Connect with Us

A po bashkohet më në fund Evropa?

Blog

A po bashkohet më në fund Evropa?

Publikuar

-

A po bashkohet më në fund Evropa?

Nga Robert J.Samuelson “The Washington Post”

Gjasat që Evropa të zgjidhë “problemin e saj italian” pa e shkatërruar Bashkimin Evropian apo ekonominë botërore janë rritur. Problemi i Italisë, për ata që e kanë harruar ose që nuk e kanë ditur kurrë, është borxhi i saj i madh qeveritar, që në vitin 2019 llogaritej në 135 për qind të ekonomisë së tij (Produktit të Brendshëm Bruto, ose PBB).

Pra ka rrezik që Italia të falimentojë si shtet. Dhe nëse do të ndodhte kjo gjë – pra nëse Italia nuk do të mundej të paguante interesat e borxheve – kjo mund të shkaktonte një panik global financiar. Për të kufizuar humbjet, investitorët dhe tregtarët do të nxitonin të shisnin aksionet, obligacionet dhe asetet e tjera financiare.

Efekti do të ishte tronditës. Shitjet në masë do të ulnin akoma më tej çmimet. Por problemi është se pandemia e ka dobësuar ekonominë tashmë të dobët italiane. Në bazë të politikave ekzistuese, borxhi i qeverisë do të rritet deri në 162 për qind të PBB-së, vlerëson “Capital Economics”, një nga kompanitë kryesore ndërkombëtare të parashikimeve ekonomike.

Ashtu si shumica e Evropës dhe Shtetet e Bashkuara, Italia po përjeton tashmë recesionin e saj më të keq ekonomik që nga Lufta e Dytë Botërore. PBB-ja pritet të bjerë me 10 për qind në vitin 2020, me në krye rënien e shpenzimeve të konsumatorit (11.5 për qind) dhe investimeve në biznes (21.3 për qind).

Defiçitet vjetore i shtohen borxhit të akumuluar të qeverive. Në parashikimin e saj, “Capitol Economics” citon dy faktorë që e kanë përkeqësuar rënien:rënia e madhe në sektorin e turizmit, që përfaqëson 5.5 për qind të PBB-së, dhe vështirësinë e italianëve për të punuar nga shtëpitë e tyre, gje që reflekton “shërbimin e dobët të internetit” që ka aktualisht vendi.

E fundit por nga jo nga rëndësia, Italia pati një përvojë katastrofike me pandeminë, e cila ka shkaktuar deri tani më shumë se 35.000 të vdekur.

Nëse pjesa tjetër e Evropës do të lulëzonte ekonomikisht, kjo mund të nxirrte Italinë nga talashet. Por në fakt, shumica e Evropës nuk po lulëzon; përkundrazi  po përpiqet të shpëtojë nga i njëjti kurth që i ka ngritur koronavirusi.

“Capital Economics” parashikon që për këtë vit, PBB-ja do të bjerë me 5 për qind në Gjermani, 8 për qind në Francë dhe 12 për qind në Spanjë. Ajo që e ka parandaluar deri tani mospagimin e borxheve ka qenë Banka Qendrore Evropiane (ECB), ekuivalenti e Rezervës Federale në SHBA.

BQE ka blerë një pjesë të mirë të borxhit italian, por dhe të vendeve të tjera. Ajo është “huadhënësja e zgjidhjes së fundit” e Evropës, që blen më shumë se 100 miliardë eurobono në muaj, sipas “Capital Economics”. Megjithëse kjo ka paramenduar çdo lloj falimentimi, nuk është e qartë se sa kohë mund të zgjasë.

LEXO EDHE:  Ilir Kulla: Britanikët treguan se shpërbërja e BE-së mund të jetë e shpejtë

Përkundër kësaj sfondi të errët, pse janë përmirësuar perspektivat e Italisë? Përgjigja është kjo:eurozona – 19 vendet që e përdorin euron si paranë e tyre – po fillon të veprojë më shumë si një njësi e bashkuar, sesa thjesht si një koleksion vendesh.

Deri vonë ka pasur një luftë midis vendeve “veriore” me ekonomi më të forta (Gjermania, Holanda, Danimarka, Suedia dhe Austria) dhe tyre më të dobëta “jugore” (Franca, Italia, Spanja, Portugalia dhe Greqia) se kush duhet t’i mbulonte kostot sociale dhe politike të krizave të fundit ekonomike.

Vendet e pasura, nuk mendojnë se duhet të shpëtojnë vendet e varfra, ndërsa këto të fundit thonë se nuk mund t’ia dalin të vetme. Ajo që ndodhi në një samit të fundit të liderëve evropianë, është se vendet e pasura hodhën disa hapa në ndihmë të vendeve ekonomikisht më të dobëta.

Konkretisht, ato krijuan një fond të rimëkëmbjes me vlerë 750 miliardë euro, ose 870 miliardë dollarë. Ky është një stimul ekonomik që favorizon vendet më të dobëta në të paktën dy mënyra. Së pari, rreth gjysma e fondeve (435 miliardë dollarë) do të shpërndahen si grante.

Pra ato nuk do të duhet të paguhen si më parë. Dhe së dyti, fondet do të huazohen nga Bashkimi Evropian, dhe jo si më parë nga vendet anëtare. Kjo e shpërndan barrën e ri-pagimit të borxhit tek të gjitha vendet e BE-së:është një subvencion për vendet më të dobëta.

Dihet se grantet janë hapa janë mjaft teknikë. Por ato janë simbolike dhe thelbësisht të rëndësishme, vëren Nikolas Veron nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare. “Për herë të parë, BE-ja po përdor për vete një fuqi të konsiderueshme financiare. Është një arritje shumë e madhe”- thotë ai.

Gjithashtu domethënës, thotë “The Wall Street Journal”, është fakti që plani i rimëkëmbjes u mbështet nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Qasja e saj bie ndesh me kundërshtimin e saj të hershëm për lehtësimin e borxhit. Nëse ky ndryshim është i përhershëm, atëherë ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Bashkëpunimi po bën përparim kundër konfliktit. Sigurisht, jo gjithçka është fushë me lule. Dallimet midis 27 vendeve anëtare të BE-së mbeten të mëdha. Në fakt, ato gati e sabotuan samitin. Edhe nëse Merkel mund të ketë ndryshuar, ajo përballet me një opinionin publik gjerman tepër skeptik. A është marrëveshja e fundit shumë e vogël, dhe shumë e vonuar? Apo më në fund Evropa po nis të veprojë e bashkuar?/ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse presidenca e Joe Biden, nuk do të sjellë një kthim në normalitet

Publikuar

-

Nga

Nga Jeremy Cliffe “New Statesman”

Nga dje vendi më i fuqishëm në botë do të drejtohet nga një person i pjekur, i sjellshëm dhe shumë empatik. Por më shumë se sa kaq:Bidenë një figurë shumë e njohur. Ai u zgjodh senator që në vitin 1973, garoi për herë të parë për president në vitin 1988, dhe drejtoi për herë të parë komitetin e punëve të jashtme në Senatin amerikan në vitin 2001.

Ai u bë një figurë politike globale në vitin 2008, kur Barak Obama e zgjodhi zëvendëspresident. Ai përfaqëson arketipin e njohur të një politikani amerikan të shekullit XX, me disa ngjashmëri me Xhon Kenedin. E megjithatë t`a barazosh presidencën e tij me një rikthim në normalitet, është një leximi i gabuar i situatës. Në pamje dhe në stil presidenca e tij mund të duket si një restaurim; si një rivendosje e SHBA-së atje ku ishte në vitin 2016 ose më herët. Por sfidat me të cilat përballet Bidene vendimet që ka përpara, nënkuptojnë që presidenca e tij është diçka tjetër.

Brenda vendit, efektet e administratës së Donald Trump do të jehojnë akoma më tej. Politika amerikane është e polarizuar përtej çdo gjëje që mund të imagjinohej 4 vjet më parë. Një sondazh i ri i Qendrës Kërkimore Pju, tregon se 64 për qind e votuesve republikanë apo me prirje republikane, mendojnë ende se Trump ndoshta i fitoi zgjedhjet nëntorin e kaluar, por ato u vodhën nga kundërshtari, dhe 57 për qind e tyre mendojnë se ai duhet të mbetet një figurë politike kryesore.

Dhe një sondazh i fundit i YouGov, sugjeron se 45 për qind e republikanëve mbështetën sulmet e 6 janarit mbi Kapitol. Sado normal që shkoi inaugurimi në një pandemi, nuk mund të thuhet se ky i këtij viti ka qenë një transferim “paqësor” i pushtetit.
Ndarjet racore, pabarazia e jashtëzakonshme ekonomike, kapja e politikës nga korporatat e mëdha, pamundësia e konsensusit ndërpartiak mbi reformat kryesore, asnjëra nga këto nuk është e re në politikën amerikane. Por tani ato janë “pandemike”pikërisht falë Donald Trump, dhe faktorëve të tjerë teknologjikë dhe ekonomikë.

Ato e bëjnë për të qeshur çdo lloj bisede mbi “normalitetin”e premtuar. Pastaj është panorama në skenën ndërkombëtare. Institucionet globale janë më të dobëta, kriza të tilla si ndryshimet e klimës janë edhe më urgjente. Dhe pas një viti kur një pandemi ka shkatërruar një botë të mbetur pa udhëheqje, fatkeqësitë humanitare janë edhe më të mundshme se më parë. Evropianët dhe aleatët e tjerë, kanë hedhur përfundimisht poshtë iluzionet që kishin në lidhje me aleancat e tyre me SHBA-në. Një sondazh i ri nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, tregon se edhe pas zgjedhjes si president të Joe Biden, vetëm 49 për qind e evropianëve të anketuar, presin që ky vend të zgjidhë problemet e tij të brendshme, dhe të investojë më pas në zgjidhjen e atyre globale.

Një mendim i tillë, reflektohet edhe në vendimet politike konkrete. Marrëveshja e re e investimeve mes BE-së dhe Kinës, e firmosur përkundër kundërshtimeve të ekipit të Bajdenit, u nxit nga një ndjenjë që po dominon në Evropë (përfshirë nivelet më të larta të qeverive), se kontinenti nuk mund të mbështetet më tek SHBA-ja, dhe se duhet të mbrojë vetë interesat e tij afatgjata. Pastaj është Kina. Pekini nuk ofron një pol rival të udhëheqjes me atë të vjetër të drejtuar nga SHBA-të, por ai e ka mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Amerikës me strukturat multilaterale:duke u bërë një zë dominues në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke i vënë vaksinat e saj në dispozicion të qeverive partnere, dhe duke forcuar përfaqësimin e vet diplomatik në rajone të tilla si Afrika dhe Lindja e Mesme, ku Perëndimi pa një udhëheqje mbi krye,ka munguar ose ka një qasje jo koherente.

LEXO EDHE:  Biden do “normalitet” me Evropën, por ajo është e dashuruar me Kinën

LEXO EDHE:  Ministrat e Brendshëm të BE-së arrijnë marrëveshjen/ Ja kur rihapen kufijtë e jashtëm të Unionit

Mbi të gjitha, Kina është rritur shumë ekonomikisht. Sipas Qendrës për Kërkimet Ekonomike dhe të Biznesit (CEBR), parashikimet janë se pas rimëkëmbjes së saj të fortë nga pandemia, ekonomia e saj ta kapërcejë atë të SHBA-së deri në vitin 2028, dhe të bëhet më e madhja në botë. Deri në vitin 2035, CEBR vlerëson se PBB vjetore e Kinës do të arrijë në 49 trilionë dollarë, duke e bërë atë rreth 1/3 më të madhe se sa ekonomia amerikane me 36 trilionë dollarë. Pikërisht, për këtë botë, duhet t`a përgatisë SHBA-në administrata e Joe Biden, dhe pikërisht në momentin kur shumë prej aleatëve dhe partnerëve të saj të dikurshëm, po e vënë në dyshim besueshmërinë e saj themelore.

Në këtë pikë, është e saktë të theksohet se po, SHBA-ja zotëron një kapacitet fenomenal për ndryshim dhe përparim. Karakteri i këtij vendi si një komb i ri, i përbërë nga emigrantë, lufton kundër çdo sfide që i del përpara. Ai ka kaluar nëpër periudha krizash dhe rëniesh (Lufta Civile, Depresioni i Madh, vitet 1970) dhe ka dalë në anën tjetër të bregut. Superfuqitë e kaluara botërore, nga Perandoria Romake e në vazhdim, shpesh kanë dështuar kur nisën të mbyllen në vetvete dhe ndalën integrimin e të ardhurve. Në të kundërt, aftësia e qëndrueshme e SHBA-së për të tërhequr më të talentuarit, dhe për të gjeneruar shumicën e përparimeve më të reja dhe më emocionuese në teknologji dhe shkencë, mbetet e jashtëzakonshme, dhe me siguri që do të forcohet nga administrata e ardhshme.

Protestat e verës së shkuar ishin prova e fuqisë së butë të vendit. Vetëm kur protestat e brendshme të Kinës të rezonojnë aq fuqishëm në të gjithë botën, saqë të frymëzojnë lëvizje diku tjetër, duke shënjestruar padrejtësitë globale dhe lokale, atëherë edhe statusi global i superfuqisë së butë të Amerikës do të ketë një rival serioz. Por në përgjithësi panorama është e zymtë. Trashëgimia e vështirë e Bajden mund të krahasohet me atë të Ruzvelt, Truman apo Xhonson. Por të gjithë ata presidentë morën detyrën në një kohë kur SHBA ishte ende fuqia kryesore e padiskutueshme ekonomike, një status që e ka mbajtur që nga vitet 1880, dhe që thuajse me siguri do t’ja lërë Kinës brenda 10 viteve të ardhshme.

Në shumë mënyra, sfida e Bajden sot është unike në historinë amerikane. Ky nuk është një kthim në normalitet, dhe as edhe një normalitet i ri. Është diçka krejt e re në historinë amerikane, edhe pse ka rrënjë në tendencat dhe tiparet e lashta. Bajden është një politikan i sigurt në vetvete, me përvojë dhe gjerësisht i njohur. Por ai do të gjykohet nga aftësia e tij për t’u marrë me gjithçka që ai nuk është./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.newstatesman.com/international

LEXO TE PLOTE

Blog

Dashuria në kohën e algoritmeve/ A do ta lini inteligjencën artificiale ta zgjedhë partnerin tuaj?

Publikuar

-

Nga

Inteligjenca artificiale (AI), është tashmë mjeti i domosdoshëm i shekullit XXI. Nga ndihma që i jep mjekëve për të diagnostikuar dhe trajtuar pacientët, tek përparimi i shpejtë i zbulimeve të reja të ilaçeve, ajo është partneri ynë i besuar në shumë fusha.

Dhe së fundmi ka gjetur përdorim në fushën dikur ekskluzive njerëzore të dashurisë dhe marrëdhënieve. Me përdorimin si mbles të sistemeve të AI, në dekadat e ardhshme mund të bëhet e zakonshme të lidhesh me një avatar të personalizuar. Kjo temë u eksplorua në filmin vitit 2014 “Ajo”, ku një shkrimtar që jeton në Los Anxhelosin e së ardhmes së afërt, zhvillon një ndjenjë dashurie për një sistem AI. Filmi fantastiko-shkencor fitoi një Academy Awards për përshkrimin e asaj që dukej si një histori dashurie shumë e pazakontë.

Por në realitet, ne jemi duke shkuar në atë drejtim. Industria e takimeve në internet, vlen aktualisht më shumë se 4 miliardë dollarë, dhe në këtë treg ka një numër lojtarësh në rritje. Dominues është Match Group, që zotëron OkCupid, Match, Tinder dhe 45 biznese të tjera
të lidhura me takimet. Match Group dhe konkurrentët e saj, kanë grumbulluar një numër të pasur të dhënash personale, të cilat AI mund t’i analizojë për të parashikuar se si i zgjedhim partnerët tanë. Industria po e përqafon kryesisht Inteligjencën Artificiale.
Për shembull, Match përdor një udhëzues dixhital me emrin “Lara”që i udhëzon njerëzit gjatë procesit të romancës, duke ofruar sugjerime të bazuara në deri 50 faktorë personalë. Bashkëthemeluesi dhe CEO i Tinder Shon Rad, thotë se Inteligjenca Artificiale, është një thjeshtues i lidhjes:një filtër i zgjuar që i shërben atij që është i interesuar.

Faqja e takimeve eHarmony, e ka përdorur Inteligjencën Artificiale për të analizuar bisedat mes 2 njerëzve, dhe dërgon sugjerime se si çfarë duhet të bëni më tej. Edhe Happn e përdor AI për të “klasifikuar” profilet, dhe për të treguar ato që parashikon se mund të preferojë përdoruesi. Platformat e takimeve, po e përdorin Inteligjencën Artificiale për të analizuar të gjitha detajet më të hollësishme. Nga rezultatet, ato mund të identifikojnë një numër më të madh të përputhjeve të mundshme për një përdorues. Gjithashtu, mund të ekzaminojnë potencialisht postimet publike të një personi në faqet e internetit të mediave sociale si Facebook, Twitter dhe Instagram për të kuptuar qëndrimet dhe interesat e tyre.

LEXO EDHE:  Biden do “normalitet” me Evropën, por ajo është e dashuruar me Kinën

LEXO EDHE:  Ilir Kulla: Britanikët treguan se shpërbërja e BE-së mund të jetë e shpejtë

Kjo do të anashkalonte paragjykimin ndaj mënyrës se si njerëzit e përfaqësojnë veten e tyre në pyetësorët e këtyre platformave. Studimet kanë treguar se pasaktësitë në tiparet e vetë-raportuara, janë arsyeja kryesore pse takimet në internet nuk janë të suksesshme.
Ndërsa gjenerohen më shumë të dhëna për përdoruesit në internet (veçanërisht në mediat sociale), Inteligjencën Artificiale do të jetë në gjendje të bëjë parashikime gjithnjë e më të sakta. Dhe lojtarët e mëdhenj si Match.com, do të kenë sukses pasi ka tashmë qasje në grupe të mëdha të të dhënave.

Me të dhëna të mjaftueshme të përdoruesit, Inteligjenca Artificiale mund të gjejë përfundimisht një partner plotësisht të personalizuar për ju në realitetin virtual, që përputhet me të gjitha “kriteret” tuaja. Ithtarët e informatikës, thonë se kjo teknologji ndihmon në përmbushjen e një nevoje të ligjshme për më shumë intimitet në të gjithë shoqërinë – veçanërisht për të moshuarit, të vejat dhe personat me aftësi të kufizuara.

Por ndërkohë, kritikët paralajmërojnë mbi rreziqet e natyrshme të objektivizimit, racizmit dhe dehumanizimit – veçanërisht të grave, por edhe burrave. Një pasojë tjetër problematike, mund të jetë rritja e numrit të njerëzve, të cilët e zëvendësojnë teknologjinë me ndërveprimin e vërtetë njerëzor. Në Japoni, ky fenomen i quajtur “hikikomori” është shumë i përhapur. Njëherazi, Japonia ka përjetuar gjithashtu një rënie të rëndë të nivelit të lindjeve për dekada. Instituti Kombëtar i Popullsisë dhe Kërkimeve të Sigurimeve Shoqërore parashikon që popullsia do të bjerë nga 127 milion në rreth 88 milion deri në vitin 2065.

E shqetësuar nga rënia e nivelit të lindjeve, qeveria japoneze njoftoi muajin e kaluar njoftoi se do të akordojë 25 milionë dollarë, për krijimin e një sistem martesash të ndërmjetësuara nga Inteligjenca Artificiale. Debati mbi “dashurinë” dixhitale dhe robotike është shumë i polarizuar, ashtu si shumica e debateve kryesore në historinë e teknologjisë. Zakonisht, konsensusi arrihet diku në mes. Por në këtë debat, duket se teknologjia po përparon më shpejt, sesa po i afrohemi një konsensusi./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.abc.net.au/news/2021-01-18/love-time-of-algorithms-would-you-let-artificial-intelligence/13061822

LEXO TE PLOTE

Blog

Evropa duhet të njohë kontributet e emigrantëve që bëjnë punët më të vështira

Publikuar

-

Nga

Nga Simone Baglioni “Open Democracy”

Në pranverën e vitit 2020, ndërsa Evropa po goditej nga vala e parë e pandemisë së Covid-19, opinioni publik dhe qeveritë duket se u ndërgjegjësuan mbi rëndësinë që kanë disa punëtorë në nevojat tona të përditshme dhe më në përgjithësi për mirëqenien e shoqërive tona.

Njerëzit që duartrokisnin dhe këndonin të izoluar në shtëpitë e tyre, lavdëruan sakrificën e atyre që luftonin me virusin në vijën e parë të frontit, në spitale dhe shtëpitë e të moshuarve, por edhe për ata që garantonin vijimësinë e zinxhirit të furnizimeve ushqimore, duke punuar për të vjelë frutat, perimet, drithërat, duke punuar në supermarkete dhe dyqane ushqimore, dhe duke i dërguar në dyert tona ato parcela “magjike” që konsiderohen aq të rëndësishme për të ruajtur gjendjen tonë shpirtërore (dhe ekonominë tonë).

Në disa vende evropiane, shumë njerëz e kuptuan papritur rëndësinë e personave që kujdesen për të tjerët, profesionistët e shëndetësisë, punëtorët në bujqësi dhe ata në sektorin e transportit, mbledhësve sezonalë të frutave etj, së bashku me kuptimin se një pjesë e madhe e atyre që përfshihen në sektorë të tillë janë të huaj (njerëz të lindur jashtë Evropës apo që nuk kanë shtetësinë e një vendit të BE-së). Prandaj, për të zbutur frikën e qytetarëve se nuk do të gjenin ushqime të mjaftueshme në raftet e supermarketeve, apo një staf të mjaftueshëm në qendrat e kujdesit shëndetësor në azile dhe spitale, autoritetet publike, si qeveria italiane, ose e kanë lehtësuar dhënien e lejeve për punëtorët e huaj sezonalë, ose janë përpjekur t’u sigurojë një leje pune atyre që ndodheshin tashmë në Itali dhe që punonin në të zezë.

Disa vende të BE-së si Franca, Gjermania ose Spanja, ofruan më shumë mundësi për të sapoardhurit që punojnë në sektorin e shëndetësisë, duke qenë qartazi në kontrast të plotë me politikat evropiane të emigracionit, që janë në tërësi të karakterizuara nga politikat kufizuese. Por kjo qasje liberale përfundoi sapo mbaroi vala e parë e pandemisë. Në fakt, pati pak shqetësim, në mos fare, si nga qeveritë ashtu edhe nga publiku i gjerë, mbi pasojat e pandemisë në jetën e përditshme të atyre emigrantëve që kishin mbajtur plot frigoriferët tanë, që kishin përmbushur dëshirat tona dhe kishin garantuar funksionimin e spitaleve tona.

Në hulumtimet tona si organizata “Sirius” ne kemi investiguar se çfarë ndodhi me ta – dhe çfarë po u ndodh ende- dhe kjo është ajo që gjetëm. Le t’ia fillojmë me emigrantët që kanë ardhur në Evropë për të gjetur punë dhe e gjetën një të tillë para se të shfaqej koronavirusi. Këta janë të ndarë midis atyre që e kanë humbur dhe atyre që kanë mbajtur punën e tyre gjatë pandemisë. Të parët ishin të punësuar në sektorët e ekonomisë që u goditën më shumë nga bllokimi dhe izolimet e detyruara, pra ata që punonin në sektorin e hotelerisë dhe turizmit, në restorante dhe aktivitetet e kohës së lirë:ata e humbën punën, por ndryshe nga shtetasit e BE-së, ata nuk ishin të gjithë (dhe jo të gjithë në mënyrë të barabartë) të pranueshëm për të përfituar nga masat e mbështetjes sociale, që ndërmorën menjëherë qeveritë për të ndihmuar fuqinë e tyre punëtore në sektorët më të goditur të ekonomisë.

Në fakt, qasja tek përfitimet e papunësisë është e kushtëzuar nga kritere specifike, disa prej të cilave (kohëzgjatja e qëndrimit, kohëzgjatja e kohës së punës, lloji i kontratës së punës), nuk plotësohen tërësisht nga emigrantët (të cilët janë gjithashtu më të ekspozuar sesa shtetasit e tjerë ndaj kushteve të pasigurta të punës apo punësimit të parregullt, që i largon ata nga çdo formë e mbështetjes së të ardhurave të vendosura nga qeveritë tona).

Ndaj ata emigrantë që humbën vendet e tyre të punës, hynë në një situatë të cënueshmërisë dhe madje të varfërisë e cila është zbutur ndonjëherë, vetëm nga ndërhyrja e autoriteteve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile. Ata emigrantë që kanë arritur t`a mbajnë vendin e tyre të punës, “punëtorët në sektorët thelbësorë”, e gjetën veten në një lloj tjetër cënueshmërie, në të cilën në rrezik ishte shëndeti i tyre:distancimi social, puna në shtëpi apo masat mbrojtëse të sigurisë, ose nuk ishin të mundura ose ishin të vështira për t’u zbatuar në një mënyrë të sigurt. Prandaj, për shkak të tregjeve tona shumë të segmentuara të punës, ata ishin më të ekspozuar ndaj infeksioneve të Covid-19 sesa shtetasit e BE-së.

LEXO EDHE:  Toni i moderuar apo ai i vrazhdë, është mënyra më e mirë për t’u marrë vesh me adoleshentët?/ Ja çfarë thotë studimi

LEXO EDHE:  A e vret alkooli koronavirusin?/ Gjashtë mite të gabuara rreth "Covid-19"

Perceptimi, i përforcuar ndonjëherë nga media, se emigrantët janë një rrezik më i madh për përhapjen e virusit për shkak të punës së tyre, ndihmoi gjithashtu në stigmatizimin e tyre, gjë që nga ana tjetër rrezikoi shëndetin e tyre psikologjik. Së fundmi, të sapoardhurit në Evropë në kërkim të një strehe, si refugjatët dhe azilkërkuesit, u gjendën nënjë kurth të rrezikshëm. Për ata që jetojnë në kampe, siç janë azilkërkuesit në Greqi, pandemia çoi në izolimin e tyre të plotë nga pjesa tjetër e shoqërisë, teksa kampet tashmë të mbipopulluara u shndërruan në një “bombë” sociale për ata të veçuar që nuk kishin asnjë mundësi për të punuar, ose për të provuar ndonjë formë të integrimit, dhe as që ishin në gjendje të bashkoheshin me të afërmit e vendosur në kampet të tjera në Evropë.

Revolta në kampin Moria në Greqi, është emblema e kësaj situate. Për të tjerët, të gjitha rrugët e integrimit (nga mësimi i gjuhës tek vullnetarizmi ose përvoja e punës) ose u zhdukën ose u zhvendosën në internet, ndërsa shumë prej emigrantëve nuk ishin në gjendje të përfitonin nga këto për shkak të analfabetizmit dixhital, mungesës së pajisjeve dixhitale apo lidhjes me internetin. Edhe kur këto rrugë të integrimit në internet ishin në dispozicion, punonjësit socialë vunë re një rënie të angazhimit të përdoruesve të tyre. Në raste të tjera, mungesa e politikave fleksibile krijoi vorbulla të mëtejshme të cenueshmërisë.
Për shembull, pikërisht në kohën kur u shfaq pandemia, disa refugjatë u gjendën të dëbuar nga strehimi i subvencionuar publik, pasi nuk u njoh kërkesa e tyre për azil (pasi akomodimi i subvencionuar është në dispozicion vetëm për azilkërkuesit në shumë vende të BE-së).

Pa asnjë mundësi për të gjetur një punë, dhe të paaftë për të paguar qiranë mujore, ata përfundojnë të ekspozuar ndaj skamjes ose shfrytëzimit. Për më tepër, me mbylljen e programeve të zhvendosjes, të gjithë ata refugjatë që prisnin bashkimin me të afërmit e tyre, mbetën vetëm.
Në rastin e grave me fëmijë të mitur, çdo përfitim i mundshëm u parandalua nga situata e tyre personale. Një skenar i tillë, sugjeron se tani është koha që Evropa të përfundojë procesin e njohjes së plotë të kontributeve që japin punëtorët dhe shtetasit e huaj në ekonomitë dhe shoqëritë tona, duke u siguruar atyre statuse të qëndrueshme dhe të fuqishme ligjore.

Ka ardhur koha që qeveritë tona t’u sigurojnë të drejtat atyre që punojnë dhe jetojnë me ne, dhe që përpiqen për ne. Ne i bëjmë thirrje presidencën portugeze të BE-së të sapo nisur, që të shfrytëzuar mundësinë e saj për të hedhur hapa konkretë në këtë drejtim. Në rast se thirren, aktorët e shoqërisë civile, operatorët e biznesit, qytetarët e zakonshëm dhe studiuesit janë të gatshëm të bëjnë pjesën e tyre./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.opendemocracy.net/en/pandemic-border/europe-must-recognise-vital-contributions-vulnerable-migrants/

LEXO TE PLOTE