LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Astrit Patozi/ Një arsye falso për një luftë të vërtetë

18 Gusht 2020, 16:49, Opinione CNA
Nga Astrit Patozi/ Një arsye falso për një luftë të

Ili Meta dhe Erjon Velija i paskan dhënë fund sot qetësisë pa dashuri, pikën ku ishte katandisur marrëdhënia e tyre, e cila në kohërat më të acarta të përplasjeve mes Presidentit dhe Edi Ramës, ishte paradoksalisht, sa e ngrohtë, aq edhe e përfolur. Natyrisht, që askush nuk ia ka konsideruar si meritë atë histori rozë, personale jo e jo, por as politike, secilit prej të dyve.

Ndaj edhe sot nuk besoj se ka njerëz të mërzitur nga sherri i tyre me marsh të fundit, ashtu siç nuk ka pasur edhe të lumtur nga flirti i dikurshëm okult dhe pragmatist, me disa përjashtime tmerrësisht të rralla dhe botërisht të njohura, të cilat e përforcojnë më shumë rregullin.

Por është e sigurt se të dy personazhet janë më realë dhe më të sinqertë sot, që po shahen me libër shtëpie, se sa dje, kur hiqeshin si burra shteti, të cilët gjoja nuk përfshihen nga emocione të forta politike. Që do të thotë se interesit publik i bëhet më mirë që ata të shfaqen në gjendjen e vet natyrore, pa filtra dhe pa grim, madje edhe në krye të çetave respektive, si për ta bërë edhe më të qartë tabllonë e atyre që ndajnë pushtet në Shqipëri.

Por ajo që më bën përshtypje është arsyeja që kanë gjetur për t’i shpallur luftë njëri-tjetrit. E cila është më e pagjetura, më nervangritësja, por njëkohësisht edhe më qesharakja. Sepse i bën të ngjajnë, mes të tjerash, edhe si njerëz pa pikë fantazie.

Mund të kishin gjetur një mijë shkaqe dhe pretekste të tjera dhe do të ishin në të drejtën e tyre. Dhe tema ka plot, që nga lejet e ndërtimit, tenderat e bashkisë, planet e zhvillimit të Tiranës e deri tek dorovitja e atyre, që mediat i kanë biznese apo bizneset i kanë media. Madje, secili duke e parë në dritën e këndvështrimit të interesave të veta. Siç kanë bërë gjithë jetën, në fakt.

Por jo lirinë e shtypit, sepse ka gjithmonë një kufi për të mos e bërë baltë fare raportin me të vërtetën. Sepse kur gënjen në të tilla përmasa, vjen një moment dhe të shohin me keqardhje edhe njerëzit e shtëpisë, ngaqë nuk të ndihmojnë dot.

Me sa duket ata, që të gjitha gjërat në jetë i bëjnë falso, e kanë të vështirë të gjejnë një motiv serioz edhe për t’u zënë me njëri-tjetrin. Dhe ky është tamam rasti.

Lajmet e fundit nga