LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Komisioneri Publik kundër KPK/ Ankimon në KPA vendimin për dy gjyqtare

11 Gusht 2020, 13:09, Vetingu CNA
Komisioneri Publik kundër KPK/ Ankimon në KPA vendimin për dy

Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese vendimin e KPK për të konfirmuar në detyrë subjektin e rivlerësimit, znj. Valdete Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë dhe subjektin e rivlerësimit, znj. Etleva Deda, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 269, datë 1.7.2020, konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Valdete Hoxha, janë rrjedhojë e një vlerësimi jo të drejtë të provave dhe të një hetimi jo të plotë dhe shterues administrativ.

Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor për të tria kriteret e rivlerësimit, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit për subjektin e rivlerësimit, znj. Etleva Deda, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Komisioneri Publik vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe, për rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 256, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Etleva Deda./CNA.al

Lajmet e fundit nga