Connect with Us

“Vampiri i Hanoverit” Fric Harman/ Kasapi popullor, që për 6 vite shiti mish njeriu

Blog

“Vampiri i Hanoverit” Fric Harman/ Kasapi popullor, që për 6 vite shiti mish njeriu

Publikuar

-

“Vampiri i Hanoverit” Fric Harman/ Kasapi popullor, që për 6 vite shiti mish njeriu

Në vitet 1920, Fric Harman ishte i njohur si një shitës i suksesshëm i rrobave të dorës së dytë, ndërsa ishte popullor midis grave shtëpiake, për shkak të furnizimit të tyre me mish me çmime shumë të lira. Kjo derisa të gjithë mësuan se si rrobat ashtu edhe mishin, ai e merrte nga djemtë e rinj që i kishte vrarë.

Njerëzit në Hanover, e shihnin që Fric ishte disi i çuditshëm si karakter, megjithatë e konsideronin miqësor dhe sigurisht të padëmshëm. Edhe policia kishte simpati për të, teksa në disa raste ai shërbeu si informator për zbulimin e krimeve.

Por ku u zbuluan krimet e tij, Harman mori nofkën “Vampiri i Hanoverit”, teksa u quajt edhe “Kasapi i Hanoverit”. I lindur në vitin 1879 si më i vogli nga 6 fëmijë, Fric donte çuditërisht të luante me kukulla dhe të shmangte fëmijët e tjerë, sidomos djemtë.

Në përpjekje për ta burrëruar disi të birin, i ati Olle e regjistroi Fricin në shkollën ushtarake në qytetin jugor gjerman të Breisah kur ishte 16-vjeç. Megjithëse po i shijonte si përvojë, pas vetëm disa muajve ai zbuloi se vuante nga epilepsia. I përjashtuar nga shkolla për shkak të sëmundjes, ai nisi punë në fabrikën e cigareve që zotëronte i ati.

Një vit më pas nisi të kryente krimet e tij të para:arrestohet nga policia me akuzën e ngacmimit seksual të djemve të rinj, dhe u mbyll më pas në një spital psikiatrik. U arratis pas 6 muajsh dhe shkoi në Zvicër. Aty u fejua me një grua të re të quajtur Erna Lovert. Raporti mes çiftit u acarua kur ajo mbeti shtatzënë, dhe u rikthye në Gjermani në vitin 1900 për të përfunduar shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Për shkak të epilepsisë dhe sëmundjes së tij mendore, Harman u shtrua sërish në spital për katër muaj në vitin 1901, dhe u largua nga ushtria në vitin 1902. I ati bëri përpjekje të përsëritura për ta mbyllur përherë të birin në një spital psikiatrik, por Fric u largua përgjithmonë nga familja.

Në vitin 1913, policia e arrestoi sërish për vjedhje. Dënimi me 5 vite burg, i dha mundësi të shmangë rekrutimin në Luftën e Parë Botërore. Në burg, u takua me homoseksualin 24-vjeçar Hans Grans, me të cilin nisi një lidhje. Pas lirimit të tyre, ata vendosën të jetojnë bashkë.

Në shtatorin e vitit 1918, 17-vjeçari Fridel Rohe u largua nga shtëpia e tij, duke u endur rrugëve të Hanoverit. Kur i ati i Rohes nisi ta kërkonte, mësoi se Fridel ishte miqësuar me Harman, që merrte shpesh djemtë e rinj në apartamentin e tij për t’u argëtuar.

Por kur Rohe e denoncoi këtë fakt në policia, autoritetet nuk donin të ndërhynin, pasi e përdonin Fricin si spiun. Pas këmbënguljes së madhe, policia ra dakord të kontrollonte shtëpinë e Harman. Ata e gjetën në shtrat me një djalë 13-vjeçar, por pa asnjë gjurmë të Fridel.

Sipas ligjeve të kohës, policia mundej vetëm ta arrestonte Harman për abuzim seksual me një të mitur. Me vonë vrasësi, tha se policia nuk kontrolloi shumë me imtësi. Koka e Fridel Rohe ndodhej pas sobës. Harman ishte bërë tashmë i mirënjohur në qytet si një kasap në tregun e zi, popullor për shumë njerëz për mishin e lirë që tregtonte.

Në vitin 1919, Gjermania ishte në gjendje të vështirë ekonomike, dhe shumë familje mezi arrinin të ushqeheshin. Gjatë fillimit të viteve 1920, Harman e kalonte pjesën më të madhe të kohës duke qëndruar në këmbë përreth stacionit të trenit në Hanover, duke kërkuar djem adoleshentë të vetmuar, të cilët i joshte të shkonin me të në shtëpinë e tij, përmes premtimeve për ushqim dhe rehati.

Në atë kohë, mijëra fëmijë ishin arratisur nga shtëpitë e tyre për shkak të vështirësive të pasluftës, kështu që ai kishte shumë viktima për të zgjedhur. Pasi i ushqente viktimat e tij, Harman do t’i vriste duke i kafshuar në qafë, përpara se të përdhoste kufomat e tyre.

Më pas i copëtonte trupat e tyre, duke e grirë mishin e tyre për ta bërë sallam ose duke i copëtuar në tigan për t’i tregtuar si mish “viçi” apo “derri”. Pasi mbaronte punë, i hidhte eshtrat e tyre në lumin Leine. Për 6 vjet, Harman besohet se vrau mbi 50 djem, shpesh të përzgjedhur nga Grans.

Në majin e vitit 1924, policia u detyrua të kthejë vëmendjen ndaj Harman, kur disa fëmijë zbuluan një kafkë në brigjet e lumit Leine. Pas kërkimeve u gjetën disa kafka dhe skelete të tjerë. Në fund, u zbuluan kufomat e të paktën 22 djemve adoleshentë apo djemve të rinj.

Hanoveri u përfshi nga paniku, dhe dyshimet e para ranë pikërisht mbi Harman, për  shkak se ai njihej nga shumëkush për marrjen në banesë të djemve të larguar nga familjet e tyre. Hetimi u mor përsipër nga autoritetet në Berlin. Dy detektivë nga Berlini e gjetën Harmanin në një cep të errët të stacionit të trenit, duke sulmuar një djalë të ri.

Ai u arrestua menjëherë, ndërsa detektivët shkuan në banesën e tij. Ata u përballen më një skenë të tmerrshme. Muret dhe dyshemeja ishin të lara në gjak, ndërsa u gjetën më shumë se 100 palë rroba të viktimave. Në paraburgim, “Vampiri i Hanoverit” ishte shumë i lumtur të rrëfente për krimet e tij.

Kur u pyet se sa njerëz kishte vrarë ai u përgjigj:”Tridhjetë ose dyzet, nuk e di”. Më vonë, tha se kishte vrarë ndoshta 50-70 djem. Gjithsesi, policia ishte në gjendje të identifikonte vetëm 27 nga viktimat e tij. I shpallur fajtor për 24 nga 27 vrasjet për të cilat u akuzua, Harman u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me prerje koke në gijotinë më 15 prill 1925.

Partneri i tij, Grans, u dënua me burgim të përjetshëm, por më pas dënimi iu ul në vetëm 12 vjet burg. Pas vdekjes, koka e Fric Harman u ruajt dhe iu dha shkollës mjekësore në Gotingen./Përshtati në shqip CNA.al

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Ruleta ruse, historia famëkeqe e një loje vdekjeprurëse

Publikuar

-

Nga

Sipas një teorie, “ruleta ruse” u shfaq për herë të parë në ushtrinë cariste si një lojë relativisht “e sigurt” që impresiononte shumë spektatorët. Edhe pse ende sot njerëzit vazhdojnë të vdesin si rezultat i kësaj loje, shumë pak dihet mbi origjinën e saj, apo edhe sa e përhapur është realisht si fenomen.

Ajo çka dihet me siguri në lidhje me “ruletën ruse”, është vetëm fakti se si referencë popullore ajo është tepër e përdorur nga shkrimtarët dhe producentët në mbarë botën. Komplote të panumërta janë tjerrë rreth kësaj teme të veçantë.

Një teori popullore thotë se shkrimtari jo aq i njohur i tregimeve me aventura Xhorxh Surdez e shpiku për herë të parë termin “ruleta ruse”, kur botoi një histori të shkurtër me të njëjtin titull në revistën “Collier” në vitin 1937.

Histroia imagjinare tregohet nga një ushtar francez, i cili kishte patur shasin të ishte dëshmitari se si oficerët rusë – ata që kishin pak për të humbur, të Revolucionit Bolshevik të vitit 1917 – luanin kudo “ruletën ruse”:”Në tryezë, në kafene, tek miqtë”.

Çuditërisht, asnjë shkrimtar rus para Revolucionit Bolshevik të vitit 191, nuk e përmend “ruletën ruse” në veprat e tij. Pistoleta më e përdorur në Perandorinë Ruse në kohën e revolucionit ishte Naganti me 7 plumba.

Fakti që Surdez, përshkruan një personazh me një pistoletë gjashtëshe, e vë shumë në pikëpyetje lidhjen e tregimit me realitetin. Rrëfimi mund të ketë qenë një përrallë imagjinare, e krijuar sipas imagjinatës së autorit.

Disa besojnë se “ruleta ruse” u shfaq si një mënyrë torture, përmes së cilës policia ushtronte presion mbi të dyshuarit e arrestuar. Të tjerë thonë se gardianët e burgjeve i detyronin të burgosurit të luanin “ruletën ruse”, ndërsa ata vetë vinin baste.

Gjithsesi, “ruleta ruse” bazohet si “lojë” tek ligjet e teorisë së probabilitetit:shansi që arma të qëllojë rritet pas çdo të shtëne bosh. Kjo duke pasur parasysh se pistoleta me mulli ka një numër fiks vendesh për plumbat, dhe faktin që cilindri nuk rrotullohet pas çdo të shtëne.



Ndeshja klasike luhet me një pistoletë gjashtëshe, pra që ka 6 fole për plumbat, por ku vetëm njëra përmban plumb. Cilindri rrotullohen dhe ndalet në mënyrë të rastësishme. Loja nis kur lojtari i parë e vendos pistoletën në kokën e tij dhe shkel këmbëzën.

Duke qenë se kushtet janë të barabarta, probabiliteti që arma e zjarrit të qëllojë që me shkeljen e parë të këmbëzës është 1 në 6 ose 16.6 për qind; e dyta – 20 për qind, e treta – 25 për qind ; e katërta – 33.3 për qind ;e pesta 50 për qind; e gjashta është gjithnjë fatale, me 100 për qind shans që të qëllojë me plumb.

Lojtari i dytë në lojë ka një përparësi:nuk ka nevojë të vazhdojë lojën nëse lojtari i parë vdes. Por nëse lojtari i parë mbijeton, atëherë edhe shanset e mbijetesës për të dytin bien shumë:probabiliteti i tij për të mbijetuar është 66.6 për qind, në kontrast me 83.3 për qind mundësi që kishte ky lojtar gjatë të shtënës së parë.

Një person që vendos të luajë “ruletën ruse” (edhe pse ne e dekurajojmë me forcë këtë gjë) është teorikisht favorit për t’i mbijetuar lojës. Vetëm statistikisht, ashtu si në realitet, një hile e tillë mund të shkaktojë pasoja shumë të tmerrshme.

Nga ana tjetër “ruleta ruse” ka pësuar shumë modifikime sot. Për shembull në qytetin rus Perm, vendasit kanë krijuar armë elektronike jo-vdekjeprurëse, për të luajtur një lojë të ngjashme me lojën klasike. Një aplikacion në Facebook i quajtur “Social Roulette”, ishte shumë popullor para disa kohësh.

Por ka dhe raste tragjike. Në vitin 1999 në Kamboxhia 3 burra vdiqën pasi luajtën një version të modifikuar të “ruletës ruse”. Edhe sot ka njerëz që vazhdojnë të luajnë më versionin origjinal të “ruletës ruse”.

Për shembull, një studim mjekësor analizoi 15 raste të vdekjes nga “ruleta ruse” në vitin 2008, dhe i krahasoi ato me 75 raste të vetëvrasjeve që nuk kishin lidhje me këtë lojë. Studimi zbuloi se shumica e viktimave të “ruletës ruse” ishin afro-amerikanë, ndërsa amerikanët e bardhë kishin më shumë të ngjarë të ishin viktima të formave të tjera të vetëvrasjes.

Një studim tjetër në vitin 198, zbuloi se ata që rrezikonin duke luajtur “ruletën ruse”, kishin dukshëm më pak të ngjarë të ishin në depresion, por më shumë të ngjarë të kishin një histori të abuzimit me drogën dhe alkoolin sesa viktimat e tjera nga vetëvrasja. Ne mund të mos e dimë kurrë origjinën e vërtetë të kësaj loje vdekjeprurës, por mund të supozojmë se ajo ka gjasa të jetë shumë më e përhapur se sa mendohej./ Rbth.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

OKB ka dështuar/ Rregullimi i problemeve të botës varet tani nga të gjithë ne

Publikuar

-

Nga

Nga Jamie Metzl “The Hill”

Ndërsa Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara çeli punimet këtë javë në mesin e pandemisë më vdekjeprurëse në një shekull, katastrofave më të këqija të shkaktuara nga ndryshimet klimatike në mijëvjeçarë, dhe teksa qindra miliona njerëz janë të rrezikuar të zhyten sërish në varfëri ekstreme, një gjë është e qartë:ideali i Kombeve të Bashkuara, siç është përkufizuar nga themeluesit e tij, ka dështuar në shumë aspekte.

Por në vend se të fajësojmë Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare për këtë dështim, ne duhet të hedhim fajin atje ku duhet – tek vendet anëtare të OKB, të cilat për dekada me radhë, kanë mbrojtur fort sovranitetin e tyre kombëtar, në kurriz të së mirës sonë të përbashkët.

Në rast se nuk gjejmë një mënyrë për të adresuar në mënyrë kolektive sfidat tona më të mëdha globale – nga pandemitë tek ndryshimi i klimës, dhe shkatërrimi i ekosistemit, nga varfëria sistematike dhe pabarazia, tek armët e shkatërrimit në masë – specia jonë jo vetëm që do të rrezikohet, por njerëzimi mund të përballet me rrezikun e zhdukjes së plotë.

Nuk ishte e rastit që kur nisi kriza e Covid-19 në fund të vitit të kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë u kap e papërgatitur. Ne jetojmë në një botë të shteteve sovrane, me vetëm disa organizata ndërkombëtare që punojnë pa u lodhur, por shumë shpesh kot, për të na bërë bashkë të gjithëve.

OBSH-ja nuk mund t`a vlerësonte dot dezinformimin e qeverisë kineze apo të dërgonte ekipet e saj të emergjencë në Vuhan, pasi shtetet tona nuk i kanë garantuar OBSH-së një mbikëqyrje të pavarur mbi epidemitë, si dhe aftësinë e reagimit ndaj emergjencave, dhe kjo nga frika se kjo gjë mund të kompromentonte sovranitetin kombëtar.

E njëjta histori vlen edhe për faktin se përse nuk mund të zgjidhim kaq shumë probleme të tjera globale. Kjo sepse ndërsa problemet tona më të mëdha janë globale, mënyrat që ne kemi organizuar për t’i adresuar ato janë kryesisht kombëtare. Derisa ta rregullojmë këtë mospërputhje themelore, ne do të jemi në një rrezik të madh në rritje.

Ne nuk mund ta bëjmë këtë duke qëndruar duarkryq, duke kënduar këngë dhe duke tundur smartfonët tanë. Ne njerëzit kemi kaluar nga të qenit tufa të ndryshme nomadësh endacakë, në një specie globale, me fuqinë e jashtëzakonshme për të ri-bërë thuajse çdo aspekt të jetës në Tokë.

Por ne jemi bërë një specie globale, pa zhvilluar ama një vetëdije globale, apo një politikë që të përputhet me këtë realitet. Dhe për të ruajtur të ardhmen tonë, ne duhet që ta ndryshojmë atë. Na duhet një sistem i ri global operativ. Themeli i kësaj qasje të re, duhet të jetë njohja e përgjegjësive të ndërsjella të ndërvarësisë sonë të thellë globale.



Shfaqja e saj duhet të jetë një lëvizje globale e fuqizuar dhe gjithëpërfshirëse e njerëzve nga të gjitha prejardhjet. Udhëheqësit tanë kombëtarë dhe ndërkombëtarë kanë dështuar, prandaj u takon njerëzve të zakonshëm të ndajnë midis tyre punët e ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë – ose të përballen me pasojat e mosveprimit tonë.

Së pari, ne duhet të shtojmë urgjentisht fondet, stafin, autoritetin dhe rolin koordinues global të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në një kohë që në të gjithë botën po ngrihen mure, ne kemi shumë nevojë për një organizatë të fuqishme globale të shëndetit që të veprojë përtej tyre. Sot për sot nuk kemi OBSH-në që na duhet – por mund ta ndërtojmë atë shpejt, nëse përdorim mendjen tonë kolektive.

Së dyti, ne duhet të krijojmë një agjenci të re të fuqishme të specializuar brenda OKB-së, që të fokusohet në përgjigjet e përbashkëta ndaj kërcënimeve të përbashkëta dhe ekzistenciale.

E mbështetur dhe e bashkërenduar me shtetet, por gjithashtu duke vepruar me një shkallë të lartë të një autonomie të depolitizuar, kjo agjenci do të ketë për detyrë të identifikojë dhe analizojë rreziqet më të mëdha me të cilat përballen speciet tona dhe shtëpia jonë e përbashkët, zhvillimin, koordinimin dhe zbatimin e planeve të veprimit në vazhdim për adresimin e tyre, përpilimin dhe ndarjen e praktikave më të mira nga e gjithë bota, dhe udhëheqjen e përpjekjeve për të ngritur kapacitete kudo, për t’u përgatitur dhe për të kërkuar parandalimin e krizave globale në të ardhmen, dhe koordinimin e përgjigjeve emergjente kur ndodhin kriza.

Së treti, udhëheqësit botërorë, veçanërisht ata të G-7 dhe G-20, duhet që të angazhohen për një plan specifik, të financuar në mënyrën e duhur për të siguruar ujë të pijshëm të sigurt, sistem kanalizimesh dhe mbrojtje thelbësore nga pandemitë vdekjeprurëse për çdo njeri në Tokë deri në vitin 2030.

Kjo pandemi dhe ndikimi i saj ekonomik, vë në rrezik jo vetëm popullatat më të prekshme në botë, po na kërcënon të gjithëve. Nëse virusi përhapet kudo dhe pëson mutacion, ai paraqet një kërcënim të shtuar për njerëzit kudo që ndodhen.

Në këtë kontekst, apeli për një përpjekje masive të bashkërenduar globale për të adresuar nevojat emergjente të popullatës më të prekshme në botë, nuk është një akt bamirësie, por një domosdoshmëri pragmatike. Bota jonë gjendet sot në një udhëkryq.

Pandemia, zjarret, varfëria dhe dëshpërimi që shohim rrotull nesh, janë tregues i problemeve edhe më të këqija me të cilat do të përballemi, në rast se nuk ndryshojmë në mënyrë dramatike kursin tonë. Lajmi i mirë është se na pret një e ardhme shpresëdhënëse, ku nevojat tona kolektive mund të plotësohen shumë më mirë.

Pyetja për udhëheqësit botërore që takohen këtë javë në Asamblenë e Përgjithshme të KB – dhe për të gjithë ne, është nëse kemi imagjinatën dhe guximin e duhur për të filluar së bashku ndërtimin e asaj bote./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Si t’i kundërvihemi Partisë Komuniste Kineze

Publikuar

-

Nga

Nga HR.Mcmaster “National Interest”

* Partia Komuniste Kineze e sheh lirinë e shprehjes si një dobësi, që duhet shtypur brenda Kinës, dhe duhet shfrytëzuar jashtë vendit. Por shkëmbimi i lirë i informacionit dhe ideve, mund të jetë përparësia më e madhe konkurruese e shoqërive tona.

Ne duhet të mbrohemi ndaj agjencive kineze që koordinojnë operacionet e ndikimit jashtë vendit – si Ministria e Sigurimit të Shtetit, Departamenti i Punës i Frontit të Bashkuar dhe Shoqata Kineze e Studentëve dhe Studiuesve.

Por ne duhet gjithashtu të përpiqemi të maksimizojmë ndërveprimet dhe përvojat pozitive me popullin kinez. Ata që vizitojnë dhe bashkëveprojnë me shtetasit e vendeve të lira, kanë më shumë gjasa të kthehen në Kinë, dhe të vënë në pikëpyetje politikat e partisë komuniste, sidomos ato që mbysin lirinë e shprehjes.

Kështu njerëzit që drejtojnë shkëmbimet akademike, apo që janë përgjegjës për përvojat e studentëve kinezë, duhet të garantojnë që këta studentë të gëzojnë të njëjtën liri të mendimit dhe shprehjes si studentët e tjerë.

Kjo nënkupton miratimin e një qëndrimi të “tolerancës zero” për agjentët e Partisë Komuniste Kineze, që i monitorojnë dhe frikësojnë studentët dhe familjet e tyre në shtëpi. Studentët e huaj në universitetet jashtë vendit, pavarësisht nga vendi i tyre i origjinës, duhet të vlerësojnë historinë dhe formën e qeverisjes së vendit pritës.

Kur universitetet dhe organet e tjera pritëse, mbrojnë liritë që këta studentë duhet të gëzojnë, kjo shërben për t’iu kundërvënë propagandës dhe censurës së cilës i nënshtrohen studentët në vendin e tyre të lindjes. Dhe ndoshta më e rëndësishmja:studentët kinezë dhe të tjerë të huaj, duhet të integrohen plotësisht në trupat studentore të universiteteve tona, për t’u siguruar që ata të kenë përvojën më pozitive akademike dhe shoqërore.

Mbrojtja e aftësisë së studentëve për t’u shprehur lirshëm, duhet të shtrihet në komunitetet e emigrantëve. SHBA-ja dhe kombet e tjera të lira, duhet t’i shohin si një forcë bashkësitë e tyre të studentëve të huaj. Nëse mbrohen nga ndërhyrjet dhe spiunazhi i Partisë Komuniste Kineze, kinezët janë të aftë të gjykojnë vetë aktivitetet e partisë.

Ndërsa kjo e fundit bëhet më agresive në kontrollin e popullsisë kineze, për të ruajtur monopolin e pushtetit, emigrantët kinezë mund të vlerësojnë më tej përfitimet e jetesës në shoqëri që e lejojnë lirinë e shprehjes. Për shembull, duhet që shoqëritë e lira dhe të hapura, jo vetëm të ndalojnë hyrjen e kinezëve që bëjnë propagandë anti-perëndimore në emër të partisë, por edhe të krijojnë ambiente të sigurta për mërgimtarët kinezë që vënë në dyshim politikat dhe veprimet e PKK-së.



Liria e shprehjes dhe ajo e shtypit, luajnë një rol kryesor në promovimin e qeverisjes së mirë, për të distancuar vendet nga marrëveshjet e këqija nën logon e projektit “Një Brez, një Rrugë”. Uganda ofron një shembull pozitiv, se si kombinimi i zbatimit të ligjit dhe gazetarisë investigative, kundërshtuan sjelljen grabitqare ekonomike të Kinës në avantazhin e SHBA-së.

Në vitin 2015, qeveria e Ugandës ra dakord të marrë hua 1.9 miliardë dollarë nga një bankë kineze për të ndërtuar 2 diga. Një hetim në vitin 2018, zbuloi ndërtimet jo cilësore në digat e papërfunduara, dhe po atë vit, një gjykatë e Nju Jorkut dënoi një përfaqësues të kompanisë kineze për korruptimin e zyrtarëve afrikanë.

Më pas, udhëheqësit e Ugandës i kërkuan një konsorciumi amerikan të garonte për një projekt të ri të rafinerisë së naftës, një ofertë të cilin ai e fitoi. Ashtu si me lirinë e shprehjes, PKK e sheh tolerancën ndaj diversitetit si një kërcënim. Edhe në këtë fushë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera mund të bëjnë shumë.

Megjithëse disa mund ta shohin emigracionin e madh nga një shtet autoritar si një rrezik, unë besoj se Shtetet e Bashkuara dhe shoqëritë e tjera të lira dhe të hapura, duhet t’u japin më shumë vizave dhe nënshtetësi qytetarëve kinezë, sidomos atyre që janë shtypur nga regjimi. Emigrantët që kanë përjetuar një sistem autoritar, janë shpesh më të përkushtuar dhe më vlerësues ndaj parimeve, institucioneve dhe proceseve demokratike. Ndërkohë, ata japin kontribute të jashtëzakonshme në ekonominë tonë.

Nëse PKK-ja e intensifikon dhunën në Hong Kong dhe gjetkë siç bëri në Xinjiang, apo të përfshihet në masakra të ngjashme me atë të Sheshit Tiananmen, SHBA-ja dhe kombet e tjera duhet t’u japin viza dhe statusin e refugjatit atyre që janë në gjendje t’i shpëtojnë shtypjes.

Pas Masakrës së Tiananmenit, presidenti Xhorxh H.W.Bush firmosi ​​një urdhër ekzekutiv, që u dha të drejtën studentëve kinezë në Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë dhe të punojnë këtu. Në dekadën që pasoi, më shumë se treçereku i tyre qëndruan pas diplomimit.

Shumë nga ata që morën nënshtetësinë amerikane, ishin në ballë të inovacionit teknologjik në “Silicon Valley”. Vetë diaspora kineze, mund të sigurojë përmes lidhjeve të saj familjare, një kundërvënie të madhe ndaj propagandës dhe dezinformimit të Partisë Komuniste Kineze.

Shënim: HR.Mcmaster, është gjeneral-lejtnant i pensionuar i ushtrisë amerikane, dhe ish-këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit Trump. Artikulli, është një fragment nga libri i tij “Fushëbetejat:Lufta për të mbrojtur botën e lirë”./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE