LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

PD: Për 3 vjet Edi Rama ka paguar 147 mln euro për punësimet elektorale

12 Gusht 2020, 10:26, Politikë CNA
PD: Për 3 vjet Edi Rama ka paguar 147 mln euro për punësimet

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi denoncoi nga Selia Blu, pasojat e keqqeverisjes nga Edi Rama. Sipas saj, që nga 2017, Edi Rama ka paguar 147 milionë euro për punësimet elektorale.

Çupi tha se janë zbardhur mbi 13 mijë kontrata të përkohshme, që kushtojnë 55 milionë euro.

“Shqipëria po vuan sot pasojat e keqqeverisjes nga Edi Rama. Kryeministri në ikje nuk ka menduar të investojë për shëndetësinë, për arsimin, për hapjen e vendeve të reja të punës, por për të blerë vota me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sot, vendi është më keq, qeveria nuk jep parà për biznesin e vogël në vështirësi të jashtëzakonshme, sepse paratë shkojnë për të paguar militantët partiakë.

Edi Rama ka paguar një mal me para për të punësuar në shtet me kontrata të përkohshme mbi 13 mijë persona që nga viti 2017, duke e shndërruar administratën në një degë të partisë në pushtet.

Me firmën e tij, qeveria e Edi Ramës i ka miratuar këto kontrata përmes 23 vendimeve, duke nxjerrë nga arka e shtetit rreth 55 milionë euro për punësimet elektorale.

Një ditë më parë, ne hodhëm dritë mbi punësimet elektorale në pushtetin lokal, ku për 8100 persona të punësuar shtesë nga bashkitë, janë paguar edhe 92 milionë euro të tjera në 2 vjet.

Llogaritë elektorale të Edi Ramës janë një barrë e rëndë për arkën e shtetit dhe për qytetarët e vendit më të varfër të Europës.

Janë 147 milionë euro të shpenzuara vetëm 3 vitet e fundit për mbi 21 mijë punësimet elektorale të Edi Ramës në qeverinë qendrore dhe lokale. Janë 147 milionë euro të cilat kanë shkuar për paga partiake dhe elektorale. Janë më shumë para sesa Edi Rama dha për përballimin e pandemisë me paketat e tij gjysmake.

Kryeministri në ikje e ka bërë zgjedhjen e tij. Më paratë e shqiptarëve nga taksat e rritura, ai paguan oligarkët me koncesione 120 milionë euro në vit, paguan dhe punësimet partiake, plot 147 milionë euro”, tha Çupi ndër të tjera. /CNA.al

 

Lajmet e fundit nga