LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pandemia dhe tërmeti ulën investimet private në ekonomi me 17% në 3-mujorin e parë

14 Gusht 2020, 06:52, Ekonomi CNA
Pandemia dhe tërmeti ulën investimet private në ekonomi me 17%

Pas rënies me 10.7% në tremujorin e katërt të vitit 2019, investimet totale në ekonomi thelluan tkurrjen me 16.7% në tremujorin e parë të këtij viti për shkak të rritjes së pasigurisë lidhur me tërmetin dhe pandeminë.

Banka e Shqipërisë analizoi se këto dy ngjarje ndikuan në aktivitetin investues privat, ndërsa investimet publike dhanë një kontribut të ulët pozitiv.

Vlera e shtuar në ndërtim ra me 16.7% në tremujorin e parë dhe importi i mallrave kapitale u zvogëlua me 19%, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. Paralelisht me to, edhe rënia e investimeve në gazsjellësin TAP ka dhënë ndikim në dinamikën rënëse gjatë tremujorit të parë.

Situata e përkeqësuar e ekonomisë globale, niveli i lartë i pasigurisë dhe rënia e kërkesës konsumatorë, kanë ndikuar negativisht në vendimet e bizneseve për të kryer investime të reja gjatë tremujorit të dytë.

Tregues sasiorë dhe të dhënat nga vrojtimet e besimit sugjerojnë rënie të theksuar të investimeve private në tremujorin e dytë, ndonëse investimet publike pritet të rriten në këtë tremujor.

Për sa u përket firmave, rënia e investimeve dhe aktivitetit prodhues ndikon të ardhurat dhe fitimet që gjeneron biznesi. Kjo ndikon zhvillimet e ardhshme në dy drejtim analizon Banka e Shqipërisë:

Së pari, rënia e fitimeve dhe përkeqësimi i perspektivës së biznesit përkthehen në norma më të ulëta investuese. Kjo ndikon normën e akumulimit të stokut të kapitalit në të ardhmen.

Së dyti, krizat afatgjata çojnë në frenim dhe tkurrje të shpenzimeve që lidhen me kërkimin dhe zhvillimin. Rezultati është një produktivitet më i ulët në kushtet e rimëkëmbjes.

Të gjitha këto përkthehen në norma më të ulëta të prodhimit potencial dhe rritjes potenciale. Banka analizon se në kushtet e krizës aktuale nga pandemia Covid-19, premisat e një goditjeje afatgjatë janë gjithnjë e më evidente.

Mbyllja e kufijve, kufizimi i aktivitetit ekonomik dhe i lëvizjes së njerëzve brenda dhe jashtë territoreve shtetërore kanë prekur çdo vend të botës. Nëse periudha e pandemisë do të rezultojë më e gjatë, mundësia që kriza të prekë ecurinë strukturore të ekonomisë, duke e shtyrë atë drejt një ekuilibri të ri, është më e lartë./Monitor

Lajmet e fundit nga