LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Probleme me pasurinë/ Ngec në sitën e vettingut gjyqtari që shpëtoi Dritan Dajtin

10 Gusht 2020, 07:06, Vetingu CNA
Probleme me pasurinë/ Ngec në sitën e vettingut gjyqtari që

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqatrin, Aleks Nikolli.

Në një seancë maratonë prej 8 orësh, gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Aleks Nikolli u përball të enjten me probleme të shumta të pasurisë, të cilat i kundërshtoi në parashtrimet e tij.

Në vitin 2019, Nikolli u vu nën hetim për korrupsion nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, si një nga tre gjyqtarët që vendosi zbutjen e dënimit të Dritan Dajtit- i dënuar për vrasjen e 4 policëve, Dëshmorë të Atdheut.

Megjithatë, procesi i vetingut për të u mbyll vetëm me kriterin e pasurisë. Nikolli kërkoi dorëzimin e provave të reja dhe riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera, profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës. ?Nuk ka pse seanca të zhvillohet vetëm më një kriter. Është jo vetëm paragjykim, por edhe nuk jepet e drejta të trajtohet gjithë kontributi im në aspektin profesional?, tha Nikolli.

Trupi gjykues i KPK u tërhoq dhe vendosi që të administrojë provat e paraqitura nga Nikolli, ndërsa për kërkesën për riçelje të hetimit për dy kriteret e tjerë, Bekteshi tha se do të vlerësohej pas seancës dëgjimore dhe para vendimit përfundimtar.

Mungesë burimesh për shtëpinë në fshat

Komisioni konstatoi pamundësi financiare për ndërtimin e një shtëpie trekatëshe në fshatin Ishull Shëngjin të Lezhës, ku gjyqtari Aleksi rezulton si pronar i katit të dytë me sipërfaqe 147.8 m2. Relatori Komici tha se shtëpia është ndërtuar me leje ndërtimore në vitet 2003-2004, në një tokë me sipërfaqe 1000 m2 të blerë në vitin 2001, ku më parë gjendej një shtëpi e vjetër që është shembur. Në preventiv vlera e ndërtimit përcaktohet në shumën 9.7 milionë lekë dhe të gjitha veprimet rezulton të jenë kryer nga gjyqtari Aleks Nikolli, i cili fillimisht ka rezultuar si pronar i gjithë objektit dhe tokës.

Në vitin 2012, subjekti ka nënshkruar kontratë-shitblerje me vëllanë K.Nikolli duke i shitur katin përdhes dhe katin e dytë të banimit për vlerën 200 mijë lekë, ndërsa ka mbajtur vetë katin e parë të banimit, që është kati i dytë i ndërtesës. Gjithashtu është ndarë edhe toka në mënyrë të barabartë. Komisioni ngriti dyshime për kryerje të veprimeve fiktive në kontratën e shitjes. ?Është i dyshimtë fakti se subjekti, edhe pse nuk ka kontribut përfiton një pjesë të pasurisë. Duket se ka veprime fiktive në përcaktimin e çmimit të shitjes të deklaruar nga vetë subjekti,? tha Komici.

Ai shtoi se subjekti ka pasqyruar si burim krijimi të kësaj pasurie të ardhurat e dy vëllezërve K. dhe L. Nikolli nga puna në Greqi prej vitit 1992-1999 dhe në Britaninë e Madhe, prej vitit 1998 deri në vitin 2004. Sipas shpjegimeve që gjyqtari Nikolli dha gjatë seancës dëgjimore, vlera më e madhe e investimit të kryer në këtë shtëpi ishte kryer nga vëllai K.Nikolli, ndërkohë që L.Nikolli kishte kontribuar me një vlerë rreth 5000 paund. Sipas Komicit, Nikolli ka shpjeguar se nuk ka kryer akt-dhurimi, por ka kryer kontatë shit-blerje, për të shmangur pagesën e detyrimeve të padreja në rastin e kthimit të pronës vëllait K.Nikolli.

Ai ka shtuar se nuk ka arritur të sigurojë dokumentacion provues për të ardhurat e siguruara nga puna e vëllezërve në Greqi. Për të provuar burimin e vlerës 5000 paund të investuar nga L.Nikolli ai ka depozituar dokumentacion të bankave dhe të autoriteteve publike britanike, por Komisioni konstaton se familja e vëllait nuk ka pasur mundësi për mbulimin e shpenzimeve jetike. Ndërkohë, vëllai tjetër K.Nikolli ka pasur mundësi të kursejë 36 mijë paund nga puna në Mbretërinë e Bashkuar për periudhën 2000-2003.

Ashtu si gjatë shpjegimeve të dhëna për Komisionin, edhe në seancën dëgjimore gjyqtari Nikolli tha se kontributi i tij financiar në ndërtimin e kësaj shtëpie ishte i papërfillshëm, ndërsa ai ishte kujdesur për kryerjen e gjithë veprimeve, pasi ishte i vetmi fëmijë në moshë madhore që kishte zgjedhur të jetonte në Shqipëri. Kjo sipas tij, kishte qenë arsyeja që vëllai K.Nikolli I kishte dhënë një kat.

Nikolli theksoi se ndërtimi i objektit tre katësh kishte përfunduar brenda vitit 2003, para fillimit të detyrës së tij si gjyqtar. Ai përmendi në seancë vuajtjet e vëllezërve kur u duhej të iknin maleve për të emigruar ne Greqi, si edhe me gomone për të mbërritur në Itali e më pas në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Nikollit, në kohën kur vëllezërit e tij kishin emigruar në Greqi, punëdhënësit në sektorin e bujqësisë nuk paguanin sigurime dhe kontribute për emigrantët shqiptarë dhe se ishte e pamundur të gjendeshin dokumente.

Komici tha se nga analiza financiare është konkluduar balancë negative në vlerën 6.2 milionë lekë për ndërtimin e kësaj shtëpie. Gjyqtari Aleks Nikolli i kundërshtoi gjejtet e Komisionit në parashtrimet e tij.

?U duk sikur kam një mal me pasuri të pajustifikuara. Pasuria ime e vetme është apartamenti në Ishull Shëngjin. Nuk është as gjiri i Lalëzit dhe as Kakomeja, por është një fshat bujqësor dhe banesa është ndërtuar para se të isha gjyqtar. Kam jetuar për një kohë të gjatë aty. Ndërkohë kam edhe një kontratë porosie për një apartament në Tiranë që duhet të më dorëzohet në vitin 2023. Kam bërë një jetë modeste për shkak të qasjes sime dhe të mundësive,? tha ai.

Relatori Komici e pyeti gjyqtarin Nikolli se bazuar nga sa kishte deklaruar, nëse leja ishte dhënë në gusht 2003, a kishte mundësi që objekti trekatësh të ishte përfunduar për 1 muaj e 12 ditë, ashtu si pretendohej. Nikolli pohoi se nuk mund të thoshte nëse punimet kishin nisur fiks më datë 6 gusht kur ishte dhënë leja, pasi leja zhvillimore ishte nxjerrë në muajin shkurt dhe mund të kishin nisur përgatitjet. Ai këmbënguli se objekti ishte përfunduar thuajse i plotë në shtator të vitit 2003 dhe se kati i parë ishte krejtësisht i përfunduar, gjë që sipas tij provohej me video.

Shtëpia e vëllait në hua-përdorim

Komisioni ngriti dyshime për një kontatë huapërdorjeje reciproke mes gjyqtarit Aleks Nikolli dhe vëllait të tij L.Nikolli që jeton në Mbretërinë e Bashkuar prej më shumë se dy dekadash, lidhur me një apartament të këtij fundit në qytetin e Lezhës dhe shtëpisë së subjektit dhe tokës në fshatin Ishull-Lezhë. Komisioni ka verifikuar mundësinë e vëllait të gjyqtarit Aleksi për blerjen dhe investimin në banesën në Lezhë që përbëhet nga apartamenti ekzistues me sipërfaqe 82 m2 dhe dy shtesa me sipërfaqe 68 m2 dhe 78.6 m2. Apartamenti ekzistues me sipërfaqe 82 m2 është blerë për vlerën 7 milionë lekë, ndërsa për ndërtimin e dy shtesave shpenzimet janë deklaruar në shumën 5 milionë lekë.

Komisioni konstaton mospërputhje të deklarimit të gjyqtarit Nikolli lidhur me nisjen e punimeve për shtesat. Sipas dokumentacionit të procedurës së legalizimit, babai ka aplikuar një herë në vitin 2006 dhe një herë në 2013 ? ndërsa subjekti ka shpjeguar se shtesat kanë nisur të ndërtohen në vitin 2011 kur është blerë apartamenti. Nikolli shpjegoi para Komisionit se shënimi i vitit 2006 mund të jetë ndonjë gabim, pasi vëllai e ka blerë shtëpinë në vitin 2011 dhe se babai me të vëllanë nuk mund të ndërtonin në shtëpinë e dikujt tjetër.

Ndërsa me kontratë dhurimi të vitit 2016, babai i ka kaluar dy shtesat në pronësi të djalit që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, L.Nikolli. Sipas relatorit Komici, nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se L.Nikolli nuk ka hyrje-dalje në Shqipëri në vitin 2016, kur është kryer dhurimi nga babai, ndërsa bashkëshortja rezulton të ketë ardhur. Nikolli tha në seancë se vëllai kishte ndryshuar pasaportën dhe ndoshta kjo ishte arsyeja përse nuk figuronte në TIMS. Ai tha se kishte dorëzuar foto të pasaportës që vërtetonin se ai kishte ardhur në Shqipëri në vitin 2016.

Si burime krijimi të kësaj pasurie nga vëllai, gjyqtari Nikolla ka deklaruar dy depozita që kanë qenë në emër të nënës në vlerat 20 mijë dhe 40 mijë paund, që sipas tij janë të kursimet e vëllait L.Nikolli nga puna e tij dhe e bashkëshortes në Mbretërinë e Bashkuar, si edhe të ardhura të tjera që jep shteti anglez në formë ndihme. Komisioni konstaton pamundësi të krijimit të depozitave dhe ngre dyshime për pronësinë e apartamentit dhe të dy shtesave. ?Duket e dyshimtë që vëllai L.Nikolli dhe bashkëshortja e tij të kenë shpenzuar 12.2 milionë lekë në qytetin e Lezhës dhe ta ndërrojnë me një apartament në Ishull Lezhë, ndërkohë që jetojnë gjithë kohës në Angli,? tha Komici.

Nikolli këmbënguli se vëllai L.Nikolli kishte siguruar të ardhura të shumta nga puna në emigrim në Greqi dhe në Angli që prej vitit 1991 e në vazhdim. ?Atë bilanc negativ nuk e rrok mendja. Nuk fokusohen pasuritë e mia, por pasuritë e vëllezërve, një pjesë e të cilëve janë ndërtuar para se të isha gjyqtar,? tha Nikolli gjatë seancës dëgjimore. Sipas gjyqtarit Nikolli, vëllai ka patur të ardhura shumë më të mëdha nga investimi i kryer për blerjen e apartamentit, që ishin përfituar nga puna e tij dhe e bashkëshortes, si edhe ndihma që jep shteti anglez për të pasur një jetë dinjitoze. Sipas Nikollës, për të ardhurat e familjes së vëllait kishte depozituar dokumentacion të mjaftueshëm.

Ai vijoi se kjo kontratë huapërdorje nuk mund të ishte pjesë e procesit të rivlerësimit, pasi nuk ishte përcaktuar në legjislacion një gjë e tillë. ?Kjo është kontratë e dyanshme, si shkëmbimi në natyrë. Huapërdorja reciproke është kontratë shkëmbimi dhe këtu nuk ka përfitim,? tha Nikolli.

Shitja 3-fish e dyqanit

Komisioni ngre dyshime për veprime fiktive lidhur me blerjen dhe shitjen e një njësie shërbimi 12 m2 në qytetin e Lezhës,. Nga hetimi ka rezutuar se Nikolli e ka blerë këtë pasuri në vitin 2008 për vlerën 1.2 milionë lekë dhe i?a ka shitur në shumën 3.2 milionë lekë vjehrrit të ardhshëm në vitin 2009. Sipas Komicit, subjekti ka shpjeguar se shitësi kishte pasur nevojë për gjendje cash brenda një kohe të shkurtër. Në këto kushte, ai kishte arritur ta blinte për vlerën 1.2 milionë lekë. Gjithashtu, ai ka sqaruar se kishte mësuar në rrugë informale se një ndërtesë pa leje që ishte aty pranë do të prishej dhe njësisë së shërbimit për blerjen e të cilës po negocionte, do t?i rritej vlera.

Për çmimin e shitjes, ai sqaroi se ishte dakordësuar pas këmbënguljes së vazhdueshme të blerësit që në atë kohë nuk e dinte se ishte babai i gruas me të cilën do të lidhte kurorë. Edhe gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Nikolli këmbënguli se vjehrri dhe vjehrra e tij kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për kursimin e vlerës 3.2 milionë lekë, që shërbeu për blerjen e pronës së tij. Sipas tij, vjehrra ka qenë e regjistruar që prej vitit 1992 si person fizik dhe se ka qenë nga të vetmet që paguante detyrimet rregullisht.

Ai tha se kishte dorëzuar dokumentacion edhe për të ardhurat e siguruara nga vjehrri nga shfrytëzimi i tokës në shumën 2.5 milionë lekë. Si prova, Nikolli ka depozituar në KPK dokumentacion të kompanisë që ka blerë prodhimet bujqësore të fermës së vjehrrit. Megjithatë, Komisioni ka llogaritur pamundësi financiare për blerjen e kësaj prone nga vjehrrit e gjyqtarit në vlerën 1.9 milionë lekë. KPK konstaton se njësia e shërbimit nuk është shfrytëzuar dhe se hyrja qëndron sërish në pjesën e prapme të pallatit. Komici tha se blerja e kësaj prone tri herë më shumë nga çmimi me të cilin e ka përfituar shitësi dhe mosshfrytëzimi i saj nuk ka logjikë ekonomike.

?Për dyqanin 12 m2 jam në situatë të ligjshmërisë ekstreme. Nëse do vuaj pasoja për shkak të ligjshmërisë time, atëherë le të vuaj,? pohoi Nikolli.

Ai sqaroi se dyshimet e Komisionit për çmim fiktiv në shitjen e njësisë së shërbimit mund të bënin sens nëse vjehrri do të kishte qenë familje e varfër dhe nuk do të kishte pasur mundësi të kursente vlerën 3.2 milionë lekë.

?Ata kanë patur mundësi, ndërkohë që me bashkëshorten lidhëm kurorë 1 vit më vonë?, tha Nikolli.

Kontrata e anuluar

Komisioni ngre probleme lidhur me një kontratë porosie të vitit 2014 për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe të përgjithshme 124.9 m2 në Yzberisht, për vlerën 5.2 milionë lekë. Në kontratën e porosisë parashikohej që apartamenti do të dorëzohej në vitin 2017, por disa muaj më vonë është anuluar dhe firma ndërtuese i ka kthyer gjyqtarit Nikolla vlerën e paguar dhe penalitet në shumën 1 milion e 250 mijë lekë.

Sipas relatorit Komici, duket se subjekti ka përfituar çmim preferencial në këtë kontratë sipërmarrje dhe se nuk e ka deklaruar një gjë të tillë. Ai shtoi se në kontratën e porosisë nuk ishte përcaktuar që të paguhej penalitet në rastin e mosdorëzimit të apartamentit në kohën e duhur. Nikolli ka shpjeguar se kontrata ishte shitur për shkak të qëndrimeve jo korrekte të ndërtuesit, që në kohën kur duhej t?ia dorëzonte apartamentin, kishte vendosur aty një familje tjetër me qira.

Gjatë pyetjeve nga Komisioni, Komici u ndal në faktin se për një periudhë 9 mujore, Nikolli kishte përfituar si penalitet vlerën 1.2 milionë pas anulimit të kontratës së pasurisë, që sipas tij nuk justifikohej edhe me rastin më të mirë të lëshimit të këtij apartamenti me qira.

?Unë mund të jem tolerant, por si mund të toleroj të përfitojë djersën time një firmë ndërtimi,? pohoi Nikolli duke shpjeguar se apartamenti në kohën kur u kthyen lekët e kishte vlerën 6.2 milionë lekë dhe se ajo vlerë ishte marrë pjesë-pjesë.

Komisioni konstatoi pamundësi të gjyqtarit Nikolli për blerjen e një sipërfaqe toke bujqësore në vitin 2009 për shumën 620 mijë lekë, e rivlerësuaar për çmimin 5 milionë lekë. Nga analiza financiare ka rezultuar se Nikolli dispononte vlerën 200 mijë lekë të deklaruar si kursime të tij, por ka rezultuar se burimi tjetër, një hua në shumën 420 mijë lekë e marrë nga një prej vëllezërve, nuk mbulohej në shumën 170 mijë lekë.

Në seancën publike u referuan edhe probleme në blerjen e një automjeti si dhe mosdeklarimin prej tij të përdorimit të makinës së vëllait gjatë viteve 2015-2016. Gjithashtu, u relatua se subjekti nuk ka deklaruar edhe përdorimin e një automjeti tip ?Suzuki Vitara? të lënë në përdorim me prokurë të posaçme nga një shtetas, për të cilin Nikolli ka thënë se e ka njohur rastësisht tek servisi i vëllait.

Komisioni konstaton se Nikolli ka pasur në emër të tij një depozitë në vlerën 15 mijë paund, për të cilën ka deklaruar se janë të ardhura të vëllezërve. Pas maturimit të depozitës një vit më vonë, vlera 15.200 paund është tërhequr nga Nikolli, ndërsa ai pretendoi se këto para ia ka kthyer të vëllait./CNA.al

 

 

Lajmet e fundit nga