LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Një hap tjetër përpara për politikën e jashtme të Donald Trump

11 Shtator 2020, 06:29, Blog CNA
Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Një hap tjetër përpara

Nga Russell A.Berman ?National Interest?

Presidenti amerikan Donald Trump bëri bashkë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, për të nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.

Duke pasur parasysh mosmarrëveshjet e gjata politike që e kanë pllakosur Ballkanin Perëndimor ndër dekada tashmë, kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme. Ishte një veprim i guximshëm nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti.

Por ishte gjithashtu edhe një dëshmi e këmbënguljes së Riçard Grenell, i Dërguari Special i Presidentit Trump për Negociatat e Paqes Serbi-Kosovë, që kishte punuar shumë drejt këtij qëllimi përfundimtar që nga tetori i 2019-ës. Mbi të gjitha, ky është një hap më përpara në përmbushjen e vizionit të politikës së jashtme të Donald Trump.

Në mënyrë të veçantë, marrëveshja hap shtigje të shumta për zhvillimin ekonomik, përfshirë zgjerimin e rrjetit hekurudhor, qasjen potenciale në një nga portet e Adriatikut, njohjen reciproke të çertifikimeve profesionale dhe pjesëmarrjen në ?Zonën e Mini Shengenit?, për të lehtësuar udhëtimet dhe tregtinë midis dy vendeve, por edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Një element veçanërisht i favorshëm i marrëveshjes është perspektiva e bashkëpunimit me Bankën amerikane të Eksport-Importit dhe Korporatën Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit për të mbështetur projektet të mëdha në infrastrukturës.

Pra marrëveshja, hedh bazat për rritjen ekonomike si në Kosovë ashtu edhe Serbi. Supozimi themelor – dhe njëherazi tipari i politikës së administratës Trump – është pasja përparësi e rritjes ekonomike, prosperitetit dhe punësimit. Kur njerëzit e rajonit të fillojnë të përfitojnë nga një ekonomi e re, ka gjithnjë e më shumë gjasa që ata të zgjidhin mosmarrëveshjet politike midis tyre.

E kuptuar në mënyrë të zakonshme si një hap përpara drejt përmirësimit të gjendjes ekonomike në të dyja vendet, marrëveshja është një arritje e rëndësishme që meriton të duartrokitet. Megjithatë, ajo përfaqëson në fakt shumë më tepër.

Ajo është një hap i rëndësishëm përpara në jetësimin e vizionit të politikës së jashtme të administratës Trump, për të përmirësuar sigurinë në rajon dhe për të ripërtërirë udhëheqjen amerikane. Ballkani Perëndimor ka qenë një hallkë e dobët në sigurinë e arkitekturës së Evropës, dhe kjo që nga shpërbërja e shtetit jugosllav.

Rusia ka luajtur një rol destabilizues, duke shfrytëzuar lidhjet etnike dhe fetare, dhe përdorur kapacitetet e saj të shumta dezinformuese. Përveç kësaj, ekonomitë relativisht të dobëta të Evropës Juglindore kanë dëshmuar se janë një objektiv i lehtë për depërtimin e kinezëve përmes Nismës së Brezit dhe Rrugës.

Bashkimi Evropian, si dhe vendet e veçanta të Evropës Perëndimore, sidomos Franca, kanë dërguar sinjale të përziera, të cilat nuk kanë qenë të dobishme në përpjekjet për të stabilizuar paqen dhe demokracinë. Marrëveshja Kosovë-Serbi i vendos sërish Shtetet e Bashkuara në krye të udhëheqjes në rajon, veçanërisht përmes perspektivës së zhvillimit të fuqishëm të infrastrukturës.

Ajo gjithashtu tregon edhe një herë, se si administrata Trump e ka kundërshtuar vazhdimisht ndikimin negativ rus, në një kohë që evropianët janë shumë të ngadaltë për të vepruar. Por pasojat e marrëveshjes shkojnë edhe më tej se kaq. Ka kritikë të administratës Trump që ankohen për lidhjet e dobësuara trans-atlantike, edhe pse angazhimi i SHBA-së me vendet në krahun lindor të Evropës, nga Balltiku, si Polonia, Rumania dhe Bullgaria, dhe tani në Ballkanin Perëndimor vetëm sa është forcuar vitet e fundit.

Këto janë vende që kanë vuajtur nën sundimin komunist, dhe e kanë rifituar pavarësinë e tyre kombëtare. Këmbëngulja e Trump mbi rëndësinë e identiteteve dhe sovranitetit kombëtar gjen atje mbështetës të zjarrtë. Përveç atyre vendeve të bllokut lindor që e kuptojnë mirë kërcënimin e sigurisë që paraqet Rusia, ekziston edhe rasti i Greqisë, që ka qenë deri vonë një vatër e anti-amerikanizmit.

Tashmë Athina është një aleate e fortë e Uashingtonit. Nga Balltiku në Egje, dhe tani në Ballkanin Perëndimor, ekziston gjithashtu një zinxhir aleatësh amerikanë. Kjo administratë e ka njohur realitetin e pas vitit 1989, vija e frontit me Rusinë nuk është më në mes të Gjermanisë.

Ajo është zhvendosur më në lindje, dhe strategjia amerikane po i përshtatet rrethanave. Udhëheqja amerikane në Ballkanin Perëndimor, siç përfaqësohet nga kjo marrëveshje, është pjesë e këtij ripozicionimi strategjik. Marrëveshja përfshin gjithashtu disa ndryshime me rëndësi drejt jugut, përgjatë Mesdheut Lindor.

Serbia ka rënë dakord ta zhvendosë ambasadën e saj në Jeruzalem, një fitore kjo e rëndësishme për politikën e Trumpit, duke pasur parasysh rezistencën evropiane mbi këtë çështje. Megjithatë, Kosova do të ndërmarrë një hap edhe më të guximshëm, duke e njohur shtetin e Izraelit dhe duke planifikuar të vendosë edhe ambasadën e saj në Jeruzalem. Prandaj Kosova do të bëhet vendi i parë me shumicë myslimane që e vendos ambasadën e saj në kryeqytetin e Izraelit. Këto zhvillime diplomatike, vijnë pas afrimit midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, një zhvillim qê shihet si një efekt i ?Planit të Paqes për Prosperitetin?.

Ka një logjikë themelore midis kësaj nisme dhe marrëveshjes Kosovë-Serbi: vendimi strategjik për të kërkuar mënyra të bashkëpunimit ekonomik si një alternativë për të dalë nga ngërçet politike në dukje të pazgjidhshme./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga