Në 21 janar të vitit 2011, opozita e atëhershme e drejtuar nga Edi Rama organizoi një protestë, demostratë, do ta quante kryeminstri sot.
Mijëra njerëz u vërsulën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ngjarje të dhunshme, policia u masakrua nga protestuesit, pas komandave politike të dhëna nga drejtuesit e partisë. Më pas forcat e Gardës vrasin në mënyrë tragjike katër persona të pafajshëm.
Përgjegjësi dhe oragnizatori i parë ishte Edi Rama. 10 vite më pare i çoi njerëzit atje , i la në Bulevard dhe iku me vrap, nuk qendroi në krye të turmës, nuk doli të mbronte njerëzit e tij po iku në fund. I lejoi të përplaseshin dhe për gati 5-6 orë të ushtrohej dhunë e pandalur nga turma mbi policinë dhe më pas nga policia mbi turmën.
Edi Rama sot është kryeministër i Shqipërisë, sot pas 10 vitesh nuk ka drejtësi në vend. Pra, ai mori atë që deshi, pushtetin! U bë kryeministër dhe nuk mbolli drejtësi, mirëqënie apo zhvillim siç u premtoi mbështetësve të tij në atë kohë, por mbolli korrupsion dhe PPP të cilat i solli pas aleancës me Ilir Metën.
Ilir Meta në atë kohë ishte ministër i Ekonomisë, zuri vendin e Dritan Priftit ndërkohë që do të publikohej video e famshme 700 mijë eurove për Gimin, një videopërgjim i bërë nga Dritan Prifti ndaj Ilir Metës.
Një video që tregonte jo pak sesi funksionin strukturat e LSI, kreu i saj, ministrat dhe ku kishte katandisur shteti shqiptar. Video solli një reagim të ashpër nga Ilir Meta i cili e quajti Edi Ramën kreun e sektit të spiunave, përdorues droge e të tjera si këto, por çdo akuzë e harroi.
Njerëzit në fakt Edi Rama i nxorri në protestë për bllokun e Ilir Metës, por edhe Rama e harroi bllokun e Metës. Të dy bashkë bënë aleancë pas gati dy vitesh dhe erdhën në pushtet duke marrë gati 1 milion vota, mbi gjakun e të vrarëve, mbi bllokun e 21 janarit, mbi çimkat mbi spiunët.
Dhe ja ku jemi sot, Ilir Meta është president i zgjedhur nga socialistët, nga ata që dolën në protestë për bllokun e Ilir Metës, e votuan e bënë president dhe sot Ilir Meta kërkon t’i rrëzojë nga pushteti dhe me kë?
LEXO EDHE: Nga Mentor Kikia/ Kur budallallëku sfidon edhe virusin edhe shkencën!
Lulzim Basha, minister i Brendshëm i 21 janarit, njeriu që për orë dhe ditë të tëra nuk doli nga shtëpia. Ishte i trembur, thonë që ishte lagur, u dorëzua në zyrën e ish ministrit të Brendshëm, në atë kohë ministër Transportesh, Sokol Olldashi. Rrinte i trembur dhe dridhej, ishte i zverdhur, i llahtarisur, ishte njeriu përgjegjës i trupës policore që kishte vrarë katër persona, katër viktima të pafajshme, mbështetës të Partisë Socialiste që kishin dalë për të kërkuar bllokun e Ilir Metës dhe ishin vrarë në bulevard gjatë kohës që Basha ishte ministër i Brendshëm dhe drejtonte Gardën e Republikës.
Sot, Lulzim Basha është në opozitë, ka marrë Ilir Metën bashkë me bllokun e tij dhe partinë e tij dhe kërkon të vijë në pushtet për të rrëzuar Edi Ramën, atë që erdhi në pushtet pikërisht me bllokun e Ilir Metës dhe gjakun e katër të vrarëve.
Gjakun e tyre e ka edhe Lulzim Basha i cili këtë herë kërkon që ta përdorë ashtu si Rama për të ardhur në pushtet, por ndryshe, duke marrë atë për të cilin njerëzit shkuan të protestonin, Ilir Metën, i cili sot është presidenti i zgjedhur nga socialistët dhe me Lulzim Bashën i cili ishte minister i Brendshëm i 21 janarit kërkojnë të vijnë në pushtet.
Ky është 21 janari i 10 viteve me parë, ky është 21 janari i sotëm ku Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha i kanë të tre duar të lyera me gjak.
Njerëzit protestuan për Ilir Metën, i organizoi Edi Rama dhe ministër i brendshëm, Edi Rama më pas mori Ilir Metën dhe qeveri katër vite dhe tani Metën e merr Lulzim Basha, por rrugës Rama dhe Basha qeverisin edhe bashkë. E pra, këta janë ata të tre të zhytyr në gjakun e viktimave të 21 janarit, një ngjarje e cila ende nuk i ka përgjegjësit në karrigen e drejtësisë, atje ku nuk do të qetësoheshin vetëm shpirtrat e familjarëve të tyre, por ndoshta do të fillonte një epokë e re në politikën shqiptare. Kjo epokë nuk fillon sepse Rama nuk e do drejtësinë e sotme sepse ka frikë për drejtësinë ndaj tij, nesër./Elvi FUNDO-CNA.al