Connect with Us

Koronavirusi!/ Kufizimet e udhëtimeve në BE

Sociale

Koronavirusi!/ Kufizimet e udhëtimeve në BE

Publikuar

-

Gjermania do të vendosë testet me detyrim për çdo udhëtar që vjen nga zonat e rrezikut. Por cilat janë këto zona? Kush i përkufizon ato? Një analizë nga Bernd Riegert.
Gjermania është e para: Duke filluar nga java e ardhshme, ajo do ta bëjë të detyrueshëm testimin e udhëtarëve që vijnë nga “zonat e rrezikut”. Por qysh tani në BE ka një numër të madh rregullash për hyrje-daljet. Ato janë shumë të larmishme dhe mund të shihen në faqen e internetit të Komisionit të BE-së: reopen.europa.eu.

Çdo vend ka rregullat e veta

Suedia dhe Greqia nuk kanë kufizime për vizitat turistike nga jashtë BE-së. Ata i lënë të gjithë të hyjnë. Letonia kërkon nga udhëtarët që vijnë në Belgjikë që të hyjnë për 14 ditë rresht në karantinë. Belgjika, nga ana e saj, e konsideron Letoninë si zonë rreziku „ngjyrë portokalli“ e për pasojë vizitorëve nga Belgjika u rekomandohet karantinimi, por ai nuk është i detyrueshëm. Ndërsa Belgjika e ndalon rreptësisht hyrjen në të nga disa zona të Portugalisë dhe Spanjës, të cilat konsiderohen si vatra të nxehta të pandemisë. Lista është e gjatë. Çdo vend i BE-së ndjek rregullat e veta, ka përkufizimet e veta. Ka disa që kërkojnë plotësimin e një formulari, të tjerë preferojnë një regjistrim online para se të hyjnë në vend. Të tjerë e lejojnë hyrjen kur tregon testin negativ të bërë në vendin e origjinës.

Çfarë është „zonë rreziku“?

Konfuzionues është edhe fakti se nuk ka një përkufizim të njëjtë në të gjitha vendet e BE-së për ato çfarë konsiderohen „zona rreziku“. Në Gjermani këto zona i përcakton insituti „Robert Koch“. Në listën me 130 vende të tij, nga vendet anëtare të BE-së, vetëm Luksemburgu konsiderohet si „vend rreziku“, veriu i Spanjës, jo. Pra, pushuesit që kthehen nga Spanja nuk kanë nevojë të bëjnë një test, kush vjen nga Luksemburgu, po. As vizitorët nga Rumania e Bullgaria nuk do të duhet të bëjnë test, ndërkohë që shumë vende të BE-së i kanë futur këto zona te zonat në rrezik.

Organet e BE-së shohin vetëm pak vende rreziku

Agjencia Evropiane për Kontrollin e Epidemive, (ECDC), me seli në Stockholm përpiqet të identifikojë rregullisht zonat në rrezik. Ajo mbledh të dhënat e të gjitha vendet anëtare dhe publikon çdo dit një hartë, të ndarë në rajone, sipas përqindjes së infektimeve të reja. Në hartën e së mërkurës, 29.07.2020, si vatra të nxehta, ECDC=ja identifikonte Veriun e Spanjës, Lisbonën, Flandrinë, (Antverp), Luksemburgun, Suedinë si edhe pjesë të Rumanisë dhe Bullgarisë. Gjermania, Italia, Franca, vendet baltike e Greqia kishin pasur në 14-ditëshin e fundit nga 20 infektime të reja në 100 000 banorë. Kjo është shifra që ECDC-ja e ka vendosur si referencë. Por as për këtë shifër nuk ka një qëndrim të përbashkët në BE. Ajo varion nga 16 deri në 50 (si në Gjermani) raste të reja për 100 000 banorë.

Seehofer: Jo mbyllje e kufirit

Kur vështron hartën e ECDC-së, e kupton se jo vende të tëra, por vetëm disa rajone përballen me rritje të shifrave të Coronës. Prandaj nuk ka kuptim që të mbyllen kufijtë për të gjithë vendin. Shumë më me rëndësi është që të identifikohen dhe izolohen hotspot-et rajonale, dhe të mbyllen zinxhirët e infektimeve edhe përtej kufijve të një vendi. Nga përvoja e mbylljes së parë të kufijve, në mars, prill dhe maj, vendet e BE-së patën nxjerrë si mësim se, në rast të një vale të dytë pandemie, do të vendoseshin kontrolle mes rajoneve dhe jo mes shteteve. Prandaj edhe ministri gjerman i punëve të brendshme, Horst Seehofer, njoftoi të hënën në Berlin, se në të ardhmen nuk do të ketë as mbyllje kufijsh e as kontrolle kufitare. Sepse sipas ekspertëve, problemi nuk qendron te udhëtimet, por tek mënyra e sjelljes së pushuesve në vendin e destinacionit dhe pasi janë kthyer në vendin e origjinës.

LEXO EDHE:  Gjermania dhe Austria thirrje BE/ Ndihmoni Ballkanin Perëndimor

Valë e parë apo e dytë?

Pyetja se a do të ketë në BE një valë të dytë pandemie, nuk mund të përgjigjet lehtë.
Sipas ECDC-së, shifrat e infektimeve po rriten, por ato janë shumë larg shifrave të marsit dhe prillit. Atëherë numri i infeksioneve shkonte deri në 35 000 në ditë. Kurse sot është maksimumi 10 mijë. Shifra më e ulët u arrit në fund të qershorit me 5 000.

Krahasuar me rajone të tjera të botës, BE-ja është relativisht mire. Numri i infeksioneve të reja ditore në mbarë botën këto ditë është afro 200 000. Më të prekurat janë Amerika dhe Azia. BE-ja regjistron vetëm 5 për qind të infeksioneve të reja në mbarë botën.

Thuajse e izoluar nga pjesa tjetër e botës

Këto shifra bëjnë që në Gjermani, thuajse të gjitha vendet jashtë Evropës, të konsiderohen si „zona rreziku“.
Gjermania nuk rekomandon kurrsesi udhëtime në SHBA, Brazil, Indi dh Afrikë të Jugut. Pas kthimit udhëtarët nga këto vende i pret karantina dhe nga java e ardhshme, testi i detyruar. Por as rregullat për hyrje-dalje në vendet e BE-së nuk janë të njëjta në rang BE-ja. Kjo nuk ka përse të na çuditë më. Shumë vende lejojnë hyrje turistike nga Kanadaja, Australia, Uruguaji ose Tajlanda. Hungaria, Polonia, Belgjika dhe Letonia nuk lejojnë hyrje as nga këto vende. Ato i kanë mbyllur kufijtë tërësisht, ndërsa Portugalia lejon me disa kushte hyrje nga Brazili dhe SHBA.

BE-ja, pra, është shumë larg harmonizimit të rregullave në kohën e koronës. Komisioni i BE-së në Bruksel mund të koordinojë dhe të mbledhë ca të dhëna. Por shtetet anëtare duhet të përgjigjen vetë për mbrojtjen e shëndetit të shtetasve dhe t’i vendosin vetë rregullat e hyrje-daljes. Çdo 14 ditë mblidhet në Bruksel një komitet, ku diskutohet për hapjen e kufijve me vende, si SHBA-ja, Rusia ose Kina. Në një të ardhme të afërt nuk ka thuajse fare shpresa për normalizim, thotë një nëpunës i BE-së: „Për sa kohë që virusi është ende në qarkullim, rrugët do të mbeten në mbyllura“./DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Sociale

Në shtëpi ende pa dokumente/ Familjarët e viktimave të Thumanës kërkojnë ndihmë nga shteti

Publikuar

-

Nga

Në shtëpi ende pa dokumente/ Familjarët e viktimave të Thumanës kërkojnë ndihmë nga shteti

Janë të strehuar në shtëpi por ende nuk kanë marrë dokumentin e pronësisë. Kjo është historia e 3 familjeve nga Thumana, të cilave tërmeti i 26 nëntorit u shkatërroi banesën dhe u mori njerëzit e dashur. Shpresa e tyre ishte që në fund të vitit të kishin përfunduar procedurat, por kjo nuk ndodhi.

“Isha në punë roje natën. Kur shkoj unë tu zbardh dita, gjej gruan veç kishte kokën e zënë, e shtyp, edhe këtë çunin e kishte mbajt këtu, tu e mbajt që ta shpëtoj. Çuni më trembet gjithë natën”, tha Fehmi Vata , banor i pallateve të shembura Thumanë.

Fehmi Vata, humbi tragjikisht bashkëshorten dhe njërin nga nipërit e tij në tërmetin e 26 nëntorit, teksa fatmirësisht dolën të gjallë nga rrënojat nusja e djalit dhe nipi tjetër.  Fillimisht familja e tij u strehua në një banesë sociale, por ende pas 10 muajsh nuk ka marrë në dorë dokumentin e pronësisë për apartamentin ku jeton.

“Dhe tani na kanë lënë këtu. S`na lënë të shkojmë askund, as na kanë dhënë letra, asgjë, veç na kanë fut aty. Unë kam pas pallatin, hyrjen me letra. Të na jepnin një pallat të rregullt, jo këtu. Këtu ne s`mund të jetojmë më”, shtoi ai.

Santiliano Vata ishte mrekullia e atij mëngjesi. Ai arriti të nxirrej i gjallë nga rrënojat pasi gjyshja e kishte mbrojtur me trupin e saj, ndërsa i vëllai Rolejdi 7 vjeç, nuk jeton më. Krenohet me çantën e shkollës teksa tregon se është ajo që ka pasur në Thumanë.

Banesa e familjes së tij ndodhej në katin e katërt. Pas tërmetit të orës 3 ata kishte zbritur tek familja Cara në katin e parë, për të dalë sa më shpejt nga pallati në rast të një tërmeti tjetër. Fati donte që pjesa e pallatit të familjes Vata të mos shembej, ndërsa ajo e familjes Cara po.

Pas ngjarjes, babai i Santilianos dhe Rolejdit ka hyrë me fadromë në shtëpi nga ku ka marrë çantat e të dy djemve, një prej të cilave në këtë vit të ri shkollor, nuk do të përdoret më.  Haxhi Kabili humbi tragjikisht në tërmetin e 26 nëntorit vajzën e tij, Aderinën.

LEXO EDHE:  FRONTEX blindon kufirin shqiptar/ Avramopoulos: Dua ta shikoj Shqipërinë në BE



“Vajza ka qenë 21 vjeçe, ka qenë në punë . Ka pas punuar në fabrikë këpucësh. Dy sekonda ka pas, sa jam ngrit nga divani, kam kap dorezën e derës së kuzhinës, përfundoi gjithçka. Më kanë pas mbuluar materialet, i kam nxjerrë avash me dorë, se kam qenë kështu në një hapësirë”, u shpreh Haxhi Kabili, i mbijetuar nga tërmeti.

Haxhiu e ka marrë dëmshpërblimin financiar të përcaktuar, por pengu i tij është qëndrimi në një pallat që ishte i pabanueshëm nga tërmeti i mëparshëm i shtatorit.

“Po, na dhanë dhjetë milion lekë të vjetra. Pallatet kanë qenë prish me tërmetin e shtatorit, kanë qenë dëmtuar shumë.  S`pyeti kush. S’e menduam, kisha shkuar për të ndenjur në një shpellë e nuk kishe ndenjur aty”, tha ai.  

Të njëjtën histori si Fehmiu dhe Haxhiu tregon edhe Klotilda Greku, e cila humbi bashkëshortin dhe dy prindërit e tij. Ajo kërkon një punë për veten dhe për vajzën e saj, jo ndihma financiare.

LEXO EDHE:  “Frikë jo, kujdes po!”/ Koronavirusi anullon seancën plenare në Kuvend

 “Shumë e vështirë, siç mund të jetë dhe pa praninë e kryefamiljarit.Duhet të mendoj për gjithçka, duhet të gjej punë, të punoj vetë që të rris vajzën. Puna është gjëja më e nevojshme. Nuk kërkoj asgjë tjetër, as lëmoshë, as të më mbajnë me ushqime. Vetëm të punoj”, tha ajo.

Në pallatin e familjes Vata, Kabili dhe Greku në Thumanë humbën jetën nën rrënoja 18 persona.  Në lidhje me statusin ligjor të banesave ku janë strehuar familjet e viktimave të Thumanës, Euronews Albania kërkoi informacion pranë zyrës së administrimit të banesave sociale. Sipas tyre, pajisja me dokumentacion pronësie për këto familje është ende në proces. /Euronews

LEXO TE PLOTE

Sociale

Manatia e Lezhës në flakë/ Kërkohet ndërhyrje nga strukturat shtetërore

Publikuar

-

Nga

Manatia e Lezhës në flakë/ Kërkohet ndërhyrje nga strukturat shtetërore

Situata nga zjarret vijon të mbetet problematike në vendin tonë.

Dy vatra zjarri janë raportur me herët në kënetën e Dervenit, në Fushë Krujë si dhe në kodrën e Vahinit në Lushnje.



Ndërkaq, vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në masivin pyjor, në fshatin Manati në Lezhë.

Sicc shihet dhe nga fotot, flakët janë shumë  pranë banesave të fshatit, ndërsa kërkohet urgjetisht ndërhyrja e strukturave shtetërore./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Sociale

Për “Rollinghillasat dhe Gjirëlalistat”/ Tritan Kalo mesazh të fortë politikanëve: U kam lënë Perëndinë!

Publikuar

-

Nga

Për “Rollinghillasat dhe Gjirëlalistat”/ Tritan Kalo mesazh të fortë politikanëve: U kam lënë perëndinë!

Prof. Tritan Kalo që nga dita e parë e epidemisë, ka qenë çdo ditë mes pacientëve të prekur nga Covid-19, i palodhur në shërbim të tyre me përkushtim e profesionalizëm.

Por krahas angazhimit të tij maksimal ndaj pacientëve, Tritan Kalo, reagon herë pas here për cështje që prekin shoqërinë tonë.

Në ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ai ka zgjedhur të përcjellë një mesazh për të gjithë pushtetarët, të cilët rikthyen ditët Migjeniane të “Legjendës së Misrit” dhe të “Poemës së Mjerimit” me mjerimin dhe varfërinë ku qytetarët nuk ngopin dot as barkun me bukë.

“KOHË KOVIDIANE…15.09.2020…Dita Ndërkombëtare e Demokracisë dhe “Poema jonë Migjeniane e varfërisë”…DEMOKRACIA është sistemi i shanseve te barabarta, sistemi i zbutjes së dallimeve shoqërore, sistemi ku ekzistenca e sigurisë së jetës, e strehimit, e punësimit, e shkollimit, e përkujdesit shëndetsor, i drejtësisë për të gjithë janë të garantuara….A është DEMOKRATIK sistemi ynë??….LEXOJENI sy dhe veshë hapur ju “Rollinghillasat dhe Gjirëlalistat” tanë, ju autorët Pusht-Shtetarë të DEMON-KRACISË “Made in Albania”….JENI JU dhe sëra e juaj që i rikthyet ditët Migjeniane të “Legjendës së Misrit” dhe të “Poemës së Mjerimit”, sepse për fatin tonë të zi “KOHA ËSHTË E MASKARENJVE” (A.A.)…. E përjetuar SOT në vetë të parë….Dëshiroja të bleja bukë këtë pasdite në një Punishte prodhuese të produkteve të brumrave ngjitur me Spitalin Gjerman te Rruga e Kavajës. Para meje një zonjë që pasi bleu një llallë 50 lekëshe i tha shitëses: “Të lutem më jep një panine 10 lekëshe, që ta ha së bashku me llallën. PO BËRA më vonë një tjetër 50 leksh do të vi të blej një bukë për në shtëpi.”….MU bë një lëmsh në grykë dhe sytë mu mbushën me lot…I thashë shitëses që ti ofrojë zonjës dy bukë e ndonjë gjë tjetër të nevojëshme, që tua shpjerë fëmijëve të saj, sepse e paguaj unë së bashku me bukën time….Zonja dëgjoji fjalët e mia dhe syhapur u kthye e më tha se: “A je i sigurtë që do t’i paguash?”….”Është më e pakta gjë që mundet të bëj për ju në këto çaste” – iu përgjigja unë….Fjalët e saj të mirënjohjes dhe sytë e saj plot lot, KURRË nuk do t’i haroj sa të frymoj në këtë botë jarane….JU “FUKARENJTË tanë” që banoni në vila disakatëshe, disa edhe me dhjetë banjo kudo në këtë TOKË të bekuar nga PERËNDIJA, por të MALLKUAR nga sëra e juaj plangprishëse dhe e pangopur, U KAM LËNË PERËNDINË të marë hak për këta të mjerë, që NUKU NGOPIN DOT BARKUN me bukë në ndërkohë kur ju, zonjat tuaja e barkëgicat fëmijët tuaj notoni mes lluksit e vanitetit….JU “ish brekëgrisur të para 1990” dhe sot “PASHALLARË të kuq, blu, rozë apo pink”, të asaj që quhet SHQIPËRI e andej dhe e këndej Drinit, JU RIKUJTOJ se do të vijë shpejt një ditë që populli do zgjohet dhe do ngrihet…..NUKU do të ketë vrimë ku do mundeni të fshiheni….Vërtet që ”KOHA ËSHTË E MASKARENJVE, POR ATDHEU I SHQIPTARËVE” (A.A.)….Quo vadis Shqipëria ime Natyrale e 28.11.1912!!!“/CNA.al



KOHË KOVIDIANE…15.09.2020…Dita Ndërkombëtare e Demokracisë dhe “Poema jonë Migjeniane e varfërisë”…DEMOKRACIA është…

Gepostet von Tritan Kalo am  Dienstag, 15. September 2020

 

LEXO TE PLOTE