Connect with Us

“Vdekja” e qytetit/ Puna nga shtëpia po e nxjerr “jashtë mode” jetesën urbane

Blog

“Vdekja” e qytetit/ Puna nga shtëpia po e nxjerr “jashtë mode” jetesën urbane

Publikuar

-

“Vdekja” e qytetit/ Puna nga shtëpia po e nxjerr “jashtë mode” jetesën urbane

Nga Aitor Hernandez-Morales, Kalina Oroschakoff & Jacopo Barigazzi

Rreth 700 vjet më parë, qyteti i Sienës në rajonin e Toskanës në Itali, ishte një qendër e fuqishme bankare dhe proto-industriale e populluar nga mbi 50.000 banorë, një shifër që në atë kohë tejkalohej vetëm nga “mega-qytetet” mesjetare si Parisi, Londra dhe Milano.

Por në vitin 1348, kur qyteti i lulëzuar ishte në kulmin e epokës e tij të artë, gjithçka u përmbys befas nga papritur nga pandemia e “Vdekjs së Zezë”.

Në vetëm disa vjet, qyteti humbi 60 për qind të popullsisë së tij, dhe nisi një rënie të pandalshme. Ajo e rifitoi vetëm në shekullin e XX-të madhësinë që kishte para pandemisë.

Covid-19 nuk është po aq vdekjeprurës sa murtaja bubonike e Mesjetës.

Por trazirat sociale dhe ekonomike të shkaktuara prej saj, kanë lënë që tani shenjat të dukshme fizike në qytete moderne në Evropë:Qendrat e biznesit dikur të mbipopulluara, tashmë janë të zbrazëta, ndërsa njerëzit po zgjedhin të punojnë nga shtëpia.

Dyqanet dhe restorantet janë mbyllur. Transporti publik është reduktuar. Ka ndërkohë arsye të besohet se kjo pandemi, mund të ketë një ndikim edhe më të qëndrueshëm se sa paraardhëset e saj. Për herë të parë qëkur u shfaqën qytetet e para në botë rreth 6.000 vjet më parë, qendrat urbane nuk e kanë më monopolin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore.

Për shumë punëtorë të frikësuar nga koronavirusi – por edhe për punëdhënësit që synojnë të ulin kostot për shkak të krizës ekonomike së shkaktuar – teknologjitë si video-konferencat, dokumentet e përbashkëta dhe mesazhet e menjëhershme, ofrojnë alternativa të vlefshme ndaj zyrave në godinat e kateve të larta.

Ndërkohë, shërbime si video-streaming, mediat sociale, dhe faqet e internetit si Reddit dhe Tëitter ofrojnë një shije të efektit kulturor dhe komunitetit, që ndër shekuj ka tërhequr kaq shumë njerëz në qytetet e mëdha. Sot ju nuk keni nevojë as për një bar apo klub, për të gjetur dashurinë e jetës:Aplikacione si Tinder, Bumble ose Grindr, janë shumë të gatshëm t’ju lidhin me një bashkëshort të mundshëm.

“Kjo pandemi ka potencialin të prekë realisht qytetet”- thotë Peter Klark, profesor i historisë urbane evropiane në Universitetin e Helsinkit. “Nëse nuk ka një valë të dytë, ndryshimet mund të jenë shumë më të vogla nga sa spekulojnë njerëzit. Por nëse do ketë, ne mund të shohim një ndryshim serioz të modeli evropian të ‘qytetit kulturor”- thotë ai.

Dhe në fakt, nuk ka asnjë dyshim se pandemia e ka transformuar mënyrën e punës. Në fillim të pranverës, ndërsa koronavirusi po përhapej në Evropë, kufizimet e vendosura nga qeveritë i detyruan të gjithë punonjësit, përveç atyre të sektorëve jetikë si shëndetësia dhe supermarketet, që të punojnë nga shtëpia për të frenuar rastet e reja.

Kërkesa industriale u ngadalësua ose u ndal, teksa ranë drastikisht blerjet e makinave dhe produkteve të tjera. Para masave bllokuese, teleëorking, puna online nga shtëpia, nuk ishte e zakonshme në shumicën e vendeve evropiane. Sipas të dhënave të “Eurofound”, vetëm 11 për qind e gjermanëve dhe 8 për qind e italianëve, kishin punuar “herë pas here” në distancë në vitin 2015.

Por ndërsa kriza përparoi më tej, punëtorët dhe bizneset u përshtatën shumë shpejt me realitetin e ri. Takimet e qeverive, korporatave dhe organizatave të tjera u zhvendosën në internet ; klasat mësimore u bënë virtuale ; ndërsa mori hov mjekësia online dhe terapia virtuale.

Tani ngrihet pyetja nëse këto sjellje të reja do të vazhdojnë, apo nëse shumica e njerëzve do të rikthehen në zyrat e tyre sa më shpejt që të munden. Ekonomisti i Universitetit të Stenfordit në SHBA, Nikolas Blum, ekspert për punët nga distanca, thotë se ndërsa është jorealiste të pritet që të gjithë të punojnë nga shtëpia për një kohë të pacaktuar, 50-60 përqind e popullsisë do të jenë në gjendje që ta bëjë këtë gjë.

“Një e treta e popullsisë që punon – punonjësit e zyrave, menaxherët e nivelit të lartë – mund të punojnë në 100 për qind të kohës nga distanca. Një e treta tjetër si stilistët, agjentët e pasurive të patundshme, studiuesit shkencorë, mund ta bëjnë këtë në shumicën e kohës, edhe pse ndonjëherë do të duhet të shkojnë në zyrë.

Vetëm një e treta e mbetur, nuk mund të punojë dot nga shtëpia:Shumica e këtyre njerëzve janë punonjës të sektorit të shërbimit me paga më të ulëta. Por po ashtu janë specialistët që paguhen mirë si dentistët, kirurgët, pilotët”- thotë ai.

Blum thotë se është ende herët të thuhet se sa intensiv do të jetë ndikimi i pandemisë. Por edhe nëse ka një kurë apo vaksinë ndaj Covid-19, s’ka gjasa që punonjësit e zyrave të duan të rikthehen në punë si zakonisht.

“Rrokaqiejt dhe zyrat në qendrat e qyteteve, që më parë ishin pasuritë e patundshme më të vlerësuara, janë bërë tani vende që shmangen nga njerëzit nga frika e infektimit. Unë shoh se njerëzit nuk ndihem më rehat në trena apo ashensorët e populluar. Dhe kompanitë nuk do të duan të hapen dhe mbyllen, sa herë që ka një valë të re infektimesh”- shton ai.

Madje për shkak të krizës, kompanitë po shohin mundësinë e uljes së kostove. Sipas kompanisë BNP Paribas Real Estate, investimet mbi njësitë tregtare, ranë me 44 për qind në gjithë Evropën midis mesit të marsit dhe fundit të majit. Kjo prirje ka të ngjarë të vazhdojë, teksa kompanitë e teknologjisë si Tëitter dhe Google kanë njoftuar planet e tyre që punonjësit e tyre të vazhdojnë të punojnë në distancë.

LEXO EDHE:  5 punët nga shtëpia më të paguara në botë

Ndërkohë një studim i ri i kryer nga Instituti Ifo në Gjermani, tregon se 54 për qind e bizneseve duan të përdorin tani e tutje më shumë punën nga shtëpia. Kreu i Facebook Mark Zukerberg ka thënë se pret që gjysma e fuqisë punëtore të kompanisë të punojë nga shtëpia dekadën e ardhshme, dhe punonjësit që u transferuan në zona më pak të shtrenjta, do të pësojnë ulje të pagës në përputhje me koston e re të jetesës.

Fundi i punës në zyra, nëse do të ndodhë, do ta shndërronte rrënjësisht peizazhin urban. Duke mos pasur nevojë të dalin herët në mëngjes nga shtëpia për të shkuar në punë, punonjësit do të jenë të lirë të shëtisin më shumë në periferi dhe fshat.

Evropa ka një traditë të gjatë të banorëve të pasur të qytetit që ikin në fshat për shkak të Murtajës, duke lënë në qytet shtresën e varfër dhe punëtore. Në kryeveprën e Xhovani Bokaçio “Dekameroni”, fiorentinët e pasur ikin në fshatrat e Toskanës për t’i shpëtuar “Vdekjës së Zezë”.

Gjatë krizës së koronavirusit, elitat urbane në vendet më të goditura si Spanja dhe Franca, u larguan nga qyteti për në zonat rurale më të gjelbërta dhe më të sigurta. Ish-kryeministri spanjoll Hoze María Aznar, shkoi në vilën e tij në Marbela, në vend se ta kalonte karantinën në Madrid.

Nëse ka valë të mëtejshme të koronavirusit, apo vijon të përhapet puna nga shtëpia, kjo prirje mund të kopjohet lehtësisht nga shumica. E përse të paguhet një qira e lartë në qytet për një apartament të bollshëm, kur mund të kesh një karrierë po aq tërheqëse nga një shtëpi në kodrat e periferisë?

Por edhe nëse puna online bëhet dominuese, jo të gjithë do të jenë në gjendje – apo do të duan – të ikin në periferi apo fshat. Dhe ata që do të qëndrojnë, mund ta shohin qytetin të bëhet një vend shumë më i ndryshëm. “Qytetet do të jetë më të lirshme, pasi do ketë më shumë hapësira në dispozicion. Kjo mund të ndihmojë në adresimin e krizës së përballueshmërisë që shohim në qendrat urbane… Por nga ana tjetër, kjo do krijojë shumë boshlleqë”- thotë Blum.

Nëse mbyllen shumë zyra, me siguri shpenzimet urbane mund të bien me një të tretën. Në një lagje të Brukselit, largimi i eurokratëve dhe punonjësve të zyrave, ka çuar në mbylljen e një prej kafeneve më të njohura të zonës.

Me më pak biznese tatimpaguese, dhe me një pjesë më të madhe të banorëve të varfëruar, ndoshta të papunë, qeveritë lokale të qyteteve ka të ngjarë të shohin një rënie të të ardhurave të tyre tatimore, dhe kjo përfundimisht mund të ndikojë tek shërbimet publike.

Nga ana tjetër, shkuarja për të jetuar në fshat, është diçka më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, sidomos për banorët e qyteteve që janë mësuar me një jetë sociale shumë aktive. Zonat rurale, nuk kanë infrastrukturën që përdorin banorët e qyteteve të sotme, thotë Apostolos Cicikostas, kreu i Komitetit të Rajoneve në Greqi.

“Si mund të punosh nga shtëpia në një zonë rurale, pa pasur një internet me bandë të gjerë? Si mund t’i rritësh fëmijët, nëse nuk ke aty shkolla të përshtatshme? Si të veprosh nese prekesh nga koronavirusi, por nuk ke shërbimin e duhur spitalor në zonë?”- pyet ai.

Fati i qyteteve, do të varet në një masë të madhe nga vendimet që do të marrin politikëbërësit. Ndërsa liderët e BE premtojnë një fond rimëkëmbje prej 750 miliardë eurosh, bashkë me buxhetin e ardhshëm 7-vjeçar të bllokut, autoritetet rajonale janë të prirura të përdorin programet e stimulimit të Brukselit jo vetëm për të ndihmuar qytetet e mëdha, por edhe rakonet më të prapambetura dhe të harruara të Evropës.

Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2018, 44.8 përqind e popullsisë së BE-së jeton në qytet, 36 për qind në të ashtuquajturat zona të ndërmjetme si qyteza dhe periferi, dhe 19.2 për qind në zonat rurale. Cicikostas mendon se fondet e BE-së duhet të shkojnë drejt investimeve kryesore, siç është rrjeti i transportit dhe infrastruktura digjitale në zonat rurale.

Por jo të gjithë janë të bindur se koronavirusi, mund të sjellë fundin e qendrës së gjallë të qytetit. Xhuzepe Sala, kryebashkiaku i Milanos, një nga qytetet italiane më të prekura nga koronavirusi, tha për “Politico” se nuk ka menduar ndonjëherë “të jetoj përherë në shtëpinë që kam në Liguria”. Ai nuk mendon se në një periudhë afatgjatë, qytetet do të kërcënohen seriozisht nga pandemia.

“Ka 30 vjet që diskutohet se njerëzit janë të lodhur me jetën në qytet, por realiteti ka treguar se nuk është kështu”- thotë ai. Por ndërkohë Sala e pranon, se kriza e fundit shëndetësore do t’i detyrojë qytetet – tashmë nën presion nga ndryshimi i klimës, ndotja e ajrit dhe rreziqet e tjera mjedisore – që të rishikojnë qasjen e tyre zhvillimore.

Marrë me shkurtime nga “Politico.eu” – Bota.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Nga Rusia tek Kina/ 10 shtetet, ku pozita gjeografike është njëherazi bekim dhe mallkim për një vend apo rajon

Publikuar

-

Nga

Ne e dimë se gjeografia e një vendi, luan një rol të madh në përparimin e tij social dhe ekonomik. Shumë rajone në botë, kanë qenë relativisht gjithnjë më mirë se të tjerët, për shkak të përparësive të qenësishme që u ofron pozicioni i tyre gjeografik, siç është toka e punueshme apo kufijtë natyrorë.

Dhe kjo gjë nuk është e vështirë të provohet; mjafton të shihni Zvicrën. Por e vërtetë është edhe e kundërta. Gjeografia luan një rol po aq të rëndësishëm në prapambetjen e një rajoni, edhe pse kjo gjë zakonisht i atribuohet politikës së keqe apo diferencave kulturore.

Rusia

Rusia ka shumë probleme me gjeografinë e saj. Madhësia e saj është e jashtëzakonshme. Ndërsa nga njëra anë, kjo e bën vendin të pamundur për t’u pushtuar, nga ana tjetër e shndërron në një makth transportin dhe tregtinë. Kjo është arsyeja pse Rusia ishte një nga fuqitë e fundit evropiane që u industrializua.

Një problem tjetër është lidhja e Rusisë me oqeanet. Për shkak të pozicionimit gjeografik në një djerrinë kryesisht të ngrirë, shumica e porteve të rëndësishme ruse janë të ngrira për disa muaj të vitit. Porti rus më i madh në Paqësor, Vladivostoku, është i bllokuar nga Deti i Japonisë, që kontrollohet gati tërësisht nga Japonia. Pra Rusia nuk ka asnjë port të madh, që të jetë funksional për tregti gjatë gjithë vitit, ndaj nuk ka qenë kurrë në gjendje të zgjerojë ndikimin e vet detar përtej kufijve të saj.

Australia

Është ndoshta i vetmi vend thuajse tërësisht i pabanuar, pasi shumica e popullsisë së saj jeton në qendra urbane në Australinë jugore dhe juglindore.

Ky vend përmban zona aspak mikpritëse, nga shkretëtirat e thata tek pyjet e rrezikshëm tropikale. Kontinenti ka gjithnjë e më pak ujë të pijshëm, dhe në qendrat e mëdha urbane si Sidnej dhe Melburn bien gjithnjë e më pak shira.

Indonezia

Përbëhet nga mbi 18.000 ishuj me madhësi të ndryshme. Distanca e madhe midis ishujve, ka qenë dhe është një sfidë e madhe për përparimin e vendit. Kjo gjë paraqet edhe një sfidë identitetare, pasi është gati e pamundur të bashkosh në një identitet të vetëm kombëtar, njerëzit dhe kulturat e ndryshme që gjenden në gjithë territorin e tij.

Ndërkohë afërsia e Indonezisë me Unazën e Zjarrit në Paqësor, e bën vendin veçanërisht të prirur ndaj katastrofave natyrore. Aty ndodhen 136 vullkane, nga të cilat 61 kanë shpërthyer që nga viti 1900. Edhe aktiviteti tektonik në rajon është aq i madh, saqë vendi përjeton gati çdo ditë një tërmet me magnitudë 5 ose më të vogël.

Egjipti

Si një nga djepet e civilizimit, fushat pjellore të deltës së Nilit i kanë siguruar Egjiptit një avantazh të natyrshëm ndaj vendeve të tjera. Por kjo në të kaluarën, ose më saktë para ndërtimit të Kanalit të Suezit në vitin 1868, që lidhi Detin Mesdhe me Detin e Kuq.

Kanali ishte diçka padyshim e mirë për biznesin, por jo dhe aq për stabilitetin politik të Egjiptit. Që nga ndërtimi i tij, vendi ka qenë në qendër të mjaft konflikteve të mëdha që lidhen drejtpërdrejt me kontrollin e kanalit; nga Kriza e Suezit e vitit 1956 tek Lufta Arabo-Izraelite e vitit 1967. Edhe sot, hyrja e lirë në kanal, është një nga problemet politike kryesore në rajon.

LEXO EDHE:  5 punët nga shtëpia më të paguara në botë

LEXO EDHE:  5 punët nga shtëpia më të paguara në botë

Pakistani



Gati të gjitha qytetet e Pakistanit janë të vendosura pranë kufirit, dhe kjo për shkak se vendi ka qenë në një gjendje lufte me fqinjin e saj Indinë, që nga themelimi i shtetit në vitin 1947.

Për më tepër, i gjithë kufiri Pakistan-Indi është një terren i hapur, që është thuajse i pamundur të mbrohet në rastin e një pushtimi në shkallë të plotë.

Holanda

Pavarësisht historisë së lavdishme koloniale, Holanda e ka një problem serioz. Gati një e treta e vendit ndodhet nën nivelin e detit. I gjithë vendi është plot me struktura – si duna rëre artificiale, diga, ledhe dheu etj – të destinuara për të frenuar vërshimin e detit në tokë.

Kina

Nëse studioni historinë e Kinës, do të vëreni se ajo është plot me grindje dhe konflikte të brendshme. Por sfidat e saj nuk janë ndihmuar aspak nga gjeografia. Kina është e ndarë topografikisht në ultësira pjellore, të rrethuara nga malësi të thata me një popullsi të paktë.

Ultësira është vendi ku kanë jetuar tradicionalisht shumica e kinezëve Han, ndërsa malësia ka qenë gjithmonë e vështirë për t’u kontrolluar. Për më tepër, territori i saj i gjerë është gjithashtu shtëpia e një larmie të gjerë kulturash dhe etnish, secila me interesat dhe kulturat e tyre të kundërta.

Uzbekistani

Mungesa e daljes në det krijon probleme të mëdha në drejtim të tregtisë, zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit politik. Vende të tilla, duhet të shpenzojnë shumë para dhe ndikim politik për të pasur qasje në ndonjë port, pasi tregtia tokësore është shumë e shtrenjtë, dhe kërkon shumë kohë. Edhe atëherë, ato janë gjithmonë të varura nga stabiliteti i fqinjëve të tyre. Kështu ka ndodhur me Uzbekistanin, shtet i formuar pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Japonia

Japonia ka shumë probleme me gjeografinë e saj. Më e rëndësishmja, ajo shtrihet përgjatë Unazës së Zjarrit në Paqësor; një zinxhir ishujsh dhe vullkanesh në formë patkoi, që janë rajoni më tektonik më aktiv në botë. Kjo është arsyeja pse aty tërmetet janë kaq të zakonshme. Për më tepër, vendi përbëhet tërësisht nga kodra dhe male, prandaj toka e punueshme përbën vetëm rreth 20 për qind të hapësirës tokësore.

Kjo jo vetëm që rrit kostot e importit të ushqimit nga jashtë, por kufizon numrin e njerëzve që mund ta fitojnë jetesën duke u angazhuar në bujqësi. Për më tepër, Japonia është e varfër në burime minerale dhe të tjera natyrore, gjë që e rrit më tej koston e importeve të saj.

Kontinenti afrikan

Afrika, një kontinent që përbëhet nga shumë rajone dhe kultura të ndryshme me identitetin e tyre të veçantë, ka një problem serioz gjeografik:ajo ka një shtirrje shumë gjatësore. Kjo gjë ndryshe nga Azia dhe Evropa, e ka penguar gjithnjë progresin e saj teknologjik dhe zhvillimor.

Për shkak të shtrirjes kryesisht vertikale dhe jo horizontale, kulturat afrikane kanë evoluar vetëm në boshtin lindje-perëndim, çka do të thotë se teknologjitë e reja dhe zhvillimet e tjera kanë kërkuar më shumë kohë për t’u përhapur në të gjithë kontinentin. Deri diku kjo ka ndodhur edhe me dy Amerikat./ listverse.com–Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Marrëveshjet historike e kanë forcuar imazhin e Donald Trumpit si paqe-bërës

Publikuar

-

Nga

Nga Osama Al-Sharif “Arab News”

Misioni i presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’u zgjedhur për një mandat të dytë në zgjedhjet e nëntorit, po shihet të jetë i vështirë, por jo i pamundur. Pandemia e koronavirusit,  i ka marrë jetën më shumë se 190.000 amerikanëve deri më tani, dhe tashmë është faktori i vetëm madhor që kërcënon synimin e tij.

Por, siç e tregojnë sondazhet e fundit, hendeku mes tij dhe kandidatit demokrat Xho Bajden po ngushtohet ndërsa Shtetet e Bashkuara po hyjnë në një nga sezonet më të çuditshme të zgjedhjeve presidenciale në historinë e vendit.

Një Trump sfidues po vë në dyshim integritetin e votimit përmes postës, që favorizon demokratët, dhe po paralajmëron se procesi i 3 nëntorit mund të manipulohet. Ekspertët po parashikojnë se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve mund të kërkojnë javë, ndoshta edhe muaj për t’u nxjerrë, dhe se në horizont shtrihet një betejë e ashpër ligjore.

Nëse humbet, Trump do ta kontestojë rezultatin në mesin e një Amerike thellësisht të polarizuar. Sido që të shkojnë punët, SHBA-ja do të përballet me disa muaj të vështirë përpara. Por çfarë do të nënkuptonte një mandat i dytë për Trumpin për Lindjen e Mesme? Një Trump i shkëlqyer në detyrë ka siguruar disa fitore të rëndësishme të politikës së jashtme përpara zgjedhjeve.

Javën e kaluar, Bahreini ndoqi shembullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke njoftuar se do të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin, dhe këto marrëveshje historike do të forcojnë padyshim imazhin e Trumpit si paqe-bërës në një rajon të përshkuar nga konfliktet dhe trazirat.

Vendet e tjera arabe, mund të ndërmarrin hapa të ngjashëm para votimeve të 3 nëntorit dhe, nëse Trump fiton një mandat të dytë, mund të pritet të shohim një normalitet të ri në rajon, ku Izraeli do të jetë shtylla kurrizore e një aleance të re rajonale.

Trump do të vazhdojë të zvogëlojë praninë fizike të Amerikës në rajon, ndërsa do të mbështet tek një aleancë izraelito-arabe që synon të përballet me kërcënimet e paraqitura nga Irani dhe Turqia. Vendet e Gjirit, i shohin me shqetësim të dy këta rivalë që synojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre në rajonin arab, dhe që paraqesin për to një kërcënim ekzistencial. Kjo është doktrina e re e sigurisë së Trump për rajonin. Dhe një ndër pasojat kryesore të tij është shkëputja e aleatëve të rinj të Izraelit nga ajo që dikur ishte kauza arabe qendrore: Çështja Palestineze.

Vizioni i Trump për paqen midis Izraelit dhe palestinezëve do të mbetet si një nga nismat e shumta për të zgjidhur këtë konflikt disa dekada të vjetër. Një mandat i dytë për Trumpin ka më pak të ngjarë të nxisë një zgjidhje të tillë.

Ekipi i paqes i Donald Trump, do t’i fokusojë përpjekjet e tij në forcimin e aleancës së re Izraelito-Arabe. Gjestet e tij ndaj palestinezëve, nëse ka të tillë, do të jenë të paqëndrueshme. Trump do të kërkojë tërheqjen e mëtejshme të trupave amerikane nga Iraku, Afganistani dhe në një moment edhe nga Siria.



Strategjia e tij anti-Iran do të mbetet e paprekur, në përputhje me aleancën izraelito-arabe të sapoformuar. Një mandat i dytë për Trumpin, do të ishte katastrofik për Iranin në një krizë të thellë ekonomike. Mbajtja nën kontroll e Teheranit do të shtojë presion mbi regjimin, por gjithashtu do ta shtyjë atë më tej drejt Rusisë dhe Kinës.

LEXO EDHE:  5 punët nga shtëpia më të paguara në botë

LEXO EDHE:  5 punët nga shtëpia më të paguara në botë

Rënia e regjimit iranian nuk do të jetë e afërt, dhe ka gjasa që përfaqësuesit e linjës më të ashpër ta zgjerojnë kontrollin e tyre në kurriz të së ashtuquajturve të moderuar. Përzierja e Iranit në çështjet irakiane dhe siriane do të vazhdojë.

Për Irakun, tërheqjet e mëtejshme të trupave amerikane do ta bëjnë akoma më të vështirë misionin e kryeministrit Mustafa Al-Kadimi në përballjen me milicitë rebele. Prioriteti i Trump do të jetë rikthimi me çdo kusht në shtëpi i trupave amerikane.

Polarizimi rajonal do të thellohet, teksa SHBA-ja do vijojë të mbështetet më tej tek përfaqësuesit e saj rajonalë. Trump nuk ka një strategji të qartë në marrëdhëniet me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili po shfaqet si një faktor destabilizues në rajon. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Irakun, Sirinë, Libinë, Katarin apo Mesdheun Lindor, Ankaraja është bërë një lojtare kryesor me një agjendë koloniale.

Aleanca e saj me Rusinë, në kundërshtim me NATO-n ku ajo është anëtare, ka dalë nga kontrolli i Uashingtonit. Një mandat i dytë për Trumpin, nuk ka gjasa të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj aventurave rajonale të Erdoganit.

Ndërkaq, sfida më e madhe rajonale gjatë mandatit të dytë të Trump, do të jetë çështja se kush do ta plotësojë boshllëkun e krijuar nga largimi i SHBA. Ndërhyrja e Rusisë në Siri në vitin 2015 është shndërruar në një moment historik për rritjen e ndikimit rajonal të Moskës, që tani është zgjeruar në Libi, Turqi, Iran dhe madje edhe Irak.

Dikush mund të hipotetizojë një aktivitet aktiv diplomatik, ekonomik dhe ushtarak rus në rajon nën një mandat të dytë të Trump. Largimi i Amerikës nga Lindja e Mesme, do t’i japë Kinës shansin ta zgjerojë ndikimin e saj ekonomik dhe për të ndërtuar partneritete të reja.

Një fitore e Trumpit, do të forconte realitetet e reja gjeopolitike, me aleancën Izraelito-Arabe në vendin e parë.

Do të jetë interesante të shihet se për sa kohë mund të ekzistojë kjo aleancë, dhe si do të testohet ajo. SHBA-ja do ta ushqejë atë, por kjo do të përkojë me një tërheqje të qëllimshme nga një rajon, të cilin Trumpi e sheh se po bëhet më pak i rëndësishëm për Amerikën në aspektin strategjik. Mbetet të shihet se çfarë do të sjellë ky mosangazhim i SHBA-së në drejtim të formimit të aleancave të reja dhe evolucionit të konflikteve lokale në vende si Iraku, Siria, Jemeni dhe Libia./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Si do ndryshojë peisazhi politik në Ballkanin Perëndimor, pas asaj që ndodhi së fundmi në Malin e Zi?

Publikuar

-

Nga

Nga Sinisa Vukovic & Majda Ruge “European Council on Foreign Relation”

Zgjedhjet parlamentare të muajit të shkuar në Malin e Zi, prodhuan një rezultat historik, dhe për shumëkënd të papritur, që mund të rezultojë tepër domethënës për peizazhin politik të Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë në 30 vjet Demokratska Partija Socijalista (DPS) nuk do të qeverisë vendin.

E udhëhequr nga presidenti i vendit, Milo Gjukanoviç, DPS e ka dominuar skenën politike malazeze që nga zgjedhjet e para shumëpartiake në vitin 1990. Në vend të saj, 3 koalicione të gjera, me platforma të ndryshme politike, kanë arritur të fitojnë 41 vende në parlament, minimumi i nevojshëm për të formuar një shumicë qeverisëse.

Këto koalicione kanë nënshkruar një marrëveshje mbi parimet për koalicionin e ri, që do të përbëhet nga jo më pak se 20 parti. Narrativa dominuese e këtyre tre blloqeve politike është “Jashtë e vjetra, sot me të renë!”. Por një vështrim nga afërt i partive dhe udhëheqësve të tyre, na ofron një panoramë më komplekse, që mund të rezultojë destabilizuese për Malin e Zi dhe rajonin.

Nga këto tre blloqe, më i madhi (Za Buducnost Crne Gore, ZBCG) është një koalicion i gjerë i partive populiste etno-nacionaliste, klerike, konservatore, me një platformë të hapur pro-serbe, pro-ruse, anti-NATO dhe euro-skeptike.

Shumica e udhëheqësve të tyre drejtuan fushatën në favor të ruajtjes së Unionit Shtetëror me Serbinë gjatë referendumit të vitit 2006 për pavarësinë. 27 deputetët e tyre vijnë kryesisht nga Fronti Demokratski (DF), një koalicion ky ku dy udhëheqësit e tij, Milan Knezeviç dhe Andrija Mandiç, janë dënuar secili me 5 vjet burg për krijimin e një organizate kriminale që organizoi grushtin e dshtuar të shtetit të mbështetur nga Rusia, në prag të zgjedhjeve parlamentare të tetorit 2016.

Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat pro-qeveritare në Serbi, e mbështetën hapur fushatën zgjedhore të DF. Blloku i dytë më i madh në shumicën e re, tubohet rreth një partie relativisht të re populiste, Demokrate Crne Gore (DCG), e udhëhequr nga Aleksa Beçiç.

Ndërsa ky bllok portretizohet nga shumë analistë si një opozitë qytetare, udhëheqësi është një ish-udhëheqësi i forumit rinor të Socijalisticka Narodna Partija Crne Gore (SNP), një parti që ishte zëri kryesor në favor të bashkimit me Serbinë dhe një aleate besnike e Sllobodan Millosheviçit deri në rrëzimin e këtij të fundit në vitin 2000.

Një parti tjetër në këtë bllok është Demos, një parti konservatore e udhëhequr nga Miodrag Lekiç, ish-ambasador i Jugosllavisë në Itali në kohën e Millosheviçit. Ai mbetet një nga kritikët më të fortë të qeverisë në largim, për shkak të vendimit të kësaj të fundit pro sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Koalicioni i tretë dhe linja kryesore e shumicës së ardhshme qeverisëse në parlament, është Ujedinjena Reformska Akcija (URA). Kjo është një parti qytetare, e gjelbër dhe pro-evropiane. Ajo ka vetëm 4 deputetë, të cilët u zgjodhën nga 5.2 për qind e votave.



Pritshmëria e analistëve më optimistë, është që kjo parti të arrijë të mbajë nën kontroll dy më të mëdhatë, një skenar që vihet në dyshim nga shumë të tjerë. Zyrtarisht, krerët e 3 partive që dominojnë secilin bllok, kanë rënë dakord mbi disa parime minimale si themelin e koalicionit të tyre qeverisës.

LEXO EDHE:  5 punët nga shtëpia më të paguara në botë

LEXO EDHE:  5 punët nga shtëpia më të paguara në botë

Ata janë zotuar zyrtarisht të mos tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe të mos dalin nga NATO. Gjithashtu, kanë rënë dakord të formojnë një qeveri teknokratësh, që do të vazhdojë procesin e pranimit në Bashkimin Evropian. Por nuk është aspak e qartë sesi një amalgamë e tillë heterogjene me prejardhje ideologjike konfliktuale, do t’i mbështesë vërtet këto politika.

Rreziqet në këtë kuadër janë disa.

Së pari, do të jetë shumë e rëndësishme të shihen emërimet në sektorin e sigurisë dhe kontrolli i tyre. Nëse DF merr nën kontroll sektorin e sigurisë, qeveria e re mund të jetë e prirur të thellojë lidhjet me shërbimet ruse dhe serbe të sigurisë. Nën një skenar të tillë, qeveria mund të minojë detyrimet e vendit nga anëtarësimi në NATO.

Së dyti, duke pasur parasysh orientimin e theksuar ideologjik të partive më të mëdha drejt Serbisë dhe Rusisë, mbetet e paqartë nëse qeveria e re do t’i përmbahet realisht angazhimeve ndërkombëtare të Malit të Zi. Nën qeverinë e mëparshme, politika e jashtme e Malit të Zi ishte 100 për qind pro BE-së.

Selia e BE-se

Duke marrë parasysh historikun e DF dhe partive aleate, nuk ka gjasa që ato ta ruajnë një kurs të tillë në politikën e jashtme. Kjo mund të ndikojë në çështje të tilla si rinovimi i sanksioneve kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë, në politikat e BE-së mbi Ukrainën, Kosovën dhe çështje të tjera rajonale.

Së treti, qeveria e re ka premtuar të anulojë Ligjin mbi Lirinë e Fesë, që ndër të tjera kërkon regjistrimin zyrtar të Kishës Ortodokse Serbe. Kjo e fundit është i vetmi institucion fetar që nuk është regjistruar në Malin e Zi. Ajo operon në një vakum ligjor ndërsa ndjek si agjendën politike ashtu edhe interesat e saj ekonomike:kisha pretendon pronësinë mbi një sipërfaqe të mëdha toke dhe pasurish të patundshme dhe drejton hotele, restorante, agjenci udhëtimesh, por nuk ka një status zyrtar.

Përveç kësaj, qeveria e re mund të kërkojë të rishikojë Ligjin e Shtetësisë. Nëse kjo ndodh sipas preferencave të DF, ligji i ri do t’u japë mundësi një numri të konsiderueshëm qytetarësh serbë të marrin dy shtetësi në Malin e Zi. Ka shumë pak gjasa që URA dhe blloku i saj i vogël i partive papërvojë, të kenë një kontroll efektiv ndaj dy blloqeve të tjera.

Një skenar i mundshëm është që URA ta braktisë koalicionin, akt që mund të dobësojë aleatët e saj përballë zgjedhjeve të reja që do të shpalleshin në mënyrë të pashmangshme. Nëse malazezët shkojnë sërish në votime, ata mund të kenë të ngjarë të mbështesin blloqet më të mëdha që shfrytëzojnë levat e pushtetit të sapoformuar, mbështetjen e vazhdueshme nga Beogradi dhe fuqinë mobilizuese të Kishës Ortodokse Serbe, dhe kësisoj të krijojnë një pasiguri edhe më të madhe në lidhje me rrugën perëndimore të Malit të Zi./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE