LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Qytetarët shprehin zhgënjim të madh ndaj politikës/ Parlamenti nuk është përfaqësues

28 Gusht 2020, 07:58, Politikë CNA
Qytetarët shprehin zhgënjim të madh ndaj politikës/

Instituti i Studimeve Politike (ISP), në kuadër të projektit për monitorimin e parlamentit 2017-2020, të cilin po e realizon me mbështetjen financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë, zhvilloi një anketim online me qytetarët. Përgjigjet e anketimit janë anonime, dhe rezultatet e paraqitura janë përmbledhje e të gjitha opinioneve të dhëna nga qytetarët. ISP falënderon të gjithë qytetarët që iu përgjigjën thirrjes tonë për pjesëmarrje në anketim.

Qëllimi kryesor ishte marrja e perceptimeve qytetare mbi deputetët, parlamentin, aktivitetin përfaqësues, debatin zgjedhor, sugjerimet për përmirësim e pritshmëritë në të ardhmen. Qëllimi nuk ishte afatshkurtër (njohja e perceptimit qytetar mbi parlamentin dhe deputetët në momentin aktual), por edhe retrospektiv (vlerësimi i legjislaturave parlamentare të tranzicionit), si dhe i fokusuar tek e ardhmja (pritshmëritë ndaj deputetëve, ndaj sistemit zgjedhor dhe legjislaturës së ardhshme parlamentare). Për shkak se në tërësi anketimet dhe sondazhet e zhvilluara në Shqipëri nuk përfshijnë elementët e jetës parlamentare, kjo përpjekje e stafit të ISP mbetet burim informimi dhe referimi, si dhe një shtysë për vijimin e anketimeve periodike në vitet e ardhshme.

GJETJET KRYESORE

Qytetarët treguan interes të madh për të marrë pjesë në anketim dhe për t?u njohur me gjetjet finale të tij. Në anketim morën pjesë 57% meshkuj dhe 43% gra, mbi 76% ishin të moshës nën 50 vjeç. Secili qark u përfaqësua me kuota opinionesh që kanë raport të përafërt proporcional me numrin e mandateve të qarqeve në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Vlerësimet e qytetarëve në anketim i kanë tejkaluar bindjet e tyre politike dhe identitetet ideologjike. Mbi 90% të pyetjeve kanë marrë përgjigje në kuota të larta, pra me trend konsensual, ? një tregues i maturisë në rritje, por edhe i bindjes se sfidat për politikë të pastër, përfaqësuese dhe cilësore, janë sfida dhe nevoja të përbashkëta pavarësisht bindjeve politike. Vlerësimi i përgjithshëm është se legjislatura më cilësore parlamentare ka qenë ajo 1992-1996. Vlerësimi për këtë legjislaturë vjen edhe nga grupe moshore që nuk e kanë jetuar atë, një tregues se qytetarët janë të informuar mbi politikën dhe po i largohen gjithnjë e më shumë vlerësimeve afatshkurtra të nisura nga interesa pragmatiste politike e elektorale.

Qytetarët shprehin zhgënjim të madh qytetar ndaj politikës dhe parlamentit (jo vetëm atij aktual), si dhe kanë kuota minimale të besimit për një ndryshim cilësor të gjendjes në të ardhmen e afërt. Mbi 86% e qytetarëve ndjehen të papërfaqësuar në parlamentin aktual dhe mbi 93% e qytetarëve kërkojnë ndryshim dhe prurje të reja në parlament në vitin 2021.

Lidhur me rolin e parlamentit në sistemin politik, shumica qytetare beson se ai nuk është përfaqësues (59%), dy të tretat mendojnë se parlamenti aktual nuk e kontrollon pushtetin ekzekutiv, mbi 60% mendojnë se parlamenti aktual vepron si institucion formal, si dhe mbi 58% e qytetarëve mendojnë se parlamenti nuk i përmbush përgjegjësitë kushtetuese.

Qytetarët demonstrojnë vullnet të qartë kundër karrierës politike të ?të fortëve? dhe prurjeve imponuese nga biznesi. Mbi 94% e qytetarëve kërkojnë ligj për ndalimin e zgjedhjes të ?të fortëve? në parlament dhe mbi 75% e qytetarëve mendojnë se deputetët biznesmenë fokusohen në interesat e tyre ekonomike.

Shumica absolute e qytetarëve janë kritikë me legjislaturën aktuale parlamentare. Mbi 80% e tyre deklarojnë se parlamenti vuan nga korrupsioni dhe konflikti i interesit, mbi 82% e qytetarëve besojnë se deputetët janë nën nivelin mesatar kulturor të shoqërisë, mbi 86% mendojnë se deputetë nuk mbrojnë interesat e qytetarëve, dhe si rrjedhojë, mbi 75% e qytetarëve janë kundër rizgjedhjes së deputetëve aktualë në zgjedhjet 2021.

Lidhur me dorëzimin e mandateve nga opozita (2019), në çdo 3 qytetarë, 2 besojnë se opozita gaboi që dorëzoi mandatet parlamentare, por ndërkohë 73% e qytetarëve besojnë se opozita e re parlamentare nuk vepron si opozitë e vërtetë.

Lidhur me reformën në përfaqësimin politik,  71,3% e qytetarëve mbështesin idenë e uljes së numrit të deputetëve nga 140 në 100, mbi 64% e qytetarëve mbështesin idenë e krijimit të Senatit si dhomë e dytë e parlamentit, si dhe vetëm një e treta e qytetarëve mbështet lejimin e partive fetare, etnike dhe lokale.

Lidhur me reformën zgjedhore, 83% mbështesin idenë e një sistemi zgjedhor me lista të hapura ose mazhoritar, 65% e qytetarëve kërkojnë që diaspora të ketë vende të rezervuara në Kuvend, 73% e qytetarëve mbështesin idenë e më shumë deputetëve të pavarur, 71% e qytetarëve duan të ketë më shumë se 2-3 parti në parlamentin e ri, si dhe 6% më shumë janë pro ndalimit të koalicioneve parazgjedhore sesa pjesa kundër.

Lidhur me prurjet gjinore, akademike dhe rinore, perceptimi qytetar mbetet gjithashtu kritik: 26% e qytetarëve besojnë se prurjet akademike kanë pasur impakt pozitiv në parlament, kundrejt 32% që mendojnë ndryshe; 42% qytetarë shprehen në mënyrë kritike për rolin e grave deputete në cilësinë e përfaqësimi, ndaj 21% që i vlerësojnë ato pozitivisht. Dy të tretat e qytetarëve mendojnë se deputetët e rinj (në moshë) nuk kanë sjellë risi në politike, por në tërësi imitojnë liderit e tyre politikë.

Media vijon të jetë burimi kryesor i informimit të qytetarëve mbi parlamentin (67%), ndërkohë që 59% e qytetarëve nuk janë në gjendje të identifikojnë një deputet në zonën ku banojnë, dy të tretat e qytetarëve mendojnë se deputetët nuk janë transparentë dhe llogaridhënës dhe 64% mendojnë se perceptimi kritik publik ndaj deputetëve nuk është paragjykues dhe apriori, por realist.

Lidhur me modelet pozitive të tranzicionit 60% e qytetarëve ishin në gjendje të thonin së paku një emër deputeti si model pozitiv, dhe në 40% të kësaj shifre, emrat pozitiv të dhënën nga qytetarët nuk i përkasin vetëm një partie politike, por dy ose më shumë politike të ndryshme, përfshirë edhe atyre rivale. Kriter kryesor vlerësimi sipas tyre është ndershmëria, integriteti, profesionalizmi dhe raporti aktiv njerëzor me zgjedhësit e publikun. Shumica e emrave të referuar si modele, i përkasin parlamenteve të periudhës së parë të tranzicionit, si dhe figurave politike që nuk bëjnë pjesë në ekipet e larta drejtuese të partive politike.

Lidhur me cilësitë e deputetëve, 98%e qytetarëve duan që deputetët të jenë të ndershëm dhe të pa korruptuar, si dhe të kenë sjellje etike e qytetare; 96% e qytetarëve duan që deputetët të fokusohen në procesin ligjvënës dhe iniciues të ligjeve në parlament; 95% duan që deputetët të mbajnë lidhje direkt me zgjedhësit, 94% duan që deputetët të mos bëjnë premtime që nuk i mbajnë dot, 71% duan që deputetët të mos u binden urdhrave politikë të partisë, etj. Ndonëse deputetët nuk kanë kompetencë për punësime, por de facto merren me to, edhe për qytetarët 81% duan që deputetët të ndihmojnë në punësimin e qytetarëve. Në cilësitë dhe bilancin e punës për deputetët mbajtja e fjalimeve në seanca plenare konsiderohet prioriteti i fundit, duke theksuar se fjalimet nuk sjellin zgjidhje të problemeve, janë kryesisht politike dhe një pjesë e madhe e tyre shkruhen nga stafet mbështetëse të deputetit.

REKOMANDIME

Partitë politike kanë përgjegjësinë të dëgjojnë zërin qytetar dhe të promovojnë në politikë, sidomos në jetën parlamentare, individë që kanë merita, kanë formim dhe kanë cilësi të denja për të qenë përfaqësues të sovranitetit dhe vullnetit qytetar.

Kuvendi rekomandohet të rishikojë Rregulloren dhe aktet e tjera në funksion të jetësimit integral të Kodit të Sjelljes, për përforcimin e praktikave të hetimit, deklarimit dhe parandalimit të Konfliktit të Interesit, përfshirë edhe rregullime të plota ligjore mbi statutin e deputetit, përfitimet financiare, trajtimet pas mandatit dhe trajtimet në rastet e largimit nga ?dekriminalizimi?.

Kuvendi rekomandohet të ketë në prioritetet e tij reformimin e legjislacionit të partive politike, prej nga qytetarët besojnë se ndërvaret sistemi i përfaqësimit politik. Reformimi i legjislacionit kërkon: rishikim të praktikave ligjore të vendimmarrjes së partive politike, demokracisë së brendshme të tyre, financimit vjetor dhe elektoral, raporteve të tyre me shtetin, etj.

Kuvendi rekomandohet të zhvillojë trajnime të vazhdueshme me deputetët, si dhe partitë politike të zhvillojnë trajnime me kandidatët për deputetë, për t?i njohur ata me detyrimet dhe rolin e deputetit, me përgjegjësitë dhe ndryshimet në axhendën personale, për parimet e transparencës dhe të llogaridhënies.

Kuvendi dhe partitë duhet të ndërmarrin hapa seriozë dhe institucionalë për të promovuar vlera pozitive të përfaqësimit politik, standarde etike dhe qëndrim të qartë kundër kandidatëve ose të zgjedhurve me rekorde penale që vijnë në kundërshtim me legjislacionin e dekriminalizimit, si dhe për harmonizimin e brezave të deputetëve përfaqësues, duke krijuar akses më të madh për fokusim të deputetëve në çështjet për të cilat janë më shumë ekspertë dhe për të cilat janë votuar.

Kuvendi dhe grupet parlamentare mund të zgjerojnë grupin e ekspertëve asistues për deputetët, për të ndikuar në rritjen e rasteve të nismave ligjore nga deputetët, si dhe në formësimin e tyre më të plotë në procesin e diskutimeve dhe miratimeve të legjislacionit në parlament.

Kuvendi duhet të krijojë akses më të madh për shoqërinë civile dhe qytetarët për t?u njohur me aktivitetin parlamentar të çdo deputeti, për raportet, sondazhet, vlerësimet që bëhen për parlamentin dhe deputetët, si dhe për një bashkëveprim më të madh në kuadër të llogaridhënies, partneritetit parlament ? shoqëri civile dhe standardeve të ?open parliament?.

Kuvendi dhe Grupet parlamentare rekomandohet të zhvillojnë anketime periodike mbi aktivitetin parlamentar dhe perceptimin publik mbi të, për të krijuar një mekanizëm të dyanshëm vlerësimi dhe për të krijuar bazë të dhënash referuese për ndërhyrje përmirësuese në të ardhmen.

Anketimin e plotë me të dhëna dhe analizë shoqëruese mund ta gjeni duke klikuar këtu:

Lajmet e fundit nga