomi ndryshe

Adhurimi publik i kryqit të Premten e Madhe, u bë gjithnjë e më i zakonshëm jashtë Tokës së Shenjtë, dhe ky ritual u vu re në Romë në shekullin VIII. Gjatë periudhës mesjetare, Krishti i kryqëzuar portretizohej zakonisht si një figurë e qetë. Përfaqësimi kishte tendencë të ndryshonte përgjatë shekujve, me Krishtin që përshkruhet edhe si një viktimë e torturuar.

Kuptime të ndryshme

Gjatë Reformimit, kishat protestante refuzuan përdorimin e kryqëzimit. Sipas këndvështrimit të tyre, ai ishte një “shpikje” njerëzore, që nuk përdorej shpesh nga kishat e para. Protestantët pretenduan se kryqëzimi ishte bërë objekt i nderimit idhujtar të katolikëve, ndaj ata përdorën versione të tjera të një kryqi të thjeshtë.

Paraqitjet e ndryshme të kryqit, shprehnin konflikte më të thella brenda Krishterimit perëndimor. Por edhe para këtij momenti, kryqi u përdor në një mënyrë përçarëse. Gjatë Mesjetës, kryqi u lidh me një seri luftërash fetare të zhvilluara nga Evropa e krishterë për të çliruar Tokën e Shenjtë nga pushtimi i sundimtarëve myslimanë.

Ata që vendosnin të shkonin dhe luftonin do të mbanin veshur një rrobë të veçantë, të shënuar me një kryq mbi rrobat e tyre të përditshme. Ata kishin “marrë kryqin”, ndaj u quajtën “kryqtarët”. Nga të gjitha Kryqëzatat, vetëm e para në fundin e shekullit XI-të e përmbushi vërtetë synimin e saj.

Këta kryqtarë e pushtuan Jeruzalemin pas një betejë të përgjakshme që nuk kurseu as gratë dhe fëmijët, në përpjekjen për ta spastruar qytetin nga “jo-besimtarët”. Por Kryqëzatat ndezën një valë aktive armiqësie ndaj hebrenjve evropianë, duke sjellë për shekuj me radhë shpërthime të dhunës kundër komuniteteve hebraike.

Në shekullin XIX-të, termi “kryqëzatë” i referohej më përgjithësisht çdo lloj lufte për një kauzë “të drejtë”, qoftë kjo fetare apo laike. Në atë kohë në SHBA, ky term u përdor për të përshkruar një numër aktivistësh fetaro-socialë. Për shembull, botuesi abolicionist Uilliam Garrison u quajt një “Kryqtar” për shkak të luftës së tij politike për t’i dhënë fund së keqes së skllavërisë.

Kryqi si simbol i racizmit

Më vonë kryqi u përdor nga aktivistët që demonstronin kundër përparimeve shoqërore. Për shembull, organizata e supermacistëve të bardhë Ku Klux Klan, si pjesë e fushatës së saj terroriste, do të digjte kryqe të thjeshtë prej druri para shtëpie të afro-amerikanëve, hebrenjve ose katolikëve.

Disa dekada më vonë, synimi i Adolf Hitlerit për ekspansionizmin e Gjermanisë dhe përndjekjen e hebrenjve, bazuar në besimin e tij tek epërsia e “racës ariane”, u kristalizua në simbolin e svastikës, kryqit të thyer. Fillimisht një simbol fetar me origjinë nga India , ai ishte përdorur për shekuj me radhë në ikonografinë e krishterë si një nga shumë shprehjet artistike të kryqit.

Edhe sot, gazeta e grupit KKK titullohet “Kryqtari”, dhe grupe të ndryshme supermacistësh të bardhë përdorin forma të kryqit si një simbol të agjendës së tyre. Festa e Kryqit të Shenjtë fokusohet në kuptimin e kryqit si një shenjë e fuqishme e dashurisë hyjnore dhe shpëtimit për të krishterët e hershëm. Por është tragjike që kryqi është përdorur gabimisht edhe si një simbol i gjallë i urrejtjes dhe intolerancës./ theconversation.com–Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A ka një recetë për suksesin e demokracisë në një vend?

Publikuar

-

Nga

A ka një recetë për suksesin e demokracisë në një vend?

Nga Dalibor Rohac “American Interest”

Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë intelektualë perëndimorë dyshuan nëse Gjermania mund të bëhej sërish një komb demokratik i civilizuar. Megjithatë, në më pak se një brez, gjermanët e arritën këtë gjë duke miratuar një kushtetutë federale, duke kufizuar me kujdes ata që ishin pranë “levave” të pushtetit, duke krijuar një mrekulli ekonomike, dhe duke nxjerrë para drejtësisë shumë (megjithëse jo të gjithë) prej bashkëpunëtorëve në mizoritë naziste.

Kur ra komunizmi në vitin 1989, pati më pak dyshime mbi të ardhmen e ndritur të Evropës Qendrore dhe Lindore post-komuniste. Në fakt, edhe perspektiva e anëtarësimit të mundshëm të Rusisë në NATO dhe Komunitetin Ekonomik Evropian, nuk u pa si tërësisht e pamundur.

Tridhjetë vjet më vonë, rezultatet janë të përziera. Disa vende, si Bjellorusia, mezi kanë ecur drejt demokracisë, lirisë së individit dhe sundimit të ligjit; ndërsa të tjerat, si Polonia dhe Hungaria, kanë bërë hapa prapa, pas një progresi të madh fillestar.

Shumica e vendeve, për shembull në mbarë Ballkanin, duken të bllokuara dhe në vendnumëro, me një demokraci të brishtë, të mbushur me patronazh dhe korrupsion dhe cinizëm në lidhje me besnikëritë e tyre gjeopolitike. Disa bëjnë përgjegjës për situatën një reagim të ashpër kundër “politikës së imitimit” që u përpoq ta shndërronte Evropën Qendrore dhe Lindore në një kopje të Perëndimit, pa pasur shumë vëmendje ndaj realiteteve lokale.

Por nëse Viktor Orban dhe të tjerët në rajon, janë produkte të një reagimi kundër përpjekjeve të ashpra për të krijuar institucione të ngjashme me Perëndimin, si shpjegohen shembujt edhe më të këqij të populizmit autoritar në vende që nuk u përballën kurrë me të njëjtin presion, si Bjellorusia, Serbia ose Moldavia?

Dhe çfarë ndodhi që disa nga “imituesit” më të etur, të tillë si vendet baltike ose Çekia, kurrë nuk kanë bërë ndonjë hap kuptimplotë pas në aspektin e demokracisë? Si për t’i komplikuar gjërat më tej, strategjitë e reformave në të gjithë vendet post-komuniste ndryshuan gramatikisht nga njëra-tjetra.

Një nga shembujt më shqetësues të prapambetjes demokratike sot, Hungaria, ndoqi një përzierje unike të reformave ekonomike. Qeveria i dha përparësi ristrukturimit dhe konsolidimit të sektorit financiar, mbi privatizimin e ndërmarrjeve të saj shtetërore, duke shmangur përçarjet sociale dhe periudhat e gjata të papunësisë në nivele tepër të larta.

Rreth 15 vjet më parë, Hungaria dukej si një histori suksesi, pasi kishte shënuar një progres të konsiderueshëm në të gjitha llojet e standardeve të demokracisë, sundimit të ligjit dhe cilësisë së institucioneve.

Sot, për Freedom House, Banka Botërore etj, Hungaria mbetet dukshëm pas Republikës Çeke, që nuk ka përjetuar një shkallë të ngjashme të “prapambetjes demokratike” apo të “zhdemokratizimit”,- pavarësisht nga dominimi edhe aty i politikës populiste vitet e fundit.

Shembulli kryesor i rënies së Hungarisë është gjyqësori.



Në vitet 1990, qeveria hungareze e izoloi me sukses gjyqësorin nga presionet politike, duke ndjekur rekomandimet nga autoritetet ndërkombëtare, duke ngritur një këshill të pavarur të gjyqësorit – një hap që nuk u ndërmor kurë nga Republika Çeke, ku qeveria mbajti të paktën zyrtarisht, një rol të caktuar në drejtimin dhe mbikëqyrjen e gjyqësorit.

LEXO EDHE:  Nga Artan Fuga/ Cfarë? Do të na ushqejë Turqia me bukë nëse do të “përmbyset bota”?

LEXO EDHE:  SHBA, tërmet me magnitude 6.9 ballë në brigjet kaliforniane

Në vitet 1990, Gjykata Kushtetuese e Hungarisë konsiderohej si një nga më të fortat në botë.  Por duke mos i ngulitur parimeve e pavarësisë në praktikën ligjore hungareze dhe jetën politike, reformat e hershme çuan në një reagim dhe në fund në politizimin e plotë të gjykatave nën partinë qeverisëse FIDESZ.

Arsyeja për reagimin nuk ishte “imitimi”, por politika përmes së cilës praktikat më të mira perëndimore u importuan në Hungari. Partia e Punëtorëve të Hungarisë u shndërrua në një Parti Socialiste në emër demokratike, duke e pastruar veten nga të gjitha simbolizmat komuniste dhe totalitare, por duke mbajtur pjesën më të madhe të kuadrove të saj. Ajo ndërmori disa reforma në gjyqësor, që duruan disa kohë.

Ndërkohë komunistët çekë nuk hoqën dorë kurrë nga trashëgimia e tyre totalitare. Për pasojë mbeti në skajet e politikë ceke të pas vitit 1989, me pak ndikim në politikë, dhe akoma më pak në reformat e gjyqësorit. Një aksident tjetër pasues i historisë ishte ndarja e Çekosllovakisë.

Nacionalizmi sllovak, i fjetur nën komunizëm, u bë një fenomen domethënës në vitet 1990- 1991. Por vendimi i Vasllav Klaus dhe Vladimir Meçiar për t’i dhënë fund federatës Çekosllovake pas zgjedhjeve në 1992 nuk ishte në asnjë mënyrë i paracaktuar, dhe as u imponuar nga presioni i opinionit publik.

Një efekt i rëndësishëm që ndikoi në atë ndarje ishte nevoja që çekët të hartonin kushtetutën e tyre, që u frymëzua nga ajo e Gjermanisë. Një faktor i rëndësishëm nëpër këto aksidente të historisë ishte çështja e vazhdimësisë. Ndryshe nga Gjermania e pasluftës, argumente bindëse mund të bëhen për një farë shkalle të vazhdimësisë ligjore dhe politike në Evropën Qendrore dhe Lindore post-komuniste.

Megjithatë, të paktën në retrospektivë, duket se ndryshimi në paanshmërinë me të cilën elitat e vjetra komuniste rimorën pozitat e ndikimit dhe pushtetit brenda sistemit të ri ishin thelbësore për shqetësimet e ardhshme të vendeve post-komuniste.

Në shtetet baltike, ekzistenca kombëtare ishte e papajtueshme me çdo formë të vazhdimësisë me shtypjen sovjetike. Në anën tjetër të spektrit, pak ndryshime aktuale politike shoqëruan shkatërrimin zyrtar të regjimit komunist në Bjellorusi, Ukrainë apo në Gjeorgjinë e Eduard Shevernaxes.

Midis këtyre dy poleve, ka shkallë të ndryshme me të cilat komunistët e vjetër e ri-shpikën veten si liberalë pro-BE (si në Hungari), përvetësuan pasuri të mëdha gjatë fazave më të egra të privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore (si në Sllovaki), apo u zhvendosën në periferinë e jetës ekonomike dhe politike.

A mund të ishin bërë gjërat ndryshe dhe më mirë, në vendet ku elitat komuniste vazhdoi të ushtrojë ndikimin e saj, mbase pas një ri-emërtimi? Ndërsa historia nuk lejon eksperimente të kontrolluara, përvoja e 30 viteve të kaluara sugjeron se ndarjet e pastra janë shpesh mënyra më e mirë për të rregulluar jo vetëm marrëdhëniet toksike, por edhe shoqëritë e qeverisura nga institucionet toksike./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse disa njerëz i kundërshtojnë ligjet që shpëtojnë jetë?

Publikuar

-

Nga

Nga William Park

Vënia e rripit të sigurimit në makinë apo mbajtja e maskës në fytyrë dihet se shpëton jetë. Por pse disa njerëz refuzojnë ende t’i zbatojnë këto masat, dhe madje protestojnë kundër ligjeve që i imponojnë ato? “Unë thjesht e urrej”- u shpreh një grua kur u pyet pse nuk pranon ta mbajë.

“Unë mendoj se pavarësisht nëse je burrë po grua, kjo është diçka imponuese”- përgjigjet burri pranë saj. “Jam përgjegjës për veten time, ju nuk mund të më tregoni se çfarë duhet të bëj”- shton ai. Ky është arsyetimi tipik që mund të prisni të dëgjoni nga protestuesit që refuzojnë të mbajnë maska ​​në ambiente publike gjatë pandemisë.

Kundërshtimi i tyre nuk ka të bëjë vetëm me komoditetin, apo edhe skepticizmin nëse mund të shpëtojnë jetë njerëzore. Ata zemërohen kur autoritetet i tregojnë se çfarë duhet të bëjnë. Por të intervistuarit më lart nuk ishin të mërzitur për ligjet që e kanë bërë mbajtjen e maskës të detyrueshme në hapësirat publike në shumë vende.

Ata po flisnin për rripat e sigurimit në makinë. Të intervistuarit ishin shoferë britanikë, që pranuan se nuk përdornin rripat e sigurimit në vitin 2008, pavarësisht se kjo ishte një kërkesë e imponuar nga ligji në Britani për të veshur rripin e sigurisë në sediljen e përparme të një automjeti që nga viti 1983, dhe në sediljen e pasme që nga viti 1991.

Krahasimi midis protestave kundër mbajtjes së maskave dhe rripave të sigurimit, është shumë popullor. Vip-at e kanë përdorur atë për të theksuar se kundërshtarët kanë ekzistuar gjithmonë. Media e nxjerrë në pah në një përpjekje për të shpjeguar origjinën e protestave kundër një mase që mund të ndihmojë në vënien nën kontroll të përhapjes së pandemisë. Por miratimi i ligjeve për mbajtjen e rripave të sigurisë në makinë, ishte shumë më pak i lehtë sesa kërkesa për të mbajtur maska në fytyrë. Gjithsesi mund të mësojmë shumë gjëra nga miratimi i ligjeve mbi rripat e sigurimit dhe masat e tjera të shëndetit publik.

Pse për shembull, duket se ka dallime midis vendeve të ndryshme? Dhe pse disa njerëz janë të përgatitur të sfidojnë një masë shëndetësore që me siguri do të shpëtojë jetë njerëzore?

Ndërsa faktet se rripat e sigurimit shpëtojnë jetë janë të pamohueshme, ka pasur një periudhë ngurrimi për futjen e tyre në përdorim.

Prodhuesit e makinave, kompanitë e sigurimeve, autoritetet e zbatimit të ligjit, politikanët dhe shoferët, kishin interesa legjitime për ta vonuar një ligj të tillë. Për prodhuesit e makinave, çështja ishte kostoja. Në atë kohë shpresohej që rripat e sigurimit të bëheshin të detyrueshëm, pasi ato kishin më pak kosto sesa vendosja e jastëkëve të ajrit.

Një jastëk në mesin e viteve 1980 kushtonte deri në 800 dollarë, krahasuar me disa dollarë për rripin e sigurimit. Sikur një ligj të kërkonte pajisjen e të gjithave makinat me jastëk ajri, çmimet e makinave të reja do të rriteshin duke krijuar kështu një mini-tronditje në treg.



Shoferët ishin më të interesuar për rehatinë e tyre. Një studim zbuloi se 86 për qind e amerikanëve e pranonin që vënia e rripit të sigurisë shpëton jetë, ndërsa vetëm 41 për qind e tyre i përdornin vetë. Ndërkohë rreth 65 për qind e amerikanëve ishin kundër detyrimit për mbajtjen e rripave të sigurisë, dhe kjo për arsye rehatie.

LEXO EDHE:  Disa sekrete shëndetësore nga bota

LEXO EDHE:  Disa sekrete shëndetësore nga bota

Ndaj, kompanitë e sigurimeve preferuan jastëkët e ajrit ndaj rripave të sigurisë. Edhe jastëkët shpëtojnë jetë, por jo aq sa rripat. Ndaj Nju Jorku ishte shteti i parë amerikan që miratoi me ligj përdorimin e detyrueshëm të rripave të sigurimit në sediljet e përparme të makinave më 1 janar 1985, dy vjet pas Britanisë, Kanadasë, Francës dhe Gjermanisë.

Por këto ligje morën vite për t’u zbatuar plotësisht. Në disa vende, hendeku midis ligjit për përdorimin e detyrueshëm të rripit për shoferët e sediljeve të para dhe pasagjerëve në sediljet e pasme zgjati për dekada. Për shembull, Japonia, i bëri të detyrueshëm rripat e sigurisë në sediljen e shoferit në vitin 1971, dhe për pasagjerët në sediljen e pasme vetëm në vitin 2008.

Protestat kundër ligjeve për rripin e sigurisë, nuk nënkuptonin se amerikanët në tërësi i injoronin ato, edhe nëse i kundërshtonin ato në parim. Të dhënat zyrtare, tregojnë se në Nju Jork 70 për qind e sheferëve në ndenjësen e përparme po e respektonin ligjin 2 muaj pas miratimit të ligjit. Në Mbretërinë e Bashkuar, kjo normë ishte rreth 90 për qind.

Në vendet e tjera pati më pak protesta, por respektimi i ligjit në fjalë ishte shumë më i ulët. Në fund të viteve 1980, Serbia (Jugosllavia e dikurshme) kishte një nga nivelet më të larta të vdekjeve nga aksidentet rrugore në Evropë. Ashtu si SHBA-ja, ligji mbi përdorimin e rripit të sigurisë në Jugosllavi nisi të zbatohej në vitin 1985,dhe gjoba për kundravajtje ishte 75 $. E megjithatë jugosllavët e vinin rrallë rripin e sigurisë, pasi shoferët e shmangnin gjobën përmes korruptimit të policit rrugor.

Dhe ky është ndoshta leksioni më i dobishëm nga krahasimi i ligjeve mbi rripat e sigurisë dhe mbajtjes së maskës në fytyrë:intensiteti i kundërshtimit është e parëndësishëm dhe ndoshta ndikohet nga fakti se sa njerëzit në një vend e respektojnë autoritetin dhe procesin ligjor.

Ajo që ka më shumë rëndësi, është nëse njerëzit ndjekin udhëzimet, dhe me sa efektshmëri e bëjnë këtë gjë. Duket se shumë njerëz i respektojnë udhëzimet për mbajtjen e maskës. Në SHBA, rreth 59 për qind e njerëzve i mbajnë ato, pak më shumë në Gjermani dhe pak më pak në Francë (Britania mbetet pas me 19 për qind).

Sidoqoftë, jo të gjithë i mbajnë maskat në mënyrë korrekte. Një studim me 12.000 njerëz në rajonin e Sao Paulos në Brazil, zbuloi se rreth 30 për qind e njerëzve e mbanin maskën ​​gabimisht ose duke ekspozuar hundën ose gojën.

Me gjithë ndërhyrjet e autoriteteve të shëndetit publik, mbajtja e maskës në fytyrë kërkon kohë që të zbatohet. Mesazhet dhe kornizat ligjore që lejojnë zbatimin e ligjeve të tilla duhet të jenë të drejta. Por koha do t’i detyrojë njerëzit të përshtaten.

Pavarësisht protestave të një pakice të zëshme, qëndrimet mbi maskat po ndryshojnë, teksa të dhënat po tregojnë se kjo masë do të bëjë diferencën gjatë pandemisë dhe se me kalimin e kohës përshtatja do të vazhdojë të rritet, ashtu siç ndodhi dikur me rripat e sigurisë në makina. / “BBC Future” – Bota.al

LEXO TE PLOTE