LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Bjellorusi/ NATO-ja hedh poshtë akuzat e presidentit Lukashenko për shtim të pranisë ushtarake

16 Gusht 2020, 15:29, Kosova & Bota CNA
Bjellorusi/ NATO-ja hedh poshtë akuzat e presidentit Lukashenko për

NATO-ja hodhi poshtë të dielën akuzat e Presidentit të Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko se po përforconte forcat ushtarake afër kufirit perëndimor të vendit, por tha se po e vëzhgon nga afër situatën në vend.

Presidenti Lukashenko ishte shprehur më parë se tanket dhe avionët e NATO-s janë vendosur 15 minuta larg kufirit të Bjellorusisë.

Një zëdhënëse e NATO-s tha në një deklaratë: “Nuk ka shtim të forcave të NATO-s në rajon. Prania shumëkombëshe e NATO-s në pjesën lindore të Aleancës nuk është kërcënim për asnjë vend. Ajo është rreptësisht mbrojtëse, proporcionale dhe me synimin për të parandaluar konfliktin e për të ruajtur paqen.?

Zëdhënësja i bëri thirrje Bjellorusisë të respektojë liritë themelore, përfshirë të drejtën për protesta paqësore.

Fqinjët perëndimorë të Bjellorusisë, Polonia, Lituania dhe Letonia janë anëtare të NATO-s. Aleanca dërgoi katër grupe luftarake në këto vende si dhe në Estoni për të parandaluar inkursionet e mundshme ruse, pas aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Numri i trupave në këto grupe të gatshme luftarake, të udhëhequra nga Britania, Kanadaja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, është rreth 5,000.

Të shtunën, Polonia nënshkroi një pakt mbrojtjeje të përbashkët me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo, në bazën të të cilit Shtetet e Bashkuara do të shtojnë numrin e trupave në Poloni.

Marrëveshja përfshin trajnimin e forcave polake në aspektin e zbulimit dhe komandës, dhe një rritje të mundshme të shpejtë në praninë e atjeshme ushtarake të SHBA me deri në 20 mijë trupa, në rast të shtimit të kërcënimit.

Rusia ka thënë se nuk ka synime për të sulmuar NATO-n dhe e akuzon aleancën për destabilizim të Evropës.

I pyetur nëse në ditët e ardhshme mund të zhvillohet një takim i jashtëzakonshëm i ambasadorëve të NATO-s për të diskutuar situatën në Bjellorusi, ambasadori i Lituanisë pranë Aleancës tha se për momentin nuk kishte plane të tilla.

Ndërkohë, Rusia njofton se i ka deklaruar udhëheqësit të Bjellorusisë gatishmërinë për t?i ofruar ndihmë ushtarake nëse është e nevojshme.

Të dielën, demonstruesit u mblodhën në kryeqytetin Misk për të zhvilluar atë që pritet të jetë njëra nga protestat më të mëdha kundër rizgjedhjes së Lukashenkos.

Të paktën dy protestues janë vrarë dhe mijëra janë arrestuar që nga zgjedhjet e së dielës së kaluar, për të cilat kundërshtarët e Lukashenkos thonë se ishin të manipuluara për të maskuar faktin se ai ka humbur mbështetjen e popullit pas 26 vjetësh në pushtet.

Në kryeqytet sot masat e sigurisë ishin të rrepta. Për herë të parë pas zgjedhjeve, mbështetësit e Lukashenkos u mblodhën në qendër të qytetit për të shprehur mbështetjen e tyre në të njëjtin vend ku do të mbahej protesta e pasditës. Udhëheqësi 65-vjeçar Lukashenko pretendon se ekziston një komplot i mbështetur nga të huajt për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Bashkimi Evropian po përgatitet të vendosë sanksione të reja kundër Bjellorusisë, si përgjigje ndaj goditjes së saj të dhunshme ndaj protestave. Protestuesit nuk kanë shfaqur shenja se do të tërhiqen./VOA

Lajmet e fundit nga