Aktualitet
Dyfishohen testimet në periudhën vjeshtë-dimër/ MSH: Do ngrihen 12 njësi lëvizëse

Autoritetet e Shëndetësisë në vend kanë prezantuar strategjinë e testimit dhe hetimit ndaj Covid-19 në periudhën vjeshtë-dimër. Ministrja e Shëndetësisë dhe drejtues të tjerë të institucioneve në varësi thanë se do të dyfishohet numri i testimeve, ndërsa garantuan cilësinë e tyre.
“Testime me cilësi, sipas rekomandimeve nga OBSH. 12 njësi lëvizëse do t’i shtohen shëndetësisë, për të kryer testime. Po ashtu do të shtohet stafi dhe kapacitetet për dyfishimin e testimeve. Do të bëhen vaksinat e gripit falas për kategoritë që janë të riskuara, përfshi të moshuarit dhe fëmijët”, deklaroi Manastirliu.
“Strategjia e testimit në periudhën vjeshtë-dimër do të jetë e tillë, që për çdo kërkesë do të veprohet në kohë. Po ashtu do të kryhen teste të shpejta. Do të jenë pjesë e një strategjie për dixhitalizimin”, tha Silva Bino.
“Cilësia e testeve është një nga më të mirat që aplikohet edhe në vende të tilla si SHBA, Gjermani, Francë etj”, deklaroi Albana Fico, drejtoreshë e ISHP.
Aktualisht janë 54 grupe, ndërsa në periudhën vjeshtë-dimër do të shtohen grupe të reja, me qëllim gjurmimin, parandalimin dhe ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit. /CNA.al