LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çfarë mund të presim realisht nga një vaksinë kundër Covid-19?

9 Gusht 2020, 06:24, Blog CNA
Çfarë mund të presim realisht nga një vaksinë

Vaksina është fjala magjike, tek e cila ne kemi varur çdo shpresë për të rifilluar jetën e zakonshme ashtu si para pandemisë. Po a do të zhdukë menjëherë pandeminë vaksina? Dhe në praninë e një vaksine, a do të arrijmë më në fund të heqim dorë nga përdorimi i maskave? Të paktën për njëfarë kohë përgjigjja për të dyja pyetjet është ndoshta jo. Dhe ja se pse.

Çfarë do të ndodhë?

Le t?ia fillojmë me lajmin e mirë:me të paktën 27 vaksina në fazën e testit tek njerëzit, dhe 6  prej tyre që kanë arritur tashmë testin e fazës së tretë (pra ku provohen tek dhjetëra mijëra njerëz të ekspozuar ndaj infeksionit), ka arsye të besojmë se një vaksinë efektive kundër Covid-19 do të jetë herët a vonë në dispozicion.

Ndërkohë, është më pak realiste të mendohet që kjo vaksinë, pavarësisht nga lloji i saj, mund të garantojë atë që ekspertët e quajnë imuniteti sterilizues, pra zhdukjen e plotë të virusit SARS-CoV-2. Pavarësisht nëse vaksinat janë prodhuar me viruse të ç?aktivizuara apo të dobësuara, proteina virale apo ARN mesazhere që kodon një fragment të virusit, ato e aktivizojnë sistemin tonë imunitar pa shkaktuar infeksionin.

Pra të jesh i vaksinuar, është pak a shumë si të prekesh njëherë nga sëmundja, por pa e ekspozuar trupin ndaj pasojave të tij. Ka ende shumë dyshime mbi imunitetin që zhvillohet pas infektimit (apo vaksinimit):nuk është e qartë se sa zgjat ai, apo nëse është e mundur të prekesh për herë të dytë nga koronavirusi.

Për më tepër, vaksinat merren zakonisht përmes një injeksioni intramuskular:pasi trupi të ketë njohur sinjalin e një ?pushtimi? të pretenduar, ai krijon një mbrojtje imunitare që qarkullon në gjak. Gjithsesi, viruset e frymëmarrjes sulmojnë mukozën e hundës dhe fytit, ku antitrupat e induktuara arrijnë në sasi më të vogla.

Është kjo arsyeja, pse është e arsyeshme të pritet që vaksina e ardhshme, mund të mos parandalojë që koronavirusi SARS-CoV-2 të infektojë traktin e sipërm respirator. Por nga ana tjetër, ajo mund të mbrojë rrugët e poshtme të frymëmarrjes, siç janë mushkëritë, duke shmangur kështu rastet më të rënda të sëmundjes dhe vdekjeve. Kjo do të ishte tashmë një arritje e madhe, dhe kjo është ajo çka shpresojnë studiuesit në të gjithë botën.

Goditja e parë ndaj virusit

Pra gjenerata e parë e vaksinave anti-kovid, do të ketë si synim kryesor shmangien e numrit më të madh të mundshëm të vdekjeve. Pra ne mund të presim që ajo të zbusë ashpërsinë e sëmundjen, duke parandaluar ndërlikimet më të rënda të saj, edhe nëse nuk do të ndalë 100 për qind përhapjen e saj.

Siç shpjegohet në një artikull në ?The Atlantic?, do të jetë më afër vaksinës kundër gripit sesa një vaksine kundër poliomielitit:ne do ta marrim atë për të rritur mbrojtjen tonë imunitare, dhe për t?u mbrojtur nga pasojat serioze të sëmundjes, por të paktën në fillim ta harrojmë se mund ta zhdukim përgjithmonë koronavirusin.

Edhe Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), ka deklaruar se që të aprovohet përdorimi i një vaksine, ajo do të duhet të parandalojë ose të zvogëlojë me të paktën 50 për qind simptomat e rënda. Nëse kjo normë ju duket e vogël, përpiquni të mendoni pak mbi efektin që do të kishte kjo në vendet ku pandemia tani po përhapet në mënyrë të shfrenuar, si në Shtetet e Bashkuara, Indi, Meksikë apo Brazil.

Një aspekt i harruar

Në vitin 2009, kur bota u mobilizua për të prodhuar një vaksinë kundër nëntipit H1N1 të virusit të grupit A, me gjithë përvojën shumë vjeçare në prodhimin e vaksinave, kompanitë farmaceutike hasën dy pengesa kryesore. E para ishte rezistenca e virusit ndaj shumimit në vezë, sistemi i përdorur për të prodhuar vaksinat.

E dyta, kur miliona doza ishin gati, nuk kishte mjaftueshëm kapacitete për të prodhuar flakonët ku duhet të futej vaksina. Nëse ky aspekt nuk planifikohet siç duhet, ne mund të përballemi me skenarin depresiv, që më në fund do të kemi një vaksinë, por nuk do të dimë se si ta çojmë atë tek pacientët.

Lamtumira graduale ndaj Covid-19

Edhe komunikimi do të jetë një aspekt që duhet menaxhuar me kujdes. Fakti që në fillim, ne vështirë se do të kemi një shkop magjik për të zhdukur epideminë, dhe kësisoj rikthyer jetës si më parë, mund të përforcojë mesazhet e kundërshtarëve të vaksinimit, dhe ta bëjë utopike perspektivën e arritjes së imunitetit të tufës.

Nëse përveç vaksinimit, ne vazhdojmë të përdorim maskat, jo vetëm që e parandalojmë virusin të shkaktojë dëme serioze, por do ta bëjmë edhe më të vështirë qarkullimin e tij, duke e ulur ndjeshëm kurbën pandemike.

Pra, do të na duhet të përdorim të gjitha armët që kemi në dispozicion, të vetëdijshëm për faktin se ndryshe nga viruset e tjera me sjellje të jashtëzakonshme, siç është HIV-i, herët a vonë SARS-CoV-2 do të zhduket. Por jo menjëherë./Përshtati në shqip CNA.al

Lajmet e fundit nga