LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Bullgarët në protestë kundër kapjes së gjyqësorit nga oligarkët dhe politika

13 Shtator 2020, 09:11, Blog CNA
Bullgarët në protestë kundër kapjes së gjyqësorit

Nga Jana Tsoneva ?Al Jazeera?

Më 2 shtator, protestat 2-mujore anti-qeveritare në Bullgari hynë në fazën e tyre më të dhunshme deri më tani. Për herë të parë, policia përdori topat e ujit, gazin lotsjellës dhe sprajin me piperin djegës, duke shënuar fundin e fazës relativisht paqësore të protestave që e bënë Bullgarinë të veçantë në Evropë në këtë drejtim.

Të nesërmen qeveria i përdori përplasjet si një justifikim për të ndaluar negociatat për largimin e saj nga pushteti. Siç e deklaroi më 3 shtator deputeti Toma Bikov nga partia qeverisëse GERB:?Pas ngjarjeve të ndjeshme, ne nuk mund të diskutojmë më dorëheqjen e qeverisë, pasi kjo do të nënkuptonte dorëheqjen pas sulmeve nga kriminelët?.

Por çfarë i shkaktoi këto ngjarje dramatike? Që nga fillimi i këtij viti, një seri krizash dhe skandalesh kanë krijuar tension në sferën publike, dhe kanë çuar në një valë protestash kundër sundimit pothuajse të pandërprerë 10-vjeçar të GERB.
Dimri që shkoi u shoqërua me një krizë të furnizimit me ujë të pijshëm, e shkaktuar nga tharja e disa digave. Por kriza u ndihmua edhe nga mungesa e mirëmbajtjes së infrastrukturës, si dhe e sjelljes së butë të qeverisë ndaj industrive të mëdha që abuzojnë me rezervat e ujit.

Pastaj erdhi pandemia e koronavirusit, dhe menaxhimi i keq i saj nga qeveria, ku shumë mjekë dhanë dorëheqjen nga detyra për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse dhe kushteve të papërshtatshme në spitale.
Pastaj një mori skandalesh zbuluan disa skema korruptive që përfshinin prona shumë fitimprurëse përgjatë bregdetit të Detit të Zi. Ndërkohë fillimi i verës u karakterizua nga një riorganizim i shpejtë brenda radhëve të oligarkisë në pushtet dhe biznesmenëve pranë tyre, duke çuar në rënien e kuotave të Vasil Bozhkov, një nga bosët më të pasur të lojërave të fatit, turizmit dhe ndërtimit në Bullgari.

Fotot e kryeministrit Bojko Borisov duke fjetur në dhomën e tij të gjumit pranë një sirtari të mbushur plot me kartëmonedha 500- euroshe, lingota ari dhe një armë, bënë bujë në media. Kryeministri nuk e mohoi vërtetësinë e fotove, por pretendoi se paratë ishin shtuar përmes një foto-montazhi.

Pastaj, Fondi Anti-Korrupsion, një OJQ që dokumenton dhe heton korrupsionin e nivelit të lartë, publikoi një dokumentar në lidhje me një skemë tinëzare të vjedhjes së bizneseve të profilit të lartë me ndihmën e sistemit gjyqësor.
Në korrikun e këtij vitit, Hristo Ivanov, bashkë-udhëheqës i koalicionit liberal ?Bullgaria Demokratike? dhe aktivist i reformës në drejtësi, e shndërroi luftën brenda elitës në një ?luftë civile? midis llojit, duke hyrë me forcë në plazhin e zënë në mënyrë të paligjshme përreth resortit bregdetar të Ahmed Dogan, udhëheqësit të Lëvizjes liberale për të Drejtat dhe Liritë (DPS), që pretendon se përfaqëson pakicat etnike në Bullgari, por që është e mirë-njohur si një nga partitë më të korruptuara në vend.

Ivanov dhe kolegët e tij u tërhoqën zvarrë nga rojet e sigurisë, të cilët refuzuan të zbulonin nëse punonin për Shërbimin e Sigurisë Kombëtare (NSS), një agjenci qeveritare e ngarkuar me ofrimin e sigurisë personale për zyrtarë e lartë dhe funksionarët e shtetit.
Incidenti shkaktoi një protestë, e nxitur edhe nga ndërhyrja e presidentit bullgar Rumen Radev, që konfirmoi se rojet e sigurisë janë me të vërtetë punonjës të NSS, dhe të emëruar në atë detyrë në shkelje të mandatit të tyre.

Kryeprokurori, Ivan Geshev, të cilin opozita e ka akuzuar për ndihmë dhe mbështetje të korrupsionit, duke refuzuar të ngrejë akuza kundër politikanëve dhe biznesmenëve, reagoi menjëherë duke urdhëruar një bastisje në presidencë, në shkelje të dukshme të të gjitha garancive të imunitetit të sanksionuara me kushtetutë dhe ndarjes së pushteteve. Të nesërmen, më 9 korrik, u zhvillua protesta e parë e madhe në Sofje. Pavarësisht pikëpamjeve liberale të deklaruara nga organizatorët e saj, protesta tërhoqi njerëz nga i gjithë spektri politik.

Protestat shpalosën 3 kërkesa kryesore:dorëheqjen e koalicionit qeverisës dhe kryeprokurorit, zgjedhje të parakohshme, dhe më pas ndërmarrjen e një reforme në drejtësi përmes ndryshimeve kushtetuese. Në pak kohë, partia qeverisëse e ndryshoi rendin e kërkesave dhe në gusht i shtangu të gjithë duke deklaruar se kishte hartuar një kushtetutë të re për të përmbushur kërkesën për ndryshim. Borisov e lidhi dorëheqjen e tij me ndryshimet kushtetuese, duke shpjeguar se nëse partia e tij nuk arrinte të mblidhte firmat e 50 për qind të deputetëve (120) deri më 2 shtator – kuota minimale e nevojshme që parlamenti të fillojë diskutimin e draftit – ai do të jepte dorëheqjen. Pavarësisht nga premtimi i paqartë i dorëheqjes, protestuesit u zemëruan. Drafti kushtetues ishte plot me gabime, gramatikore si dhe teknike; parashikonte disa ndryshime shqetësuese, të perceptuara si përpjekje për të çimentuar pushtetin e partisë qeverisëse.

Pas 2 javë negociata nervoze, propozimi i Borisov arriti të ketë mbështetjen e 122 firmave para 2 shtatorit, me ndihmën e partisë populiste të manjatit të karburanteve dhe farmacuetikësVeselin Mareshki. Të nesërmen, u zbulua se një kompani e lidhur me Mareshkin fitoi një koncesion fitimprurës 20-vjeçar në një zonë bregdetare. Lajmi i tërboi protestuesit dhe më 2 shtator, turmat më të mëdha që nga fillimi i krizës u mblodhën në qendër të Sofjes. Por në mbrëmje, disa protestues që mendohej se ishin provokatorë të paguar, nisën të hidhnin fishekzjarrë të vegjël ndaj policisë, gjë që provokoi një reagim të dhunshëm të kësaj të fundit.
Rreth 100 persona u arrestuan, shumë të tjerë u rrahën. Këto ngjarje, po vënë në provë konceptin e zakonshëm të shtetit si një arbitër neutral. Elita bullgare është thellësisht e përçarë, dhe fraksionet ndërluftuese po e përdorin fuqinë e tyre mbi shtetin si një armë kundër konkurrentëve të tyre.

Pavarësisht rritjes së koalicionit liberal të Hristo Ivanov nga protestat e fundit, nuk ka gjasa që partia e tij ta zgjidhë këtë problem brenda kornizës së ngushtë të reformës legaliste që ajo propozon (reforma në drejtësi dhe de-politizimi i Prokurorisë së Përgjithshme). Fuqia e oligarkisë duhet të zvogëlohet jo vetëm ?nga lart?, pra përmes një legjislacioni më të rreptë penal dhe anti-korrupsion, por edhe nga ?poshtë?, nga themelet. Bullgaria ka gjithashtu nevojë për një shtet më të fuqishëm të mirëqenies sociale, që mund t?i bëjë më pak të ndërvarur nga oligarkët njerëzit e thjeshtë që punojnë./Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga