Connect with Us

Gushti i surprizave/ Aneksimi i Bjellorusisë, mund të jetë lëvizja e radhës e Vladimir Putinit

Blog

Gushti i surprizave/ Aneksimi i Bjellorusisë, mund të jetë lëvizja e radhës e Vladimir Putinit

Publikuar

-

Gushti i surprizave/ Aneksimi i Bjellorusisë, mund të jetë lëvizja e radhës e Vladimir Putinit

Nga Frederick Kempe “CNBC”

* Pavarësisht gjithë fokusit legjitim mbi rritjen e tensioneve SHBA-Kinë, surprizat këtë verë për Perëndimin ka më shumë të ngjarë të vijnë nga Rusia e Vladimir Putinit. Kjo për shkak se kontradiktat e ndërthurura midis ambicies ndërkombëtare të Rusisë, dhe shkatërrimit të saj të brendshëm që e kanë karakterizuar gjithnjë sundimin e Putinit, tani në vitin e tij të 21-të në pushtet, po dalin në pah në një mënyrë që i jep një shans, por njëherazi edhe një rrezik më të madh.

Efektiviteti brutal i shtetit të tij kleptokrat po rritet, me modernizimin e ushtrisë që përfshin testet e armëve të reja hapësinore anti-satelitore, përparime të rëndësishme në teknologjinë hipersonike, dhe operacionet e shërbimeve inteligjente në gjithë botën, të cilat përdorin në mënyrë efektive teknologjinë e përparuar dhe një ushtri mercenarësh më pak të kualifikuar.

Njëherazi, dobësia që vjen nga plakja e popullsisë, po e thellon rënien ekonomike të përshpejtuar edhe për shkak të Covid-19, dhe rënies së çmimeve të naftës. Banka Botërore projekton një rënie prej 6 për qind të PBB-së ruse për këtë vit, pikërisht në një vend që kishte tashmë 12.3 për qind të popullsisë së saj, ose 18 milionë njerëz, nën kufirin e varfërisë.

Një mundësi më e madhe për Putinin janë SHBA-të, e çoroditura muajt e fundit nga përhapja e koronavirusit, rënia ekonomike, trazirat racore, polarizimi i zgjedhjeve të nëntorit, dhe ndarjet e brendshme dhe me Evropën. Me gjasën që presidenti Donald Trump mund të humbasë zgjedhjet e nëntorit, Putini mund të llogariste që tani është koha për të kapur mundësitë e reja.

Kjo pasi këtë herë problemet e brendshme simbolizohen nga protesta çuditërisht të mëdha dhe të qëndrueshme në qytetin Khabarovsk, në skajin më lindor të vendit. të cilat vazhduan edhe fundjavën që shkoi. Sondazhet e reja të Qendrës Levada, tregojnë se 45 për qind e rusëve e mbështesin valën e fundit të protestave kundër Kremlinit, ndërsa kundërshtarët e Putin po kërkojnë ta shndërrojnë këtë energji në diçka më tepër.

Ajo çfarë është e vështirë të parashikohet, është nëse një surprizë e mundshme në gusht – ose në çdo kohë përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane në nëntor – do të nxitet më shumë nga forca e Rusisë, dobësia e saj, apo ka më shumë të ngjarë të jetë një kombinim i të dyjave.

Ka pasur kohëra të ngjashme në të shkuarën, kur Moska është gjendur në vështirësi serioze, dhe Putini ka nisur aventurat ushtarake jashtë vendit për të forcuar kontrollin e tij të brendshëm.

Pra, ne mund të shohim një surprizë të llojit të luftës Rusi-Gjeorgji të gushtit 2008, pushtimin dhe aneksimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014, ndërhyrjen ushtarake ruse në luftën civile siriane nga 2015 e deri më sot, apo më shumë ndërhyrje dhe aktivitete dezinformuese në Evropë, dhe veçanërisht në SHBA në kuadër të zgjedhjeve të nëntorit?

Në këtë front, treguesi i parë mund të jetë reagimi rus ndaj zgjedhjeve në Bjellorusi të dielën e datës 9 gusht. Janush Bugajksi nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane, vlerëson se Putin mund të përdorë “pretekstin e trazirave në rritje në Bjellorusi, dhe zgjedhjet e diskutueshme presidenciale”, si një shans për të marrë rolin e një çlirimtari kombëtar, me ”perspektivën e afërt “të ribashkimit zyrtar të Bjellorusisë me Rusinë.

Pas arrestimit këtë javë të 32 rusëve afër Minskut, presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Llukashenko, akuzoi kompaninë ushtarake private “Vagner” të lidhur me Kremlinin, se dërgoi 200 mercenarët e saj për të destabilizuar vendin e tij përpara zgjedhjeve, ku ai përballet me një sfidë serioze nga 3 grupime opozitare.

Është e qartë se marrëdhëniet e Putinit me Llukashenkon janë në pikën e tyre më të ulët. Llukashenko i rezistoi përpjekjeve të Rusisë për t’u bashkuar në një federatë të dominuar nga Moska. Ai ka pritur kohët e fundit vizita nga zyrtarë  të lartë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, përfshirë një vizitë në shkurt të Sekretarit amerikan të Shtetit, Majk Pompeo.

LEXO EDHE:  Boksieri amerikan merr shtetësinë ruse

Mbi të gjitha, Putini po synon të reagojë kundër çdo dobësimi të mëtejshëm të ndikimit të Kremlinit në rajonin e vet, gjë që do të ndodhë shumë shpejt nëse Llukashenko afrohet shumë më Perëndimin, siç ndodhi më herët me Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

Disa analistë thonë se oreksi i Putinit për një aventurë të tillë është i madh. Gjithsesi, kjo aventurë nuk ka gjasa të jetësohet, përderisa ai mund të përjetojë më shumë sanksione nga Shtetet e Bashkuara, Evropa apo të tjerët. Në një intervistë për “Axios on HBO” këtë javë, Trump tha se ai nuk i ka kërkuar ende shpjegime Putinit, për të dhënat inteligjente se Rusia i pagoi talebanët për të vrarë ushtarët amerikanë në Afganistan.

Por nëse performanca e kaluar është njëfarë treguesi i asaj që pritet, mos u bëni bashkë me analistët perëndimorë, që besojnë se kriza ekonomike dhe kundërshtimi i brendshëm, janë më të rrezikshëm për Putinin se sa kundërshtarët e tij të jashtëm.

Më së paku ai është inkurajuar nga vargu i tij i arritjeve ndërkombëtare, përballë një rezistence të vogël, duke mos pësuar ende ndonjë goditje serioze. Prandaj, ai do të vazhdojë punën e tij për të korrigjuar me çdo lloj mjeti që ka në dispozicion, shkaqet që çuan në rënien e Bashkimit Sovjetik.

Një libër i ri i korrespondentes së “The Financial Times”, Kethrin Belton, “Njerëzit e Putinit”, “tregon se si presidenti i ardhshëm, shfrytëzoi plotësisht metodat, kontaktet dhe rrjetet e KGB-së në çdo fazë të karrierës së tij”- shkruan Ana Ejpëlbaum në një reçencë mbi këtë libër në “The Atlantic”.

Biznesmeni rus Vladimir Jakunin, që së bashku me Konstantin Malofejev ndihmoi në krijimin e organizatave në të gjithë Evropën, të cilat do të promovonin alternativa për demokracinë dhe integrimin evropian, i tha në një moment Xhon Boltonit se gjithçka bëhej për rivendosjen e “pozitës globale” të Rusisë.

Anxhela Stent, eksperte amerikane mbi Rusinë, shkruan se pavarësisht aftësive të kufizuara ekonomike, Rusia mund të bëhet “një lojtare ndërkombëtare më me ndikim sesa është aktualisht”. Kjo pjesërisht për shkak të dyshimeve në rritje në mesin e aleatëve mbi besueshmërinë e SHBA-së.

Pavarësisht nga pikëpamja e përhapur në Uashington mbi Putinin si një diktator i ngathët, partnerët e tij globalë – përfshirë një numër zyrtarësh të lartë të Lindjes së Mesme me të cilët kam folur – e shohin atë si një udhëheqës të besueshëm, pragmatik, dhe me të cilin ata mund të bëjnë biznes.

Ata do të preferonin të merreshin vesh me Rusinë në Siri sesa me Iranin, dhe do të kishin dashur të kishin një ndikim më të madh të Rusisë në Libi sesa atë të Turqisë. Sa i përket perspektivës së një fushate ushtarake verore, Stent shkruan:

”Kështu ka ndodhur gjatë gjithë historisë ruse. Gërat duket se janë të qëndrueshme, deri sa papritmas nuk janë më të tilla. Putinit i pëlqen të befasojë botën, siç ishte e qartë edhe nga referendumi i tij i organizuar me nxitim.

Por ai vetë mund të përballet me sfida të paparashikuara, ndaj planit të tij për të qëndruar pafundësisht në pushtet”.  Megjithatë, sa i përket këtij muaji, basti im është që nëse do ketë ndonjë surprizë, ajo do të vijë pikërisht nga ajo që do të zgjedhë të bëjë Putini./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Bullgarët në protestë kundër kapjes së gjyqësorit nga oligarkët dhe politika

Publikuar

-

Nga

Nga Jana Tsoneva “Al Jazeera”

Më 2 shtator, protestat 2-mujore anti-qeveritare në Bullgari hynë në fazën e tyre më të dhunshme deri më tani. Për herë të parë, policia përdori topat e ujit, gazin lotsjellës dhe sprajin me piperin djegës, duke shënuar fundin e fazës relativisht paqësore të protestave që e bënë Bullgarinë të veçantë në Evropë në këtë drejtim.

Të nesërmen qeveria i përdori përplasjet si një justifikim për të ndaluar negociatat për largimin e saj nga pushteti. Siç e deklaroi më 3 shtator deputeti Toma Bikov nga partia qeverisëse GERB:“Pas ngjarjeve të ndjeshme, ne nuk mund të diskutojmë më dorëheqjen e qeverisë, pasi kjo do të nënkuptonte dorëheqjen pas sulmeve nga kriminelët”.

Por çfarë i shkaktoi këto ngjarje dramatike? Që nga fillimi i këtij viti, një seri krizash dhe skandalesh kanë krijuar tension në sferën publike, dhe kanë çuar në një valë protestash kundër sundimit pothuajse të pandërprerë 10-vjeçar të GERB.
Dimri që shkoi u shoqërua me një krizë të furnizimit me ujë të pijshëm, e shkaktuar nga tharja e disa digave. Por kriza u ndihmua edhe nga mungesa e mirëmbajtjes së infrastrukturës, si dhe e sjelljes së butë të qeverisë ndaj industrive të mëdha që abuzojnë me rezervat e ujit.

Pastaj erdhi pandemia e koronavirusit, dhe menaxhimi i keq i saj nga qeveria, ku shumë mjekë dhanë dorëheqjen nga detyra për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse dhe kushteve të papërshtatshme në spitale.
Pastaj një mori skandalesh zbuluan disa skema korruptive që përfshinin prona shumë fitimprurëse përgjatë bregdetit të Detit të Zi. Ndërkohë fillimi i verës u karakterizua nga një riorganizim i shpejtë brenda radhëve të oligarkisë në pushtet dhe biznesmenëve pranë tyre, duke çuar në rënien e kuotave të Vasil Bozhkov, një nga bosët më të pasur të lojërave të fatit, turizmit dhe ndërtimit në Bullgari.

Fotot e kryeministrit Bojko Borisov duke fjetur në dhomën e tij të gjumit pranë një sirtari të mbushur plot me kartëmonedha 500- euroshe, lingota ari dhe një armë, bënë bujë në media. Kryeministri nuk e mohoi vërtetësinë e fotove, por pretendoi se paratë ishin shtuar përmes një foto-montazhi.



Pastaj, Fondi Anti-Korrupsion, një OJQ që dokumenton dhe heton korrupsionin e nivelit të lartë, publikoi një dokumentar në lidhje me një skemë tinëzare të vjedhjes së bizneseve të profilit të lartë me ndihmën e sistemit gjyqësor.
Në korrikun e këtij vitit, Hristo Ivanov, bashkë-udhëheqës i koalicionit liberal “Bullgaria Demokratike” dhe aktivist i reformës në drejtësi, e shndërroi luftën brenda elitës në një “luftë civile” midis llojit, duke hyrë me forcë në plazhin e zënë në mënyrë të paligjshme përreth resortit bregdetar të Ahmed Dogan, udhëheqësit të Lëvizjes liberale për të Drejtat dhe Liritë (DPS), që pretendon se përfaqëson pakicat etnike në Bullgari, por që është e mirë-njohur si një nga partitë më të korruptuara në vend.

Ivanov dhe kolegët e tij u tërhoqën zvarrë nga rojet e sigurisë, të cilët refuzuan të zbulonin nëse punonin për Shërbimin e Sigurisë Kombëtare (NSS), një agjenci qeveritare e ngarkuar me ofrimin e sigurisë personale për zyrtarë e lartë dhe funksionarët e shtetit.
Incidenti shkaktoi një protestë, e nxitur edhe nga ndërhyrja e presidentit bullgar Rumen Radev, që konfirmoi se rojet e sigurisë janë me të vërtetë punonjës të NSS, dhe të emëruar në atë detyrë në shkelje të mandatit të tyre.

LEXO EDHE:  Socializmi e shkatërroi Britaninë e pasluftës, dhe mund të bëjë të njëjtën gjë në SHBA

LEXO EDHE:  Që SHBA të dominojë mbi Kinën, duhet të promovojë demokracinë kudo në botë

Kryeprokurori, Ivan Geshev, të cilin opozita e ka akuzuar për ndihmë dhe mbështetje të korrupsionit, duke refuzuar të ngrejë akuza kundër politikanëve dhe biznesmenëve, reagoi menjëherë duke urdhëruar një bastisje në presidencë, në shkelje të dukshme të të gjitha garancive të imunitetit të sanksionuara me kushtetutë dhe ndarjes së pushteteve. Të nesërmen, më 9 korrik, u zhvillua protesta e parë e madhe në Sofje. Pavarësisht pikëpamjeve liberale të deklaruara nga organizatorët e saj, protesta tërhoqi njerëz nga i gjithë spektri politik.

Protestat shpalosën 3 kërkesa kryesore:dorëheqjen e koalicionit qeverisës dhe kryeprokurorit, zgjedhje të parakohshme, dhe më pas ndërmarrjen e një reforme në drejtësi përmes ndryshimeve kushtetuese. Në pak kohë, partia qeverisëse e ndryshoi rendin e kërkesave dhe në gusht i shtangu të gjithë duke deklaruar se kishte hartuar një kushtetutë të re për të përmbushur kërkesën për ndryshim. Borisov e lidhi dorëheqjen e tij me ndryshimet kushtetuese, duke shpjeguar se nëse partia e tij nuk arrinte të mblidhte firmat e 50 për qind të deputetëve (120) deri më 2 shtator – kuota minimale e nevojshme që parlamenti të fillojë diskutimin e draftit – ai do të jepte dorëheqjen. Pavarësisht nga premtimi i paqartë i dorëheqjes, protestuesit u zemëruan. Drafti kushtetues ishte plot me gabime, gramatikore si dhe teknike; parashikonte disa ndryshime shqetësuese, të perceptuara si përpjekje për të çimentuar pushtetin e partisë qeverisëse.

Pas 2 javë negociata nervoze, propozimi i Borisov arriti të ketë mbështetjen e 122 firmave para 2 shtatorit, me ndihmën e partisë populiste të manjatit të karburanteve dhe farmacuetikësVeselin Mareshki. Të nesërmen, u zbulua se një kompani e lidhur me Mareshkin fitoi një koncesion fitimprurës 20-vjeçar në një zonë bregdetare. Lajmi i tërboi protestuesit dhe më 2 shtator, turmat më të mëdha që nga fillimi i krizës u mblodhën në qendër të Sofjes. Por në mbrëmje, disa protestues që mendohej se ishin provokatorë të paguar, nisën të hidhnin fishekzjarrë të vegjël ndaj policisë, gjë që provokoi një reagim të dhunshëm të kësaj të fundit.
Rreth 100 persona u arrestuan, shumë të tjerë u rrahën. Këto ngjarje, po vënë në provë konceptin e zakonshëm të shtetit si një arbitër neutral. Elita bullgare është thellësisht e përçarë, dhe fraksionet ndërluftuese po e përdorin fuqinë e tyre mbi shtetin si një armë kundër konkurrentëve të tyre.

Pavarësisht rritjes së koalicionit liberal të Hristo Ivanov nga protestat e fundit, nuk ka gjasa që partia e tij ta zgjidhë këtë problem brenda kornizës së ngushtë të reformës legaliste që ajo propozon (reforma në drejtësi dhe de-politizimi i Prokurorisë së Përgjithshme). Fuqia e oligarkisë duhet të zvogëlohet jo vetëm “nga lart”, pra përmes një legjislacioni më të rreptë penal dhe anti-korrupsion, por edhe nga “poshtë”, nga themelet. Bullgaria ka gjithashtu nevojë për një shtet më të fuqishëm të mirëqenies sociale, që mund t’i bëjë më pak të ndërvarur nga oligarkët njerëzit e thjeshtë që punojnë./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Nga nëndeteset tek tanket/ Cilat ishin 10 armët më të tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore

Publikuar

-

Nga

Në shumë raste në të dyja luftërat botërore, vetëm pamja e një flakëhedhësi do të mjaftonte për të sprapsur edhe trupat më me përvojë. Armët e renditura më poshtë, janë ato që shkaktuan më shumë frikë ose në fushën e betejës, ose në sallat e takimeve të udhëheqësve
të Luftës së Dytë Botërore.

Nëndetëset gjermane U

Në kujtimet e tij të pasluftës, kryeministri britanik Uinston Çërçill do të pranonte me sinqeritet se “e vetmja gjë që më trembi ndonjëherë gjatë luftës, ishte rreziku nga nëndetëset gjermane”. Çërçilli, më shumë se thuajse kushdo tjetër në Britani, ishte i vetëdijshëm se sa pranë kapitullimit ishte vendi në një moment, për shkak të mbytjes gati të plotë të gjithë anijeve britanike tregtare në vitet 1940-1941. Për shkak të fundosjes së mijëra ton ushqimeve në fundin e detit, Britania pati në një moment më pak se një muaj rezerva.

Bombat ndezëse

Këto lloj bombash u përdorën nga të gjitha fuqitë kryesore në Luftën e Dytë Botërore. Gjermanët që i përdorën ato gjatë ”Blitz”-it ajror mbi Britani. Këto lloj armësh, ishin mjeti më vdekjeprurës në luftë.
Kështu, numri i të vdekurve vetëm nga bombat ndezëse në kryeqytetin japonez Tokio, ishte më i lartë se sa ai i viktimave që shkaktoi bomba bërthamore në Hiroshima. Në shumë prej qyteteve të bombarduara, stuhitë e zjarrit që shkaktonin këto bomba bënin që në zonat më të dëmtuara, temperatura të arrinte në thuajse 815 gradë Celcius.

Topi anti-ajror gjerman 88 mm

Ishte padyshim arma e artilerisë më e frikshme e Luftës së Dytë Botërore. Ky lloj topi ishte aq efektiv, sa u montua mbi një larmi tankesh gjermane në gjysmën e dytë të luftës. Në shumë rrethana, kjo armë ishte e aftë të ndalnte sulmet e blinduara të Aleatëve. Ajo u bë
më e famshme gjatë Betejës në Pyjet e Ardeneve.

Raketat V1

Ishte arma e parë efektive me motor. Uturima e saj shkaktonte panik tek banorëve e qyteteve të shënjestruara. Ajo u përdor kryesisht kundër Anglisë, dhe zonave të çliruara të Evropës Veriore. Pak më shumë se 9.000 raketa V1 u lëshuan ndaj Anglisë, duke vrarë mbi 6.000 njerëz. Fatmirësisht, arma ishte shumë e pasaktë.
Flakëhedhëset

Përkundër përdorimit të fosforit të bardhë dhe napalmit në sulmet ajrore, shumë vende e kanë ndaluar vullnetarisht përdorimin e flakëhedhësve në fushën e betejës. Djegia për së gjalli, është diçka që frikëson shumicën e njerëzve. Gjatë Luftës së Dytë, flakëhedhësi u përdor shumë në fushëbetejat e Paqësorit, kur marinsat amerikane e përdornin për të djegur pozicionet e fortifikuara mbrojtëse të japonezëve.

LEXO EDHE:  Politika parashikuese/ Kur algoritmet do të udhëheqin demokracitë tona



Tajfun dhe “Jug”

Kolonat e automjeteve dhe trenat gjermane, tentonin të lëviznin vetëm natën për të shmangur sulmet e bombarduesve luftarakë të Aleatëve. Dy nga këta bombardues të frikshëm, ishin avioni britanik “Tajfun” dhe ai amerikan “Jug”. Këta avionë ishin të armatosur rëndë. “Tajfuni” kishte në bord 12 mitraloza, përveç një ngarkese me bomba dhe raketa, ndërsa “Jug” mbante 8 mitraloza dhe një larmi bombash dhe raketash.

LEXO EDHE:  Çfarë rreziqesh e presin ekonominë botërore në 2020-ën?

Mina “Beti kërcimtarja”

Kjo lloj mine gjermane i tmerronte trupat aleate. Edhe nëse shpërthimi i saj nuk ishte shumë vdekjeprurës, mënyra se si shpërthente shkaktonte shumë frikë. Mina aktivizohej nga dikush që e shkelte përsipër, dhe që më pas largohej. Copat e saj do të shpërndaheshin në 300 pjesë, me një shpejtësi më e madhe se ajo e zërit. Rrezja e saj vdekjeprurëse ishte 76 metra katrorë në terren të hapur.

Bomba bërthamore

Bombat atomike të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki vranë gati 200.000 njerëz, dhe thuajse i shkatërruan të dyja qytetet. Ndërkohë rrezatimi do të vriste mijëra të tjerë gjatë viteve në vijim. Pavarësisht se ishin betuar të vazhdonin luftimet, japonezët u dorëzuan në vend se të përballeshim me bomba të tjera atomike.

Mitralozi gjerman MG42

Modeli bazë i MG42, është ende sot në përdorim në disa vende në zhvillim. Ky mitraloz,
ishte një makth për këdo që ndeshej me të në fushën e betejës. Me 1.200 të shtëna në minutë, mjaftonin vetëm 2 ushtarë për të mbrojtur një pozicion për një kohë të gjatë, kundër një force armike shumë më të madhe në numër.

Tanku Tigër

Vetëm tingulli i motorit të tij, mjaftonte për të shkaktuar terror në mesin e ushtarëve britanikë, amerikanë dhe kanadezë. Tanku gjerman me një grykë zjarri 88 mm, ishte shumë i blinduar në pjesën ballore dhe ato anësore, çka e bënte atë gati të papërshkueshëm nga predhat e tankeve Aleate.
Për fatin e mirë të Aleatëve, ky lloj tanku kishte vazhdimisht probleme me motorin, dhe kompleksiteti inxhinierik e bënte të vështirë për t’u riparuar. Për më tepër, konsumi i madh i karburantit, i përkeqësoi më tej mungesat ekzistuese të karburantit në Gjermaninë naziste./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

ISIS u shkatërrua nga Trump, ndërsa Bajden nuk donte vrasjen e Bin Ladenit

Publikuar

-

Nga

ISIS u shkatërrua nga Trump, ndërsa Bajden nuk donte vrasjen e Bin Ladenit

Nga Sebastian Gorka “American Greatness”

E mbani mend ISIS-in? Unë po, pasi e kam kaluar një pjesë të madhe të karrierës sime duke studiuar kërcënimin xhihadist ndaj Amerikës dhe botës judeo-kristiane, dhe më pas duke i ndarë gjetjet e mia me luftëtarët tanë, agjentët e FBI-së dhe anëtarët e komunitetit amerikan
të inteligjencës.

Por çfarë ka ndodhur me kërcënimin, që e ka diktuar jetën tonë pas mëngjesit plot diell të së martës së 11 shtatorit të 19 viteve më parë? Në skenë u ngjit Donald Trump, dhe gjithçka ndryshoi për mirë.
Për vite me rradhë ne ishim zhytur në një “Luftë Globale kundër Terrorit”, ose më saktë në një luftë kaotike kundër një armiku me aspirata globale, dhe që synonte rikrijimin e një kalifati islamik fondamentalist, që kishte ekzistuar dikur për më shumë se një 1 mijë vjet.

Në fillim ishte Al-Kaeda dhe sulmet kundër anijes amerikane “USS Cole”, ambasadave tona në Afrikë, dhe sulmi i parë ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë. Pastaj, përmes një goditje të një gjeniu të lig, milioneri saudit Osama bin Laden rrëmbeu 4 avionë duke i shndërruar ata në armë të shkatërrimit në masë, falë 19 xhihadistë të armatosur vetëm me thika.
Sulmi rezultoi të ishe më vdekjeprurësi në epokën moderne, me gati 3.000 burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm, që u vranë brenda 102 minutash. Por fatmirësisht Al-Kaida nuk e arriti kurrë qëllimin e saj të vërtetë, atë të nisjes së një revolucioni global global fondamentalist brenda botës myslimane, dhe rivendosjes së Kalifatit që ishte shpërbërë pas Luftës së Parë Botërore nga udhëheqësi turk Kemal Mustafa Ataturk.



Për këtë, atyre iu desh të prisnin derisa Barak Husein Obama të bëhej president i Shteteve të Bashkuara. Në fillim erdhi “Turi i Ndjesës”, gjatë të cilit Obama udhëtoi nëpër botë duke u kërkuar ndjesë popujve, pasi e ai e shihte Amerikën si rrënjën e gjithçkaje që është e gabuar, nga ndryshimi i klimës tek terrorizmi, një mesazh ky që u dha më shumë guxim armiqve tanë. Madje administrata e tij u zhyt në telashe të reja, duke ftuar udhëheqësit e Vëllazërisë Myslimane të ulen në rreshtin e parë gjatë fjalimit të tij në Kajro, e njëjta Vëllazëri Myslimane që ishte “gjyshi ideologjik” i Al-Kaidës, dhe me të cilën ndante kauzën e ringritjes së Kalifatit.

Pastaj ishte vendimi katastrofik i Obamës për të tërhequr forcat amerikane nga Iraku, ndërsa në të njëjtën kohë ndihmoi në rrëzimin e regjimit të Gaddafit në Libi, vendime që së bashku ndihmuan në krijimin e Shtetit Islamik të Irakut dhe Al-Sham, ose ISIS. Dhe falë paturpësisë së Obamës, një degë e vogël e Al-Kaidës ndryshoi emër, rekrutoi dhjetëra mijëra luftëtarë dhe krijoi një kalifat që do të shtrihej në disa vende, duke marrë peng miliona njerëz. Njëkohësisht, terrorizmi ndërkombëtar lulëzoi sërish, me sulmet vetëvrasëse në Londër, Paris, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara – ndërsa ISIS përhapte mesazhet e tij me videot makabre të prerjes së kokave që hidheshin në internet.

LEXO EDHE:  Demokracia liberale dhe armiqtë e saj

LEXO EDHE:  Demokracia liberale dhe armiqtë e saj

Por më pas në vitin 2016, amerikanët zgjodhën si president një jo-politikan. Kur hymë në Shtëpinë e Bardhë më 21 janar 2017, ne kishim shumë objektiva, por një nga më të rëndësishmit ishte t’i provonim botës se Obama kishte gabuar, dhe se ISIS nuk ishte një kërcënim “ndër-breznor” me të cilën ne thjesht duhet të mësonim dhe të vuanim. Ne angazhuam ushtrinë, tonë hoqëm kufizimet e mëdha të vendosura nga Obama, në mënyrë që ushtarët të mund të bënin realisht punët e tyre, dhe i vendosëm vetes një qëllim konkret: shkatërrimin e kalifatit të Shtetit Islamik. Dhe kjo gjë u arrit në më pak se 6 muaj. Kjo është ajo që mund të bëjnë amerikanët kur kanë një udhëheqës të vërtetë, një udhëheqës që e do Amerikën, dhe që beson tek burrat dhe gratë që veshin rrobat e republikës. Ky njeri është presidenti Donald Trump.

Nuk dua të më keqkuptoni, ne nuk kemi vrarë çdolloj xhihadisti që ekziston sot nëpër botë. Por vetëm shumicën e atyre që kanë rëndësi. Megjithatë, në këtë ditë kur kujtojmë me nderim ata që kemi humbur 19 vjet më parë, dhe atyre që zhvilluan betejën kundër xhihadistëve, mos harroni se vetëm 4 vite më parë videot e prerjeve të kokave dhe therjes së njerëzve të pafajshëm, ishin kudo lajmi kryesor. Dhe xhihadistët mund të ngrenë krye sërish. Kjo është një arsye më shumë pse Donald Trump e meriton të jetë president i Amerikës për një mandat tjetër. Përndryshe, komandanti ynë i përgjithshëm do jetë Xho Baden, njeriu që dikur nuk donte vrasjen e Osama bin Ladenit./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE