Connect with Us

Pse nuk ishim gati për këtë virus?

Blog

Pse nuk ishim gati për këtë virus?

Publikuar

-

Për dekada të tëra, bota ka injoruar paralajmërimet për pandemitë nga ekspertët. Ndoshta koronavirusi do e ndryshojë këtë.

Në javët e para të pandemisë së koronavirusit, unë nuk duroja dot të lexoja për gabimet tona të hershme kolektive. Jo vetëm sepse qortimi i nënkuptuar ndihej i kotë – ç’qëllim kishte të dinim se realiteti i zymtë që po jetonim mund të ishte shmangur? – Por sepse, në rastin tim, kjo ndihej thellësisht personale. Çdo artikull që lexoja për injorimin e shenjave paralajmëruese të një virusi të ri shkatërrues, më kujtonte se dekada më parë, shkencëtarët ishin shqetësuar për atë gjë, dhe disa gazetarë të shkencës kishin shkruajtur për alarmin e shkencëtarëve. Unë isha një prej tyre.

Kur fillova ta hulumtoja këtë në 1990, termi “viruse në zhvillim” sapo ishte krijuar nga një virolog i ri, Stephen Morse. Ai do të bëhej personazhi kryesor në librin tim “Një Matricë Vallëzimi”, botuar tre vjet më vonë. Atëherë e përshkrova si një asistent profesor: i sinqertë, me syze, një njeri që e jetonte jetën kryesisht në mendje.

Morse dhe shkencëtarë të tjerë po identifikonin kushtet – ndryshimin e klimës, urbanizimin masiv, afërsinë e njerëzve me fermat ose kafshët e egra që ishin rezervuarë viralë – që mund të lëshonin mikrobe, të cilat kurrë nuk ishin parë te njerëzit dhe për këtë arsye, qenë jashtëzakonisht vdekjeprurëse. Ata po paralajmëronin që, falë një ekonomie gjithnjë e më të madhe globale, lehtësisë së udhëtimit ajror ndërkombëtar dhe lëvizjes së refugjatëve për shkak të urisë dhe luftërave, këto patogjenë vrasës mund të përhapeshin lehtësisht në të gjithë botën. Tingëllon e njohur?

“Kërcënimi i vetëm më i madh për vazhdimin e dominimit të njeriut në planet është virusi”. Në prezantimin e librit tim e përdora atë citim të guximshëm nga Joshua Lederberg, një biolog molekular që fitoi një çmim Nobel për punën e tij mbi bakteret. Në atë kohë mendova se Lederberg mund të ishte pak melodramatik. Tani thënia e tij më godet si jashtëzakonisht aktuale dhe parathënëse.

Kur numri i vekjeve në SHBA nga COVID-19 nuk kish arritur ende një mijë dhe kishin kaluar tre ditë kur guvernatori ynë, na kish bërë thirrje ne njujorkezëve të rrinim në shtëpi, unë i telefonova Morse për të parë se si po ndihej. Ai jep leksione epidemiologjie në Shkollën e Shëndetit Publik Mailman të Universitetit të Kolumbias dhe tani është në moshën e atyre që janë më të prekur nga pasojat më të këqija të koronavirusit. (Edhe unë jam.) Ai dhe gruaja e tij u vetëkarantinuan në apartamentin e tyre në Manhattan, vetëm disa milje larg nga imi.

“Jam dekurajuar, po, kur shoh se nuk jemi më të përgatitur pas gjithë kësaj, dhe se jemi ende mohues,” tha Morse. Ai më përmendi madje një citat të preferuar, nga guruja i menaxhimit Peter Drucker, i cili dikur u pyet: “Cili është gabimi më i keq që mund të bësh?” Përgjigja e tij, sipas Mors ishte: “Të kesh të drejtë para kohe”.

Unë dhe Morse nuk kishim të drejtë, para kohe apo jo. Askush nuk e kishte gjetur. Kur më pyetën në turneun e prezantimit të librit tim, se cila do të ishte pandemia tjetër, unë thashë që shumica e burimeve të mia të ekspertëve besonin se do të ishte gripi. “Asnjëherë nuk më kanë pëlqyer listat,” më tha Morse gjatë telefonatës sonë; ai tha se gjithmonë e dinte se epidemia e radhës mund të vinte nga kudo. Por në fillim të viteve 1990 ai dhe kolegët e tij prireshin të përqëndroheshin te gripi, ashtu si edhe unë. Ndoshta ka qenë gabim; nëse pandemia tjetër do të ishte gripi, kjo nuk do të shkaktonte shumë alarm. Gripi? Njerëzit e marrin çdo vit. Ne kemi një vaksinë për të.

Kështu që ndoshta ishte e kollajtë të injoroje paralajmërimet si “thjesht një grip”, apo mendim katastrofik i një shkrimtari. POr gazetarë të tjerë po shkruanin libra të ngjashëm, dhe disa prej tyre ishin shumë të shitur, si “Zona e NXehtë” i Richard Preston, dhe “Epidemia e Ardhshme”, nga Laurie Garrett, që doli një vit pas librit tim. Të gjithë ne përshkruanim të njëjtat skenare të zymta, të njëjtat lojëra lufte, të njëjtat thirrje që ishin të papërgatitur. Përse nuk mjaftuan?

I njeri Edvin Kilbourne mund të ketë patur diçka për të thënë në lidhje me këtë. Një prej kryeshkencëtarëve që merrej me kërkime të vaksinave, në një konferencë në mesin e viteve 1980 Kilbourne sajoi një skenar për një virus të tmerrshëm me cilësi që do e bënin tejet ngjitës, tejet vdekjeprurës, dhe shumë të vështirë për t’u kontrolluar. Ai e quajti një “virus monstër tejet malinj”, ose MMMV. Siç e përshkruante Kilbourne, ai do të transmetohej në ajër si gripi, do të ishte i qëndruesëm në mjedis si poliomeliti, dhe do fuste gjenet e veta direkt në bërthamën e qelizës, si HIV.

LEXO EDHE:  Arsyeja është e frikshme, ky është vendi ku ka rënë dëborë me ngjyrë jeshile

Koronavirusi i ri nuk është MMV i Kilbourne, por ka shumë prej cilësive të tij më të frikshme. Transmetohet në ajër, replikohet në traktin e poshtëm të frymëmarrjes, dhe mendohet të zgjasë me ditë në mjedis. Veç kësaj njerëzit mund të kenë shenja të buta apo të jenë asimptomatikë, që do të thotë se, ndonëse janë infektues, shpesh herë ndjehen të shëndetshëm për të dalë, shkuar në punë, dhe kollitur duke na e ngjitur. Në këtë mënyrë, ai është më keq se gripi dhe më i vështirë për t’u kontrolluar.

Kilbourne më tha 30 vjet më parë se e kishte krijuar MMMV për arsye lustruese. “Me viruset, ku vetëm pak ndryshime mund të bëjnë një ndryshim shumë të madh në sjelljen e mikrobeve, të përpiqesh të parashikosh rrugët e evolucionit dhe zhvillimit është pothuaj e pamundur”, më paralajëmroi ai.

Në vende si imi, ne mund të jemi lodhur nga kërcënimi i një pandemie globale sepse kemi parë kaq shumë kërcënime “Ky është i Madhi”, është një gjë që e kemi dëgjuar shumë herë, por kanë qenë të kufizuara në rajone që i kemi ndjerë si të largët. Me përjashtim të SIDA-s, epidemitë e forta kanë qenë prirur të mos bëhen globale: SARS në 2003 mbeti kryesisht në Azi, MERS në vitin 2012 nuk u largua nga Lindja e Mesme, Ebola në 2014 ishte kryesisht një mallkim për Afrikën Perëndimore. Ndërsa vazhduam të “shmangnim plumbat”, ishte e lehtë t’u atribuohej infeksioni në vendet e tjera, sjelljeve që nuk ekzistonin në shoqëritë tona. Shumica prej nesh nuk udhëtonin me deve, nuk hanin majmunë, nuk merreshin me lakuriqë nate të gjallë ose mace nëpër tregje.

Ky tëhuajëzim i rrezikut, në shumë drejtime, ka qenë gabimi i madh që na ka sjellë këtu. Teksa rilexoja librin tim kohët e fundit, gjeta një fjali e cila vë theksin në këmbënguljen tonë tek kjo sjellje turpëruese: “Pyet një virolog terreni se cili është lloji i epidemisë që ia vlen të ruhemi”, shkruaja unë, “dhe ai do të të përgjigjet me cinizëm: Vdekja e një njeriu të bardhë”.

I kam kthyer përmbys sirtarët e dosjeve të mia për të gjetur një bllok shënimesh, ku mund të kem shkruar emrin e virologut të terrenit, por më kot. Por edhe pa atë informacion, unë besoj në thelbin e asaj fjalie. Ne kemi lozur prej dekadash me sigurinë e species tonë. Po e bëjmë ende, duke ushqyer një vetëkënaqësi zyrtare dhe personale që në fund, e gjunjëzoi njerëzimin.

Si ka qenë të shoh shpalosjen e pandemisë, tre dekada pasi shkruajta që një pandemi do të shpaloset pak a shumë në këtë mënyrë? Të jem i sinqertë, më ka shkaktuar një marramendje të çuditshme. Më ka shkaktuar edhe një lloj të panjohur solipsizmi, aq sa për të më bërë të pyes veten: Nëse atëherë do të kisha thirrur më fort për mbikëqyrje dhe përgatitje më të madhe, a do të gjendeshim sot këtu ku jemi?

Megjithatë, ka diçka iluminuese kur lexon historitë e librit mbi epidemitë e shekullit të kaluar, kur viruse të reja vazhdonin të shfaqeshin, duke bërë kërdinë nëpër popullata, dhe më pas duke u zhdukur vetë. Por kurrë më parë, që nga gripi spanjoll i 1918-1919, nuk ka patur një pandemi të kësaj përmase, dhe kurrë me këtë përzierje të transmetueshmërisë dhe vdekshmërisë. Ne pothuaj i nxorrëm mësimet e duhura në vitet 1990, dhe më pas i injoruam. Ndoshta këtë herë, kur parashikimet janë bërë realitet, ato mësime do të ngjisin.

Robin Marantz Henig është gazetare nga Nju Jorku dhe autore e nëntë librave. / Nationat Geographic – Bota.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Katastrofa e Morias, dhe politika hipokrite e BE-së mbi refugjatët

Publikuar

-

Nga

Katastrofa e Morias, dhe politika hipokrite e BE-së mbi refugjatët

“Der Spiegel”

* Shahrzadi ia doli. Ajo arriti t’u shpëtonte flakëve që e shndërruan Moria-n, kampin më të madh të refugjatëve në Evropë, në një djerrinë të shkrumbuars. Por tashmë ajo nuk di se ku të shkojë. Një 25-vjeçare e ndrojtur nga Afganistani dhe me tipare fizike të imëta, Shahrzad ishte ulur mbrëmjen e së mërkurës përpara kampit të djegur në ishullin grek të Lesbosit, bashkë me burrin dhe dy fëmijët e saj të vegjël.

“Ne nuk e dimë se çfarë do të bëhet me ne tani”-thotë ajo. Ata kanë me vete dokumentet e identifikimit, por shumë pak gjëra të tjera. “S’kemi asgjë për të ngrënë, vetëm pak ujë. Askush nuk na thotë asgjë”- shton ajo. Familja afgane ndodhej në Moria prej 8 muaj kur zjarri shpërtheu mbrëmjen e të martës së shkuar, teksa ata po flinin në kontejnerët e tyre në kamp.

”Ne u zgjuam menjëherë kur pamë flakët, dhe dëgjuam njerëzit të bërtisnin. Morëm fëmijët në krahë, dhe vrapuam në errësirë ​​deri në kodër”-tregon më tej ajo. Ata i panë flakët me hidhërim. Sërish jeta e tyre po shpërbëhej në asgjë. “Moria nuk ka qenë kurrë një vend i mirë”- thotë Shahrzad.

Në kampin e mbipopulluar jetohej plot mjerim dhe frikë. Por të paktën ata kishin një çati mbi kokë. Gati 13.000 njerëz mbetën papritur të pastrehë nga zjarri që ra në kamp, dhe kryeministri grek Kiriakos Micotaqis shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Lesbos.

Qeveria e tij ka në plan t’i strehojë përkohësisht emigrantët në anijet e luftës ose anijet tregtare. Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende me saktësi. Por qarkullojnë të gjitha llojet e teorive, nga të besueshmet deri tek ato absurdet. Disa thonë se zjarri ishte vënë nga radikalët e djathtë, të tjerët fajësuan vetë refugjatët, ndërsa të tjerë akoma janë të bindur se zjarri është shkaktuar nga Turqia si një mënyrë për të provokuar grekët.

Por të enjten, Ministria Greke e Politikës së Migracionit, njoftoi se zjarri ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga vetë azilkërkuesit, si një reagim ndaj masave të karantinës, për shkak të dhjetëra rasteve të identifikuara me koronavirus më kamp. Ndërkohë, është i padyshimtë është fakti që Moria nuk është e vetmja gjë që u rrënua nga zjarri.

Po e tillë është edhe politika evropiane e azilit. Bashkimi Evropian donte ta bënte kampian e Moria-s si një model. Sipas kësaj praktike, kërkesat për azil duhej të përpunoheshin brenda vetëm disa javësh në “vatrat e nxehta” të vendosura në disa ishuj grekë.

Ata që do të njiheshin zyrtarisht si refugjatë, do të shpërndaheshin më pas në vendet e tjera anëtare të BE-së, ndërsa ata që do u refuzohej aplikimi për azil do të ktheheshin sërish në Turqi. Ky ishte në parim thelbi i marrëveshjes që Brukseli arriti me Ankaranë në vitin 2016. Por pak nga pikat e kësaj marrëveshje janë zbatuar.

Në vend të përpunimit me shpejtësi të kërkesave për azil, zyrtarët grekë i kanë mbajtur për periudha të gjata azilkërkuesit në Lesbos dhe ishuj e tjerë të Egjeut, në disa raste edhe me vite të tëra. Shumë pak refugjatë janë rikthyer mbrapsht në Turqi, por vështirë se ndonjë është lejuar të udhëtojë drejt Evropës Veriore.

LEXO EDHE:  Arsyeja është e frikshme, ky është vendi ku ka rënë dëborë me ngjyrë jeshile



BE-ja e sheh veten jo vetëm si një fuqi ekonomike dhe politike, por edhe si një fuqi morale. Por në Lesbos, blloku ka humbur gjithçka që mund të ketë mbetur nga autoriteti i tij moral. Një shëtitje nëpër Moria para rënies zjarrit, zbulonte një nga vendet më të pista dhe më të rrezikshme në të gjithë Evropën.

LEXO EDHE:  Një dimër bërthamor do të shkaktonte uri në mbarë botën/ Ja çfarë do të mund të hamë

Njerëzit këtu jetonin ngjeshur njëri pas tjetrit, me mbeturinat e kalbëzuara të shpërndara thuajse kudo, dhe me përrenjtë e bllokuar nga malet me mbetje plastike. Këshilltari politik me qendër në Berlin, Gerald Knaus e kishte cilësuar kampin si një “Guantanamo të refugjatëve”.

Midis korrikut dhe fundit të shtatorit 2019, më shumë se 25.000 refugjatë arritën në ishujt grekë. Moria vazhdoi të shtohej me refugjatë, në fillim në 10.000, dhe në mars të këtij viti thuajse 20.000 njerëz. Infrastruktura e kampit, e kishte të pamundur të menaxhonte kaq shumë njerëz.

Uji mungonte për orë të tëra, energjia elektrike po ashtu, duke nxitur disa azilkërkues të ndërhynin vetë në rrjet. Psikologët raportonin se fëmijët zgjoheshin natën duke bërtitur, dhe duke ikur nga çadrat e tyre në panik, ose duke prerë veten me thikë, në përpjekje për t’u vetëvrarë.

Nga ana tjetër edhe banorëve të Lesbosit, u kishte sosur durimi me përdorimin e ishullit të tyre si një bazë për azilkërkuesit nga e gjithë bota. Ata kundërshtuan me forcë ndërtimin e një kampi të ri në veri të ishullit në fillim të këtij viti.

Situata për grekët u vështirësua edhe nga fakti, që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nisi të respektonte gjithnjë e më pak marrëveshjen e tij me BE-në mbi refugjatët. Athina dhe Ankaraja, i kanë rritur shumë tensionet midis tyre javët e fundit, ndërsa konflikti i tyre mbi qasjen në burimet natyrore është intensifikuar akoma më tej.

Njerëzit pranë Micotaqis, janë të shqetësuar se Erdogani mund t’i dërgojë emigrantët sërish drejt Greqisë, për ta vënë Athinën nën presion, ashtu siç bëri edhe në pranverë. Ndërkohë edhe Evropa në tërësi, është larg sa kurrë më parë zbatimit të një politike koherente mbi refugjatët.

Disa shtete si Luksemburgu, besojnë se pas katastrofës në Moria, Bashkimi Evrppian nuk mund të vazhdojë si më parë, ndaj po kërkojnë që vendet anëtare të pranojnë azilkërkuesit që ndodhen aktualisht në Greqi.

Por vende të tjera, si Austria, po vazhdojnë t’i refuzojnë me forcë propozime të tilla. “Evropa do të mbetet e sëmurë, për sa kohë nuk gjen një rrugëdalje për krizën e refugjatëve”- u shpreh për “Der Spiegel” Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Zhan Aselborn.

Marrë me shkurtime./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Kërcënimi i afërt i një Amerike Socialiste

Publikuar

-

Nga

Kërcënimi i afërt i një Amerike Socialiste

Nga Lee Edwards “Nationl Riview”

* Kur kongresmenet e ekstremit të majtë të njohur si “Squad”, kremtonin fitoret e tyre te thella në zgjedhjet paraprake në gjirin e Partisë Demokratike në fillim të këtij viti, strategët largpamës radikalë po komplotonin për të arritur qëllimin e tyre afatgjatë:ndërtimin e një Amerike socialiste të qeverisur sipas vetë fjalëve të grupit marksist “Alternativa Socialiste”, “një udhëheqje marksiste e testuar”.

Për ata që thonë se nuk mund të ndodhë këtu, ka shumë shenja paralajmëruese për të kundërtën. Në Nju Jork, përfaqësuesja Aleksandria Okasio-Kortez jo thjesht e mundi sfidantet e saj me origjinë latine, moderatoren e njohur të CNBC Mishel Karuzo-Kabrera. Ajo e dërrmoi atë, duke fituar me 74.6 për qind të votave.

Aleksandria Okasio-Kortez

Ndërkohë kongresmenia Rashida Tlaib mundi me lehtësi presidenten e Këshillit të Qytetit të Detroit Brenda Xhons, me 66.3 për qind të votave. Ilhan Omar i fitoi zgjedhjet paraprake në Minesota kundër Anton Melton-Mio të mirë-financuar me 57.4 për qind të votave.

Në çdo rast, socialistët mposhtën demokratët liberalë që ishin tërheqës, të organizuar dhe që kishin shumë para. Nuk kishte rëndësi që një shumicë dërrmuese e votuesve demokratë e mbështeti vizionin e OAC-Tlaib-Omar për një Amerikë socialiste, përfshirë edhe Marrëveshjen e Re të Gjelbër me vlerë triliona dollarë.

Këto ishin vetëm disa nga provat e një ndryshimi revolucionar në Partinë Demokratike, që është duke u bërë Partia Socialiste. Tre demokratë të vjetër në Kongres humbën vendet e tyre nga kandidatët e ngjashëm me 3 kongresmenet e lartpërmendura.

Rashida Tlaib

Kongresmenia Lejsi Klej e Misurit, 20 vite në këtë post, humbi përballë Kori Bush, një udhëheqëse e lëvizjes “Black Lives Matter”. Kongresmeni i Nju Jorkut, Eliot Engel, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme, u mund nga një drejtori shkolle, progresisti Xhamal Bauman.

Kongresmeni Den Lipinski në Ilinois, një nga demokratët e paktë në Kongres kundër abortit, humbi përballë sfidantes së ekstremit të majtë Mari Njuman. Përpjekjet në bazë të Socialistëve Demokratë të Amerikës (DSA) dhe grupeve të ngjashme të krahut të majtë, po japin frytet e tyre.

Në Nju Jork, 5 kandidatë në mbarë vendin për Asamblenë e Përgjithshme, të cilët ishin miratuar nga DSA, fituan zgjedhjet paraprake. Ata garuan me platforma që përfshinin Marrëveshjen e re të Gjelbër, kujdesin shëndetësor me një pagues të vetëm, reformën në drejtësinë penale, strehimin për 70.000 të pastrehët e shtetit të Nju Jorkut, strehim të përballueshëm për të varfrit, taksa të reja për të pasurit me Uoll Stritin që duhet t’i paguajë të gjitha kostot.

Den Lipinski

Qëllimi i tyre, siç përcaktohet edhe në sloganet e fushatës, është “të çojnë përpara vizionin e një bote socialiste”. Dhe socialistët e PD, gjetën mjaftueshëm votues në gjithë vendin. Në Filadelfia, socialisti Nikil Saval fitoi zgjedhjet paraprake në gjirin e demokratëve për senatin e shtetit.

Samer Li, gruaja e parë zezake që përfaqëson Pensilvaninë Jugperëndimore në senatin e shtetit, fitoi rizgjedhjen me 75 për qind të votave. Në zgjedhjet paraprake në Kaliforni, rezultatet zbuluan se 53 për qind e demokratëve e shohin socializmin “në mënyrë të favorshme”.

Në Teksas, votuesit demokratë e miratuan socializmin me 56 për qind, një diferencë kjo prej 20 pikësh mbi kapitalizmin. Socialistët po tubohen rreth senatorit popullor Berni Sanders, që grumbulloi më shumë para se çdo kandidat tjetër për fushatën e këtij viti (rreth 200 milion dollarë), grumbulloi një “ushtri” të madhe vullnetarësh, dhe fitoi zgjedhjet brenda-partiake në Ajoua, Nju Hempshajër dhe Nevada.



Por ai nuk ishte në gjendje të dominonte në Këshillin Kombëtar Demokrat, që u tubua rreth ish zv/presidentit Xho Bajden. Strategët socialistë po llogaritin se si mund të shtyjnë më në të majtë Partinë Demokratike. Kërt Ris argumenton tek revista “Jacobin” se socialistët kanë nevojë për institucione më të forta në të majtë, veçanërisht për sindikata më luftarake.

LEXO EDHE:  Kina e mban sekret masën e shpërthimit të virusit CORONA

LEXO EDHE:  Nënë për herë të parë! Loredana tregon arsyen e veçantë përse fshehu pritjen e ëmbël nga fansat

Ris, që u angazhua në fushatën e Sanders, tregon se vetëm 3 sindikata të vogla e mbështetën senatorin. Ai gjithashtu pretendon se socialistët kanë nevojë për më shumë organizata aktiviste si DSA, Revolucioni Ynë dhe Lëvizja Lindja e Diellit, së bashku me media më të pavarura si “Demokracy Now!’ dhe “Jacobin”.

Socialistët kanë nevojë për “zgjedhje të luftës së klasave”, argumenton Ris, që t’i drejtojnë njerëzit kundër klasës sunduese dhe të fokusohen tek “lakmia dhe korrupsioni i kapitalizmit”. Socialistët besojnë, thotë ai, se me krizat e shumta në ekonomi, qeveri dhe shëndetin publik, ka ardhur koha të kërkojmë ndërtimin e një bote ku “të gjithë njerëzit të mund të jetojnë me dinjitet, siguri dhe liri”.

Alternativa Socialiste (DSA), ka bërë thirrje për formimin e një partie të re të majtë me “një program të qartë socialist dhe një udhëheqje të testuar marksiste”. ‘The Call”, një botim i “Bread and Roses”, një grup marksist, ka deklaruar, duke i bërë jehonë Karl Marksit, se punëtorët amerikanë kanë nevojë për “një parti të madhe të klasës punëtore”.

Lëvizja “Sunrise”, një grup i majtë ambientalist i udhëhequr nga të rinjtë, thotë se një parti e punëtorëve nuk duhet të jetë një qëllim “i menjëhershëm”. Por ata në ekstremin e majtë, mendojnë se një parti e punëtorëve është “një synim i rëndësishëm strategjik për lëvizjen socialiste”.

Këta radikalë e shohin qartazi veten e tyre si pararoja e Revolucionit, ashtu si bolshevikët e vitit 1917 në Rusi, të përgatitur për të goditur kur të jetë pjekur momenti, për të rrëzuar një strukturë të dobësuar politike dhe ekonomike. Megjithëse janë relativisht të paktë në numër- DSA ka një anëtarësi prej rreth 70.000 njerëzish – ata janë shumë të përkushtuar ndaj kauzës së tyre.

Ata kanë ndihmuar në zgjedhjen e një numri kandidatësh në nivel kombëtar dhe lokal. Sipas sondazheve, gjendja shpirtërore e vendit është e favorshme për zgjidhje radikale të tilla si arsimi falas, kujdesi shëndetësor falas dhe Marrëveshja e Re e Gjelbër, që do të eleminonte naftën, qymyrin dhe gazin natyror si burime të energjisë.

Duke pasur parasysh triumfet elektorale që citova më lart, a jemi të sigurt se një Amerikë socialiste është realisht e pamundur, sidomos kur 70 për qind e brezit të ri thonë se do të votonte për një socialist? Ne nuk mund të varemi nga dikush tjetër për të reaguar. Ne duhet të hidhemi që tani në sulm, duke e shpërndarë të vërtetën në lidhje me socializmin dhe alternativën e sipërmarrjes së lirë.

Ne duhet ta theksojmë se socializmi nuk ka funksionuar kurrë askund, së fundmi as në Venezuelë dhe më herët as në Izrael, Indi dhe Britaninë e Madhe. Ne duhet të tregojmë gjithashtu se ai bazohet tek profecitë e dështuara të një ekonomisti mashtrues me emrin Karl Marks, që parashikoi dy shekuj më parë se kapitalizmi do të binte vetë, se socializmi do të thoshte fundi i pronës private dhe i bizneseve të vogla, nga të cilat tani ka 30 milionë të tilla vetëm në SHBA.

Për më tepër, ne duhet t’u shpjegojmë amerikanëve dhe gjithë të tjerëve se falë sipërmarrjes së lirë, 1 miliard njerëz dolën nga varfëria, dhe një klasë e re e mesme është formuar në të gjithë botën, se kapitalizmi dhe jo socializmi ka sjellë më shumë pasuri dhe më shumë liri për më shumë njerëz se çdo sistem tjetër ekonomik në histori.

Në dallim nga të drejtat e shkruara nga Tomas Xheferson në Deklaratën e Pavarësisë, këto fakte nuk janë të vetëkuptueshme. Ne duhet t’i paraqesim ato pa u lodhur dhe t’i mbrojmë pa pushim. Alternativa – humbja e vendit tonë përballë të ashtuquajturve socialistë demokratë – është e paimagjinueshme./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Bullgarët në protestë kundër kapjes së gjyqësorit nga oligarkët dhe politika

Publikuar

-

Nga

Nga Jana Tsoneva “Al Jazeera”

Më 2 shtator, protestat 2-mujore anti-qeveritare në Bullgari hynë në fazën e tyre më të dhunshme deri më tani. Për herë të parë, policia përdori topat e ujit, gazin lotsjellës dhe sprajin me piperin djegës, duke shënuar fundin e fazës relativisht paqësore të protestave që e bënë Bullgarinë të veçantë në Evropë në këtë drejtim.

Të nesërmen qeveria i përdori përplasjet si një justifikim për të ndaluar negociatat për largimin e saj nga pushteti. Siç e deklaroi më 3 shtator deputeti Toma Bikov nga partia qeverisëse GERB:“Pas ngjarjeve të ndjeshme, ne nuk mund të diskutojmë më dorëheqjen e qeverisë, pasi kjo do të nënkuptonte dorëheqjen pas sulmeve nga kriminelët”.

Por çfarë i shkaktoi këto ngjarje dramatike? Që nga fillimi i këtij viti, një seri krizash dhe skandalesh kanë krijuar tension në sferën publike, dhe kanë çuar në një valë protestash kundër sundimit pothuajse të pandërprerë 10-vjeçar të GERB.
Dimri që shkoi u shoqërua me një krizë të furnizimit me ujë të pijshëm, e shkaktuar nga tharja e disa digave. Por kriza u ndihmua edhe nga mungesa e mirëmbajtjes së infrastrukturës, si dhe e sjelljes së butë të qeverisë ndaj industrive të mëdha që abuzojnë me rezervat e ujit.

Pastaj erdhi pandemia e koronavirusit, dhe menaxhimi i keq i saj nga qeveria, ku shumë mjekë dhanë dorëheqjen nga detyra për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse dhe kushteve të papërshtatshme në spitale.
Pastaj një mori skandalesh zbuluan disa skema korruptive që përfshinin prona shumë fitimprurëse përgjatë bregdetit të Detit të Zi. Ndërkohë fillimi i verës u karakterizua nga një riorganizim i shpejtë brenda radhëve të oligarkisë në pushtet dhe biznesmenëve pranë tyre, duke çuar në rënien e kuotave të Vasil Bozhkov, një nga bosët më të pasur të lojërave të fatit, turizmit dhe ndërtimit në Bullgari.

Fotot e kryeministrit Bojko Borisov duke fjetur në dhomën e tij të gjumit pranë një sirtari të mbushur plot me kartëmonedha 500- euroshe, lingota ari dhe një armë, bënë bujë në media. Kryeministri nuk e mohoi vërtetësinë e fotove, por pretendoi se paratë ishin shtuar përmes një foto-montazhi.



Pastaj, Fondi Anti-Korrupsion, një OJQ që dokumenton dhe heton korrupsionin e nivelit të lartë, publikoi një dokumentar në lidhje me një skemë tinëzare të vjedhjes së bizneseve të profilit të lartë me ndihmën e sistemit gjyqësor.
Në korrikun e këtij vitit, Hristo Ivanov, bashkë-udhëheqës i koalicionit liberal “Bullgaria Demokratike” dhe aktivist i reformës në drejtësi, e shndërroi luftën brenda elitës në një “luftë civile” midis llojit, duke hyrë me forcë në plazhin e zënë në mënyrë të paligjshme përreth resortit bregdetar të Ahmed Dogan, udhëheqësit të Lëvizjes liberale për të Drejtat dhe Liritë (DPS), që pretendon se përfaqëson pakicat etnike në Bullgari, por që është e mirë-njohur si një nga partitë më të korruptuara në vend.

Ivanov dhe kolegët e tij u tërhoqën zvarrë nga rojet e sigurisë, të cilët refuzuan të zbulonin nëse punonin për Shërbimin e Sigurisë Kombëtare (NSS), një agjenci qeveritare e ngarkuar me ofrimin e sigurisë personale për zyrtarë e lartë dhe funksionarët e shtetit.
Incidenti shkaktoi një protestë, e nxitur edhe nga ndërhyrja e presidentit bullgar Rumen Radev, që konfirmoi se rojet e sigurisë janë me të vërtetë punonjës të NSS, dhe të emëruar në atë detyrë në shkelje të mandatit të tyre.

LEXO EDHE:  Pse ndihemi të lodhur edhe nëse flemë?

LEXO EDHE:  Arsyeja është e frikshme, ky është vendi ku ka rënë dëborë me ngjyrë jeshile

Kryeprokurori, Ivan Geshev, të cilin opozita e ka akuzuar për ndihmë dhe mbështetje të korrupsionit, duke refuzuar të ngrejë akuza kundër politikanëve dhe biznesmenëve, reagoi menjëherë duke urdhëruar një bastisje në presidencë, në shkelje të dukshme të të gjitha garancive të imunitetit të sanksionuara me kushtetutë dhe ndarjes së pushteteve. Të nesërmen, më 9 korrik, u zhvillua protesta e parë e madhe në Sofje. Pavarësisht pikëpamjeve liberale të deklaruara nga organizatorët e saj, protesta tërhoqi njerëz nga i gjithë spektri politik.

Protestat shpalosën 3 kërkesa kryesore:dorëheqjen e koalicionit qeverisës dhe kryeprokurorit, zgjedhje të parakohshme, dhe më pas ndërmarrjen e një reforme në drejtësi përmes ndryshimeve kushtetuese. Në pak kohë, partia qeverisëse e ndryshoi rendin e kërkesave dhe në gusht i shtangu të gjithë duke deklaruar se kishte hartuar një kushtetutë të re për të përmbushur kërkesën për ndryshim. Borisov e lidhi dorëheqjen e tij me ndryshimet kushtetuese, duke shpjeguar se nëse partia e tij nuk arrinte të mblidhte firmat e 50 për qind të deputetëve (120) deri më 2 shtator – kuota minimale e nevojshme që parlamenti të fillojë diskutimin e draftit – ai do të jepte dorëheqjen. Pavarësisht nga premtimi i paqartë i dorëheqjes, protestuesit u zemëruan. Drafti kushtetues ishte plot me gabime, gramatikore si dhe teknike; parashikonte disa ndryshime shqetësuese, të perceptuara si përpjekje për të çimentuar pushtetin e partisë qeverisëse.

Pas 2 javë negociata nervoze, propozimi i Borisov arriti të ketë mbështetjen e 122 firmave para 2 shtatorit, me ndihmën e partisë populiste të manjatit të karburanteve dhe farmacuetikësVeselin Mareshki. Të nesërmen, u zbulua se një kompani e lidhur me Mareshkin fitoi një koncesion fitimprurës 20-vjeçar në një zonë bregdetare. Lajmi i tërboi protestuesit dhe më 2 shtator, turmat më të mëdha që nga fillimi i krizës u mblodhën në qendër të Sofjes. Por në mbrëmje, disa protestues që mendohej se ishin provokatorë të paguar, nisën të hidhnin fishekzjarrë të vegjël ndaj policisë, gjë që provokoi një reagim të dhunshëm të kësaj të fundit.
Rreth 100 persona u arrestuan, shumë të tjerë u rrahën. Këto ngjarje, po vënë në provë konceptin e zakonshëm të shtetit si një arbitër neutral. Elita bullgare është thellësisht e përçarë, dhe fraksionet ndërluftuese po e përdorin fuqinë e tyre mbi shtetin si një armë kundër konkurrentëve të tyre.

Pavarësisht rritjes së koalicionit liberal të Hristo Ivanov nga protestat e fundit, nuk ka gjasa që partia e tij ta zgjidhë këtë problem brenda kornizës së ngushtë të reformës legaliste që ajo propozon (reforma në drejtësi dhe de-politizimi i Prokurorisë së Përgjithshme). Fuqia e oligarkisë duhet të zvogëlohet jo vetëm “nga lart”, pra përmes një legjislacioni më të rreptë penal dhe anti-korrupsion, por edhe nga “poshtë”, nga themelet. Bullgaria ka gjithashtu nevojë për një shtet më të fuqishëm të mirëqenies sociale, që mund t’i bëjë më pak të ndërvarur nga oligarkët njerëzit e thjeshtë që punojnë./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE