Connect with Us

Çfarë sekretesh fshihen në qytetet e mbyllura të Rusisë?

Blog

Çfarë sekretesh fshihen në qytetet e mbyllura të Rusisë?

Publikuar

-

Çfarë sekretesh fshihen në qytetet e mbyllura të Rusisë?

Në Rusi mund të ketë aktualisht deri në 40 qytete të mbyllura, ku jetojnë rreth 1.5 milionë banorë. Qytetet e mbyllura, janë pjesë e trashëgimisë sovjetike. Kur Bashkimi Sovjetik aspironte të rivalizonte ushtarakisht SHBA-në, në vendin komunist u ngritën shumë qytete të mbyllura.

Aty u zhvilluan kërkime, u zhvilluan armë dhe teknologji sekrete ushtarake. Këto qytete nuk figuronin në harta, dhe ekzistenca e tyre u mbajt sekret si ndaj qytetarëve të tjerë sovjetikë, ashtu edhe të huajve. Banorët e tyre punonin në fabrika sekrete, dhe asnjeri nuk mund të dilte apo hynte në këto qytete sekrete pa një leje të posaçme.

Në këmbim, qeveria u siguroi këtyre njerëzve apartamente, punë të garantuar, ushqime dhe një shërbim shëndetësor më cilësor. Edhe sot, gati 30 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia ka një numër qytetesh sekrete brenda kufijve të saj. Ja cilat janë 5 prej tyre.

Norilsk

Ndodhet në veri të Rrethit Arktik, dhe është një qendër minierare industriale, e themeluar që në vitet 1920, kur qeveria sovjetike vendosi të eksplorojë dhe shfrytëzojë burimet e pasura minerale të rajonit. Të burgosurit e gulagëve, u detyruan të ndërtojnë shumicën e uzinave dhe fabrikave në Norilsk.

Shumë nga ata vdiqën për shkak të klimës së ashpër, dhe kushteve të vështira të punës. Por me gjithë rëndësinë e tij strategjike, Norilsku nuk ishte një qytet i mbyllur deri në vitin 2011, kur qeveria ruse vendosi ta klasifikojë si të tillë. Në njoftimin zyrtar, u tha se statusi i ri i qytetit synonte përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, që tashmë do të kishin përfitime sociale shtesë.

Por kur statusi i ri hyri në fuqi, ai kufizoi ndërkohë edhe hyrjen e të huajve. Për të hyrë në një nga qytetet më të ndotura sot në botë, çdo i huaj, përfshirë gazetarët, duhet të aplikojë fillimisht për një leje speciale, duke mos pasur asnjë garanci për marrjen e saj.

Zheleznogorsk

Fillimisht i njohur si Krasnojarsk 26, ky qytet i mbyllur u themelua në vitin 1950, si një vend ku prodhohej plutonium për armët bërthamore. Gjithashtu, aty kryen hulumtime dhe zhvillohen sistemet hapësinore, përfshirë programin e famshëm GLONASS – një alternative ruse ndaj GPS së prodhuar nga Amerika.

Disa burime thonë se qyteti ka vendstrehime bërthamore, të ndërtuara brenda shpellave në malet që rrethojnë zonën, të dizenjuara për t’i bërë ballë një sulmi bërthamor. Një legjendë e zonës, thotë se ndërsa shërbimet e huaja të inteligjencës dështuan të depërtojnë në qytet, një banor vendas ia doli të vjedhë një sasi plutoniumi nga fabrika sekrete.

LEXO EDHE:  “Sanksionet e SHBA të paligjshme”/ Rusia premton hakmarrje

Ai e ruante atë në shtëpinë e tij në një kavanoz të thjeshtë qelqi. Kur u zbulua nga autoritetet, ai u justifikua se qëllimi i tij i vetëm, ishte të helmonte vjehrrën e vet, që sipas tij fuste shpesh hundët në punët e familjes.

Znamensk (Kapustin Jar)

Ky qytet është i mbyllur për një arsye të thjeshtë:është vendbanimi kryesor pranë Kapustin Jar, një bazë sekrete ku zhvillohen edhe eksperimentohet me raketat ruse në Rajonin Astrakhan. Baza u ndërtua në fund të viteve 1940, dhe u përdor për testimin e raketave balistike sovjetike, para se të shndërrohej në një kozmodrom në vitin 1962 për lëshimin e satelitëve të vegjël për qëllime kërkimore shkencore.

Fshehtësia e aktiviteteve, shkaktoi lindjen e thashethemeve të vazhdueshme në lidhje me shfaqjen e UFO-ve në këtë zonë. Disa madje pohojnë se në vitet 1950, në këtë zonë u rrëzua një UFO, duke e krahasuar Znamenskun me incidentin e famshëm dhe të diskutueshëm të Rozuellit në SHBA.

Sarov

Në Rusinë Cariste, Sarov njihej si një vend i shenjtë. Aty ndodhet një manastir i lashtë, i ndërtuar pranë lumit Sarov, prej nga e mori edhe emrin qyteti. Pas Revolucionit Bolshevik, Sarov u shndërrua në një nga vendet më sekrete dhe strategjike të Bashkimin Sovjetik.

Pikërisht aty fizikanti sovjetik Igor Kurçatov, ndërtoi bombën e parë atomike sovjetike,

e njohur edhe si RDS-1. Në atë kohë, Sarov u zhduk nga të gjitha hartat, dhe askush nuk lejohej të hynte apo dilte nga qyteti pa një leje speciale, gjë e cila nuk mund të merrej nga kushdo, por vetëm nga pjesëtarët dhe punonjësit në projektin sekret. Sot Sarov vijon të mbetet një qytet i mbyllur, pasi aty ndodhet ende Instituti i Studimeve për Armët Bërthamore.

Severomorsk

Ky qytet në veri të Rrethit Arktik, është një bazë e Flotës Veriore të Marinës Ruse, dhe cilësohet si një vend strategjik. Edhe pse kjo bazë detare ka funksionuar që në ditët e para të Bashkimit Sovjetik, ai mori statusin e një qyteti të mbyllur vetëm në vitin 1996, pak vite pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Nga Severomorsk u nis aeroplanmbajtësja e famshme “Admiral Kuznetsov”, për të marrë pjesë në fushatën ushtarake të Rusisë në Siri në vitin 2017. Qyteti është plot me muzeume kushtuar historisë së marinës ruse. Ai ka një klimë të ashpër, ndërsa zhytet tërësisht në errësirë nga fillimi i dhjetorit deri në mesin e janarit./Përshtati në shqip CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Çfarë e shkaktoi lindjen e feve monoteiste në botë?

Publikuar

-

Nga

Çfarë e shkaktoi lindjen e feve monoteiste në botë?

Sipas organizatës amerikane Pew Research Center, sot mbi gjysma e botës praktikon Krishterimin, Islamin ose Judaizmin. Këto fe janë që të gjitha monoteiste, pra adhurimin në një Zot të vetëm. Por sipas studiuesve, kuptimi ynë modern i monoteizmit, është një dukuri e kohëve të fundit, madje më i ri edhe se sa fetë që përshkruam.

Po si u shfaq monoteizmi?Përgjigja është e ndërlikuar. Sipas studiuesve, monoteizmi nuk u shfaq me Judaizmin, as me Krishterimin apo Islamin. Por ai është një koncept modern. Dhe në varësi të mënyrës sesi e përkufizoni, ai ose u shfaq mijëra vjet para këtyre feve kryesore, ose qindra vjet më vonë.

Në një nivel sipërfaqësor, shumë fe të lashta duken politeiste. Pavarësisht nëse i referoheni Mesopotamisë apo Egjiptit të lashtë, Greqisë apo Romës, Mbretërisë së Aksumit në Afrikën Veriore apo Izraelit të lashtë: që të gjitha këto civilizime adhuronin dikur shumë perëndi.

“Realiteti është pak më i komplikuar”-thotë Endrju Dardin, historian i feve në Universitetin Shtetëror të Floridas, SHBA.

“Kur shihni historinë njerëzore, dallimi midis politeizmit dhe monoteizmit është shumë i vogël”-thotë Dardin për Live Science. Nëpër kultura të ndryshme, panteone ose grupe hyjnish specifike për një fe të caktuar, përshkruheshin shpesh si shprehje të së njëjtit entitet hyjnor, e ngjashme me atë që adhurojnë të krishterët si Trininë e Shenjtë -Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë – si shfaqje të ndryshme të Zotit.

Për shembull, në mijëvjeçarin e dytë Para Krishtit, poema e lashtë epike mesopotamiane, “Enuma Elish”, e quan zotin kryesor Marduk me 50 emra të ndryshëm:me emrat e atyre Zotave që vareshin prej tij. Nënkuptimi ishte se këto Zota të një kategorie më të ulët, ishin vërtet shfaqje të një perëndie, Marduk, shkruan Jan Asman në librin e tij “Fetë e botës së lashtë” të vitit 2004.

Por ky koncept i unitetit hyjnor,nuk ishte unik për Mesopotaminë. I njëjti koncept ekzistonte edhe në Greqinë e lashtë, Egjipt dhe Romë. Në Romën e lashtë rreth shekullit III Para Krishtit, një grup filozofik të quajtur Stoikët, pohuan se ekzistonte vetëm një Zot, emrat e të cilit ndryshonin vetëm sipas rolit të tij ose të saj në qiej dhe në Tokë, thotë Asman.

Forcimi i lidhjeve midis qytetërimeve, mund të ketë inkurajuar besimin tek uniteti hyjnor, pretendon më tej ai. Njerëzit krijuan lidhje midis Zotave të tyre dhe atyre të shoqërive të tjera.

Ata filluan të shohin Zota dhe panteone të ndryshme që nuk ishin në kundërshtim me njëri-tjetrin, por qenë shprehje të të njëjtit koncept. Disa studiues e krahasojnë idenë e unitetit hyjnor me monoteizmin. Asman e quan atë “monoteizëm evolucionar”; ndërsa Dardin “monoteizëm filozofik”.

Megjithatë, njerëzit e lashtë mund t’i kenë parë Zotat nga kulturat e ndryshme si të rrjedhur nga i njëjti burim i shenjtë. Në këtë kontekst, lëvizjet fetare nisën të kërkonin adhurimin ekskluziv të një Zoti. Në shekullin XIV para Krishtit, faraoni egjiptian Akhenaten krijoi një kult të përkushtuar vetëm ndaj perëndisë së diellit, Aton.

Ai i mbylli tempujt dhe shkatërroi imazhet e Zotave të tjerë. Dhe disa studiues besojnë se pikërisht në atë kohë izraelitët e hershëm filluan të adhuronin vetëm një perëndi:Yahweh, thotë Metju Çalmers, teoricien i fesë në Universitetin Veriperëndimor në Ilinois, SHBA.

LEXO EDHE:  Një i ri rus rrezikon të mbetet i paralizuar/ ‘Po më bien krahët’

LEXO EDHE:  “Sanksionet e SHBA të paligjshme”/ Rusia premton hakmarrje

Ai thotë se ishte një tranzicion që zgjati me shekuj, dhe do të kalonin shumë shekuj përpara se besimi në vetëm një Zot të çimentohej tek Judaizmi. Është e rëndësishme të theksohet se këta njerëz nuk e mendonin veten si monoteistë apo politeistë.

Këto lëvizje nuk e mohuan ekzistencën e Zotave të tjerë. Ato thjesht u kërkuan njerëzve që të mos i adhuronin më ata. Ngjashëm, të krishterët e hershëm nuk thanë qartazi se Zotat e tjerë nuk ekzistojnë; por Çalmers tha se ata nisën ti etiketonin ata si demonë.

Shpalljet se ka vetëm një Zot, u shfaqën në pjesë të Biblës Hebraike të shkruara rreth shekullit V Para Krishtit. Por në pjesët e shkruara më herët në historinë hebraike nuk ka pretendime të tilla, shton ai. Vetëm në shekujt III-IV Pas Krishtit, nisi më në fund të shfaqej koncepti i një Zoti të vetëm në liturgjinë e krishterë.

Sidoqoftë, studiuesit nuk bien dakord mbi kohën e saktë kur ndodhi kjo. Islami ishte pak më ndryshe. Kurani, që u shkrua brenda dekadave të shfaqjes së Islamit në shekullin VII, deklaroi që në fillim se kishte vetëm një Zot, shprehet Çad Hajnes, historian i fesë në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

Por kjo nuk do të thotë që monoteizmi u shfaq me Islamin,pasi ishte një zhvillim që u shfaq me herët dhe evoluoi me kalimin e kohës. Pra, çfarë gjëje kaq domethënëse ndodhi në ato periudha historike, kur fetë filluan të deklaronin se ekzistonte vetëm një Zot? Është e pamundur të ketë një sqarim shterues të shkak-pasojës. Por në atë kohë ndodhën disa ndryshime të rëndësishme.

Më shumë njerëz po shkruanin idetë e tyre, sidomos elitat, thotë Çalmers. Zotërimi i një teksti fetar, u bë simbol i statusit social. Ndërsa shtetet filluan të mbështesnin lëvizje fetare specifike. Për shembull, në ditët e mëvonshme të Romës, ideja e një Zoti u përdor nga perandori Konstandin si një mënyrë për të bashkuar perandorinë e shkatërruar, thotë Dardin.

Por termi monoteizëm u përdor për herë të parë vetëm në vitin 1660, dhe dekada më vonë termi politeizëm. Më vonë, ky dallim u përdor si një mënyrë për të ndihmuar në shpjegimin pse disa shoqëri ishin të “civilizuara” dhe të tjerat ishin ”primitive”./CNA.al

https://www.livescience.com/polytheism-to-monotheism.html

LEXO TE PLOTE

Blog

A duhet të hetojë FBI-ja pretendimet e Trump mbi vjedhjen e zgjedhjeve?

Publikuar

-

Nga

A duhet të hetojë FBI-ja pretendimet e Trump mbi vjedhjen e zgjedhjeve?

Nga Kevid R. Brock “The Hill”

Xho Bajden është tashmë president i ri i SHBA-së, dhe ky fakt nuk do të përmbyset. Por Donald Trump pretendon se zgjedhjet iu vodhën përmes një manipulimi të madh. Kundërshtarët e Trump thonë se pretendimet e tij janë të pabazuara dhe të rreme.

Po kush ka te drejtë? Në mungesë të një hetimi shterues, nuk e dimë me siguri. Ajo që dimë është se ky debat po e përçan vendin. Dhe një Amerikë e ndarë është ajo që i kënaq më shumë armiqtë tanë. Presidenti Bajden ka shprehur me të drejtë dëshirën për t`a unifikuar kombin.

Por nëse kjo gjë do të ndodhë apo jo do të duhet të kalojë përmes kësaj çështje. Nëse Trump ka të drejtë apo gabim, kjo gjë duhet ndarë. Një segment i madh i popullatës në SHBA, beson fuqimisht se manipulimi ndikoi shumë në zgjedhjet e fundit.

Kjo mund t’u duket e padrejtë mbështetësve të Bajden, por është një realitet që nuk do të zhduket vetëm pse ata besojnë se nuk është e vërtetë. Tani për tani, politikanët po na japin leksione se si të mos i kapërcejmë dyshimet në lidhje me zgjedhjet, dhe të bashkojmë vendin. Ata po vazhdojnë të zbatojnë një model manipulimesh të ashpra, të cilat ne i kemi parë gjatë gjithë vitit të shkuar, përmes pandemisë së Covid-19 dhe një vere trazirash urbane që tronditi amerikanët, dhe i ka futur ata në një kacafytje me njëri-tjetrin, që të kujton fundin e viteve 1960.

Tensionet nuk janë zbutur as nga udhëheqësit e përgjegjshëm përkundrazi janë ndezur nga demagogjia. Për pasojë në rrugët tona dhe së fundmi në institucionet tona qeveritare ka shpërthyer dhuna. Shumë shpesh, fjalët e Trump ishin fyese, të vrazhda dhe të papërgjegjshme, dhe për këtë ai nuk ka askënd për të fajësuar përveç vetvetes.

Pavarësisht nëse pretendimet e tij për mashtrim të votuesve kanë apo jo bazë, ai ndërtoi

jo pak zhurmë rreth saj, duke formuar një komision dypartiak për të hetuar shqetësimet e tij, dhe së fundmi organizoi një tubim masiv dhe inkurajoi një marshim mbi një degë tjetër të qeverisë, me pasoja katastrofike.

Por as fjalët e përdorura nga kundërshtarët e Trump nuk janë më të mira. Ne jemi dëshmitarë sesi jo vetëm Trump por edhe votuesit dhe mbështetësit e tij, po portretizohen si avokatë të dhunës, si supremacistë të bardhë, si njerëz që kanë nevojë për riedukim, dhe si të padenjë për të qenë një zë publik.

Kjo qasje përdoret si një dredhi cinike, për të forcuar një pushtet më të madh politik, përmes margjinalizimit dhe shtypjes së një segmenti kryesor të popullatës në vend. Censura, ky armik i njerëzve të lirë, është duke u përdorur kundër çdo sugjerimi mbi manipulimin e zgjedhjeve të nëntorit 2020.

Politikanët e opozitës, sot në pushtet, dhe shumë gazetarët në mediat e lajmeve kanë pohuar me arrogancë se pretendimet e Trump janë të rreme. Dhuna dhe censura, janë dy anë të së njëjtës medalje. Këtë vit janë përdorur që të dyja. Dhuna është një përpjekje për të frikësuar dhe imponuar pranimin e një të versioni të caktuar të ngjarjes.

LEXO EDHE:  Si festohet nëpër botë Viti i Ri/ Zbuloni çfarë ushqimi iu sjell mbarësi dhe para

LEXO EDHE:  Shpenzimet për alkool/ Zbulohen qytetet më “pijanece” të Shqipërisë

Kur përballet me pak rezistencë, ajo funksionon. Censura është mjeti i atyre që nuk janë të sigurt për drejtësinë e pozitës së tyre, për të vërtetën e saj. Ajo është hapësira e sigurt e atyre që kanë argumente të dobëta. Është një dhunë e mirë-menduar. Kjo është arsyeja pse një numër udhëheqësish botërorë të cilët nuk ishin mbështetës të Trump – duke filluar me kancelaren gjermane Angela Merkel –i kundërshtuan për censurimin apo mbylljen e llogarive të zotit Trump mediat sociale si  Facebook, Twitter dhe platforma të tjera dixhitale, duke e quajtur këtë akt si “problematik” dhe “të rrezikshëm”.

Censura vjen si shprehje e panikut. Vetëm pohimi se pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve janë të pabazuara, dhe censurimi i çdo pretendimi për të kundërtën, nuk do të unifikojë SHBA-në. Ajo vetëm sa forcon dyshimet se diçka po synohet të fshihet. Censura përsëritet për shkak të frikës.

Rruga më e mirë – për të mirën e të gjithë njerëzve, dhe jo vetëm për një grup politikanësh apo një parti politike – është një vlerësim objektiv nga autoritetet ligjore nëse duhet një hetim mbi dyshimet për manipulim. FBI-ja ka përgjegjësinë kryesore për hetimin e kësaj akuze. Teknikisht, Trump ka hedhur në tryezë akuzat duke cituar rezultate specifike statistikisht anormale apo numerikisht të pamundura në disa shtete, së bashku me disa betime të nënshkruara.

Nëse nuk ka indikacione të qarta se pretendimet e Trump janë plotësisht të trilluara dhe mashtrime, vetëm fjalia e kundërshtarëve të tij se “Donald Trump është i lig” nuk është justifikimi i duhur për të injoruar automatikisht një pretendim.

Shumë njerëz nga të dyja kampet, mund të vënë në dyshim paanësinë e FBI-së. Shumë e drejtë. Ky është dëmi i trashëguar që lanë pas një gjysmë duzine drejtuesish mashtrues, të cilët janë larguar tashmë nga byroja. Por FBI mbetet organi më i aftë hetimor që kemi.

Pra, FBI duhet të hetojë. Nëse pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve do të lihen të pa hetuara, ndarja e vendit do të vazhdojë. Dhe rrezikojmë që të dyja palët të nisin të hartojnë strategji për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme në mënyrë që të mbeten konkurruese. Atëherë, një amerikan do të kishte besim tek vota sa ka sot një venezuelian. Ne nuk do të udhëhiqeshim më; thjesht do të manipuloheshim.

Shënim:Kevin R.Brock, ish-ndihmës drejtor i inteligjencës për FBI-në, ka qenë një agjent special i FBI-së për 24 vjet dhe nënkryetari Qendrës Kombëtare të Antiterrorizmit (NCTC)./CNA.al

https://thehill.com/opinion/white-house/535316-should-the-fbi-investigate-trumps-claims-of-voter-fraud

LEXO TE PLOTE

Blog

Ankthi është i lidhur me pirjen e duhanit, arsyeja mbetet ende e mjegullt

Publikuar

-

Nga

Në këto kohë stresuese të pandemisë, ekspertët e shëndetit kanë më shumë arsye t’i kthehen sërish lidhjes midis ankthit dhe pirjes së duhanit:A i bën ankthi njerëzit të pinë duhan? Apo duhan-pirja shkakton ankth?

Ashtu si shumë aspekte të tjera të shëndetit mendor dhe varësisë, nuk ka përfundime të prera. “Unë mendoj se mbi këtë temë, ne kemi gjeneruar më shumë pyetje sesa kemi përgjigje”– thotë Brajan Hitsman, profesor i asociuar i mjekësisë parandaluese në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Veriperëndimor Fainberg në Çikago, SHBA.

Çrregullimet e ankthit, janë problemi më i zakonshëm i shëndetit mendor në SHBA, që prek 15-19 për qind të popullsisë së rritur dhe që përfshin gjithçka, nga fobitë tek sulmet e panikut, deri tek frika e madhe nga situatat e ndryshme sociale dhe shqetësimet kronike.
Ndërsa normat e pirjes së duhanit në SHBA kanë rënë gjatë 50 viteve të fundit, rreth 1 në 5 amerikanë të rritur – 50.6 milion – raportuan ende pirjen e duhanit në vitin 2019, kjo sipas të dhënave të fundit të bëra publike në nëntor 2020 nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Parandalimi (CDC).

Këto të dhëna gjithashtu treguan se 45 për qind e njerëzve me ankth të formës së rëndë, pinin duhan. Edhe tek ata me ankth të formave të lehta, 30 për qind konsumonin duhan. Por ndërkohë tek ata që raportojnë pak ose aspak ankth, vetëm 18 për qind pinë duhan.
Studime të tjera, tregojnë nivele më të larta të çrregullimeve të ankthit tek duhanpirësit, sesa popullata e përgjithshme. Gjithsesi, një studim i bërë publik vitin e kaluar në “Current Psychiatry Reports” tha se përkundër “provave të forta” që lidhnin pirjen e duhanit dhe ankthin, ka “mospërputhje të konsiderueshme për rolin e saktë të ankthit në fillimin, ashpërsinë, dhe rezultatet e ndërprerjes së pirjes së duhanit”.

LEXO EDHE:  Stoltenberg:Rusia riktheu konfliktin e armatosur ne Europe

LEXO EDHE:  Stoltenberg:Rusia riktheu konfliktin e armatosur ne Europe

Lorra Garej, autorja kryesore e studimit, tha se abuzimi me alkoolin dhe substancat, mund të mjegullojë lidhjen e vërtetë. Një faktor tjetër që e ndërlikon situatën, është marrëdhënia e dyanshme midis pirjes së duhanit dhe ankthit.

“Ky është një cikël i përhershëm që ushqehet në vetvete. Ju keni ankth, dhe kjo nxit pirjen e duhanit … dhe pastaj kemi njerëz që bëhen të varur nga nikotina, dhe që përjetojnë simptoma që imitojnë ankthin”-thotë Garej, asistent profesore në Universitetin e Hjustonit. Për Hitsman një problem tjetër, është se pirësit e duhanit mendojnë shpesh në mënyrë të gabuar, se konsumi i duhanit do ta reduktojë ankthin e tyre.

“Është një fiksim në kokën e tyre, se pirja e duhanit është një mënyrë efektive për të menaxhuar shqetësimin e tyre emocional. Kjo gjë i bën ndoshta ata të ndihen më mirë– thotë ai.

Por nga ana tjetër pirja e duhanit rrit rrahjet e zemrës, dhe shkakton ndryshime në trup, që janë e kundërta të relaksimit. Në fakt, pirja e duhanit shkaktonin shumë dëme në të gjithë sistemin kardiovaskular, duke çliruar që dëmtojnë dhe bllokojnë arteriet, të cilat mund të çojnë në një sulm në zemër ose goditje në tru. Lënia e pirjes së duhanit, mund të jetë tepër e vështirë për këdo, kryesisht për shkak të pranisë së nikotinës, një ilaç shumë toksikodipendent, që një mjek amerikan e krahasoi dikur me heroinën dhe kokainën./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://medicalxpress.com/news/2021-01-anxiety-linked-smokingbut-hazy.html

LEXO TE PLOTE