LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Gjyqtari i Apelit të Vlorës në sitën e Vettingut/ KPK vendos “fatin” e tij

3 Gusht 2020, 07:56, Vetingu CNA
Gjyqtari i Apelit të Vlorës në sitën e Vettingut/ KPK vendos

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Apelit të Vlorës, Hysen Saliko.

Hysen Saliko, gjyqtar me karrierë të gjatë, fillimisht në gjykatën e Ersekës në Kolonjë dhe më pas si Inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë, debatoi me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe me vëzhguesen ndërkombëtare mbi ekzistencën dhe ligjshmërinë e të ardhurave të tij nga ekonomia bujqësore e familjes si dhe mbi një pagesë të regjistruar nën emrin e tij me vlerë 30 mijë euro në një bankë të nivelit të dytë, për të cilën Saliko thotë se duhet t?i jetë falsifikuar firma.

Saliko ishte vetë i pranishëm në seancën dëgjimore bashkë me avokatin Sokol Azizi ndërsa u lavdërua për aftësitë e tij profesionale, rezultoi i përshtatshëm në lidhje me pastërtinë e figurës por habiti trupën gjykuese dhe vëzhguesen ndërkombëtare për shkak të të ardhurave të konsiderueshme vjetore të deklaruara prej tij si produkte të aktivitetit të mbarështimit të bletëve të kryer në fshatin e tij të lindjes në zonën e Mollasit në Kolonjë.

Sipas Salikos, ai dhe familja e tij zotërojnë një fermë të specializuar në mbarështimin e bletëve dhe me një kopsht me 400 rrënjë mollë, aktivitet që i ka dhënë familjes mundësinë të blejë dy apartamente në Tiranë dhe një makinë modeste prodhim i vitit 2002. Deklaratat e pasurive të Salikos tregojnë se bujqësia dhe në veçanti, bletaria, i kanë dhënë familjes së tij disa qindramijëra lekë çdo vit për një total prej rreth 15 milionë lekësh përgjatë dekadave të fundit.

Relatorja Suela Zhegu deklaroi se të ardhurat nga bujqësia nuk janë shoqëruar me dokumentacion dhe se për rrjedhojë, Saliko rezulton në pamundësi për të blerë një apartament në vitin 2010 në Tiranë, për të cilën Saliko ka deklaruar si burim të ardhurash kursimet familjare nga paga dhe nga bletaria. Por subjekti rezulton se për të njëjtin apartament ka deklaruar pagesa të kryera cash në llogarinë e kompanisë së ndërtimit dhe njëkohësisht, 30 mijë euro të paguara në një bankë të nivelit të dytë, të cilat nuk janë deklaruar nga subjekti.

Gjyqtari Saliko dhe avokati i tij deklaruan në seancë se subjekti nuk e ka bërë pagesën 30 mijë euro, duke sugjeruar se dikush tjetër ka bërë pagesën në emër të tij dhe i ka falsifikuar firmën. Saliko paraqiti edhe një dokument të cilin e përshkroi si një ekspertizë që vërtetonte se firma e tij në dokumentin e derdhjes së shumës ishte e falsifikuar.

Vëzhguesja ndërkombëtare pyeti se për çfarë arsyeje dikush mund të derdhë në bankë pagesë në emër të një personi tjetër duke falsifikuar firmën e këtij të fundit si dhe si shpjegohet që ky person, përveçse ka bërë derdhjen në emër të tij, ka depozituar edhe të dhëna personale të subjektit. Saliko deklaroi prerazi se ai nuk është personi që ka depozituar paratë dhe se ka bërë kallëzim penal për falsifikim për këtë rast.

Para nga blegtoria

Saliko disponon një pronë bujqësore në fshatin Qinam të qendrës administrative Mollas në Kolonjë me rreth tre hektarë tokë të marrë nga ndarja e tokës. Familja disponon një sasi kosheresh bletësh si dhe 400 rrënjë mollë në prodhim.

Relatorja Zhegu deklaroi se për shkak se për këto të ardhura nuk disponohen dokumente përfituese, në llogaritjen e mundësive ekonomike të Salikos, heqja e këtyre të ardhurave nxjerr pamundësi financiare për blerjen e dy apartamenteve. Avokati sugjeroi se KPK është treguar paragjykuese ndërsa Saliko sugjeroi se ajo që ai e quajti qëndrim agresiv i trupës ndaj tij, mund të lidhej me paragjykimin ndaj origjinës së tij.

?Penalizimi im duket se vjen nga që unë jam nga fshati dhe jam pasionant për bletët,? deklaroi Saliko.

Por përveç argumentit antropologjik, Saliko dhe avokati i tij sfiduan KPK-në të identifikojë ndonjë ligj që të detyrojë një familje fshatare të mbajë dokumentacion për të ardhurat apo të identifikojë ndonjë ligj që të ngarkojë me detyrim tatimor fshatarët. Për të mbështetur këtë argument, Saliko tha se bashkëshortja e tij ka paguar sigurime shoqërore e shëndetësore mbi baza vullnetare si e vetëpunësuar në bujqësi ndërsa familja ka paguar rregullisht taksën e tokës.

Saliko sfidoi gjithashtu llogaritë e kryera nga KPK në lidhje me të ardhurat dhe shpenzimet e familjes, në të cilat, të ardhurat e vetëdeklaruara nga shitja e mjaltit dhe nënprodukteve të tjera, nuk njihen, por familjes i njihen shpenzime jetese sipas vlerësimit të INSTAT për buxhetin e familjes.

Sipas Salikos, nëse KPK nuk njeh faktin që një familje që jeton në fshat ka të ardhura nga bujqësia, nuk ka se si të njohë shpenzime jetese.

Trupa gjykuese dhe vëzhguesja ndërkombëtare e pyetën subjektin se si shpjegohet që ai ka qenë në gjendje që të punojë për një copë kohe njëkoësisht si gjyqtar në Vlorë, si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Tiranë, si trajnues për Urdhrin e Infermierit dhe si bletërritës në Ersekë. Saliko tha se KLD mblidhej një herë në muaj ndërsa në Urdhrin e Infermierit ka punuar në fudjavë. Sa i përket bletëve, ai shpjegoi se bletët rriten vetë dhe se puna në bletari është e kufizuar në vetëm disa ditë në vit.

Ai shoqëroi shpjegimet e tij me blloqe voluminoze dokumentesh. Një ekspertizë bujqësore e siguruar në Korçë ka raportuar sipas Salikos gjendjen në fermë si dhe potencialin prodhues bujqësor, çmimet e prodhimeve dhe të ardhurat ndërsa një letër nga shoqata e bletërritësve ka ofruar shpjegime të mëtejshme. Ai ofroi edhe një foto satelitore të nxjerrë nga Google në të cilën, sipas përshkrimit të Salikos, mundet të numërohen 71 koshere bletësh në vitin 2007.

?Mjalti i familjes sime është ndër më të mirët në treg,? deklaroi Saliko. ?Unë nuk e kam turp punën,? shtoi ai. Sipas tij, familja është në gjendje të prodhojë 10 kuintal mjaltë. Ai ka deklaruar të ardhura në rendin e 1.6 milionë lekëve nga bujqësia e bletaria në vitin 2017, 1.57 milionë në vitin 2016, 1 milionë në vitin 2015 apo 1.1 milionë në vitin 2014.

Sipas avokatit Azizi, të mohosh të ardhurat nga bujqësia është si të mohosh ekzistencën e familjes.

Vëzhguesja ndërkombëtare, pasi e uroi Salikon për aftësinë e tij për të bërë katër punë njëkohësisht, e pyeti se si shpjegohet që nëna e subjektit jeton në fshat, realizon prodhimin bujqësor dhe fitimet ia jep atij.

?Unë nuk e di se si është në vendin tuaj,? tha Saliko, ?por në Shqipëri kjo punë rregullohet me nenet 222, 223 dhe 224 të Kodit Civil. ?Familja bujqësore përfaqësohet në marrëdhëniet pasurore me të tretët nga kryetari, i cili zgjidhet nga anëtarët e saj,? vijoi Saliko duke cituar kodin civil dhe duke argumentuar se mamaja dhe bashkëshortja e tij janë kujdesur më shumë për fermën ndërsa ai vetë është angazhuar disa ditë në vit për disa punë shumë specifike në bletari për të cilat ai është ekspert.

?Familjet në Shqipëri janë patriarkale,? tha Saliko ndërsa kërkoi konfirmimin në detyrë.

Lajmet e fundit nga