Politikë
Lulzim Basha mbledh në PD grupin e 21 janarit

Kryetari i Republikës së re, Lulzim Basha ka mbledhur rreth vetes grupin e 21 janarit, kjo si një hap që tregon panikun e tij në lidhje me atë ngjarje që ende s’ka mbajtur përgjegjësi ligjore, si ish-ministër i Brendshëm në atë kohë.
I vetmi njeri që i ka munguar grupit të 21 janarit në PD, tashmë me Lulin kryetar është ish-Prokurorja e Përgjitshme Ina Rama. Në atë kohë kur ndodhi ngjarja, ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ishte vetë Lulzim Basha.
Kujtojmë këtu se ish-kryeministri Sali Berisha në një dalje mediatike, në mbrëmjen e ngjarjes sulmoi ashpër Presidenin e Republikës, në atë kohë Bamir Topi, dhe ish-Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama.
Tashmë Bamir Topi po rikthehet në PD. “Dashuria” e tij me Lulzim Bashën është konfirmuar ditët e fundit nga vetë ai. Dje në Presidencë, të dy janë parë në krah të njëri-tjetrit, a thua se nuk ka ekzistuar kurrë një përplasje mes ish-Presidentit dhe Lulzim Bashës.
Mesa duket Luli tashmë e ka përfunduar misionin e tij për të shpëtuar lëkurën nga njerëzit e 21 janarit, duke marrë në krah ish-presidentin Bamir Topi.
Nga ana tjetër është i vështirë kthimi i Ina Ramës tek zyra e Lulit, por jo e pamundur. Ndërkohë një person i tretë në krah të Bamir Topit në atë kohë, ka qënë Besnik Mustafaj, aktualisht pjesë e komisionit të verifikimit të kandidatëve për deputetë.
Në atë kohë, Mustafaj ishte nga të parët persona që doli publikisht dhe sulmoi kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, duke drejtuar gishtin edhe nga Lulzim Basha. Por, mesa duket ky i fundit tashmë e ka harruar edhe Bamirin president, edhe Besnikun “armik”, duke i rikthyer në PD dhe duke krijuar grupin e 21 janarit brenda partisë, me vetë Lulin kryetar./ CNA.al