Politikë
Krushqia dhe vilat që po kthejnë Bamir Topin në PD

Ish-presidenti Bamir Topi, ditët e fundit, është shfaqur disa herë në publik, duke theksuar se ishte i zhgënjyer nga Edi Rama, komunikonte me Lulzim Bashën dhe mund të kthehej në PD.
Një lëvizje e menjëhershme, një vit para zgjedhjeve e ish-presidentit dhe ish-nënkryetarit të PD-së, i cili u nxor me “shqelma” nga selia e PD-së, nga ish-kryeministri Sali Berisha, pas asaj që ai e quajti “komploti i 21 janarit, me horra bulevardi”.
Gjithësesi kohët kanë ndryshuar. Kanë kaluar gati nëntë vite. Në vitin e ardhshëm zgjedhor bëhet gati një dekadë dhe do të duhet që Luli të ketë tani Bamir Topin në krah, si shenjë bashkimi.
Por, si dhe pse po kthehet Bamir Topi në këto momente?
Duket se partia e tij ka falimentuar. Të gjithë mbështetësit kanë ikur tek Lulzim Basha, ose i çoi ata më parë një e nga një për të shkuar më vonë edhe vetë, pasi të piqeshin kushtet.
Bamir Topi, i cili në fakt shfaqet i zhgënjyer me Edi Ramën, por duket në një “dashuri” të madhe me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, tha se komunikonte me Lulzim Bashën. Patjetër, nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe.
Kalimi i Lulzim Bashës tek vilat e oligarkut Agron Papuli, është shenja e parë dhe dëshmia e qartë e një bashkëpunimi të fortë, që do të garantonte rikthimin e Bamir Topit në PD.
Gati një vit më parë, menjëherë pas tërmetit të shtatorit, Lulzim Basha u spostua në vilat rezidenciale në Long Hill, të Agron Papulit. Në atë kohë, Lulzim Basha e mohoi, por kanë kaluar kaq shumë muaj sa tashmë nuk e mohon dot më.
Agron Papuli është një ndër të ashtuquajturit oligarkë, të sulmuar shpesh nga PD-ja dhe Lulzim Basha, por më pas ky i fundit heshti dhe u strehua në vilat e tij.
Tha se po jetonte me qera në vilat e Papulit, sepse apartamenti i tij po rindërtohej, por në fakt ka disa muaj që CNA.al e ka vëzhguar nga afër dhe nuk ka asnjë ndryshim.
Luli, thjeshtë dhe vetëm është spostuar nga apartamenti i tij mbrapa Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, në një rezidencë në dy vila luksoze, ku sigurisht si gjithmonë në krah ka kunatin e tij të famshëm.
Luli, duke përdorur logon e PD-së, siguroi vilat në Long Hill, por jo vetëm kaq. Siguroi edhe Bamir Topin.

Ky i fundit ka një marrëdhënie të fortë familjare me Agron Papulin. Vajza e Bamir Topit bashkëshortja e djalit të Agron Papulit.
Nuk mund të ndodhte ndryshe. Një histori dashurie brenda familjes së ish-presidentit dhe oligarkut, i cili më pas i jep vila kryetarit të opozitës, për të garantuar edhe rikthimin e krushkut të tij në PD.
Historitë me vila të Lulzim Bashës janë të njohura. Këtë herë duket se marrëdhënia me Agron Papulin është përtej vilave dhe ka garantuar edhe rikthimin e Bamir Topit në selinë e PD-së.
Krushqit festojnë, oligarku i Edi Ramës tashmë do të ketë përfaqësuesin e tij zyrtarisht brenda Republikës së Re të Lulzim Bashës. Bamir Topi duket se është zgjidhja. Vilat nuk e nxorën me duar bosh as Bamirin, as Agron Papulin dhe as Lulzim Bashën, i cili jo vetëm gjeti një strehë të qetë, por riktheu “horrin e Bulevardit”, në selinë e Partisë Demokratike./ CNA.al
Tre fiksimet e Luli Bashës/ Nga blerës likesh në vizash dhe vilash
Ekskluzive/ Basha merr vilë pranë Ilir Metës në gjirin e Lalzit