LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ja si temperaturat e larta ndikojnë në shtimin e kriminalitetit

21 Gusht 2020, 06:30, Blog CNA
Ja si temperaturat e larta ndikojnë në shtimin e kriminalitetit

Ishte korriku u vitit 1988. Në Shtetet e Bashkuara, po shënohej vera më temperaturat më të larta të përjetuara ndonjëherë. Banorët e qyteteve u dyndën nëpër plazhe, konsumi i energjisë elektrike ishte më i lartë se kurrë, teksa njerëzit përdornin masivisht kondicionerët, dhe autostradat ishin të mbipopulluara me shumë makina të ngecura në vend nga defektet në motor, për shkak të valës së madhe të të nxehtit.

Në fakt ai vit shënoi edhe një rekord të akteve të dhunës. Pati 1.56 milionë raste vrasjesh, përdhunimesh, grabitjesh të armatosur dhe sulme të ndryshme. A mund të ketë pasur një lidhje midis kushteve atmosferike, dhe prirjes së përgjithshme ndaj dhunës?

Njerëzit kanë dyshuar prej shekujsh, se temperaturat e larta e ndryshojnë sjelljen tonë. Për shembull Shekspiri përshkroi ?një gjakderdhje të çmendur? në vapën e padurueshme të Veronës në verën e vitit 1597.

Studimet më të hershme mbi këtë dukuri u kryen në fund të shekullit XIX, dhe ato përkojnë me statistikat e para të besueshme mbi krimin. Sipas njërës prej tyre, veprat penale kundër njerëzve kanë tendencë të kulmojnë në muajt e verës, ndërsa krimet kundër pronës u konstatua se ishin më të zakonshme në dimër.

Çdo vit sa herë ngrihen temperaturat, ne pësojmë një transformim kolektiv. Për shembull njerëzit kanë më shumë të ngjarë të përplasen fizikisht mes tyre kur kanë ngecur në trafik.

Policia vëren një rritje të sjelljeve të paligjshme dhe ne kemi më pak të ngjarë të ndihmojmë të panjohurit.

Në Britaninë e Madhe, midis prillit të vitit 2010 dhe 2018, kishte 14 për qind më shumë krime të dhunshme, kur temperatura ishte 20 gradë, sesa kur ishte 10 gradë Celcius. Në Meksikë, krimi i organizuar lulëzon shumë në periudhën më të nxehtë të vitit.

Në Afrikën e Jugut, shkencëtarët kanë zbuluar se për rritje me një gradë e temperaturës, ka sjellë një rritje me 1.5 për qind të numrit të vrasjeve. Në Greqi, një studim zbuloi se më shumë se 30 për qind e 137 vrasjeve të raportuara në një rajon të veçantë, kishin ndodhur në ditët kur temperatura mesatare ishte më e lartë se 25 gradë Celcius.

Modele të ngjashme janë vërejtur në Afrikën Sub-Sahariane, Tajvan, Shtetet e Bashkuara , Finlanda apo Spanjë. Në përgjithësi, ky efekt është shfaqur në qindra studime shkencore.

Pastaj kemi edhe kryengritjet. Në një studim, shkencëtarët gjurmuan kryengritjet në të gjithë botën gjatë viteve 1791-1880, duke zbuluar se shumica e tyre kishin ndodhur pikërisht gjatë muajve të verës.

Edhe studimet e fundit, kanë rikonfirmuar lidhjen midis lëvizjeve sociale dhe kushteve atmosferike. Një analizë e më shumë se 7.000 ngjarjeve gjatë 36 viteve, zbuloi se ato kishin tendencën të ndodhnin më shumë gjatë ditëve kur temperatura ishte më e lartë.

Ndërsa është e qartë se padrejtësitë dhe nxitësit e tjerë për trazira sociale mund të ndodhin gjatë gjithë vitit, duket se ne kemi shumë më shumë gjasa të reagojmë kur është vapë. ?Ka një detaj?- thotë Trevor Harli, profesor i njohur i psikologjisë në Universitetin Dandi. ?Marrëdhënia midis vapës dhe gjërave si trazirat, është një kurbë në formën e një U-je. Pra kur bëhet shumë e nxehtë ose ka shumë lagështirë, njerëzit nuk bëjnë asgjë, pasi është e pakëndshme të lëvizësh?- thotë ai.

Ndërkohë temperaturat e larta ndikojnë edhe në rritjen e numrit të vetëvrasjeve. Një studim i 1.320.114 vetëvrasjeve në 12 vende, zbuloi se temperaturat më të larta lidheshin me një rrezik më të rritur të vetëvrasjeve në përgjithësi, dhe se kjo marrëdhënie ishte veçanërisht e drejtpërdrejtë në vendet perëndimore dhe Afrikën e Jugut.

Se përse kushtet e motit kanë një ndikim kaq të madh mbi sjelljen tonë, kjo gjë mbetet një mister. Por ndërsa klima po bëhet gjithnjë e më e ngrohtë, shkencëtarët po mundohen të gjejnë ndonjë përgjigje. Një nga hipotezat është se moti i nxehtë, na vendos kolektrivisht në një gjendje më të dobët, dhe kjo çon drejt sjelljeve të dëmshme.

Ka shumë prova se temperaturat e larta na bëjnë më nervozë dhe të stresuar, dhe më pak të lumtur. Gjatë stinës së verës, futbollistët profesionistë të futbollit amerikan kanë më shumë të ngjarë të përfshihen në sjellje agresive ; gazetarët janë më të prirur të përdorin një gjuhë negative në raportimin e tyre; dhe njerëzit kanë më shumë të ngjarë të bëjnë greva dhe të braktisin punën e tyre.

Madje një studiues bën një krahasim ekstrem:mesatarisht, ka një ndryshim më të madh midis asaj se si njerëzit ndjehen në temperaturat 32 apo 21 gradë Celcius, në krahasim me atë nëse janë të ve, të divorcuar apo martuar. Ideja mbështetet më tej nga zbulimi, se kushtet atmosferike mund të jetë në gjendje të ndikojnë shumë mbi trurin tonë.

Në vitin 2017, shkencëtarët zbuluan se temperatura e ambientit në Finlandë, lidhej me sasinë e serotoninës – një kimikat i rëndësishëm i trurit që rregullon ankthin, lumturinë dhe gjendjen shpirtërore në përgjithësi – në gjakun e vullnetarëve të shëndetshëm, si dhe shkelësve të dhunshëm të ligjit.

Ata gjetën ndërkohë një lidhje të fortë midis kësaj mase, dhe shkallës mujore të krimit të dhunshëm. Kjo sugjeron se vapa ndryshon nivelet tona të serotoninës, të cilat nga ana tjetër ndikojnë në nivelet tona të agresionit.

Një ide tjetër është që moti i nxehtë rrit nivelet tona të testosteronit, gjë që na bën më agresivë, një fakt që mund të shpjegojë pjesërisht arsyen pse ndërsa ditët fillojnë të zgjaten, ka një rritje drastike të dhunës seksuale dhe asaj në familje.

Pavarësisht se çfarë e nxit lidhjen midis motit dhe sjelljes sonë, ai ka disa implikime të pakëndshme mbi të ardhmen tonë. Shkencëtarët kanë parashikuar që me fillimin e ndryshimit të klimës, vetëm një rritje prej 2 gradë Celcius e temperaturave mesatare globale, mund të rrisë me më shumë se 3 për qind shkallën e krimit të dhunshëm në rajone me temperatura të moderuara sikurse është Evropa Perëndimore./ BBC-Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga