Connect with Us

Nga Amazona në Antarktidë/ Shtatë vendet më misterioze dhe të pa-eksploruara të botës

Blog

Nga Amazona në Antarktidë/ Shtatë vendet më misterioze dhe të pa-eksploruara të botës

Publikuar

-

Falë fuqisë së jashtëzakonshme të trurit, njerëzit kanë zbuluar shumë sekrete të Tokës. Në kemi arritur tashmë në sipërfaqen e Hënës, dhe kemi eksploruar nga distanca planetët e tjerë. Por në Tokë ka ende një numër vendesh që nuk janë eksploruar sa duhet, dhe që për këtë arsye bartin ende shumë mistere dhe të panjohura. Ja cilat janë ato.

Akullnajat e Grenlandës

Grenlanda është ishulli më i madh i botës, por edhe vendi më verior. Ishulli Kafeklunen, ndodhet vetëm 711 km nga Poli i Veriut. Grenlanda është e përhapur në një zonë të gjerë prej 2.16 milionë km2, dhe 80 për qind e saj është e mbuluar nga akulli. Kjo është arsyeja se përse ky ishull gjigant mbetet më pak i hulumtuari, por edhe më pak i banuari.

Në vitin 2017, aty jetonin vetëm 56.239 njerëz. Disa nga shtresat e akullit në ishull, kanë një trashësi prej 3200 metrash, ndërsa vlerësohet se kanë një moshë 400.000-800.000 vjeçare. Aty ka shumë akullnaja, dhe lumenj kryesisht të ngrirë. Aty nuk ka rrugë apo rrjet hekurudhor. Ndaj për ta vizituar, duhet të zgjidhni slitat e dëborës, anijen, avionin ose helikopterin.

Honi i Marianës, Paqësori Perëndimor

E vendosur në oqeanin Paqësor Perëndimor, ky hon është më i thelli në botë. Kjo gropë në formën e gjysmëhënës, u formua nga një çarje nën oqean miliona vjet më parë. Pika më e thellë vlerësohet të jetë 10.994 metra. Duke marrë parasysh thellësinë dhe presionin e madh, honi është një vend tepër i rrezikshëm për t’u eksploruar.

Deri më tani, kanë ndodhur vetëm 2 zhytje të suksesshme. I pari ndodhi në vitin 1960 nga oqeanologu zviceran Zhak Pikard dhe ushtaraku amerikan Don Uolsh. Misioni i dytë, u realizua nga regjisori i famshëm hollivudian Xhejms Kameron më 26 mars 2012.

Gangkhar Puensum, Butan

Gangkhar Puensum, është mali më i lartë në botë, që nuk është ngjitur ende nga askush. Ai ndodhet në Butan, ka një lartësi prej 7570 metrash, dhe është maja e 40-të më e lartë në botë. Si për ironi edhe maja më e lartë, Mali Everest, është ngjitur me sukses nga qindra njerëz. Por Gangkhar Puensum mbetet i papushtuar.

Deri tani njihen vetëm 4 ekspedita të ndërmarra në Gangkhar Puensum, në vitet 1983, 1985, 1986 dhe 1994. Por që të gjitha ato dështuan shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe kushteve të paqëndrueshme. Në vitin 2004, qeveria e Butani e kufizoi alpinizmin në Gangkhar Puensum, për shkak të disa besimeve shpirtërore.

Shkretëtirat

Dihet se shkretëtirat janë më pak të eksploruarat në botë, për shkak të kushteve ekstreme të  motit. Saharaja është shkretëtira më e madhe në botë, me kushte të papërshtatshme për rritjen e bimëve. Me një sipërfaqe prej më shumë se 200 milionë kilometra katrorë, shkretëtira e Saharasë e vendosur në Afrikë, është më e madhja dhe më e nxehta në botë.

Në shkretëtira bien shumë pak reshje shiu gjatë një viti. Luhatjet ekstreme të temperaturës, janë shumë të zakonshme. Ditën vapa është ekstreme, ndërsa netët janë shumë të ftohta. Kjo i bën shkretëtirat ambiente shumë të egra për kafshët, bimët dhe njerëzit. Edhe pse, disa kafshë dhe bimë mund të gjenden në to. Por ato kanë krijuar një përshtatshmëri të lartë për të jetuar në mjedise të tilla.

LEXO EDHE:  1889, Britanikët planifikuan të ndërtojnë në Londër kullën e tyre Eifel/ Ja përse dështuan

Shpellat e thella

Bota ka një numër të madh shpellash. Shumë prej tyre janë vështira të eksplorohen për shkak të kushteve ekstreme të motit, shkëmbinjve të mprehtë dhe rrezikut të rrëshqitjeve. Disa nga shpellat nënujore në botë, janë madje të pabanuara nga fauna detare për shkak të kushteve shumë vdekjeprurëse. Shpella e përmbytur nga deti e Jukatan Senotes në Meksikë është shembulli më tipik. Edhe shpellat e dëborës, janë gjithashtu shumë të rrezikshme për t’u eksploruar, për shkak të ndryshimeve të befta.

Pyjet e Shiut në Amazonë, Amerika e Jugut

Duke mbuluar një sipërfaqe prej 6.5 milionë km2, Amazona përmban gjysmën e pyjeve të shiut në Tokë. Biodiversiteti i pasur dhe prania e shumë specieve të rralla, e bëjnë këtë pyll gjigant një zonë të rëndësishme për ekspedita shkencore. E megjithatë, habitati misterioz i Amazonës, mbetet ende një nga vendet më pak të eksploruara në Tokë.

Në Amazonë nuk ka asnjë sezon të thatë, ndërsa bie shi gjatë gjithë vitit. Kjo gjë shkakton rritje drastike të nivelit të ujit në lumin e Amazonës, duke shkaktuar përmbytje të mëdha. Në këto kushte, edhe transporti përmes lumit është shumë i rrezikshëm për shkak të rrymave të forta.

Në Amazonë jetojnë kafshë shumë vdekjeprurëse si jaguarë, gjarpërinj me zile, merimanga helmuese, mushkonjat që përhapin sëmundje, bretkosat helmuese, piranjave dhe anakondave, që mund të dëmtojnë apo vrasin njerëzit. Përveç kësaj, mungesa e qasjes në ushqim të shëndetshëm dhe ujë të pastër, e bën tepër të rrezikshme ekspeditën në Amazonë.

Antarktida

Antarktida është vendi më i ftohtë, më i thatë, dhe ku fryn më shumë erë në Tokë. Klima në këtë kontinent ndryshon në mënyrë drastike, midis -10 dhe -30 gradë Celsius në kushte normale. Temperatura më e ulët e regjistruar në Antarktidë është -89 gradë Celsius.

Kjo klimë e ashpër, e bën Antarktidën vendin më pak të eksploruar në Tokë. Shpejtësia më e madhe e erës e regjistruar në Antarktidë është 320 km/h në vitin 1972. Shtresa e akullit në Antarktidë, ka një trashësi mesatare prej 3.2 km./ themysteriousworld.comPërshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Çfarë sekretesh fshihen në qytetet e mbyllura të Rusisë?

Publikuar

-

Nga

Çfarë sekretesh fshihen në qytetet e mbyllura të Rusisë?

Në Rusi mund të ketë aktualisht deri në 40 qytete të mbyllura, ku jetojnë rreth 1.5 milionë banorë. Qytetet e mbyllura, janë pjesë e trashëgimisë sovjetike. Kur Bashkimi Sovjetik aspironte të rivalizonte ushtarakisht SHBA-në, në vendin komunist u ngritën shumë qytete të mbyllura.

Aty u zhvilluan kërkime, u zhvilluan armë dhe teknologji sekrete ushtarake. Këto qytete nuk figuronin në harta, dhe ekzistenca e tyre u mbajt sekret si ndaj qytetarëve të tjerë sovjetikë, ashtu edhe të huajve. Banorët e tyre punonin në fabrika sekrete, dhe asnjeri nuk mund të dilte apo hynte në këto qytete sekrete pa një leje të posaçme.

Në këmbim, qeveria u siguroi këtyre njerëzve apartamente, punë të garantuar, ushqime dhe një shërbim shëndetësor më cilësor. Edhe sot, gati 30 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia ka një numër qytetesh sekrete brenda kufijve të saj. Ja cilat janë 5 prej tyre.

Norilsk

Ndodhet në veri të Rrethit Arktik, dhe është një qendër minierare industriale, e themeluar që në vitet 1920, kur qeveria sovjetike vendosi të eksplorojë dhe shfrytëzojë burimet e pasura minerale të rajonit. Të burgosurit e gulagëve, u detyruan të ndërtojnë shumicën e uzinave dhe fabrikave në Norilsk.

Shumë nga ata vdiqën për shkak të klimës së ashpër, dhe kushteve të vështira të punës. Por me gjithë rëndësinë e tij strategjike, Norilsku nuk ishte një qytet i mbyllur deri në vitin 2011, kur qeveria ruse vendosi ta klasifikojë si të tillë. Në njoftimin zyrtar, u tha se statusi i ri i qytetit synonte përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, që tashmë do të kishin përfitime sociale shtesë.

Por kur statusi i ri hyri në fuqi, ai kufizoi ndërkohë edhe hyrjen e të huajve. Për të hyrë në një nga qytetet më të ndotura sot në botë, çdo i huaj, përfshirë gazetarët, duhet të aplikojë fillimisht për një leje speciale, duke mos pasur asnjë garanci për marrjen e saj.

Zheleznogorsk

Fillimisht i njohur si Krasnojarsk 26, ky qytet i mbyllur u themelua në vitin 1950, si një vend ku prodhohej plutonium për armët bërthamore. Gjithashtu, aty kryen hulumtime dhe zhvillohen sistemet hapësinore, përfshirë programin e famshëm GLONASS – një alternative ruse ndaj GPS së prodhuar nga Amerika.

Disa burime thonë se qyteti ka vendstrehime bërthamore, të ndërtuara brenda shpellave në malet që rrethojnë zonën, të dizenjuara për t’i bërë ballë një sulmi bërthamor. Një legjendë e zonës, thotë se ndërsa shërbimet e huaja të inteligjencës dështuan të depërtojnë në qytet, një banor vendas ia doli të vjedhë një sasi plutoniumi nga fabrika sekrete.

LEXO EDHE:  Pse Covid-19 vret më shumë burrat se sa gratë?

LEXO EDHE:  Liqeni i Ohrit/ Një oaz paqeje në Ballkanin e shkatërruar nga lufta

Ai e ruante atë në shtëpinë e tij në një kavanoz të thjeshtë qelqi. Kur u zbulua nga autoritetet, ai u justifikua se qëllimi i tij i vetëm, ishte të helmonte vjehrrën e vet, që sipas tij fuste shpesh hundët në punët e familjes.



Znamensk (Kapustin Jar)

Ky qytet është i mbyllur për një arsye të thjeshtë:është vendbanimi kryesor pranë Kapustin Jar, një bazë sekrete ku zhvillohen edhe eksperimentohet me raketat ruse në Rajonin Astrakhan. Baza u ndërtua në fund të viteve 1940, dhe u përdor për testimin e raketave balistike sovjetike, para se të shndërrohej në një kozmodrom në vitin 1962 për lëshimin e satelitëve të vegjël për qëllime kërkimore shkencore.

Fshehtësia e aktiviteteve, shkaktoi lindjen e thashethemeve të vazhdueshme në lidhje me shfaqjen e UFO-ve në këtë zonë. Disa madje pohojnë se në vitet 1950, në këtë zonë u rrëzua një UFO, duke e krahasuar Znamenskun me incidentin e famshëm dhe të diskutueshëm të Rozuellit në SHBA.

Sarov

Në Rusinë Cariste, Sarov njihej si një vend i shenjtë. Aty ndodhet një manastir i lashtë, i ndërtuar pranë lumit Sarov, prej nga e mori edhe emrin qyteti. Pas Revolucionit Bolshevik, Sarov u shndërrua në një nga vendet më sekrete dhe strategjike të Bashkimin Sovjetik.

Pikërisht aty fizikanti sovjetik Igor Kurçatov, ndërtoi bombën e parë atomike sovjetike,

e njohur edhe si RDS-1. Në atë kohë, Sarov u zhduk nga të gjitha hartat, dhe askush nuk lejohej të hynte apo dilte nga qyteti pa një leje speciale, gjë e cila nuk mund të merrej nga kushdo, por vetëm nga pjesëtarët dhe punonjësit në projektin sekret. Sot Sarov vijon të mbetet një qytet i mbyllur, pasi aty ndodhet ende Instituti i Studimeve për Armët Bërthamore.

Severomorsk

Ky qytet në veri të Rrethit Arktik, është një bazë e Flotës Veriore të Marinës Ruse, dhe cilësohet si një vend strategjik. Edhe pse kjo bazë detare ka funksionuar që në ditët e para të Bashkimit Sovjetik, ai mori statusin e një qyteti të mbyllur vetëm në vitin 1996, pak vite pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Nga Severomorsk u nis aeroplanmbajtësja e famshme “Admiral Kuznetsov”, për të marrë pjesë në fushatën ushtarake të Rusisë në Siri në vitin 2017. Qyteti është plot me muzeume kushtuar historisë së marinës ruse. Ai ka një klimë të ashpër, ndërsa zhytet tërësisht në errësirë nga fillimi i dhjetorit deri në mesin e janarit./Përshtati në shqip CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Erdogani, “Putini” tjetër në dyert e Evropës

Publikuar

-

Nga

Erdogani, “Putini” tjetër në dyert e Evropës

Nga Mark Leonard “Project Syndicate”

A është Turqia Rusia e re? Kjo pyetje po shtrohet gjithnjë e më shumë në kryeqytetet evropiane, teksa presidenti turk Rexhep Taip Erdogan po zbaton një politikë të jashtme gjithnjë e më agresive.

Përveç përdorimit të emigranteve si një mjet kërcënimi dhe shantazhi ndaj Bashkimit Evropian, Erdogan po përdor forcën ushtarake për të zgjeruar sferën e ndikimit të Turqisë në rajon dhe më gjerë. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, evropianët e kanë parë sigurinë rajonale përmes një lenteje perëndimore uni-polare.

Ndërsa NATO garantonte sigurinë ushtarake, Bashkimi Evropian – me 80 mijë faqe rregulla për gjithçka, nga të drejtat e njeriut, deri tek norma e lejuar e zhurmës së korrëseve të barit – siguronte sundimin e ligjit.

Në vitet 1990, u duk sikur dy lojtarët e mëdhenj rajonalë jo-perëndimorë, Rusia dhe Turqia, po i përshtateshin gradualisht kësaj situate. Por gjatë 15 viteve të fundit, ëndrra e një uni-polariteti evropian, i ka hapur rrugën një realiteti shumë-polar.

Si Rusia ashtu edhe Turqia, kanë pasur një marrëdhënie të gjatë e të vështirë dashuri-urrejtje me Evropën, dhe që të dyja janë bërë më agresive nën udhëheqësit aktualë që ndajnë një përçmim ndaj normave dhe vlerave të BE-së. Prishja e marrëdhënieve BE-Rusi, është e mirë-dokumentuar; ndërsa historia e Turqisë më pak.

Lufta në Irak në vitin 2003, ndërlikoi më tej marrëdhëniet e Turqisë me NATO-n. Ndërkohë, marrëdhëniet e saj me BE-në morën një kthesë negative në vitin 2007, kur Franca bllokoi një pjesë thelbësore të negociatave të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Që nga ajo kohë, Turqia e ka rritur ndikimin e saj në Siri, Ballkan dhe Libi, si dhe ka krijuar lidhje të reja me Rusinë dhe Kinën. Sigurisht, marrëdhënia Turqi-Rusi nuk është më pak e ndërlikuar, dhe jo vetëm sepse Erdogani dhe presidenti rus Vladimir Putin mbështesin palë të ndryshme në luftën civile siriane.

Raportet mes 2 vendeve u tensionuan shumë, kur Turqia rrëzoi një avion ushtarak rus në vitin 2015. Në kundërpërgjigje, Putini vendosi sanksione, të cilat sollën kaos në ekonominë turke, dhe e detyruar Erdoganin t’i kërkonte ndjesë homologut rus, një veprim ky atipik për udhëheqësin turk.

Pavarësisht se është një anëtare e NATO-s, Turqia vendosi që nga ajo kohë të blejë

një sistem rus të mbrojtjes raketore, S-400, pavarësisht kundërshtimit të përsëritur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe ndërsa tensionet mbi konfliktin në Siri janë ende aty, Erdogan e admiron publikisht mënyrën sesi Rusia po e ri-pozicionon veten – me një kosto relativisht të vogël – si një lojtare e rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Pasi u përfshi në një luftë të pafitueshme në Ukrainën Lindore, fushata kryesisht e suksesshme e Putinit në Siri, u duk se rivendosi një pjesë të autoritetet të tij të brendshëm. Perëndimi shpenzoi 5 vjet duke këmbëngulur se konflikti sirian nuk kishte asnjë zgjidhje ushtarake, dhe se presidenti Bashar Al-Asad duhej të largohej nga detyra.

Por ndërsa bisedimet e sponsorizuara nga Kombet e Bashkuara në Gjenevë nuk dhanë asnjë rezultat, bisedimet e sponsorizuara nga Rusia në Astana të Kazakistanit, duket se regjistruan disa përparime. Duke përfshirë Turqinë dhe Iranin dhe përjashtuar nga bisedimet fuqitë perëndimore, Kremlini krijoi përshtypjen se Rusia ishte ngritur nga hiri, si një superfuqi e rilindur.



Përballë kundërshtimeve në rritje në vend, Erdogani është duke përdorur “manualin” e Putinit. Në kushtet kur Perëndimi që nuk dëshironte të ndërhynte sërish ushtarakisht në Libi, Erdogani pa një shans të artë për të rritur ndikimin e Turqisë në rajon.

LEXO EDHE:  Përplasja me regjimin terrorist/ 6 hapa për të ndihmuar SHBA-në dhe popullin iranian

LEXO EDHE:  1889, Britanikët planifikuan të ndërtojnë në Londër kullën e tyre Eifel/ Ja përse dështuan

Pas afrimit me Rusinë në Siri, ai siguroi një ftesë zyrtare nga qeveria libiane për të ndërhyrë ushtarakisht. Dhe përmes një operacioni në fund të vitit të kaluar, ai forcoi jo vetëm imazhin e Turqisë si një fuqi rajonale, por arriti gjithashtu një marrëveshje kufitare detare me Libinë, duke prishur planet e Greqisë, Qipros, Egjiptit dhe Izraelit për të nxjerrë naftë nga fushat nënujore aty pranë.

Që atëherë, procesi i paqes i udhëhequr nga BE dhe OKB në Berlin, është përpjekur t’i japë fund luftës në Libi. Por ndërhyrja ushtarake e Turqisë, e ka ndryshuar rrënjësisht ekuilibrin e forcave në terren. Sërish, Rusia dhe Turqia do të përcaktojnë të ardhmen e një vendi që është thelbësor për interesat evropiane, vetëm se këtë herë në krye të punëve është Turqia.

Ndërkaq, Erdogan duket se është frymëzuar nga strategjia “përça e sundo” e Kremlinit ndaj Evropës, duke shantazhuar shpesh ato shtete anëtare të BE-së që janë më të ndërvarura nga hidrokarburet apo tregjet ruse të energjisë.

Ashtu si Putini, që e ka përdorur prej kohësh energjinë si një “armë”, edhe Erdogan është përpjekur ta përdorë në të njëjtën mënyrë fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve, që largohen nga konfliktet e Lindjes së Mesme drejt Evropës Perëndimore.

Kur BE-ja njoftoi nisjen e një misioni të ri detar për të bllokuar trafikun e armëve në Libi, Turqia luajti me kërcënimin e dërgimit të emigrantëve drejt Maltës. Për pasojë, vendi i vogël anëtar i BE-së, sinjalizoi më pas se do të vinte veton kundër financimit të këtij misioni.

Për vite me radhë, evropianët i kanë thënë vetes se Rusia ishte thjesht një lloj “djali harrakat”, dhe se rendi uni-polar evropian mbetet i sigurt. Por kjo mendësi e bëri Evropën një objektiv të lehtë për strategjinë “përça e sundo” të Kremlinit.

Vetëm kohët e fundit, blloku hartoi dhe miratoi politika të reja, si dhe një regjim të fortë sanksionesh për të penguar agresionin rus. Dhe madje edhe tani – pavarësisht përpjekjeve më të mira të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Makron – BE nuk ka krijuar ende kanale efektive të komunikimit me Rusinë për adresimin e problemeve të përbashkëta.

Turqia nuk është ende një “Rusi” e re, por mund të bëhet e tillë nëse situata aktuale keq-menaxhohet nga Brukseli. Tani për tani, shumica e evropianëve e konsiderojnë ende

Turqinë më shumë si një partnere të vështirë sesa si një “rivale sistematike”.

Por evropianët duhet të dëgjojnë leksionet e përftuara me vështirësi, se si duhet sjellë në fakt me Rusinë gjatë 15 viteve të fundit. Për të parandaluar destabilizimin e mëtejshëm të situatës në rajon, marrëdhënia BE-Turqi ka nevojë për një grup parimesh të reja, mbi të cilat palët të bien reciprokisht dakord, si dhe për “vija të kuqe” të qarta.

Në funksion të këtij qëllimi, evropianët duhet t’ia bëjnë të qartë Ankarasë, se procesi i pranimit në BE mund të kthehet pas ashtu sikundër mund të ecë përpara, dhe se një marrëdhënie më transaksionale, do të përfshijë përdorimin si të “karotave” ashtu edhe të ”shkopinjve”.

Sfidë do të jetë sigurimi i hapësirës, ​​për angazhim politik mbi çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e përbashkët, në një rajon të ndikuar jo vetëm nga Evropa dhe Turqia, por edhe nga Rusia, SHBA-ja dhe një Kinë në rritje të vazhdueshme./Përshtati në shqip CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Lajmi i mirë/ E ftohura e zakonshme, mund të na mbrojë nga koronavirusi i ri

Publikuar

-

Nga

Lajmi i mirë/ E ftohura e zakonshme, mund të na mbrojë nga koronavirusi i ri

Nëse keni qenë të infektuar nga koronavirusi, që shkakton të ftohurën e zakonshme kryesisht gjatën stinës së vjeshtës dhe dimrit, shanset që ju prekeni nga një formë serioze e Covid-19, mund të jenë më të ulëta.

Arsyeja është se viruset që shkaktojnë të ftohurën e zakonshme, e mësojnë sistemin tonë imunitar të njohë dhe luftojë edhe koronavirusin e ri. Kjo është hipoteza, që duhet ende të testohet, e një ekipi studiuesish të Institutit të Imunologjisë La Jola.

Sipas tyre, mundësia për t’u sëmurur nga Covid-19, ose më saktë për të pasur një formë më të lehtë të infeksionit, mund të varet pjesërisht edhe nga mënyra se si ka reaguar më parë trupi juaj ndaj koronaviruseve, që janë përgjegjës për të ftohurën e zakonshme.

Studimi i tyre sapo është publikuar revistën “Science”. Mos harroni:Sars-Cov-2  nuk është koronavirusi i parë që ne njohim. Në fakt janë edhe 4 të tjerë para tij (HCoV-OC43, HCoV-229E, HcoV-NL63 dhe HCoV-HKU1), që mund të shkaktojnë të ftohurën e zakonshme.

Siç ju thamë më lart, studimet e mëhershme nga i njëjti ekip studiuesish, kishin treguar sesi shumë njerëz, që nuk ishin ekspozuar asnjëherë ndaj koronavirusit të ri, kishin qelizat T imunitare të afta për të njohur disa pjesë të Sars-Cov-2, përfshirë proteinën tani të famshme në formën e gozhdës.

Bazuar në këto të dhëna, studiuesit e studimit të ri u përpoqën të kuptojnë arsyen, duke analizuar disa mostra gjaku të mbledhura midis viteve 2015-2018, pra shumë kohë para se koronavirusi i ri të shfaqej për herë të parë në qytetin kinez të Vuhanit.

Nga analizat që pasuan, ekipi zbuloi se qelizat T në mostrat e gjakut, ishin të afta të njihnin dhe të reagonin jo vetëm ndaj koronaviruseve që shkaktojnë të ftohurën e zakonshme, por edhe ndaj shumë pjesëve specifike të SARS-Cov-2.



Studiuesit thonë se ky lloj imuniteti, buron pjesërisht nga kujtesa e sistemit imunitar, domethënë nga përgjigjet e mëparshme të qelizave T (më saktë limfocitet T helper), të zhvilluara kundër “kushërinjve” më pak të rrezikshëm të Sars-Cov-2, dhe në veçanti koronaviruseve që janë përgjegjës për shkaktimin e të ftohurës së zakonshme tek njeriu.

LEXO EDHE:  Liqeni i Ohrit/ Një oaz paqeje në Ballkanin e shkatërruar nga lufta

LEXO EDHE:  Pse Greqia duhet të zëvendësojë Turqinë, si partnere strategjike e SHBA-së në rajon

“Ky studim, na jep ofron prova të drejtpërdrejta se memoria e qelizave T, mund të identifikojë sekuenca shumë të ngjashme midis koronaviruseve që shkaktojnë të ftohurën e zakonshme dhe Sars-Cov-2”- shpjegoi Alesandro Sete, një nga autorët e studimit në fjalë.

Pra rezultatet e studimit, sugjerojnë se kujtesa e sistemit imunitar, mund të na ndihmojë të kuptojmë se përse disa njerëz raportojnë infeksione më të buta me Covid-19, ndërsa të tjerët sëmuren më rëndë.

Por jo vetëm:përveç lidhjes me proteinën në formë gozhde, studiuesit tregojnë se qelizat T reaktive, kanë qenë në gjendje të njohin edhe shumë proteina të tjera virale. Një e dhënë që sugjeron se vaksinat kundër koronavirusit të ri, nuk duhet të fokusohen vetëm tek proteina rrethuese e virusit, por të shfrytëzojnë këtë ndërveprim të qelizave T për të rritur efektivitetin e vaksinës.

Gjithsesi, studiuesit thonë se tani për tani kjo është vetëm një hipotezë, dhe se do të duhet shumë më tepër punë për të arritur në prova më të forta. “Tani kemi treguar se tek disa njerëz, kujtesa e qelizave T kundër koronaviruseve që shkaktojnë të ftohurën e zakonshme, mund të njohin edhe koronavirusin e ri, deri tek strukturat e tij molekulare”- deklaron bashkëautorja e studimit Daniela Veiskopf.

Prandaj, është e besueshme që ky reaktivitet imunitar të përkthehet në shkallë të ndryshme mbrojtjeje kundër Covid-19 . “Pasja e një reagimi të fortë ose më të mirë të limfociteve T, mund t’ju japë mundësi të reagoni shumë më shpejt ndaj Covid-19”- thekson Sete./ Përshtati në shqip CNA.al

LEXO TE PLOTE