LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

SHBA po bën presion/ Kërkon me detyrim zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi

3 Shtator 2020, 10:57, Kosova & Bota CNA
SHBA po bën presion/ Kërkon me detyrim zgjidhjen e konfliktit

Në Shtëpinë e Bardhë zhvillohet takimi i nivelit të lartë Kosovë-Serbi, me pjesëmarrjen e kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Vuçiq. Por se për çfarë negociohet në Uashington mbetet e paqartë, shkruan Thomay Brey.

SHBA po bën presion. Politikanët kryesorë të të dyja vendeve në konflikt, Kosovës dhe Serbisë janë ftuar në Uashington. Ata duhet të arrijnë një zgjidhje për këtë vatër të vazhdueshme të krizës. Kalkulimi amerikan është i qartë: Pasi presidentit amerikan u përball me disa dështime në politikën e jashtme, dëshiron tani të shkëlqejë edhe një herë në politikën e jashtme para zgjedhjeve presideciale, që ai shpreson t’i fitojë dhe të paraqesë një sukses historik.

Palët me qëndrime diametralisht të kundërta

Mbetet e paqartë, se çfarë do të negociohet në Uashington:

– Kreu i delegacionit të Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti pret njohjen reciproke. Por askush nuk e beson, se Serbia do ta bëjë këtë hap, madje as partneri i koalicionit të Hotit, Ramush Haradinaj. Për këtë ka kërcënuar paraprakisht presidenti serb: Në rast të një kërkese për njohje të Kosovës, ai do të refuzojë takimin me presidentin amerikan.

– Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dëshiron të flasë si drejtues i negociatave vetëm për bashkëpunimin ekonomik të vendit të tij me fqinjen e padëshiruar, Kosovën. Këtu mund të përmendet tema aq e kontestuar mes dy vendeve, miniera e Trepçës apo pika strategjike e rëndësishme e Liqenit të Ujëmanit.

– Disa krerë politike serbë dhe ekspertë presin, që SHBA të propozojë një autonomi të zgjeruar të pakicës serbe në Veriun e Kosovës, sipas modelit të mëvetësimit pa kufi të serbëve në Bosnje-Hercegovinë. Si shpërblim për këtë Beogradi do të njohë Prishtinën.

– Politikani opozitar serb, Sasa Jankoviç para disa ditësh ka bërë një propozim: Beogradi nuk do e bllokojë më anëtarësimin e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare, si së fundmi në Interpol dhe UNESCO. Një njohje formale e Kosovës mbetet edhe më tej e hapur. Si shpërblim, kishat serbe dhe manastiret në Kosovë gëzojnë të drejtën e ekstraterritorialitetit. Kjo do të thotë, që ato të jenë të vetëadministruara dhe të mos varen më nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Richard Grenell – dora amerikane në zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi

SHBA-të duan me instrumentet e tyre të pushtetit, – ato janë fuqia kryesore prej më se dy dekadash e trupës ndërkombëtare të mbrojtjes, KFOR, – t’u tregojnë europianëve të pasuksesshëm deri më tani, se si funksionon menaxhimi i  krizave në Ballkan, kur është i orientuar drejt qëllimit. Epiqendra e këtyre përpjekjeve amerikane është ambasadori i mëparshëm amerikan në Berlin, Richard Grenell. Ai u emërua si i ngarkuari personal i Trumpit për Ballkanin. Dhe menjëherë ai paraqiti brenda disa javësh disa suksese konkrete: Në janar Beogradi dhe Prishtina nënshkruan nën presionin amerikan një marrëveshje që parashikon rifillimin e fluturimeve mes Beogradit e Prishtinës, të ndërprerë që nga fundi i viteve 90-të. Si bartëse neutrale për këtë u zgjodh dega e Lufthansës, Eurowings. Një muaj më vonë të dyja vendet në konflikt ranë dakord nën drejtimin e Grenell për ndërtimin e një autostrade përtej kufijve. Në të njëjtën kohë një marrëveshje e tretë parashikoi rifillimin e transportit hekurudhor të ndërprerë mes dy vendeve.

Marrëveshje pa asnjë zbatim konkret

Por megjithëse të gjitha palët i ngritën lart marrëveshjet si “deal historik”, në zbatimin konkret të tyre nuk është bërë asnjë hap përpara, gati më shumë se një gjysmë viti më pas. Asnjë detaj në realizim nuk është bërë i njohur. Me këtë përvojë mund të kesh dyshimin, se tek raundi i ri i negociimit në Uashington më së shumti do të arrihet një marrëveshje që përmban më shumë dukje se sa ka thelb. Sepse as në Kosovë dhe as në Serbi nuk ka një shumicë që mbështet çfarëdolloj marrëveshjeje mes të dy vendeve.

Presidenti i Serbisë, megjithë fitoren e ndjeshme të zgjedhjeve të fundit parlamentare nuk e ka një shumicë dy të tretat pas vetes. Sepse opozita, që bojkoton parlamentin është më nacionaliste se vetë nacionalisti Vuçiq. Kurse në Kosovë qeveris kryeministri Hoti me shumicë vetëm të një deputeti. Edhe këtu as që bëhet fjalë për një shumicë parlamentare me dy të tretat në parlament, e cila do mund të ratifikonte një marrëveshje me Serbinë.

Dhe në fund: Politikanët kryesorë në Kosovë edhe në Serbi prej dekadash e kanë forcuar pozicionin e tyre të pushtetit me ndezjen rregullisht të konfliktit Kosovë-Serbi. Nuk të duket logjike, që ata ta lëshojnë nga dora këtë instrument të sigurimit të pushtetit të tyre përmes zgjidhjes së konfliktit./DW

Lajmet e fundit nga