Connect with Us

Si mund të detyrohet Kina të japë llogari për përhapjen e Covid-19

Blog

Si mund të detyrohet Kina të japë llogari për përhapjen e Covid-19

Publikuar

-

Nga Jamie Metzl “The Wall Street Journal”

* Në qoftë se një vend do të lëshonte aksidentalisht një raketë bërthamore, duke shkaktuar vrasjen e më shumë se 650.000 njerëzve, udhëheqësit e botës do të kërkonin minimumi një hetim të plotë dhe të menjëhershëm mbi atë që kishte ndodhur, për t’u siguruar se nuk do të ndodhte më.

Ndërsa ka gjithnjë e më shumë prova se virusi vdekjeprurës që shkaktoi pandeminë e Covid -19, mund të ketë dalë aksidentalisht nga një laborator i virologjisë në Vuhan, e ndjekur nga një fshehje e kësaj ngjarje nga qeveria kineze, shumica e politikanëve në mbarë botën, kanë qëndruar çuditërisht të heshtur.

Derikur politikëbërësit të kuptojnë origjinëne koronavirusit të ri, bota mbetet e prekshme edhe ndaj një pandemia vdekjeprurëse në të ardhmen. Virusi më i afërt i njohur në lidhje me SARS-Cov-2, është një virus i mbledhur nga shkencëtarët kinezë nga 6 minatorë të infektuar në një shpellë të infektuar me viruse nga lakuriqët e natës në jug të Kinës në vitin 2012. Minatorët shfaqën simptoma, që ne tani i lidhim me Covid -19. Gjysma e tyre vdiqën. Mostrat virale u dërguan më pas Institutin e Virologjisë në Vuhan, që njihet se ka nivelin më të lartë të mundshëm të sigurisë, Nivelin 4.

Vuhani ndodhet më shumë se 1600 km në veri të provincës Junan, ku është edhe shpella në fjalë. Nëse virusi kaloi tek njerëzit me anë të një serie kontaktesh, apo në të ashtuquajturat “trege të lagështa” siç pretendon Pekini, ne me gjasë do të kishim parë dëshmitë e njerëzve të infektuar në vende të tjera të Kinës, para shpërthimit të epidemisë në Vuhan.

Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Shpjegimi alternativ, një “arratisje” e virusit nga laboratori, është shumë më i besueshëm. Ne e dimë që Instituti i Virologjisë në Vuhan ishte duke përdorur teknika të diskutueshme të “përfitimit të funksionit”, për t’i bërë viruset më virulente për qëllime kërkimore.

Në një kabllogramë konfidenciale të vitit 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit, e vinte theksin tek shqetësimet mbi sigurinë e laboratorëve të tillë. Sugjerimi se virusi vdekjeprurës ka dalë rastësisht nga laboratori kinez, ngjan i besueshëm. Mbi të gjitha, vetë sjellja e Kinës ngre shumë dyshime.

Në javët e para kritike pas shpërthimit të epidemisë, Pekini censuroi çdo informacion, dhe pengoi hyrjen në vend të hetuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa mostrat virale u shkatërruan. Kur një biolog kurajoz kinez postoi në internet gjenomën e sekuencuar të virusit, laboratori i tij e fshiu menjëherë “për korrigjim”.

Vaksina kundër koronavirusit "mund të mbetet ende me muaj larg"

Kineze qeveria i ndaloi shkencëtarët të flisnin në publik mbi origjinën e pandemisë. Gazetarët që investiguan mbi këtë çështje rezultojnë të zhdukur. Sipas një raporti të Bashkimit Evropian, që çuditërisht u ndryshua në versionin përfundimtar, “Kina ka drejtuar një fushatë globale keqinformimi, për të shmangur fajin e saj mbi pandeminë”.

LEXO EDHE:  Veliaj dhe Ndroqi përtej propagandës

Në muajin maj, 120 vende anëtare të OBSH-së ranë dakord për një “vlerësim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës” në “shqyrtimin e përvojës së fituar dhe mësimeve të nxjerra nga reagimi ndërkombëtar shëndetësor ndaj Covid-19”. Ai ishte një formulim i çuditshëm dhe i butë, një lloj kompromisi që i jep mundësi Pekinit të shmangë çdo lloj hetimi serioz.

Presidenti kinez Xi Jinping, e bëri të qartë këtë kur deklaroi se hetimi mbi këtë ngjarje duhet të nisë vetëm pasi pandemia të jetë vënë nën kontroll. Edhe pse një ekip i OBSH ka shkuar në Kinë më 10 korrik, ka shumë të ngjarë që çfarëdolloj hetimi ndërkombëtar, do të jetë shumë i cunguar nga qeveria kineze.

Dhe arsyet pse Pekinit nuk i intereson një hetim i thellë i origjinës së pandemisë, janë të kuptueshme. Nëse vdekjet e kaq shumë njerëzve në mbarë botën, e kanë origjinën tek një aksident laboratorik dhe fshehje më pas e ngjarjes nga autoritetet, pasojat brenda Kinës dhe ato në rrafshin global do të jenë të mëdha.

Ndërkohë, është më e vështirë të kuptohet pse kaq shumë njerëz jashtë Kinës po reagojnë kaq ngadalë. Pjesërisht kjo mund të shpjegohet me anë të ndikimit të madh të Kinës në rang global. Kur kryeministriministri australian Skot Morrison sugjeroi nisjen e një hetimi, Pekini e ndëshkoi menjëherë Australinë me reduktimin e tregtisë me këtë shtet.

Me ekonominë kineze që po ringrihet, dhe atë të SHBA-së që po vuan, shumë vende kanë frikë se qeveria kineze mund të rrezikojë të ardhmen e tyre ekonomike. Ndërkohë, shumë progresistë duket se po e censurojnë veten nga frika e legjitimimit të asaj që ata shohin si një përpjekje të presidentit Donald Trump për ta fajësuar Kinën dhe OBSH-në, për të shmangur kritikat ndaj dështimeve të tij në SHBA.

Por mosshkuarja deri në fund e kësaj çështje, do të ishte kulmi i absurditetit. Në lojë janë shumë gjëra. Për të garantuar sigurinë e të gjithëve, OBSH dhe hetuesit duhet të fuqizohen për të shqyrtuar të gjitha çëshjet përkatëse në lidhje me origjinën e kësaj pandemie që nuk po njeh kufij.

Ky hetim gjithëpërfshirës mjekësor, duhet të përfshijë një qasje të plotë të të gjitha shkencëtarëve, mostrave biologjike, laboratorike të dhënat dhe të tjera materiale nga të Intitutet e Virologjisë, dhe organizmat e tjerë përkatëse në Kinë. Mohimi i kësaj qasje, duhet të konsiderohet si një pranim i fajit nga ana e Pekinit.

Por ajo është edhe një rrugë e mirë për të ecur përpara. Duke bashkëpunuar për të kuptuar plotësisht origjinën e pandemisë, se si dështuam të reagojmë në mënyrën e duhur, dhe çfarë ne duhet të bëjmë për të parandaluar krizat të tilla në të ardhmen, ne mund të ndërtojmë një botë të sigurt për të gjithë./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Intervista / Condoleezza Rice shpjegon “Katër Kalorësit e Apokalipsit”

Publikuar

-

Nga

“Bush Center”

Condoleezza Rice, ka ushtruar detyrën e Sekretares amerikane të Shtetit në vitet 2005-2009, dhe ka qenë këshilltare e sigurisë kombëtare për presidentin Xhorxh W.Bush në vitet 2001-2005. Në këtë intervistë, Dr.Rice shpjegon rritjen e nativizmit, populizmit, izolacionizmit dhe proteksionizmit në mbarë botën, dhe ndikimin e tyre tek demokracia. Ajo flet gjithashtu mbi tensionin midis globalizmit dhe nacionalizmit; dhomat-jehonë në mediat sociale; dhe nevojën për një narrativë të përbashkët mbi demokracinë.

Në librin tuaj të vitit 2017 “Demokracia”, ju i cilësoni populizmin, nativizmin, izolacionizmin dhe proteksionizmin si “Katër Kalorësit e Apokalipsit”. Tre vjet më vonë, si ju duket se po përballen demokracitë me këta katër “kalorës”?

Jo mirë. Kriza e Covid-19, ka prirjen të forcojë disa nga tendencat drejt izolacionizmit. Shteti sovran cilësohet si “mbret” në reagimin ndaj pandemisë. Flitet për qytetarët, kufijtë, pajisjet e mia mbrojtëse. Organizatat ndërkombëtare, duket se thuajse janë anashkaluar gjatë kësaj periudhe.

Për aq sa unë kujtoj, prirja themelore drejt nativizmit, kujdesi për veten, duket se është më e fortë se sa në çdo kohë tjetër. Dhe kjo qasje kontraston shumë me reagimin ndaj sulmeve të 11 Shtatorit, apo edhe ndaj krizës financiare të vitit 2008, ku kishte një kuptim më të qartë që ato dukuri ishin “ngjitëse”, dhe se nuk mund të mbaheshin brenda disa kufijve. Do të na duhet shumë punë për të rindërtuar ndjenjën e bashkëpunimit ndërkombëtar, si një nga elementët e rëndësishëm për t’u përballur me këtë situatë të tmerrshme.

Në një vend më homogjen si Hungaria, populizmi është më shumë si një përballje e Hungarisë me botën. Këtu në SHBA, populizmi duket se mbështetet më tepër në ndarjet tona të brendshme, mes demokratëve dhe republikanëve, në ato racore, fe, fetare, midis amerikanëve të lindur këtu dhe emigrantëve. Si duhen menaxhuar këto tensione që populizmi ka sjellë në vendin tonë?

Ju keni shumë të drejtë. Reagimi i një vendi homogjen, është përmes një nacionalizmi të modës së vjetër:Kombi im kundër të tjerëve. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, janë një krijesë e çuditshme. Të jesh amerikan, nuk ka lidhje me kombësinë, fenë apo përkatësinë etnike.

Ne e kemi origjinën nga andej prej nga erdhën etërit tanë, nga çdo cep i botës. E megjithatë kemi një diskutim të pakëndshëm mbi mënyrën se si e përkufizojmë “amerikanin”? Ne e ndajmë veten në grupime gjithnjë e më të vogla, secila me narrativën, ankesat dhe historinë e vet.

Dhe i gjithë debati është nëse ankesa apo narrativa ime është më e fortë se e jotja. I sakrifikuar është sensi i një narrative të përbashkët që nuk bazohet tek fisi, etnia apo kombësia jonë. Ajo bazohej në besimin se ti mund të vije nga një origjinë modeste, dhe sërish mund të bëje gjëra të mëdha, pavarësisht racës, përkatësisë etnike apo kombësisë.

Disa nga kundërshtarët tanë, sidomos Rusia, janë duke tentuar të shfrytëzojnë përçarjet tona. Ne e dimë që ata kanë investuar shumë kohë, përpjekje dhe para në aspekte të tilla si dezinformimi përmes mediave sociale. Si mund t’i përgjigjet më së miri SHBA-ja sfidave të tilla?

Së pari, ne duhet të ndihmojmë realisht në zhdukjen e përçarjeve brenda shoqërisë sonë. Rusët, kinezët dhe të tjerët janë përpjekur të shënjestrojnë popullata të pakënaqura, për t’i bërë ato edhe më të zhgënjyera me shoqëritë ku ndodhen. Dhe ky është një manual i vjetër i subversionit.

Ai daton që në epokën e Josif Stalinit, kur diktatori sovjetik foli për ndërtimin e “Kolonave të Pesta” brenda shoqërive perëndimore që kishin segmente njerëzish të pakënaqur, dhe që do të josheshin përmes Internacionales Komuniste. Ata as që do ta kishin ëndërruar, se çfarë dhurate do të ishin më vonë mediat sociale.

Ato janë shumë më efikase në identifikimin e grupeve të pakënaqura. Nëse rusët e bënë në fillim këtë ndërhyrje, turp për ta, ndërsa nëse e përsërisin, atëherë turpi do të jenë i yni.

Ne e dimë se çfarë bënë ata. Prandaj, duhet të ketë një bashkëpunim të plotë midis platformave të mediave sociale dhe qeverisë, për t’u siguruar që ata të mos ndërhyjnë më në punët tona.

E fundit, ne duhet të dalim nga dhomat-jehonë të mediave sociale. Nëse rrini vazhdimisht në shoqërinë e njerëzve që ju thonë “Amen” për gjithçka, atëherë ndërroni shoqëri. Ju e dini se çfarë ndodh kur nuk takoni njerëz që mendojnë ndryshe? Ju mendoni se ata janë ose budallenj ose të korruptuar. Dhe kjo është ajo po ndodh me ne.

Kur elitat në politikë, media, biznes, arsim apo fusha të tjera, rrinë të distancuara nga njerëzit e thjeshtë, dhe nuk i kuptojnë ankthet që ndjen qytetari i zakonshëm, si e kërcënon kjo sjellje politikën apo kulturën tonë?



Populizmi nuk është në fakt anti-demokratik. Ai mund të çojë në tendenca anti-demokratike, por ai është ne thelb anti-institucional. Ai thotë se institucionet aktuale, elitat, nuk besojnë tek qytetarët. Se ato nuk shqetësohen për interesin e qytetarëve të zakonshëm, por vetëm për të tyren.

LEXO EDHE:  Dekriminalizimi/ Balla: Të përfshihen edhe SHBA, BE dhe Komisioni i Venecias

LEXO EDHE:  SHBA/ Diplomatët kritikojnë politikën e Presidentit Obama për Sirinë

Ju e shihni rritjen e pabarazisë sociale dhe ekonomike midis elitave dhe njerëzve të thjeshtë. Dhe kjo e përforcon konceptin e distancimit të elitave. Fatkeqësisht, shumë nga përvojat e përbashkëta sociale që kemi pasur dikur, si shërbimi ushtarak, shkuarja në Kishë etj, sot nuk i kemi më në të njëjtën shkallë.

Dhe vetë elitat janë të përçara. Një kontributor tjetër i madh në këtë drejtim është globalizimi. Për ne ishte e dobishme pasja e një narrative integruese për botën. Por ata që sot lëviznin lehtësisht nëpër botë, që flasin gjuhë të ndryshme, që përfituan nga globalizimi, duket se e kanë harruar se shumica e njerëzve nuk lëviznin dikur më shumë se 35 km nga vendi ku kishin lindur.

Nuk është e lehtë t’i thuash një minatori të papunë në Virxhinian Perëndimore, se globalizmi është i mirë për ty, pasi ti mund të blesh mallra më të lira në supermarket. Ne e kemi harruar, që ndërsa globalizimi pati përfitime të jashtëzakonshme për shumicën, ai la pas shumë njerëz. Dhe ata janë të dëshpëruar dhe ndjehen të parespektuar. Prandaj nuk e habitshme që del një populist dhe u thotë: “Elitat nuk kanë pasur asnjëherë parasysh hallet e tua!”, dhe ata e besojnë këtë gjë.

Si duhet t’u përgjigjen demokracitë atyre që ndjehen të lënë pas dore, apo që e kanë humbur identitetin e tyre kombëtar ose kulturor?

Përgjigja është e ndryshme për Shtetet e Bashkuara, dhe për disa demokraci të tjera. Evropa ka një problem real, pasi evropianët u përpoqën për shkak të historisë së tyre, të mënjanonin nacionalizmin, të shtypnin identitetin kombëtar, dhe ta zëvendësonin atë me një identitet evropian.

Kjo përfaqësohej nga ideja që burokratët e pa-zgjedhur nga qytetarët në Bruksel po merrnin vendime për gjithçka, nga deficiti buxhetor i Italisë tek përbërja e djathit. Por kjo përpjekje ka dështuar. Njerëzit thanë:”Jo, unë dua të jem polak. Dua të jem anglez!”. Dhe Brexit ishte një rezultat i këtij dështimi.

Unë mendoj se Evropa do të përjetojë një periudhë shumë të vështirë, derisa të ri-gjejë një lloj ndjenje të një identiteti evropian, sidomos tani që Covid-19 i ka ekspozuar edhe më shumë ato çarje. Në SHBA, mungesa e një narrative të përbashkët ka qenë problematike.

Po kështu edhe paaftësia jonë për të biseduar mbi ndarjet kulturore dhe etnike në atë mënyrë që të pranojmë se shumë njerëz po vuajnë, dhe se ata nuk kanë qasje në një arsim cilësor për fëmijët e tyre. Ne duhet ta adresojmë këtë ndarje kulturore, ku nuk e njohim më mirë njëri-tjetrin, dhe ku po jetojmë në shoqëri shumë të ndara.

Çfarë roli luan identiteti në trazirat e fundit që po shohim, jo ​​vetëm këtu në SHBA, por në të gjithë botën?

Identiteti është një gjë e shkëlqyer, të dish kush je, se nga ke ardhur, të njohësh historinë tënde, luftërat e popullit tënd. Unë jam shumë krenare për prejardhjen time afro-amerikane. Për shkak të skllavërisë, unë jam evropiane në 40 për qind të ADN-së sime.

Pra, identiteti është një diçka komplekse, veçanërisht në një vend si yni. Problemi lind kur ti e “armatos” identitetin tënd kundër identitetit të dikujt tjetër. Kur identiteti im, më jep të drejtën të kem gjëra që ti nuk i ke. Kur identiteti im do të thotë që t’i duhet të bësh një hap pas, pasi unë kam vuajtur më shumë. Dhe kur bëhet fjalë për identitetin etnik ose racor ose fetar, kjo mund të jetë e rrezikshme.

Si mund t’i rezistojnë demokracitë e qëndrueshme kësaj pandemie, në mënyrë që të mos mposhten dot nga “Katër Kalorësit” e nativizmit, izolacionizmit, proteksionizmit dhe populizmit?

Një nga gjërat që ka funksionuar shumë mirë për ne është federalizmi. Njerëzit i besojnë natyrshëm qeverisë që u qëndron më pranë, sesa asaj që u rri larg. Demokracitë duhet t’i rikthehen parimeve të tyre thelbësore, siç është dhënia e zërit për sa më shumë njerëz që të jetë e mundur.

Demokracitë si SHBA dhe Britania e Madhe, nuk do kenë probleme. Unë shqetësohem për demokracitë e pakonsoliduara, për demokracitë e reja, ku tundimi për të shkuar drejt autoritarizmit, mund të vazhdojë shumë më tej në vende si Hungaria. Shoh me shqetësim situatën në Poloni, efektin që do ketë pandemia në vendet afrikane, dhe ato të Amerikës Latine, të vetëm kohët e fundit kanë filluar të kenë qeveri demokratike. / Bush Center – Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

“Vdekja” e qytetit/ Puna nga shtëpia po e nxjerr “jashtë mode” jetesën urbane

Publikuar

-

Nga

“Vdekja” e qytetit/ Puna nga shtëpia po e nxjerr “jashtë mode” jetesën urbane

Nga Aitor Hernandez-Morales, Kalina Oroschakoff & Jacopo Barigazzi

Rreth 700 vjet më parë, qyteti i Sienës në rajonin e Toskanës në Itali, ishte një qendër e fuqishme bankare dhe proto-industriale e populluar nga mbi 50.000 banorë, një shifër që në atë kohë tejkalohej vetëm nga “mega-qytetet” mesjetare si Parisi, Londra dhe Milano.

Por në vitin 1348, kur qyteti i lulëzuar ishte në kulmin e epokës e tij të artë, gjithçka u përmbys befas nga papritur nga pandemia e “Vdekjs së Zezë”.

Në vetëm disa vjet, qyteti humbi 60 për qind të popullsisë së tij, dhe nisi një rënie të pandalshme. Ajo e rifitoi vetëm në shekullin e XX-të madhësinë që kishte para pandemisë.

Covid-19 nuk është po aq vdekjeprurës sa murtaja bubonike e Mesjetës.

Por trazirat sociale dhe ekonomike të shkaktuara prej saj, kanë lënë që tani shenjat të dukshme fizike në qytete moderne në Evropë:Qendrat e biznesit dikur të mbipopulluara, tashmë janë të zbrazëta, ndërsa njerëzit po zgjedhin të punojnë nga shtëpia.

Dyqanet dhe restorantet janë mbyllur. Transporti publik është reduktuar. Ka ndërkohë arsye të besohet se kjo pandemi, mund të ketë një ndikim edhe më të qëndrueshëm se sa paraardhëset e saj. Për herë të parë qëkur u shfaqën qytetet e para në botë rreth 6.000 vjet më parë, qendrat urbane nuk e kanë më monopolin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore.

Për shumë punëtorë të frikësuar nga koronavirusi – por edhe për punëdhënësit që synojnë të ulin kostot për shkak të krizës ekonomike së shkaktuar – teknologjitë si video-konferencat, dokumentet e përbashkëta dhe mesazhet e menjëhershme, ofrojnë alternativa të vlefshme ndaj zyrave në godinat e kateve të larta.

Ndërkohë, shërbime si video-streaming, mediat sociale, dhe faqet e internetit si Reddit dhe Tëitter ofrojnë një shije të efektit kulturor dhe komunitetit, që ndër shekuj ka tërhequr kaq shumë njerëz në qytetet e mëdha. Sot ju nuk keni nevojë as për një bar apo klub, për të gjetur dashurinë e jetës:Aplikacione si Tinder, Bumble ose Grindr, janë shumë të gatshëm t’ju lidhin me një bashkëshort të mundshëm.

“Kjo pandemi ka potencialin të prekë realisht qytetet”- thotë Peter Klark, profesor i historisë urbane evropiane në Universitetin e Helsinkit. “Nëse nuk ka një valë të dytë, ndryshimet mund të jenë shumë më të vogla nga sa spekulojnë njerëzit. Por nëse do ketë, ne mund të shohim një ndryshim serioz të modeli evropian të ‘qytetit kulturor”- thotë ai.

Dhe në fakt, nuk ka asnjë dyshim se pandemia e ka transformuar mënyrën e punës. Në fillim të pranverës, ndërsa koronavirusi po përhapej në Evropë, kufizimet e vendosura nga qeveritë i detyruan të gjithë punonjësit, përveç atyre të sektorëve jetikë si shëndetësia dhe supermarketet, që të punojnë nga shtëpia për të frenuar rastet e reja.

Kërkesa industriale u ngadalësua ose u ndal, teksa ranë drastikisht blerjet e makinave dhe produkteve të tjera. Para masave bllokuese, teleëorking, puna online nga shtëpia, nuk ishte e zakonshme në shumicën e vendeve evropiane. Sipas të dhënave të “Eurofound”, vetëm 11 për qind e gjermanëve dhe 8 për qind e italianëve, kishin punuar “herë pas here” në distancë në vitin 2015.

Por ndërsa kriza përparoi më tej, punëtorët dhe bizneset u përshtatën shumë shpejt me realitetin e ri. Takimet e qeverive, korporatave dhe organizatave të tjera u zhvendosën në internet ; klasat mësimore u bënë virtuale ; ndërsa mori hov mjekësia online dhe terapia virtuale.

Tani ngrihet pyetja nëse këto sjellje të reja do të vazhdojnë, apo nëse shumica e njerëzve do të rikthehen në zyrat e tyre sa më shpejt që të munden. Ekonomisti i Universitetit të Stenfordit në SHBA, Nikolas Blum, ekspert për punët nga distanca, thotë se ndërsa është jorealiste të pritet që të gjithë të punojnë nga shtëpia për një kohë të pacaktuar, 50-60 përqind e popullsisë do të jenë në gjendje që ta bëjë këtë gjë.

“Një e treta e popullsisë që punon – punonjësit e zyrave, menaxherët e nivelit të lartë – mund të punojnë në 100 për qind të kohës nga distanca. Një e treta tjetër si stilistët, agjentët e pasurive të patundshme, studiuesit shkencorë, mund ta bëjnë këtë në shumicën e kohës, edhe pse ndonjëherë do të duhet të shkojnë në zyrë.

Vetëm një e treta e mbetur, nuk mund të punojë dot nga shtëpia:Shumica e këtyre njerëzve janë punonjës të sektorit të shërbimit me paga më të ulëta. Por po ashtu janë specialistët që paguhen mirë si dentistët, kirurgët, pilotët”- thotë ai.

Blum thotë se është ende herët të thuhet se sa intensiv do të jetë ndikimi i pandemisë. Por edhe nëse ka një kurë apo vaksinë ndaj Covid-19, s’ka gjasa që punonjësit e zyrave të duan të rikthehen në punë si zakonisht.



“Rrokaqiejt dhe zyrat në qendrat e qyteteve, që më parë ishin pasuritë e patundshme më të vlerësuara, janë bërë tani vende që shmangen nga njerëzit nga frika e infektimit. Unë shoh se njerëzit nuk ndihem më rehat në trena apo ashensorët e populluar. Dhe kompanitë nuk do të duan të hapen dhe mbyllen, sa herë që ka një valë të re infektimesh”- shton ai.

Madje për shkak të krizës, kompanitë po shohin mundësinë e uljes së kostove. Sipas kompanisë BNP Paribas Real Estate, investimet mbi njësitë tregtare, ranë me 44 për qind në gjithë Evropën midis mesit të marsit dhe fundit të majit. Kjo prirje ka të ngjarë të vazhdojë, teksa kompanitë e teknologjisë si Tëitter dhe Google kanë njoftuar planet e tyre që punonjësit e tyre të vazhdojnë të punojnë në distancë.

LEXO EDHE:  Veliaj dhe Ndroqi përtej propagandës

LEXO EDHE:  Kuba për vendimin:Nuk duhej të kishim qenë fare në listë

Ndërkohë një studim i ri i kryer nga Instituti Ifo në Gjermani, tregon se 54 për qind e bizneseve duan të përdorin tani e tutje më shumë punën nga shtëpia. Kreu i Facebook Mark Zukerberg ka thënë se pret që gjysma e fuqisë punëtore të kompanisë të punojë nga shtëpia dekadën e ardhshme, dhe punonjësit që u transferuan në zona më pak të shtrenjta, do të pësojnë ulje të pagës në përputhje me koston e re të jetesës.

Fundi i punës në zyra, nëse do të ndodhë, do ta shndërronte rrënjësisht peizazhin urban. Duke mos pasur nevojë të dalin herët në mëngjes nga shtëpia për të shkuar në punë, punonjësit do të jenë të lirë të shëtisin më shumë në periferi dhe fshat.

Evropa ka një traditë të gjatë të banorëve të pasur të qytetit që ikin në fshat për shkak të Murtajës, duke lënë në qytet shtresën e varfër dhe punëtore. Në kryeveprën e Xhovani Bokaçio “Dekameroni”, fiorentinët e pasur ikin në fshatrat e Toskanës për t’i shpëtuar “Vdekjës së Zezë”.

Gjatë krizës së koronavirusit, elitat urbane në vendet më të goditura si Spanja dhe Franca, u larguan nga qyteti për në zonat rurale më të gjelbërta dhe më të sigurta. Ish-kryeministri spanjoll Hoze María Aznar, shkoi në vilën e tij në Marbela, në vend se ta kalonte karantinën në Madrid.

Nëse ka valë të mëtejshme të koronavirusit, apo vijon të përhapet puna nga shtëpia, kjo prirje mund të kopjohet lehtësisht nga shumica. E përse të paguhet një qira e lartë në qytet për një apartament të bollshëm, kur mund të kesh një karrierë po aq tërheqëse nga një shtëpi në kodrat e periferisë?

Por edhe nëse puna online bëhet dominuese, jo të gjithë do të jenë në gjendje – apo do të duan – të ikin në periferi apo fshat. Dhe ata që do të qëndrojnë, mund ta shohin qytetin të bëhet një vend shumë më i ndryshëm. “Qytetet do të jetë më të lirshme, pasi do ketë më shumë hapësira në dispozicion. Kjo mund të ndihmojë në adresimin e krizës së përballueshmërisë që shohim në qendrat urbane… Por nga ana tjetër, kjo do krijojë shumë boshlleqë”- thotë Blum.

Nëse mbyllen shumë zyra, me siguri shpenzimet urbane mund të bien me një të tretën. Në një lagje të Brukselit, largimi i eurokratëve dhe punonjësve të zyrave, ka çuar në mbylljen e një prej kafeneve më të njohura të zonës.

Me më pak biznese tatimpaguese, dhe me një pjesë më të madhe të banorëve të varfëruar, ndoshta të papunë, qeveritë lokale të qyteteve ka të ngjarë të shohin një rënie të të ardhurave të tyre tatimore, dhe kjo përfundimisht mund të ndikojë tek shërbimet publike.

Nga ana tjetër, shkuarja për të jetuar në fshat, është diçka më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, sidomos për banorët e qyteteve që janë mësuar me një jetë sociale shumë aktive. Zonat rurale, nuk kanë infrastrukturën që përdorin banorët e qyteteve të sotme, thotë Apostolos Cicikostas, kreu i Komitetit të Rajoneve në Greqi.

“Si mund të punosh nga shtëpia në një zonë rurale, pa pasur një internet me bandë të gjerë? Si mund t’i rritësh fëmijët, nëse nuk ke aty shkolla të përshtatshme? Si të veprosh nese prekesh nga koronavirusi, por nuk ke shërbimin e duhur spitalor në zonë?”- pyet ai.

Fati i qyteteve, do të varet në një masë të madhe nga vendimet që do të marrin politikëbërësit. Ndërsa liderët e BE premtojnë një fond rimëkëmbje prej 750 miliardë eurosh, bashkë me buxhetin e ardhshëm 7-vjeçar të bllokut, autoritetet rajonale janë të prirura të përdorin programet e stimulimit të Brukselit jo vetëm për të ndihmuar qytetet e mëdha, por edhe rakonet më të prapambetura dhe të harruara të Evropës.

Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2018, 44.8 përqind e popullsisë së BE-së jeton në qytet, 36 për qind në të ashtuquajturat zona të ndërmjetme si qyteza dhe periferi, dhe 19.2 për qind në zonat rurale. Cicikostas mendon se fondet e BE-së duhet të shkojnë drejt investimeve kryesore, siç është rrjeti i transportit dhe infrastruktura digjitale në zonat rurale.

Por jo të gjithë janë të bindur se koronavirusi, mund të sjellë fundin e qendrës së gjallë të qytetit. Xhuzepe Sala, kryebashkiaku i Milanos, një nga qytetet italiane më të prekura nga koronavirusi, tha për “Politico” se nuk ka menduar ndonjëherë “të jetoj përherë në shtëpinë që kam në Liguria”. Ai nuk mendon se në një periudhë afatgjatë, qytetet do të kërcënohen seriozisht nga pandemia.

“Ka 30 vjet që diskutohet se njerëzit janë të lodhur me jetën në qytet, por realiteti ka treguar se nuk është kështu”- thotë ai. Por ndërkohë Sala e pranon, se kriza e fundit shëndetësore do t’i detyrojë qytetet – tashmë nën presion nga ndryshimi i klimës, ndotja e ajrit dhe rreziqet e tjera mjedisore – që të rishikojnë qasjen e tyre zhvillimore.

Marrë me shkurtime nga “Politico.eu” – Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

“Nacionalizmi” i vaksinave/ Pse vetëm bashkëpunimi ndërkombëtar, do t’i japë fund pandemisë

Publikuar

-

Nga

“Nacionalizmi” i vaksinave/ Pse vetëm bashkëpunimi ndërkombëtar, do t’i japë fund pandemisë

Nga Thomas J.Bollyky & Chad P.Bown

Zyrtarët e administratës Trump, e kanë krahasuar grumbullimin global të vaksinave ndaj koronavirusit që shkakton Covid-19, me maskat ​e ​oksigjenit që bien mbi kokat e pasagjerëve brenda një avioni që është duke u rrëzuar.

“Ju e vendosni i pari maskën, dhe pastaj dëshironi të ndihmoni edhe të tjerët sa më shpejt të jetë e mundur”- tha në qershor Peter Marks, një zyrtar i lartë në Administratën e Ushqimit dhe Barnave në SHBA, që mbikëqyri fazat fillestare të zhvillimit të vaksinave për llogari të qeverisë amerikane.

Natyrisht, ndryshimi i madh është se maskat e oksigjenit në avion, nuk bien vetëm mbi kokat e pasagjerëve në klasin e parë, që është ekuivalenti i asaj që do të ndodhë kur vaksinat të jenë të disponueshme, nëse qeveritë vonojnë sigurimin e tyre edhe për njerëzit në vendet e tjera.

Deri në fillim të muajit korrik, ishin duke u zhvilluar 160 vaksina kandidate kundër koronavirusit të ri, me 21 prej tyre që janë tashmë në fazën e provave klinike. Edhe pse do të kalojnë të paktën disa muaj, përpara se një ose më shumë prej atyre vaksinave të jenë vërtetuar si të sigurta dhe efektive, vendet që i prodhojnë vaksinat (dhe vendet e pasura që nuk po merren me këtë punë), kanë nisur tashmë të rivalizojnë mbi to.

Dhe gjykuar nga mënyra se si kanë vepruar qeveritë gjatë pandemisë aktuale por dhe atyre të shkuara, ka shumë gjasa që një sjellje e tillë të vazhdojë. Për momentin, mungon një angazhim ndërkombëtar për t’i shpërndarë vaksinat në mënyrë globale, në mënyrë të barabartë dhe racionale.

Përkundrazi, udhëheqësit po i japin përparësi vetëm popujve të tyre, në vend të ngadalësimit të përhapjes së Covid-19 diku tjetër, apo ndihmës ndaj autoriteteve shëndetësore dhe popullatave shumë të ndjeshme në vende të tjera. Por çdo lloj “nacionalizmi i vaksinës”, apo qasje “vendi im i pari” ndaj vaksinës, do të ketë pasoja të rënda negative.

Pa një koordinim global, vendet mund të konkurrojnë kundër njëra-tjetrës, duke rritur çmimin e vaksinave dhe materialeve përkatëse. Furnizimi me vaksina, të testuara për efektivitetin e tyre, do të jetë fillimisht i kufizuar vetëm në disa vende të pasura.

Ndërkohë, ato që do të vuajnë më tepër, do të jenë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Vende të tilla do të detyrohen të shohin teksa homologët e tyre më të pasur reduktojnë sasinë e vaksinave në dispozicion, dhe do t’u duhet të presin me muaj (në mos edhe vite) për pasjen e tyre.

Ndërkohë, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe miliarda njerëz të moshuar, dhe njerëz të tjerë të rrezikuar në vendet e varfra, do të mbeten të pambrojtur. Kjo gjë do ta zgjasë në kohë pandeminë, do të rrisë numrin e vdekjeve, dhe do të shkatërrojnë sistemet dhe ekonomitë tashmë të brishta të kujdesit shëndetësor.

Në përpjekjen e tyre të dëshpëruar për të pasur vaksinën, vendet pa qasje në stokun fillestar të vaksinave do të përdorin çdo mjet presioni, përfshirë bllokimin e eksporteve të përbërësve jetikë të vaksinave, gjë që do të çojë në prishjen e zinxhirëve të furnizimit për përbërës të papërpunuar, shiringat dhe flakonë.

Ato mund të firmosin ndërkohë marrëveshje afatshkurtra për vaksina me efekte anësore të rënda për interesat e tyre afatgjata ekonomike, diplomatike dhe strategjikë. Rezultati do të jetë jo vetëm kriza të panevojshme ekonomike dhe humanitare, por edhe një pakënaqësi e madhe ndaj vendeve prodhuese të vaksinave.

Kjo do të rrezikojë edhe llojin e bashkëpunimit ndërkombëtar, që do të jetë i nevojshëm për të menaxhuar epidemitë apo pandemitë e ardhshme. Për të mos përmendur sfida të tjera të ngutshme, si ndryshimi i klimës dhe përhapja e armëve bërthamore.

Nuk është asnjëherë tepër vonë, që bashkëpunimi të dominojë mbi mos-bashkëpunimin global. Por kjo do të kërkojë një ndryshim të kursit nga shtetet dhe udhëheqësit e tyre politikë. Ajo që i duhet tani botës, është një marrëveshje e zbatueshme për tregtinë dhe investimet mbi vaksinat kundër Covid-19.

Pakti do të zbehte frikën e drejtuesve në vendet që prodhojnë vaksina, se ndarja e vaksinave më të tjerët, do ta bënte më të vështirë kujdesin ndaj popullsisë e tyre. Një marrëveshje e tillë, mund të arrihet nga institucionet dhe sistemet ekzistuese.



Qëllimi i një vaksine, është të rrisë reagimin imunitar të trupit të njerit, që kur një person i vaksinuar të ekspozohet ndaj virusit, sistemi i tj imunitar të marrë shpejt nën kontroll patogjenin, në mënyrë që personi të mos infektohet apo sëmuret.

LEXO EDHE:  Dekriminalizimi/ Balla: Të përfshihen edhe SHBA, BE dhe Komisioni i Venecias

LEXO EDHE:  Ballkani i trembet ngadalësimit të investimeve prej krizës në Turqi

Në rast se një ose më shumë vaksina vërtetohen si të sigurta dhe efektive në parandalimin e infeksionit, dhe nëse vaksinohet një pjesë e mjaftueshme e një popullate, numri i individëve të prekshëm do të bjerë deri në pikën ku koronavirusi nuk do të jetë në gjendje të përhapet.

Ekspertët parashikuan në fillim, se pandemia e koronavirusit mund të vrasë deri në 40 milion njerëz, dhe të zvogëlojë me 12.5 trilion dollarë prodhimin ekonomik global deri në fund të vitit 2021.

Dhënia fund e kësaj pandemie sa më shpejt të jetë e mundur, është në interesin e të gjithëve. E megjithatë, në shumicën e kryeqyteteve, thirrjet për një qasje globale ranë në vesh të shurdhër. Përballë mungesës globale të pajisjeve mjekësore mbrojtës dhe barnave, në fillim Kina; dhe pastaj Franca, Gjermania dhe Bashkimi Evropian; dhe në fund Shtetet e Bashkuara, grumbulluan të gjitha rezervat e mundshme me ventilatorë, maska ​​kirurgjikale dhe doreza për përdorimin e punonjësve të tyre nëpër spital.

Në përgjithësi, më shumë se 70 vende plus Bashkimi Evropian, vendosën kontrolle mbi eksportin e pajisjeve mbrojtëse, ventilatorëve ose ilaçeve gjatë 4 muajve të parë të pandemisë. Ky grup, përfshin shumicën e vendeve ku janë duke u prodhuar vaksinat e mundshme kundër Covid-19.

Mjerisht, një sjellje e tillë nuk është e re. Një vaksinë u zhvillua brenda 7 shtatë muajsh për pandeminë e gripit A të virusit H1N1 në vitin 2009, i njohur gjithashtu si Gripi i Derrit, që i mori jetën rreth 284.000 njerëz në mbarë botën. Dhe vendet e pasura blenë thuajse të gjitha vaksinat në dispozicion.

Kur Organizata Botërore e Shëndetit bëri thirrje për dhurime, Australia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe 6 vende të tjera ranë dakord t’i japin 10 për qind të vaksinave të tyre vendeve më të varfra, por vetëm pasi llogaritën se furnizimet e tyre të mbetura do të ishin të mjaftueshme për të përballuar nevojat e brendshme.

Organizatat joqeveritare dhe jofitimprurëse, kanë nisur zbatimin e 2 strategji për të zvogëluar rrezikun e një “nacionalizmi” të tillë vaksinash në rastin e Covid-19. Së pari, CEPI (Koalicioni për Inovacione dhe Gatishmërinë Epidemike) Fondacioni Bill & Melinda Gates, partneriteti joqeveritar për vaksinat i njohur si GAVi, dhe donatorë të tjerë kanë hartuar plane për të shkurtuar radhët për vaksinat, duke investuar që herët në kapacitetin prodhues dhe shpërndarës për vaksinat-kandidate më premtuese.

Një qasje alternative, është të tentohet të eliminohen rradhët. Në SHBA, administrata Trump i ka kushtuar gati 10 miliardë dollarë Operacionit “Warp Speed”, për të prodhuar miliona vaksina anti Covid-19 deri në janarin e vitit të ardhshëm 2021, por vetëm për qytetarët amerikanë.

Ndërkohë, Adar Ponavalla, shefi ekzekutiv i Institutit Serum në Indi, ka deklaruar se “të paktën në fillim”, çdo vaksinë që prodhon kompania do të shkojë për 1.3 miliardë indianët. Zhvilluesit e tjerë të vaksinave, kanë bërë deklarata të ngjashme.

Shumicën e liderëve politikë janë dritëshkurtër, sidomos ata që përballen me zgjedhjet e afërta. Shumë prej tyre nuk binden, se tek e fundit votuesit do ta se kuptojnë pasojat afatgjata shëndetësore dhe ekonomike të koronavirusit që përhapet pa kontroll jashtë vendit, janë më të mëdha se kërcënimi i menjëhershëm ndaj të afërmve të tyre.

Fatmirësisht, ka disa mënyra për të zbehur dekurajimin për të bashkëpunuar. Së pari, politikanët mund të jenë më të gatshëm të heqin dorë nga imunizimi i tërë popullatës së tyre në mënyrë që të ndajnë vaksinat me vendet e tjera, nëse do të kishte një studim të besueshëm që tregon numrin dhe shpërndarjen e dozave të nevojshme, për të arritur objektivat kryesorë në një vend.

Së dyti, një marrëveshje kornizë për ndarjen e vaksinave, ka të ngjarë të ketë më shumë sukses nëse do të arrihej përmes një forumi ndërkombëtar. Hapa të tillë drejt një marrëveshje të tillë, janë hedhur tashmë nga një grup pune i ministrave të tregtisë të G-20. Por kjo përpjekje, duhet të zgjerohet për të përfshirë zyrtarët e shëndetit publik.

Nacionalizmi i vaksinës, nuk është thjesht i gabuar moralisht dhe etikisht. Ai është në kundërshtim me interesat ekonomike, strategjike dhe shëndetësore të çdo vendi. Nëse vendet e pasura e të fuqishme zgjedhin atë rrugë, nuk do të ketë asnjë fitues. Në fund, çdo vend do të jetë një humbës.

Marrë me shkurtime nga “Foreign Affairs” – Bota.al

LEXO TE PLOTE