LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Efektet e pandemisë/ 55 mijë persona dolën nga skema e sigurimeve

4 Shtator 2020, 06:18, Sociale CNA
Efektet e pandemisë/ 55 mijë persona dolën nga skema e sigurimeve

Numri mesatar i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore në 6 -mujorin e parë të vitit 2020 ra me 55 mijë e 367 persona në raport me fundin e vitit 2019 sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Të dhënat tregojnë se, numri i kontribuuesve në skemë ka rënë me 7.5 për qind në raport me numrin mesatar të kontribuuesve në vitin 2019.

Shkak për këtë rënie është bërë pandemia Covid-19 dhe mazat izoluese që u ndërmorën në tremujorin e dytë për parandalimin e saj.

Siç shihet nga të dhënat numri i kontribuuesve ka rënë për të gjitha kategoritë në sektorin privat, duke përfshirë edhe fermerët dhe të vetëpunësuarit, përveçse në sektorin publik ku nuk ka ndryshime domethënëse.

Të vetëpunësuarit me sigurime ishin 79,632 mesatarisht në gjashtëmujorin e parë, ose rreth 5% më pak se mesatarja e vitit 2019.

Rënie ka pësuar edhe numri i kontribuuesve në sektorin e biznesit me rreth 26,919 persona ose 6.4 për qind në raport me mesataren e kontribuuesve më 2019.

Pandemia duket se ka goditur më të njëjtin intensitet madje edhe më fort sektorin bujqësor. Për gjysmën e parë të vitit 2020 kanë kontribuar në skemë mbi 44 mijë fermerë më një rënie 27,7 për qind në raport me mesataren e vitit 2019. Mbi 17 mijë fermerë nuk kanë mundur të paguajnë sigurimet këtë vit.

Siç shihet nga të dhënat mujore numri i kontribuuesve në skemë është ulur në 3 mujorin e dytë të vitit për të gjitha kategoritë, periudhë e cila përkon edhe me masat kufizuese në lëvizje.

Nga ana tjetër rënia në të ardhurat nga sigurimet shoqërore ka qenë më e moderuar për të njëjtën periudhe. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave arkëtimet nga kontributet ishin 40,4 miliardë lekë me një rënie -2.2% në raport me faktin e 6 -mujorit të parë 2019.

Pandemia Covid -19 ka dhënë një impakt të lartë në tregun e punës në Shqipëri në raport me rajonin.

Arsyet lidhen me nivelin e lartë të vetëpunësimit me 34.7% të totalit dhe së dyti me Punësimin informal (% e totalit të të punësuarve), që vlerësohet mbi 50 për qind po të marrin në konsideratë numrin e të punësuarve nga anketa e punës dhe atyre që paguajnë sigurime./ Monitor

Lajmet e fundit nga