LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

 SPAK: Ylli Ndroqi, trafikant droge në Itali dhe Turqi

3 Gusht 2020, 10:57, Kronika CNA

 SPAK: Ylli Ndroqi, trafikant droge në Itali dhe Turqi

Ylli Ndroqi, president i RTV Ora News, është shoqëruar sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Tiranës, ku po merret në pyetje.

Po ashtu mësohet se pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit.

Ndërkohë, në njoftim zyrtar, SPAK bën të ditur se ka dyshime të forta se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), ka qënë i përfshirë në aktivitete kriminale, që lidhen me trafikun e drogës, në Itali dhe në Turqi.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin pasuror nr.10, datë 21.07.2020, në ngarkim të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), lindur dhe banues në Tiranë. Nga aktet e administruara në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është konfirmuar se ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicje se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemal Pasmaçiu) ka qënë i përfshirë në aktivitete kriminale të parashikuara në nenin 3 të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organziuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″ (ligji Antimafia) :

Në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu. Nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë administruar gjurmët daktiloskopike të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe nëpërmjet Zyrës Qëndrore Interpol Tirana janë dërguar për krahasim zyrave homologe në Ankara, Turqi dhe Romë, Itali.

Nga të dhënat e siguruar nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Qëndrore Kombëtare, Interpol-Ankara, Turqi, është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri NDROQI, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) PASMACIU (PASMAÇIU), i arrestuar në Turqi.”-thuhet në njoftimin e SPAK./ CNA.al

Shoqërohet në polici Ylli Ndroqi/ Gjykata i sekuestron pasurinë

Lajmet e fundit nga