Connect with Us

Betejës për Shtëpinë e Bardhë i mungon skena e madhe

Blog

Betejës për Shtëpinë e Bardhë i mungon skena e madhe

Publikuar

-

Betejës për Shtëpinë e Bardhë i mungon skena e madhe

Joe Biden dhe Kamala Harris do të paraqesin veten si çifti perfekt për presidencën amerikane në kongresin e emërimit të Demokratëve. Por suksesi i tyre nuk është i sigurtë, komenton Ines Pohl.

Ndonjëherë hedhja e vështrimit pas të ndihmon për të kuptuar të tashmen dhe për t’u përgatitur për të ardhmen. Ekzistojnë dy arsye kryesore pse Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA katër vjet më parë.

Së pari, sepse ai nuk ishte Hillary Clinton-i. Dhe së dyti, sepse ai arriti ta portretizonte veten si të ndryshëm nga ambienti politik. Kjo në një kohë kur të dy elementët kanë të bëjnë me njëri-tjetrin.

Shumë amerikanë akoma ndjejnë urrejtje për Hillary Clintonin, kandidaten e atëhershme të Demokratëve për presidente Demokratike, dhe për këtë ka shumë arsye. Njëra prej tyre është se ajo dhe burri i saj, ish-Presidenti Bill Klinton, kanë qenë pjesë e elitës politike që kanë formësuar Shtetet e Bashkuara për dekada të tëra. Dhe të cilën shumë votues e bëjnë përgjegjëse për faktin se Uashingtoni është zhvendosur edhe më larg shqetësimeve të qytetarit të zakonshëm, se të pasurit po pasurohen edhe më tej dhe të varfërit po varfërohen edhe më shumë.

Joe Bideni nuk simbolizon fillim të ri

Presidenti Trump e ka acaruar më tej këtë ndarje sociale. Por kjo nuk ndryshon faktin se shumë votues të rëndësishëm demokratë janë më shumë se të pakënaqur me zgjedhjen e kandidatit të tyre presidencial edhe këtë vit.

Veterani politik i bardhë, 77-vjeçar Joe Biden mishëron për shumë njerëz qëndrim në vend. Dhe jo atë për të cilën shpresonin kaq dëshpërimisht veçanërisht të zinjtë, latinët, shumë gra dhe gjithashtu demokratë të rinj përparimtarë: një ndryshim politikash që nuk mbron më korporatat e mëdha, por i jep një të ardhme ëndrrës amerikane.

Në përputhje me këtë të larta janë shpresat e strategjistëve të fushatës demokrate, të cilët tani lidhen me kandidaten për zëvendëspresidente Kamala Harris. A do të arrijë ajo të bindë votuesit e pavendosur, të motivojë ata që janë lodhur nga sondazhet – dhe të bëjë për vete ata republikanë, që refuzojnë të mbajnë përgjegjësi edhe për katër vite të tjera Donald Trump?

LEXO EDHE:  Basha: Shteti ka rënë, marrëdhëniet e koalicionit i kontrollon krimi

Momente rrënqethëse nuk ka

Tradicionalisht, kongreset e partisë janë një festë e madhe e ndërtimit të komunitetit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për demokratët, të cilët në thelb janë një lëvizje kolektive që duhet të mbledhë krahët e ndryshëm pas një ideje themelore, nëse dëshiron të fitojë zgjedhje. Dhe në të vërtetë është kandidati presidencial ai që e mishëron këtë ide. Karizma e Joe Biden vështirë se do të mjaftojë për këtë.

Do të ishte interesante të shihet se si do të reagojë masa e delegatëve ndaj Kamala Harrisit. E nxehur nga ylli i i deritashëm i rrokut Michelle Obama – si nxemje e ish-zonjës së parë të zezë për ndoshta presidenten e parë femër jo të bardhë. Sipas të gjitha gjasave, kjo mund të kishte qenë një nga momentet rrënqethëse që bashkon dallimet dhe mbjell shpresë.

Ines Pohl (DW/P. Böll)Ines Pohl

Në vend të ngjarjeve masive, aktivitete të vogla virtuale

Kjo shfaqje e madhe këtë vit duhet të anulohet. Nxitja e energjisë që sjellin zakonisht në të gjithë vendin e madh kongreset e emërimit të partisë ka rënë viktimë e virusit Corona. Kongresi i Partisë Demokratike, i cili fillon të hënën, do të mbahet për katër ditë kryesisht në mënyrë digjitale.

Në një kohë kur pjesë të mëdha të botës do të kthejnë vështrimin e përqendruar nga ky vend, aktorët politikë nuk do të kenë alternativë tjetër përveçse të përfshihen në luftën e vogël virtuale. Gjithmonë duke shpresuar se nuk do të ketë ndërprerje teknike që mund të kthehet në një thikë virale pas shpine.

Në një mjedis të tillë, për shkak të postit, një president ka padyshim mundësi më të mëdha. Dhe nëse ka një gjë që është në gjendje ta bëjë Donald Trumpi, ajo është të luajë në tastierën e vëmendjes së mediave./ DW

    

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Zgjedhjet ruse “alla Putin”: Persekutim, represion dhe blerje votash

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Max Seddon “Financial Times”

E vendosur buzë një liqeni në kufirin veriperëndimor të Rusisë me Evropën, statuja 20 metra e lartë dhe me peshë 50 ton, e përuruar nga Vladimir Putin të dielën e shkuar, përshkruan disa kalorës që mbajnë në duar shpatat, teksa përgatiten të zmbrapsin pushtuesit nga Perëndimi.

Mesazhi që jepet vështirë se mund të jetë më i qartë sesa kaq.

I rrethuar nga patriarku ortodoks, dhe një peshkop që thuhet se është këshilltari i tij shpirtëror, Putini u tregoi të pranishmëve sesi princi mesjetar Aleksandër Nevski kishte hedhur themelet për një “shtet rus të fortë dhe të centralizuar”, pasi arritur të zmbrapste kalorësit teutonë në një betejë të zhvilluar mbi akull.

“Asgjë nuk mund të prishë vazhdimësinë e shenjtë të kohërave dhe brezave!”- theksoi

Putin një javë para zgjedhjeve parlamentare. Rezultati në parim mund të ishte i pashmangshëm:partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, pritet të ruajë shumicën e saj kushtetuese në Duma, dhomën e ulët të parlamentit prej 450 deputetësh, ndërsa vendet e tjera i takojnë një grupi partish që njihen si “opozita e kontrolluar”.

Por çmimet e larta të ushqimeve, dhe rënia e të ardhurave reale të rusëve, kanë bërë që popullariteti i partisë Rusia e Bashkuar të prekë nivelet më të ulëta historike, ndaj zgjedhjet e së dielës janë bërë një test për regjimin gjithnjë e më shumë autoritar të Rusisë, përpara se të përfundojë mandati aktual i Putinit në vitin 2024.

Reagimi i presidentit ndaj mbështetjes së vakët për Rusinë e Bashkuar, ka qenë shumë i fortë. Ai premtoi një fond shtesë prej 7 miliardë dollarësh për partinë e tij.

Ndërkaq kundërshtarët janë përballur me një persekutim të paparë, dhe me një retorikë të zjarrtë në lidhje me rrezikun e ndërhyrjes së të huajve në punët e brendshme.

Qeveria ka akuzuar kompanitë amerikane të teknologjisë për “ndërhyrje”, kur ato refuzuan të fshijnë një aplikacion të “votimit të zgjuar”, të drejtuar nga interneti nga mbështetësit e kritikut të burgosur të Putinit, Aleksei Navalni. Goditja e paparë e zërave kundër, tregon se Kremlini i cilëson kërcënimet e huaja si pengesën kryesore për mbijetesën e vazhdueshme të regjimit aktual.

“Jo të gjithë ata që janë kundër Putinit, janë njerëz të këqij. Por shërbimet e sigurisë mendojnë kështu”- më thotë një person që ka qenë dikur këshilltar i Putinit. Disa muaj para zgjedhjeve, zyrtarët e Putinit e kanë ndaluar organizatën e Navalnit, kanë penguar dhjetëra kandidatë që të garojnë në zgjedhje me akuzat për lidhje të dyshuara me Navalnin, si dhe kanë marrë në pyetje qindra mbështetës të zakonshëm, në një përpjekje të dukshme për t’i trembur ata, në mënyrë që të mos zhvillojnë më pas protesta kundër rezultatit.

Analistët thonë se synimi kryesor i presidentit, është të demonstrojë se nuk mund të ketë asnjë alternativë ndaj udhëheqje së tij. Vitin e kaluar, Putin ndryshoi kushtetutën për të zgjatur sundimin e tij potencialisht deri në vitin 2036, edhe pse ai nuk ka thënë nëse planifikon të kandidojë përsëri.

“Putini ka nevojë për një konfirmim personal të mandatit të tij dhe mungesës së alternativave ndaj tij. Zgjedhjet e të dielës janë një shans tjetër për të, që ai të bindë veten se njerëzit e mbështesin ende”-thotë Tatiana Stanovaja, themeluese e kompanisë së konsulencës politike “R.Politik”.

Pasi kandidatët e mbështetur nga Navalni fituan zgjedhjet për këshillin e një qyteti në Siberi vitin e kaluar, mbështetësit e opozitës planifikuan t’i shndërronin zgjedhjet parlamentare në objektivin e tyre kryesor.

Navalni u arrestua në janar të këtij viti, kur u kthye nga Gjermania, pasi u kurua nga një helmim nga një agjent nervor, për të cilin ai akuzon direkt Putinin.

Por që atëherë, mbështetësit e opozitës që synojnë të shkaktojnë ndryshime përmes zgjedhjeve, kanë parë shuarjen e shpresave të tyre. Disa u ndaluan të mbanin lidhje me Navalnin, kur një gjykatë vendosi në qershor që Fondacioni i tij Anti-Korrupsion, të shpallej një organizatë “ekstremiste”.



Shumë nga aleatët kryesorë të Navalnit janë larguar nga Rusia. Ivan Pavllov, një avokat që e mbrojti në gjyq organizatën e Navalnit, u akuzua për dekonspirimin e informacionit nga një gjyq i mbyllur në lidhje me akuzën për tradhti kundër ish-gazetarit Ivan Safronov.

Edhe ekipi i tij i juristëve u shpërbë në korrik, kur Rusia e mbylli faqen e tyre të internetit, me pretekstin se kishin publikuar informacione nga një organizatë çeke “e padëshirueshme”. “Në Rusi po ndodh aktualisht një spastrim.

LEXO EDHE:  Basha në Kuvendin e PD/ Çdokush do të ketë rrugën e hapur drejt majave të politikës

LEXO EDHE:  Zgjedhjet në Serbi, pjesëmarrje e ulët dhe zhgënjim/ ODIHR kritika në raportin paraprak të misionit vëzhgues

Ky proces ka të bëjë me zgjedhjet, apo me transferimin e pushtetit. Ata po përpiqen të heqin qafe këdo që mund të ketë ndikim tek opinioni publik”- deklaroi Pavllov gjatë një interviste

Goditja është shtrirë edhe tek mediat e pavarura, shpesh të financuara nga grante të dhëna nga organizatat perëndimore. Dhjetëra media dhe stafi i tyre, janë etiketuar si “agjentë të huaj”.

Presioni i regjimit ka prekur edhe zgjedhjet lokale mijëra kilometra larg Moskës.

Kur aktivistja Violeta Grudina u tha miqve të saj në qytetin Murmansk, se donte të kandidonte për këshillin e qytetit, disa njerëz të panjohur shpërndanë fletushka në shkallët e pallatit të saj, duke e akuzuar atë për “çoroditje të fëmijëve”. Më pas plaçkitën dhe shkatërruan zyrën e degës lokale të fondacionit të Navalnit, të cilën Grudina e drejtonte deri pak kohë më parë.

Kur tentoi të regjistrohej si kandidate muajin e kaluar, një gjykatë e urdhëroi Grudinën të izolohej për shkak të koronavirusit, edhe pse ajo tha se ishte shëruar nga një formë e butë e Covid-19, dhe kishte rezultuar negativ në testin e bërë. Grudina nisi një grevë urie, dhe doli nga spitali disa ditë më vonë, ende në kohë për t’u regjistruar në zgjedhje.

Megjithatë ajo u hoq nga lista e kandidatëve, për shkak të lidhjeve të saj të shkuara me Navalnin. “Nëse ata do të donin të më përjashtonin, do ta bënin këtë. Por kjo që ndodhi ishte një shfaqje për njerëzit e tjerë, për t’i treguar banorëve vendas, se si është represioni politik”- thotë Grudina.

Ndërsa Putin si president, është në gjendje të qëndrojë disi mbi grindjet e zyrtarëve, zhgënjimi me standardet e dobëta të jetesës, infrastruktura e shkatërruar dhe korrupsioni i përhapur, ka bërë që rusët e zakonshëm ta drejtojnë zemërimin e tyre ndaj vasalëve të tij. Kremlini i ka detyruar zyrtarët lokalë të marrin përsipër kostot për bllokimet jopopullore dhe fushatat e vaksinimit të detyrueshëm.

“Putini është një pragmatist. Ai e di që disa njerëzve nuk u pëlqejnë mbylljet dhe mbajtja e maskave. Ndaj ai thotë gjërat që pëlqehen”- thotë njeriu që është pranë Putinit. Kandidatët kryesorë të partisë së tij janë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes Sergei Lavrov dhe Sergei Shoigu.

“Putin po përdor Shoigu dhe Lavrov, pasi ata janë ministrat më të njohur. Ata po e mbrojnë atdheun tonë, si në arenën diplomatike ashtu në fushën e betejës nga sulmet hibride”- thotë Andrei Kolesnikov, kreu i programit të politikës së brendshme në Qendrën Karnexhi në Moskë.

Por problemi për Rusinë e Bashkuar, është nëse ndjenja patriotike mund të dalë apo jo mbi problemet e jetës së përditshme. Të ardhurat reale kanë rënë me 11 për qind që kur Rusia aneksoi Krimesë në vitin 2014, ndërsa 20 milionë njerëz – një e shtata e popullsisë – jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Përfituesit më të mundshëm të pakënaqësisë së rusëve janë komunistët, partia e dytë më e madhe në parlament. Ata kundërshtuan rritjen e moshës së pensionit në vitin 2018, dhe ndryshimet kushtetuese të Putinit vitin e kaluar.

Disa nga aktivistët më të rinj të komunistëve po kërkojnë ta sfidojnë Kremlinin në mënyrë direkte, madje duke kopjuar retorikën e Navalnit.

Gjithsesi pakënaqësia sociale në rritje, nuk ka gjasa të përkthehet në humbje për partinë e Putinit. Anketuesi shtetëror “Vtsiom” pret një pjesëmarrje prej rreth 48 për qind, 12 për qind më pak se në vitin vitit 2011. Vëzhguesit e zgjedhjeve janë ankuar se rregullat e reja, do ta bëjnë më të vështirë gjurmimin e shkeljeve të mundshme.

Moska dhe 6 rajone të tjera kanë miratuar votimin në internet, për të cilin kritikët thonë se është në thelb e pamundur të verifikohet. Në pamundësi për të regjistruar kandidatët e tyre, ekipi i Navalnit, po e fokuson strategjinë e tij në një aplikacion të “votimit të zgjuar”, që i nxit mbështetësit të përkrahin kandidatin me shansin më të mirë për të mposhtur partinë Rusia e Bashkuar./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pesë mite mbi luftërat e zhvilluara përmes dronëve

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Lily Hamourtziadou “The Conversation”

Dronët janë shndërruar në simbolin e “luftës kundër terrorizmi” gjatë shekullit XXI-të, veçanërisht nga ushtria amerikane. Arsyetimi bazë që justifikon përdorimin e e dronëve, mbështetet në “saktësinë e tyre kirurgjikale”, e cila supozohet se shpëton shumë jetë në radhët e civilëve.

Por të dhënat na tregojnë se kjo nuk është e vërtetë. Një sulm i fundit me dron nga amerikanët në Kabul të Afganistan, vrau gabimisht punonjësin e ndihmës humanitare, 43-vjeçarin Zemari Ahmadi, bashku me 9 anëtarë të familjes së tij, mes tyre 7 fëmijë.

Teknologjia ushtarake, synon që t’i shkaktojë armiku dëme maksimale, duke minimizuar ndërkohë humbjet tona në njerëz në bazë materiale. Dronët kanë shumë avantazhe në krahasim me avionët e pilotuar, kryesisht për shkak se mbrojnë jetën e atyre që kryejnë sulmet.

Kjo ka krijuar një ndjenjë të rreme sigurie mbi natyrën e luftës, duke sugjeruar se të gjitha konfliktet mund të fitohen nga distanca, me një dëm minimal për civilët, se luftëra të tilla janë “etike” dhe e respektojnë ligjin ndërkombëtar. Por ç’montimi i këtyre miteve, mund të zvogëlojë dëmet ndaj popullsinë e paarmatosur, dhe të zerojë numrin e viktimave nga radhët e civilëve.

Miti nr.1:Bombardon në një mënyrë shumë të saktë

Pilotët e dronëve – pra njerëzit që i përdorin armët nga distancë – presin të shfaqet një objektiv dhe pastaj lëshojnë një raketë drejt tij. Procesi i identifikimit të një objektivi dhe i kryerjes së një sulmi është minimizuar, ndaj pilotët i marrin ndonjëherë vendime serioze aty për aty, pa pasur shumë konfirmime.

Në Irak janë vrarë më shumë se 13.000 civilë nga sulmet me dronë të koalicionit të drejtuar nga SHBA, qëkur ato rifilluan në vitin 2014, në kohën kur Shteti Islamik pushtoi disa zona të Irakut. Deri më 1 gusht 2019, pra për 1.773 ditë në total, nga 14.570 sulme me dron të koalicionit në Irak dhe nga 19.785 sulme në Siri, ishin vrarë deri në 13.000 civilë, nga të cilët 2.300 ishin fëmijë.

Të dhënat nga Misioni i Asistencës së OKB -së në Afganistan, tregojnë se numri i viktimave civile nga sulmet me dronët amerikanë u rrit nga 158 në gjysmën e parë të vitit 2018, në 430 në të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Miti nr.2:Lufta me dronë është etike

Në sulmet me dronë, qëllimi është të vrasësh dhe jo të kapësh armikun. Qenieve njerëzore u mohohet e drejta për t’u dorëzuar. Ata ekzekutohen sepse janë anëtarë të një grupi të përcaktuar si të këqij.

LEXO EDHE:  Zgjedhjet në Serbi, pjesëmarrje e ulët dhe zhgënjim/ ODIHR kritika në raportin paraprak të misionit vëzhgues

LEXO EDHE:  Ndëshkim për Gjermaninë e pabindur



Mendohet se dronët aktivizohen gjatë një situatë delikate, për të shpërblyer shpejt të drejtët, dhe për të ndëshkuar të padrejtët.  Të ekzekutuarit supozohen “fajtorë”, pa arrestim, marrje në pyetje apo ndëshkimin pasues. Vrasja e synuar normalizohet, duke çuar në rritjen e abuzimeve me të drejtat e njeriut.

Miti nr.3:Nëse lufta është e ligjshme, atëherë po e tillë është edhe arma që përdoret

Sipas ligjit ndërkombëtar dhe konventave të Gjenevës, të gjitha palët në konflikt duhet të bëjnë dallimin midis luftëtarëve dhe civilëve. Presidenti amerikan Barak Obama nënshkroi një urdhër ekzekutiv në vitin 2016, për të minimizuar viktimat civile gjatë të gjitha përdorimeve të forcës.

Sipas atij urdhri, përdorimi i dronëve duhej të respektonte ligjin, dhe të mbronte personat e cenueshëm. E megjithatë në Irak, metodat që vranë më shumë civilë, ishin pikërisht sulmet me dronë. Për të mbrojtur civilët nga dëmtimet pa dallim, siç kërkohet nga ligji humanitar ndërkombëtar, politikat ushtarake dhe civile duhet të ndalojnë bombardimet ajrore në zonat civile, përveç nëse mund të vërtetohet se civilët janë të mbrojtur.

Miti nr.4:Dronët janë një triumf i teknologjisë

Sipas një logjike, nëse do të përdoreshin vetëm dronët, luftërat mund të zhvillohen në

vende të largëta, por pa pasur nevojë të dërgohen atje dhjetëra mijëra trupa. Pavarësisht përdorimit në rritje të tyre, dronët nuk u kanë dhënë mundësi ushtrive që të shmangin tërësisht metodat e zakonshme të zhvillimi të luftërave.

Iraku dhe Afganistani nisën si luftëra të teknologjisë së lartë, por evoluan me shpejtësi në kryengritje me një përhapje të gjerë. Në kundërpërgjigje, SHBA dhe aleatët e saj dërguan qindra mijëra trupa në terren, duke shkaktuar shumë viktima, si për vendet e pushtuara  ashtu edhe ato të Perëndimit.

Miti nr.5:Dronët janë efektivë

Ndërsa asnjë sulm në shkallë të gjerë nuk ka ndodhur në territorin e SHBA-së që nga 11 shtatori, qindra mijëra civilë irakianë janë vrarë që nga pushtimi i vitit 2003, si rezultat i sulmeve me dronë dhe i veprimeve të tjera ushtarake. Bombardimet ajrore nuk kanë krijuar shtete paqësore, as nuk e kanë mposhtur ISIS-in, dhe as nuk i kanë parandaluar vdekjet e dhunshme të të pafajshmëve, nuk ka reduktuar konfliktet sektare, dhe as nuk kanë lehtësuar vuajtjet.

Përkundrazi këto luftëra kanë çuar në anarki endemike, eksod masiv të civilëve, vdekje, varfëri dhe breza që jetojnë me traumat e luftës. Ato kanë kontribuar në rritjen e teokracisë dhe xhihadizmit, teksa miliona njerëz janë radikalizuar, zhgënjyer dhe dëshpëruar./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Vrau mbi 300 njerëz/ Kush ishte Xhuzepe Greko, “kasapi” i mafies siçiliane “Cosa Nostra”

Publikuar

-

Nga

cna lajm aktualitet

Megjithëse vdiq në vitin 1985, emri i Xhuzepe Grekos ngjall ende frikë në zemrat e siçilianëve edhe sot e kësaj dite. Kjo pasi ai konsiderohet si një nga vrasësit serialë më të mëdhenj jo vetëm në historinë e Italisë por edhe të botës.

I lindur në vitin 1952 në qytetin e vogël Çiaçuli, Xhuzepe Greko njihej me nofkën “Scarpuzzedda”ose “Këpuca e vogël” në dialektin siçilian. Dihet pak mbi jetën e tij të hershme. Ndërkohë është i mirënjohur fakti që xhaxhai i tij, Mikele Greko ishte kreu i Komisionit të mafias siçiliane “Cosa Nostra”, dhe i njohur me nofkën “Papa” në qarqet e krimit të organizuar.

Mafia ishte një biznes familjar për Grekot. Ruajtja e një profili të ulët, i dha mundësi kësaj familje të miqësohej sa me politikanët po aq dhe me mafiozët. Mikele Greko bëri gjithçka për t’u dukur si një njeri i Zotit, si një lexues i madh i Biblës dhe si një njeri popullor i masave. Por as kjo nuk ishte e mjaftueshme për të shmangur burgun.

Xhuzepe Greko

Me shembullin e dhënë nga xhaxhai i tij, nuk është çudi që Xhuzepe Greko ishte në gjendje të ngrihej shpejt në hierarkinë e mafies siçiliane. Dhe ai fitoi famën e tij gjatë së ashtuquajturës Lufta e Dytë e Mafies.

Në atë kohë Greko u bë i njohur si vrasësi më i madh i mafies i të gjitha kohërave. Ndërsa Amerika ishte ende duke u tronditur nga Lufta e Vietnamit, familjet mafioze siçiliane po përgatiteshin për një luftë të egër midis tyre.

Të udhëhequr nga Salvatore “Toto Rina”, korleonezët, një grupim mafioz që vinte nga qyteza e vogël e Korleones, në afërsi të Palermos, ishin ata që nisën Luftën e Dytë tëMafias në vitin 1978, ndërsa Xhuzepe Greko dhe familja e tij u pozicionuan në anën e tyre.

Në vitin 1970, u formua Komisioni i mafies siçiliane, duke pasur në krye Toto Rinën. Deri në vitin 1978, Komisioni përbëhej nga Rina, Xhuzepe Kalo, Filipo Markeze, Rozario Rikobono dhe Mikele Greko. Ndërkohë në vitin 1981, Komisioni formoi atë që do të njihej si Skuadra e Vdekjes, e cila drejtohej nga Xhuzepe Greko.

I njohur në të gjithë Siçilinë për atentatet e tij me armën AK-47 (kallashnikov), i riu Greko merrte shpesh urdhra nga Rina, por në ndonjë rast edhe nga xhaxhai i tij. Ai drejtoi një skuadër vrasësish ku përfshiheshin Xhuzepe Lukeze, Mario Prestifilipo dhe Xhuzepe Markeze.

Një raport i një komision hetimor të parlamentit italian, përshkruan në detaje aktivitetet e Skuadrës së Vdekjes. Gjatë viteve 1981-1983, të paktën 400 njerëz vdiqën nga dora e mafies vetëm në Palermo, dhe të paktën 400 të tjerë vdiqën në të gjithë Siçilinë me urdhër të Komisionit.




Toto Rina

LEXO EDHE:  Basha: Shteti ka rënë, marrëdhëniet e koalicionit i kontrollon krimi

LEXO EDHE:  Ndëshkim për Gjermaninë e pabindur

Fotografja Leticia Batalja, e cila kaloi pjesën më të madhe të karrierës së saj si fotoreportere duke dokumentuar Luftën e Dytë të Mafias, deklaroi në një rast për britaniken “Daily Mail” se jeta në Siçili u bë shumë brutale.“Ndonjëherë kishte edhe 5 vrasje brenda një dite. Ne nuk kishim përjetuar kurrë më parë një dhunë të tillë. Unë rishoh sot fotot e mia të realizuara në atë kohë, dhe ka vetëm gjak, gjak, gjak”- shprehej ajo.

Xhuzepe Greko cilësohet si fajtor për të paktën 80 nga mijëra vrasjes e Skuadrës së Vdekjes.

Ndër shumë vrasjet e kryera nga Greko, ndoshta më tronditëse ishte vrasja e mafiozit Salvatore Inserilo në Palermo. Në vitin 1980, pasi Inserilo u nda nga korleonezët, Greko e vrau Inserilon në momentin kur ky po shkonte të takonte të dashurën e tij, duke ia copëtuar trupin duke e qëlluar me breshëri të AK-47.

Dhe kur ai mësoi se djali 15-vjeçar i Inserilos ishte betuar për hakmarrje, ai e rrëmbeu këtë të fundit, ia preu njërën dorë, dhe më pas e qëlloi për vdekje në kokë, dhe e shkriu kufomën e tij në acid. Salvatore Rina, u arrestua dhe u nxor para drejtësisë në vitin 1993, pasi i kishte shpëtuar për 23 vjet policisë.

Lufta e Dytë e Mafias ndryshonte nga e para, pasi këtë herë korleonezët e udhëhequr nga Rina i shpallën posaçërisht luftë shtetit italian. Para ngjitjes së Rinës në krye të “Cosa Nostra”, mafia vriste shumë rrallë përfaqësuesit e shtetit, vetëm atëherë kur nuk shihte rrugë tjetër.

Por falë ndikimit të Rinës, ajo mbetet edhe sot e kësaj dite një taktikë e zakonshme. Ndërkohë, korleonezët nuk vranë vetëm armiqtë por edhe aleatët e tyre. Në vitin 1983, Rina urdhëroi vrasjen e Filipo Markezes dhe Rozario Rikobonos, të cilët e kishin humbur besimin e tij.

Madje Xhuzepe Greko dhe grupi i tij u dërguan të vrisnin vëllezërit e një anëtari tjetër të Skuadrës së Vdekjes, Vincent Puçio, për të provuar besnikërinë e këtij të fundit ndaj Rinës.

Por në fund, do ta pësonte edhe vetë Greko. Ndonëse data e tij e saktë e vdekjes mbetet e panjohur, mafiozët e penduar, dëshmuan më vonë se Rina urdhëroi vrasjen e Xhuzepe Grekos menjëherë pas vdekjes së hetuesit Antonino Kasara.

Rina ishte e shqetësuar se Greko po bëhej “shumë ambicioz”. Ai urdhëroi që trupi i vrasësit të tij më të besuar të shpërbëhej në acid, duke i siguruar “Scarpuzzedda-s” të njëjtin fund qëai u kishte shkaktuar dhjetëra viktimave të tij. Vetë Rina u shpall fajtor për dhjetëra vrasje, dhe mori 26 dënime të përjetshme me burg./ allthatsinteresting–Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE