Shëndeti
“Të mos vrapojnë drejt maskave me logo”/ Pipero: Si duhet të veprojnë nxënësit dhe mësuesit në shkollë

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka komentuar nisjen e shkollave këtë të hënë.
Pipero theksoi se duhet të kemi në konsideratë që fëmijët nuk janë të paprekshëm nga ky virus, por për fat të mirë, kur infektohen, sëmuren shumë pak dhe më lehtë
“Pa u hapur shkollat, nuk hapet shoqëria. Sa u takon skepticizmit, do thosha që nuk ka vend për skepticizëm, por ka vend për rrezik. Është një sfidë që duhet ta përballojmë.Është shumë e rëndësishme që tre faktorë kryesorë: familja, shkolla dhe institucionet e tjera qendrore të bashkëveprojnë në mënyrë që protokollet klasike të respektohen bashkërisht. Duhet të kemi në konsideratë që fëmijët nuk janë të paprekshëm nga ky virus, por për fat të mirë, kur infektohen, sëmuren shumë pak dhe më lehtë. Por mund të jenë një burim i mundshëm infeksioni, ndaj është e rëndësishme që të respektohen protokollet bazike”, tha mjeku për Syri Tv.
“Kam kërkuar që protokollet të jenë bazike dhe të respektueshme. Nëse protokollet janë minimale, mund të zbatohen,” shtoi mjeku.
Lidhur me përdorimin e maskës, ai tha: “Unë kam këshilluar që fëmijët deri në moshën 12 vjeç, nuk kanë arsye të përdorin maskë në mjediset e klasës nëse numri i nxënësve është i kufizuar dhe ruhet distanca. Duhet të kemi kujdes gjatë pushimeve të shkurtra”.
“Të mos vrapojnë drejt maskave me logo dhe të personalizuara. Maskat kirurgjikale janë mjaft të mira dhe mbrojtëse. Edhe çmimet e tyre kanë rënë”, tha Pipero./CNA.al