Politikë
Foto fakt/ Presidenti Meta dhe trafikanti i drogës Xhemail Pasmaçiu

Në datën 3 gusht 2020, pra tre ditë më parë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se me urdhër të Gjykatës është bërë sekuestrimi i pasurisë së shtetasit Ylli Ndroqi.
Po ashtu SPAK tregoi publikisht edhe ndryshimin e emrit, nga Xhemail Pasmaçiu në Ylli Ndroqi dhe se ky i fundit kishte qënë i arrestuar më parë, për trafik droge në Itali dhe Turqi.
Një fakt ky i denoncuar në media, dhe i pranuar nën zë ndoshta nga shumë persona, por që deri tani mohohej nga Xhemail Pasmaçiu dhe “ushtarët e tij”.
Por, pas publikimit të këtyre fakteve nga SPAK, natyrshëm lind pyetja, si mundet që një ish-trafikant i arrestuar për trafik droge, ka ngritur një media dhe “fshihet” nën petkun e biznesmenit dhe pronarit të një televizioni.
Xhemail Pasmaçiu arriti ta hidhte pas shpinës, të shkuarën e tij edhe falë lidhjeve me politikanët shqiptarë, duke dalë në ekran si President i Ora News, Konsull nderi i Meksikës, biznesmen i suksesshëm etj.
Por, gjurmët e tij nuk arritën të mbulohen 100 % pasi investigimet mediatike, rrjedhja e informacionit, rivaliteti apo çdo referim tjetër që mund të japim e nxorën atë “zbuluar”, në mes të ditës.
Por, duke iu rikthyer lidhjeve të tij politike, kujtojmë këtu se Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu) njihet si një mik i ngushtë i presidentit të vendit, Ilir Meta dhe për më tepër ata janë parë shpesh nën shoqërinë e njëri-tjetrit.
Ilir Meta e dinte se miku i tij ishte një person me emër të ndryshuar dhe i arrestuar më parë për trafik droge. Kjo për faktin se me autoritetin e kreut të shtetit e ka pasur mjaft të lehtë ti drejtohej INTERPOL-it, në Policinë e Shtetit, SHISH, apo edhe ambasadorit turk në Tiranë, i cili mund t’i dorëzonte dosjen e plotë të ngjarjes së ndodhur në dhjetor të vitit 1998, kur Ylli Ndroqi edhe pse me të dhëna të ndryshuara ishte arrestuar si Xhemail Pasmaçiu.
Megjithatë dosja Pasmaçiu është çështje e drejtësisë. Ne më poshtë do të publikojmë disa foto, të cilat nuk kanë nevojë për koment. Faktet flasin vetë./ CNA.al