LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Historia njeh vëllezërit Rajt/ Por, ja cilët fluturuan me avion përpara tyre

20 Gusht 2020, 06:54, Blog CNA
Historia njeh vëllezërit Rajt/ Por, ja cilët fluturuan me avion

Megjithëse historianët njohin në përgjithësi vëllezërit amerikanë Rajt, si të parët që kryen një fluturim të qëndrueshëm dhe të kontrolluar të një avioni, ka pasur në fakt 7 pionierë të tjerë të hershëm të aviacionit, që kanë pasur pretendime të njëjta dhe në një kohë më të hershme sesa 3 dhjetori i vitit 1903. Ja cilët ishin ata:

Sër Hiram Maksim, korrik 1894

Lindi në SHBA, por pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Angli. Atje, ai zhvilloi atë që është ndoshta shpikja e tij më të famshme, mitralozin Maksim, që u përdor gjerësisht nga ushtritë britanike dhe të tjera evropiane para Luftës së Parë Botërore.

Pasuria e madhe që grumbulloi, i dha mundësi të eksperimentonte mbi një larmi fushash të tjera. Në fund të viteve 1880, ai ndërtoi një avion eksperimental. Me krahë 30 metra të gjatë, dhe me një peshë 3.175 kg, pajisja do të ngrihej nga toka nga dy motorë gjigantë me avull 180 kuaj fuqi, të pajisur me 2 helika me diametër 5 metra.

Ajo u testua për herë të parë më 31 korrik 1894, duke arritur të fluturonte në mënyrë të pakontrolluar për rreth 185 m në një lartësi deri në 1 metër, para se të rrëzohej dhe dëmtohej rëndë. Pajisja u riparua më vonë, por u përdor vetëm për të mbledhur fonde për bamirësi, dhe asnjëherë për eksperimente të ngjashme.

Klement Ader, tetor 1897

Ishte një shpikës francez, interesat kryesore të të cilit ishin balonat me ajër, ??pajisjet e hershme të komunikimit elektronik dhe aviacioni. Kontributi i tij më i famshëm në aeronautikë ishin 2 avionët Eole dhe Avioni Nr. 3. Me të parin, Aderi pretendoi se fluturoi në një distancë prej 50 metrash më 9 tetor 1890, gjatë një prove në vilën e një shoku afër Parisit. Fatkeqësisht, avioni ishte shumë i rëndë, dhe nuk mundi të ngrihej më shumë sesa disa dhjetëra centimetra nga toka.

August Hering, tetor 1898

Ishte një nga pionierët më të njohur të aviacionit të fundviteve 1800. Ai punoi për pak kohë për Samuel Lenglin, konkurrentin kryesor të vëllezërve Rajt. Përvoja e frymëzoi të ndërtojë vetë një avion eksperimental, të frymëzuar kryesisht nga modelet e gjermanit Oto Liliental.

Në tetor 1898, ai ndërtoi një motor me ajër të kompresuar, që e vendosi në pjesën e poshtme të një avioni të vogël. Raportohet që Hering të ketë fluturuar me avionin e tij në të paktën 2 raste.

I pari ndodhi më 10 ose 11 tetor 1898, ku thuhet se udhëtoi për 15 metra. Ndërsa fluturimi i dytë 10 ditë më vonë, zgjati rreth 10 sekonda duke përshkruar një distancë prej 22 metrash. Por avioni nuk kontrollohej dot nga piloti, dhe fluturimi nuk ishte i qëndrueshëm. Për më tepër, motori ishte i vogël në fuqi dhe funksiononte vetëm për pak sekonda.

Gustav Uajthed, gusht 1901

Lindi në Gjermani, por emigroi në SHBA. Interesi mbi aviacionin i lindi që në Gjermani, por eksperimentimet më domethënëse i kreu në Amerikë. Në vitin 1898, ai jetonte në Pitsburg, të Pensilvanisë, ku ndërtoi avionin e tij të parë me motor me avull.

Sipas mbështetësve të Uajthed, suksesi i tij më i madh ndodhi më 14 gusht 1901 kur Gustav kreu më shumë 4 fluturime. Në provën më të suksesshme pretendohet se arriti të udhëtojë për një distancë 2.4 km, duke arritur lartësinë 60 metra. Por këto pretendime janë marrë me shumë rezerva, pasi mbështetësit e tij më të zjarrtë nuk publikuan asnjë prej pretendimeve të tyre deri mbi 30 vjet më vonë.

Riçard Pirs, mars 1903

Ishte një shpikës i gjithanshëm nga Zelanda e Re, që e kaloi pjesën më të madhe të jetës duke zhvilluar pajisje të ndryshme mekanike në fermën e tij. Një nga pasionet e tij më të mëdha ishte aviacioni. Shpikja e tij më i njohur ishte një avion i zogël me krahë vetëm 7 metra të gjatë, i pajisur me një motor benzine ??24 kuaj fuqi, që vinte në lëvizje një helikë të vetme.

Askush nuk duket të jetë i sigurt se kur dhe kur fluturuan për herë të parë avionët e Pirs. Disa burime thonë në vitin 1901, ndërsa shumica tregojnë marsin e vitit 1902 ose atë të 1903-it. Dëshmitë mbi fluturimin e parë, thonë se mjeti udhëtoi për 45 deri në 365 metra, duke arritur lartësinë mbi 9 metra. Sidoqoftë, ka pak ose aspak prova për të mbështetur këto pretendime.

Preston Uatson, vera e vitit 1903

Ishte një inxhinier skocez që eksperimentoi me avionët në fillim të viteve 1900. Ka shumë spekulime në lidhje me kohën kur ai e ndërtoi dhe fluturoi me avionin e tij të parë me energji elektrike. Banorët e zonës kujtojnë se Uatson kreu fluturime të shkurtra midis viteve 1903 dhe 1904, por askush nuk mund të mbante mend datat e sakta.

Ajo që dihet me siguri është se Uatson fluturoi pas vëllezërve Rajt, dhe ai ndërtoi dy versione të përmirësuara të avionit të tij me motorë benzinë ??30 dhe 60 kuaj fuqi. Thuhet se këta dy avionë fluturuan shpesh në vitet para Luftës së Parë Botërore. Gjatë luftës Uatson u angazhua si vullnetar në Marinën Mbretërore, dhe gjeti vdekjen kur avioni i tij shpërtheu në fluturim.

Karl Jato, gusht 1903

Karl Jato ishte një shpikës nga Hanoveri i Gjermanisë. Fluturimi i tij i parë me një avion eksperimental thuhet se ka ndodhur më 18 gusht 1903, i parë dhe vërtetuar nga 4 dëshmitarë. Avioni u ngrit vetëm disa centimetra nga toka dhe përshkroi një distancë prej rreth18 metrash.

Fluturime të tjera thuhet se ndodhën midis gushtit dhe nëntorit 1903, me më të suksesshmin që përshkoi distancën 61 metra, dhe duke u ngjitur në lartësinë deri në 3 metra. Por Jato ishte mjaft i zhgënjyer me avionët e tij, duke hequr dorë nga testimet. Më vonë ndërtoi dhe fluturoi me një aeroplan të suksesshëm në vitin 1909. Ai hapi edhe një shkollë fluturimi dhe një fabrikë avionësh, por asnjëra nuk rezultoi fitimprurëse./aerospaceweb.orgPërshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga