Connect with Us

Jeta sekrete e divës së modës Koko Shanel, si agjente e nazistëve

Blog

Jeta sekrete e divës së modës Koko Shanel, si agjente e nazistëve

Publikuar

-

Koko Shanel, si agjente e nazistëve

Falë markës së veshjeve dhe parfumit “Chanel No. 5”, Koko Shanel njihet si stilistja që e revolucionarizoi veshjen e gruas gjatë shekullit XX, dhe emri i saj u bë sinonim i veshjeve perfekte. Por vitet e fundit, dokumentet e deklasifikuara të qeverisë franceze kanë zbuluar veprimtarinë e saj agjenturore, në favor të shërbimit inteligjent të ushtrisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shanel u rrit në varfëri, por u bë shumë e njohur në fillim të Luftës së Dytë Botërore. E lindur në varfëri në vitin 1883, ajo u dërgua në një jetimore që kur ishte 12-vjeçe. Ajo doli nga varfëria falë stilimit të veshjeve të saj vizionare për gratë që gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ngjitja e saj meteorike e futi atë në listën e figurave më të fuqishme dhe me ndikim në Evropë. Së bashku me artistët si Pablo Pikaso dhe Serzh Diagilev, ajo u bë mike e Uinston Çërçillit dhe e dashura e Hjuxh Grosvenorit, Dukës së Uestminster.

Kur nazistët pushtuan Parisin në vitin 1940, Shanel u lidh me Baronin Hans Gynter von Dinklage, një oficer në Abvehr, shërbimi sekret ushtarak gjerman. Romanca e tyre i dha mundësi Shanel të zhvendosej me banim në suitat e rehatshme të Hotelit Ritz. Ajo u bë pjesë e shoqërisë së shtresës së lartë, ku ishin infiltruar shumë oficerë gjermanë.

Marrëdhëniet e Shanel me Dinklagen, i dhanë mundësi të merrej me çështje të rëndësishme personale. Mes tyre ishte lirimi i nipit të saj Andre Palas, që u burgos nga gjermanët në vitin 1940. Pastaj ishin edhe interesat e saj në biznes. Që nga viti 1924, kur familja hebreje Verteimer e mbështeti financiarisht për ngritjen e linjës së saj të parfumeve, në këmbim të shumicës së fitimeve, Shanel kërkoi rinegocimin e kontratës me kushte më të favorshme.

Tani, me ligjet e “Arianizimit” që i detyronin hebrenjtë të hiqnin dorë nga bizneset e tyre, Shanel shfytëzoi mundësinë për të shtënë plotësisht në duart e saj një degë fitimprurëse të perandorisë së saj të modës.

Dinklage e njohur të dashurën e tij me një agjent tjetër të shquar të Abvehr-it, Baronin Luis de Vofirland, që dyshohet se i premtoi Shanel lirimin e nipit të saj, në këmbim të shërbimit të saj agjenturor ndaj Berlinit. Diku rreth vitit 1941, Shanel u regjistrua si Agjentja F-7124, me emrin e koduar “Uestminster”, sipas emrit të të dashurit të saj të mëparshëm.

E ngarkuar me misionin e  mbledhjes së “informacioneve politike” nga kolegët në Madrid, Shanel shkoi të jetojë për disa muaj në kryeqytetin spanjoll në mesin e vitit 1941 bashkë me Vofirland, nën preteksin e biznesit të saj. Sipas librit të Hal Vogin “Në shtrat me armikun”, ekziston një procesverbal i darkës që ajo pati me diplomatin britanik Brian Uollas, gjatë së cilës ajo diskutoi rastësisht mbi jetën që bënte në Parisin e pushtuar, dhe mbi armiqësinë që francezët dhe gjermanët ruanin ndaj njëri-tjetrit.

LEXO EDHE:  Bie lehtë numri i të infektuarve me Covid-19/ Humbin jetën 3 pacientë

Është e paqartë nëse veprimtaria e Shanel në Madrid pati ndonjë dobi për gjermanët. Por informacionet që ajo mblodhi, ishin dukshëm të mjaftueshme për t’i bërë përshtypje eprorëve të saj të Abvehr-it, që urdhëruan lirimin e nipit të saj nga burgu.

Por dëshira e Shenal për të pasur më shumë fitime nga linja e saj e parfumeve, mbaroi kur ajo mësoi se familja Verteimer e kishte transferuar kontrollin e kompanisë tek një francez jo-hebre i quajtur Feliks Amjo, përpara se të largohej për në Shtetet e Bashkuara.

Diku fundi i vitit 1943 dhe fillimi i 1944-ës, kur gjërat nuk po shkonin aspak mirë për Gjermaninë, Shanel u ngarkua me një mision tjetër nga gjenerali SS Valter Shelenberg. Në kuadër të operacionit “Modellhut” që në gjermanisht do të thotë “modeli i kapelës”, ajo do të përdorte lidhjen e saj personale me Çërçillin, tashmë kryeministër i Anglisë, për të transmetuar mesazhin se shumë oficerë të lartë të SS po kërkonin t’i jepej fund luftës.

Shanel ndërmjetësoi lirimin nga një burg italian i Vera Lombardit, një mikeshë e përbashkët e saj dhe e Çërcillit. Ajo shkoi në Madrid me Dinklage, ku Lombardi u udhëzua ta dorëzonte në ambasadën britanike letrën e Shanel për Çërçillin. Por ky plan u hodh në erë kur Lombardi denoncoi Shanel dhe bashkëpunëtorët e saj si spiunë gjermanë.

Lombardi u arrestua prapë, megjithëse Shanel arriti të kthehej shëndoshë e mirë në Paris. Shanel i shpëtoi ndëshkimiu për atë dështim, dhe fshiu çdo lloj prove që e lidhte me Abvehr-in. Në gushtin e vitit 1944, disa muaj pas fiaskos së Madridit, forcat franceze çliruan Parisin nga gjermanët.

Me reputacionin e saj si një “bashkëpunëtore horizontale” e nazistëve, Shanel u mor në pyetje nga autoritetet, për t’u liruar pak ditë më vonë, duke u larguar menjëherë për në Zvicër. Pas luftës, Shanel doli para një gjykate franceze, për të dhënë llogari mbi dëshminë e disa oficerëve gjermanë të arrestuar, që e lidhnin atë me Abvehr-in.

Ajo konfirmoi një farë bashkëpunimi me nazistët për të nxjerrë nipin e saj nga burgu, por vetëm kaq. Kur mësoi se Shelenberg edhe pse i sëmurë po planifikonte të botonte kujtimet e tij, Shanel i pagoi të gjitha faturat e tij spitalore, edhe e siguroi se familja e tij nuk do të vuante kurrë për para.

Koko Shanel u rikthye bujshëm në botën e modës në vitin 1954, e ndihmuar sërish nga familja Verteimer, me të cilën ishte përplasur për shumë vite. Ajo i jetoi vitet e saj të fundit si një personazh i famshëm, para vdekjes së saj në Hotelin Ritz në vitin 1971./ Bbiography.comPërshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse samiti Bajden-Putin nuk ishte një humbje kohe

Publikuar

-

Nga

Nga Daniel DePetris “The Spectator”

Takimi midis presidentit të SHBA-së Xho Bajden dhe atij rus Vladimir Putin në Gjenevë të Zvicrës filloi me tone shumë të përzemërta. Një shtrëngim duarsh i shpejtë, buzëqeshje para kamerave, dhe disa shprehje diplomatike standarde.

“Unë do të doja të të falënderoja për iniciativën që morët për t’u takuar sot”- i tha Putini  Bajden që ishte i vëmendshëm.“Marrëdhëniet SHBA-Rusi, kanë grumbulluar shumë çështje që kërkojnë një takim në nivelin më të lartë dhe shpresoj që takimi ynë të jetë produktiv”- shtoi presidenti rus.

Fjalët e Putinit ishin jo pak të rëndësishme. Raportet SHBA-Rusi, janë ndoshta sot në pikën e tyre më të ulët që nga fillimi i viteve 1980, kur Uashingtoni dhe Moska po e shndërronin Evropën në një parking për raketat e tyre bërthamore me rreze të mesme.

Ndërsa asnjë temë nuk ishte në takimin e së mërkurës jashtë axhendës, 99 për qind e çështjeve dhe ankesave që shtruan Bajden dhe Putin në tryezë (sulmet kibernetike, sanksionet e perëndimit ndaj Kremlinit, mobilizimi i trupave pranë kufirit të Ukrainës, shtypja e disidencës anti-Kremlin në tokën ruse) mbetën të pazgjidhura.

Por kjo ishte gjithçka përveçse befasuese. Duke parë sfondin e takimit, zyrtarët amerikanë dhe rusë ishin të bindur në mënyrë të barabartë mbi atë që mund të arrihej në Gjenevë. Në fakt, e vetmja pikë mbi të cilën binin dakord delegacionet e SHBA-së dhe Rusisë, ishte që trajektorja e përgjithshme e marrëdhënies dypalëshe, ishte e keqe dhe mund të përkeqësohej më tej.

 

Kjo është arsyeja pse u takuan Bajden dhe Putin,dy politikanë karriere, siç i pëlqen të shprehet Putinit. Synimi i diskutimit të djeshëm gjatë 4-5 orëve nuk ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Përkundrazi, ishte sigurimi që ankesat ndaj palës tjetër të transmetoheshin qartë, dhe të garantohej një zbutje minimale e tensioneve, për të parandaluar një acarim të mëtejshëm të marrëdhënieve.

Për disa ligjvënës në Uashington, këto synime vështirë se ia vlenin një takim të nivelit të tillë. E pse t’i japim Putinit një vlerësim të tillë, të cilin ai e dëshiron me kaq shumë ngulm, pyetën ata? Natyrisht, përgjigja është se diplomacia nuk është një koncesion; por një pjesë jetike e punës së përditshme.

Ne nuk duhet të kemi kemi asnjë iluzion se marrëdhëniet SHBA-Rusi, apo marrëdhëniet Perëndim-Rusi më gjerësisht, do të ndryshojnë katërcipërisht tani që u takuan personalisht Bajden dhe Putin. Ka shumë pozicione të kundërt për shumë çështje, dhe asnjëra palë nuk është e gatshme të lëkundet nga pozicioni i saj.

Sado e tmerrshme që mund të jetë sjellja e Putinit (dhe s’ka dyshim që sjellja e tij ka qenë vërtet e tmerrshme, siç e dëshmon rasti i Aleksei Navalnit, që është mbyllur në burg, pasi i mbijetoi një helmimi të urdhëruar nga Kremlini), nuk është se SHBA dhe aleatët e saj në Evropë kanë luksin që ta injorojnë atë.

LEXO EDHE:  Akuzat për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, rëndojnë mbi të ardhmen e Ballkanit

LEXO EDHE:  Akuzat për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, rëndojnë mbi të ardhmen e Ballkanit

Perëndimi nuk ka asnjë shkop magjik që të mund ta tundë mbi Putinin, që ai të bëhet papritmas i aftë ta riorientojë politikën e jashtme ruse në një drejtim më konstruktiv. Ashtu siç zyrtarët amerikanë do të insistojnë që të flasin mbi situatën e të drejtave të njeriut në Rusi, edhe zyrtarët rusë do të këmbëngulin se kjo nuk është çështje e Amerikës.

Bajden nuk mund ta ushtrojë presion mbi Putinin për të ndryshuar botëkuptimin e tij,po aq sa Putin mund të flasë me ëmbël me Bajden për të ndryshuar të tijin. E megjithatë takimi i të mërkurës në Gjenevë, ishte ende i vlefshëm pasi u ofroi një shans të dy udhëheqësve të sqarojnë mosmarrëveshjet dhe të eksplorojnë fushat ku mund të bashkëpunojnë të dyja fuqitë.

Pa dyshim, këto fusha janë të pakta; dhe sigurisht që nuk do të përfshijnë axhendën e promovimit të demokracisë, të cilën Bajden dhe këshilltarët e tij të lartë të sigurisë kombëtare, e kanë vendosur në qendër të axhendës së tyre ndërkombëtare.

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike normale dhe funksionale, është një nga këto fusha ku është rënë dakord,siç u shpreh edhe vete Putin përgjatë konferencës për shtyp ku njoftoi rikthimin e ambasadorëve të SHBA-së dhe Rusisë në postet e tyre në një të ardhme jo shumë të largët.

Por kjo është një arritje shumë e vogël, kur merren parasysh çështjet më të gjera në rrezik. Modernizimi i arsenalit bërthamor të SHBA-së dhe Rusisë në vitet e fundit, dhe fakti që kaq shumë marrëveshje të tjera në fushën e stabilitetit strategjik janë shkelur gjatë 2 viteve të fundit, po krijon një situatë shqetësuese që mund të përkeqësohet lehtësisht me shumë shpejtësi.

Për dy vende që zotërojnë gati 90 për qind  të inventarit të armëve bërthamore në botë, kjo situatë thjesht nuk është e qëndrueshme. Duke iu drejtuar mediave pas takimit, Putini tha se nuk kishte “asnjë armiqësi” midis tij dhe Bajden.

“Në të kundërt takimi ynë u zhvillua në një frymë konstruktive… Të dyja palët shprehën qëllimin e tyre për të kuptuar njëri-tjetrin, dhe për të kërkuar gjuhën e përbashkët”-tha ai. “Bisedimet ishin shumë konstruktive”- theksoi Putin. Fjalë rozë? Ndoshta. Por të paktën është një fillim./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Takimi Bajden-Putin nuk do t’i zbusë marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë

Publikuar

-

Nga

Nga Jennifer Mathers “The Conversation”

Askush nuk pret ndonjë përparim të madh nga takimi i parë i presidentit amerikan Xho Bajden që nga marrja e detyrës me presidentin rus Vladimir Putin. Zyrtarët e lartë të të dyja palëve, kanë qenë të kujdesshëm për t’i mbajtur të ulëta pritshmërinë nga samiti i Gjenevës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, administrata Bajden synon që ta përdorë samitin për të përcaktuar synimet dhe aftësitë e saj të politikës së jashtme, me synimin specifik përmirësimin e stabilitetit strategjik dhe forcimin e kontrollit të armëve bërthamore.

Edhe rusët kanë vendosur stabilitetin strategjik në axhendën e tyre, së bashku me pandeminë e Covid-19 dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale. Kjo sjellje e kujdesshme nga Uashingtoni dhe Moska, nuk përbën habi. Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë qenë shumë të tendosura që nga viti 2014, kur SHBA-ja udhëhoqi një fushatë ndërkombëtare për të vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimenë nga Moska, dhe ndërhyrjes së saj në konfliktin në Ukrainën lindore.

Moska e kundërshton vendosjen e sanksioneve, dhe është shumë dyshuese për mbështetjen që i jep Perëndimi figurave opozitare si Aleksei Navalni, që aktualisht po vuan një dënim me burg në Rusi. Deklarata e fundit i Bajden se Rusia po e trajton Navalnin “në mënyrë të padrejtë”, do të konsiderohet nga Putini si një provë e mëtejshme se Amerika po përpiqet të diktojë se si Rusia t’i trajtojë problemet e sajtë brendshme.

Uashingtoni e konsideron Rusinë si një ngatërrestare, që refuzon të veprojë sipas rregullave të diplomacisë, dhe që i përdor shërbimet e saj sekrete për të sabotuar SHBA-në dhe aleatët e saj, duke ndërhyrë në zgjedhjet amerikane ose duke helmuar ish-agjentët rusë që sot jetojnë në Perëndim.

Por nëse nuk ka gjasa të ketë rezultate të dukshme, atëherë pse takohen dy liderët? Një pjesë e përgjigjes mund të qëndrojë në domethënien simbolike të samitit për të dy palët. Për Bajden, takimi është një mundësi për të dërguar njëkohësisht sinjale tek disa audienca. Takimi me Putinin vjen pas pjesëmarrjes së tij në takime të nivelit të lartë përgjatë samitit të G7-ës (që e dëboi Rusinë pas aneksimit që ajo i bëri Krimesë) dhe të NATO-s,që riafirmojnë angazhimin e Amerikës ndaj multilateralizmit dhe aleatëve të saj transatlantikë.

Kjo është shumë e ndryshme nga qasja “Amerika e Para” dhe politika e jashtme kaotike e  administratës Trump. Bërja e një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë është e rëndësishme për administratën Bajden, por jo aq e rëndësishme sa të bërit biznes me partnerët e Amerikës.

Mbajtja e një samiti me Putinin kaq herët në fillim të presidencën e tij, nxit bërjen e krahasimeve midis qasjes së Bajden ndaj Rusisë dhe asaj të paraardhësit të tij. Donald Trump preferoi të takohej privatisht me Putinin, pa gazetarët amerikanë që mund të mbanin ndonjë shënim mbi diskutimet, dhe që për këtë arsye gjeneruan shumë spekulime rreth asaj mbi të cilën mund të kishte rënë dakord me kreun e Kremlinit.

LEXO EDHE:  Skandali me lobimet në SHBA/ Basha përballet sot me Gjykatën
LEXO EDHE:  Pse pandemitë na nxjerrin më të keqen tek ne?

Në dallim nga Barak Obama, Trump shfaqi ndërkohë një qëndrim gati lavdërues ndaj Putinit. Edhe pse Bajden është një president i ri, karriera e tij e gjatë në Senatin Amerikan, dhe 8 vitet e tij si zëvendëspresidenti Obamës, nënkuptojnë se ai është veteran i shumë takimeve ndërkombëtare të nivelit të lartë.

Ai nuk ka gjasa që të thyejë protokollin apo të largohet nga skenari. Bajden do të ofrojë një rivendosje të re të raporteve me Rusinë, por në fund do të dështojë. As Putini nuk do të presë apo ofrojë ndonjë ndryshim dramatik në marrëdhëniet SHBA-Rusi.Gjithsesi edhe për të ky samit është i vlefshëm.

E para dhe më e rëndësishmja, samiti është dëshmi e qartë se Rusia vazhdon të jetë e rëndësishme në skenën ndërkombëtare. Putini i kushton një vlerë të madhe gjesteve të respektit ndaj Rusisë nga ana e udhëheqësve të vendeve të tjera, dhe sidomos nga SHBA-ja.

Një nga arsyet kryesore të popullaritetit të vazhdueshëm të Putinit midis shumë rusëve, është perceptimi se ai është autori i ringjalljes së prestigjit të Rusisë në arenën ndërkombëtare pas humbjes poshtëruese të pushtetit dhe statusit të Moskës gjatë viteve 1990.

Një takim kokë më kokë me presidentin amerikan, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës nga ky i fundit, është një miratim i nënkuptuar i qasjes së Putinit, se problemet vërtetë të rëndësishme me të cilat përballet sot bota, nuk mund të zgjidhen nëse në tryezë mungon Rusia.

Kur të dy udhëheqësit biseduan në telefon menjëherë pas inaugurimit të Bajden në detyrë, Putini vuri në dukje se SHBA-ja dhe Rusia kanë përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit global. Dhe kontrolli i armëve bërthamore, është çështje e mirë për t’ia filluar.

Të dy udhëheqësit mund të bazohen tek marrëveshja e tyre e arritur në janar për të zgjatur traktatin New Start, që e kufizon numrin e armëve strategjike bërthamore që mund të vendosë në gjendje lufte secili vend. Lufta kundër Covid-19 është një fushë tjetër e mundshme për bashkëpunim.

Edhe pse si SHBA-ja ashtu edhe Rusia e kanë pasur shumë të vështira ta kontrollojnë pandeminë, padurimi i Rusisë për të eksportuar vaksinën e saj Sputnik, mund të përputhet me qasjen e administratës Bajden mbi rëndësinë e pasjes së një qasje globale për të luftuar virusin.

Duke marrë parasysh listën e gjatë të çështjeve për të cilat nuk bien dakord Bajden dhe Putin, është ndoshta një qasje e mençur që të mbajmë pritshmëri të ulëta për samitin. Gjithsesi, ka zona ku të dy udhëheqësit kanë shumë të përbashkëta për të justifikuar një optimizëm shumë të kujdesshëm në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Rusi./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse po dështon Haga në Ballkan, dhe pse pati sukses Nurembergu me Gjermaninë

Publikuar

-

Nga

Nga Igor Pellicciari “Formiche.net”

Më 8 qershor, një muaj përpara datës së përvjetorit të saj në korrik, Masakra e Srebrenicës është rikthyer në qendër të vëmendjes. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe, ndërkohë që ish-gjeneralit serbo-boshnjak Ratko Mlladiç,mori dënimin e shkallës së dytë me burgim të përjetshëm,i akuzuar si autor i asaj që ishte faqja më e errët dhe më tragjike në historinë evropiane të pas Luftës së Dytë Botërore.

Ishte kjo që e tronditi thellë botën në atëkohë, dhe e bindi SHBA-në e administratës së Bill Klinton të ndërhynte drejtpërdrejt për t’i dhënë fund konfliktit në Bosnje Hercegovinë. Për ata që i kanë provuar ato ngjarje si dëshmitarë okularë, rezultati i procesit gjyqësor ishte i dukshëm,e megjithatë ai pritej me padurim me shpresën se do të shkëpuste marrëdhëniet me një të kaluar tragjike, tek e cila asnjë njeri normal nuk do të donte të rikthehej qoftë edhe pjesërisht.

Por ai vendim jo vetëm që nuk e ka mbyllur kapitullin e përgjegjësisë individuale për atë që ka ndodhur në luftë, por madje duket se i ka përkeqësuar ndarjet etniko-politike në zonë. Mjafton të kujtojmë udhëheqësin serb të Bosnjes, njëherazi anëtar të presidencës kolegjiale në Sarajevë, Milorad Dodik (që në kohën e ngjarjeve në Srebrenicë ishte kundërshtar politik i Radovan Karaxhiç), i cili deklaroi se vendimi ishte i padrejtë, si dhe një dënimin kolektiv dhe paragjykues kundër popullit serb.

Në raste të tjera, deklarata të tilla do të kishin sjellë protesta të mëdha në sheshet e qyteteve. Por ato janë thjeshtë një tregues i trishtë i një vendi që është i bllokuar prej dekadash në paqartësinë e pasluftës. Një ndër arsyet e këtij operacioni gjyqësor jo të plotë (ta quash njëështim do të ishte e padrejtë duke qenë se disa rezultate janë parë) është roli i Gjykatës Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, struktura e diskutueshme dhe organizimi kontradiktor i punës që ka ndodhur në këto vjet

Ajo ka arritur shumë pak nga objektivat që bashkësia ndërkombëtare i vuri vetes. E themeluar në vitin 1993, në mesin e konfliktit boshnjak, kjo gjykatë supozohej të vepronte në radhë të parë si një parandaluese e përsëritjes së krimeve të luftës që kishin ndodhur tashmë në Bijelina, Brcko, Zvornik, Doboj etj.

Ndërkohë, Masakra e Srebrenicës ndodhi dy vjet më vonë, në vitin 1995, madje e shpallur

në mënyrë provokative dhe në dritën e diellit, ashtu si episodet e tjera që do të pasonin në fillim në Bosnjë dhe më pas në Kosovë, duke qenë akte kriminale kundër civilëve të paarmatosur, të kryera shpesh nga grupimet paraushtarake.

Sapo përfunduan konfliktet ballkanike, periudha e pasluftës përfaqësoi fiziologjikisht një kontekst që e shtoi volumin e punës së kësaj gjykate, teksa nënvizoi në të njëjtën kohë edhe dobësitë e saj kryesore. Që të gjitha këto të fundit kishin të bënin me aspektet gjyqësore, politike dhe institucionale, shpesh të lidhura bashkë në një formë osmotike.

LEXO EDHE:  Skandali me lobimet në SHBA/ Basha përballet sot me Gjykatën
LEXO EDHE:  Pse pandemitë na nxjerrin më të keqen tek ne?

Kjo është më e dukshme kur krahasohet me Gjykatën Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, precedenti historik dhe referencë për të gjitha procedurat penale kundër krimeve të luftës.

Krahasuar me Nurembergun, që u ngrit pas disfatës së qartë të nazizmit, sfida kryesore e Hagës, është të veprojë në një kontekst boshnjak, ku fundi i armiqësive i shënuar nga Marrëveshjet e paqes së Dejtonit (nënshkruar vetëm 5 muaj pas Srebrenicës),nuk arritën të përcaktojë qartë një kornizë politiko-institucionale se kush ishin fituesit dhe kush humbësit.

Jo aq në nivelin ushtarak se sa në vlerat kushtetuese të shtetit të ri, që në fakt sanksionoi ndarjen mbi një bazë etniko-fetare, i përndjekur nga të njëjtat nacionalizma që kishin shkaktuar konfliktin.

Por delegimi i përcaktimit të një të vërtete historike të pasluftës, e ndarë jo në një nivel politik-institucional (një hap brutal, por i domosdoshëm në çdo periudhë të pasluftës) por në një rrugë gjyqësore ndërkombëtare, e cila gjykon më shumë sesa aktet kriminale idetë që i frymëzuan, ka çuar në politizimin e drejtësisë.

Për më tepër, leximi politik i ngjarjeve gjyqësore dhe efektet e tyre negative, janë edhe më shkatërruese nëse drejtësia shprehet me vite vonesë. Ndërsa Nurembergu pati sukses edhe sepse mbaroi punë brenda 1 viti, dënimi i Mlladiç vjen 26 vjet pas Masakrës së Srebrenicës.

Pra ai ka humbur shumë nga kuptimi i tij origjinal, duke krijuar boshllëqe të interpretueshme, të cilat mund të plotësohen nga aktorët politikë të momentit. Dhe kjo gjë çon në një vlerësim përfundimtar të një natyre institucionale. Nuk është rastësi që Haga dhe Nurembergu shoqërohen zakonisht në formë gjinore me dy emra të ndryshëm:i pari te “Gjykata”, i dyti “Gjyqi”.

Gjykata e Hagës është institucionalizuar në dekadat e fundit si një Organizatë Ndërkombëtare e pavarur, si për kostot e konsiderueshme të menaxhimit të saj, ashtu edhe për personelin e përhershëm administrativ që punon atje.

Ky proces i burokratizimit ka sjellë me vete dukurinë klasike të transpozimit të qëllimeve, me organizatën që është e interesuar të ndjekë, përveç objektivave për të cilat është themeluar, edhe masat për mirëqenien e saj.

Nga ky këndvështrim, gjyqet e Gjykatës së Hagës u krijuan dhe u menaxhuan si projekte reale të asistencës teknike, të cilat e justifikuan mbijetesën e tyre dhe zhvillimin organizativ. Me dëmin anësor që në këtë mënyrë kontribuon në ngarkimin e tepruar të procedurës gjyqësore, duke shumëzuar hapat e ndërmjetëm të nevojshëm për të arritur një dënim përfundimtar në procedurat e ndryshme.

Nga ana tjetër,Gjyqi i Nurembergut nuk shkoi përtej gjykimit të hierarkëve nazistë (dhe nuk u kthye në një gjykatë të përhershme). Ndoshta pikërisht këtu qëndron suksesi në rilindjen e shoqërisë gjermane të pasluftës./CNA.al

LEXO TE PLOTE