Connect with Us

Intervista/ Ivan Krastev: Nga se po nxitet populizmi, dhe ku dallon nacionalizmi i krizës së emigrantëve nga ai i Covid-19

Blog

Intervista/ Ivan Krastev: Nga se po nxitet populizmi, dhe ku dallon nacionalizmi i krizës së emigrantëve nga ai i Covid-19

Publikuar

-

Ivan Krastev

Ivan Krastev, është një nga mendimtarët kryesorë evropianë mbi demokracinë, dhe autor i libra si “Demokracia e përçarë: Politika e protestës globale”. Një kolumnist i rregullt i gazetës “The New York Times”, Krastev drejton Qendrën për Strategji Liberale në Bullgari.

Në këtë intervistë politologu i njohur flet mbi ato që ai i konsideron si forcat lëvizëse që qëndrojnë pas rritjes së populizmit, nacionalizmit ekstrem, dhe politikës së identitetit në kontinentin evropian.

Ai bën dallimin midis nacionalizmit të shfaqur tani gjatë pandemisë së Covid-19, përkundrejt nacionalizmit që lindi gjatë krizës së refugjatëve në Evropë në vitin 2015. Gjithsesi, ai thotë se Evropa duhet të mësojë, se diversiteti etnik dhe kulturor, është tipari përcaktues i shekullit XXI. Dhe se gjithçka ka të bëjë me mënyrën e përkufizimit të atij që quhet “popull”.

Proteksionizmi, izolacionizmi dhe nativizmi, janë fenomene në rritje në shumë demokraci, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Si duhet të reagojnë më mirë demokracitë ndaj tyre?

Politika e identitetit që po zhvillohet sot në Evropën Lindore, është në shumë aspekte një reagim të vonuar kundër disa dekadave të një politike që e mohonte identitetin, e cila nisi  në vitin 1989. Veçantia e tepruar, është një reagim i natyrshëm ndaj marketimit të tepruar të “pafajësisë” së universalizmit.

Është kjo arsyeja pse populistët kudo, e cilësojnë universalizmin si një lloj veçantie të të pasurve. Padurimi fillestar i vendeve ish-komuniste, për t’ju bashkuar Perëndimit liberal  në vitin 1989, buronte të paktën po aq shumë nga pakënaqësia e nacionalistëve ndaj hegjemonisë 40-vjeçare të Moskës, aq edhe nga një angazhim i thellë ndaj vlerave dhe institucioneve liberale.

Slogani i lëvizjes antikomuniste në Poloni para vitit 1989, ishte “Wolność i niezależność” (Liri dhe pavarësi), dhe kjo e fundit i referohej pavarësisë nga Moska. Në dallim nga Evropa Perëndimore në vitin 1945, në Evropën Lindore të vitit 1989, nacionalistët nuk ishin pala e mposhtur, por pjesë e koalicionit që kishte rrëzuar nga pushteti komunistët.

Pyetja më interesante nuk është pse është rikthyer nacionalizmi, por ku u fsheh ai në vitet 1990 dhe fillimin e viteve 2000. Ndjenjat nacionaliste ishin gjithnjë të pranishme në Evropën Lindore pas mbarimit të komunizmit, por nacionalistët e “humbën” gjuhën e tyre.

Në klimën intelektuale të viteve 1990, etno-nacionalizmi u shoqërua me luftërat e përgjakshme në Ish-Jugosllavi, dhe me përpjekjet e ish-drejtuesve komunistë si Slobodan Millosheviç për të ruajtur pushtetin e tyre. Por klima intelektuale nisi të ndryshojë në vitet 1990. Teksa elitat liberale vazhdonin të flisnin me gjuhën e të drejtave universale, homologët e tyre nacionalistë morën përfundimisht nën kontroll simbolet dhe narrativat kombëtare.

Ata u fokusuan tek viktimizimi kombëtar dhe vuajtjet e pamerituara. Ajo që i dallon sot populistët kombëtarë nga të tjerët, është se ata nuk kërkojnë kurrë ndjesë për asgjë që ka bërë kombi i tyre gjatë historisë së tij. Të sillesh si një batakçi, dhe në të njëjtën kohë të pretendosh të drejtën morale për t’u ndjerë si viktimë, kjo është një mendësi tipike e populizmit nacionalist.

A kanë dështuar elitat kudo në botë në qeveri, media, biznes, botën akademike dhe gjetkë që t’i kuptojnë ankthet që kanë njerëzit në demokraci, mbi ndryshimet që po e prishin mënyrën e tyre të të jetuarit? Dhe nëse po, si duhet që t’i adresojnë këto ankthe?

Kriza aktuale e demokracisë në Evropë, është në shumë aspekte një krizë e meritokracisë. Është e qartë se në parim një meritokraci – një sistem kur njerëzit më të talentuar dhe të aftë vendosen në pozicione drejtuese – preferohet më shumë se sa një plutokraci, gerontokraci, aristokraci, dhe ndoshta edhe demokraci (sundimi i shumicës).

Por ajo që ne po shohim sot, është një votë mosbesimi kundër këtij vizioni të shoqërisë. Elitat meritokratike të Evropës nuk urrehen thjesht për shkak të marrëzisë së shkuarjes pas populistëve apo konfuzionit që shkaktojnë tek njerëzve të zakonshëm.

Sociologu britanik Majkëll Jang, që në mesin e shekullit të kaluar shpiku termin “meritokraci”, nuk do të befasohej nga kthesa që kanë marrë sot ngjarjet. Ai ishte i pari që shpjegoi që edhe pse “meritokracia” mund të tingëllojë e mirë për shumicën e njerëzve, një shoqëri meritokratike do të ishte një katastrofë.

Pasi ajo do të krijonte një shoqëri fituesish egoistë dhe arrogantë, dhe humbësish të zemëruar dhe të dëshpëruar. Një shoqëri e tillë, nuk do të ishte e pabarabartë, përkundrazi do ishte një shoqëri ku pabarazia justifikohet në bazë të dallimeve në arritje. Triumfi i meritokracisë, deklaronte Jang, do të çonte në një humbje të komunitetit politik.

Paradoksalisht, janë “kompetencat e kthyeshme” të elitave aktuale, pra fakti që ato janë njësoj të përshtatshme për të drejtuar një bankë në Bullgari apo në Bangladesh, apo të japin mësim në Athinë ose Tokio, që i bën njerëzit kaq dyshues ndaj tyre.

Njerëzit kanë frikë se në raste krizash të rënda, meritokratët do të zgjedhin të largohen nga drejtimi, në vend se të zgjedhin të ndajnë koston e qëndrimit në pushtet. Prandaj është besnikëria e pakushtëzuar ndaj grupeve etnike, fetare ose shoqërore, ajo që gjendet në zemër të joshjes që ka sot populizmi i ri evropian.

LEXO EDHE:  Turpi ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike, sot jo dhe aq

Populistët u thonë njerëzve të mos i gjykojnë vetëm për meritat e tyre. Ata premtojnë solidaritet, por jo domosdoshmëri drejtësi. Elitat meritokratike, kanë vizionin e një shoqërie si një shkollë të populluar nga studentët e shkëlqyer, që lufton kundër ngelësve, që enden rrugëve.

Ndërkohë populistët përhapin vizionin e shoqërisë si një familje, ku anëtarët e mbështesin njëri-tjetrin jo thjesht pasi të gjithë e meritojnë atë, por sepse të gjithë ndajnë diçka të përbashkët. Në dallim nga një shekull më parë, udhëheqësit e sotëm nuk janë të interesuar të kombëtarizojnë industritë. Ata premtojnë të kombëtarizojnë elitat e tyre, dhe të rivendosin lidhjen midis elitave dhe njerëzve. Dhe ky premtim, gjen shumë mbështetje sot në Evropë.

Po përse votuesit që zakonisht janë të përkushtuar ndaj demokracisë, mbështesin njëkohësisht liderët që e shkatërrojnë atë? Dhe pse përpjekjet e liberalëve për t’u pozicionuar si mbrojtës të demokracisë, nuk u sjellin atyre fitore në zgjedhje?

Polarizimi politik e ka shndërruar “Republikën e Qytetarëve” në “Republikën e Tifozëve”. Ndërsa për një qytetar liberal, gatishmëria për të vënë në dukje dhe korrigjuar gabimet e partisë që ai mbështet, është shenjë e besnikërisë më të lartë, besnikëria e tifozëve është e zellshme, e pamenduar dhe e paqëndrueshme.

Tifozët e entuziazmuar, me aftësitë kritike të “fikura”, janë jetike për mendësinë e populistëve mbi politikën si një lojë besnikërie: Brohoritjet e tyre, pasqyrojnë ndjenjën e tyre të përkatësisë. Beso-por-verifiko, është zëvendësuar nga adhurimi i verbër.

Ata që nuk pranojnë të duartrokasin janë tradhtarë. Çdo deklaratë merr formën e deklaratës së përkatësisë. Në ”Republikën e Tifozëve”, çdo humbje elektorale është e padrejtë (një komplot i dikujt), dhe çdo kritikë ndaj partisë së vet është një tradhti. Edhe kur janë në qeveri, populistët preferojnë ta shohin veten si një pakicë e persekutuar. Ëndrra e tyre është të shihen si viktima, dhe të lejohen të veprojnë si batakçinj.

Në ç’masë ndjenja e identitetit të humbur kombëtar apo kulturor, po ndikon në ringjalljen e autoritarizmit në Evropën Qendrore? A vjen nga ajo poshtë-lart, apo lart-poshtë?

Bashkimi Evropian ka lindur nga dështimi tragjik dhe i dhunshëm i nacionalizmave evropiane të shekullit XX-të. Kjo është arsyeja pse pro-evropianët kanë një neveri gati instiktive ndaj çdo gjëje që bie erë nacionalizëm. Mbyllja e kufijve për liberalët pro-evropianë, ishte si efekti i bombardimeve pa dallim mbi qytetet gjermane në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Por ne mund t’i keqkuptojmë format e ndryshme të nacionalizmit që shohim këto kohë në Evropë. Për shembull, reagimi nacionalist i shkaktuar nga kriza e refugjatëve e vitit 2015, është shumë i ndryshëm nga reagimet nacionaliste, dhe mbyllja e kufijve të shkaktuar nga kriza e Covid-19.

Gjatë krizës së refugjatëve, Evropa u nda midis atyre që mbrojnë kufijtë e hapur, dhe nacionalistëve që ëndërronin t’i mbyllnin ato. Ndërsa në rastin e Covid-19, kur ishte fjala për mbylljen e kufijve, nuk pati asnjë ndryshim në reagimet e qeverive liberale dhe atyre nacionaliste.

Mbyllja e kufijve, është mënyra më tradicionale për të luftuar epidemitë. Në këtë kuptim, ndikimi kryesor i krizës së koronavirusit nuk është ngritja e nacionalizmit, por riformatimi i tij. Covid-19 nuk forcoi nacionalizmin etnik, por atë territorial.

Si e vlerësoni ndikimin e fluksit të njerëzve, përtej kufijve në stabilitetin e demokracive perëndimore?

Kombinimi i rënies së popullsisë, pasigurisë ekonomike dhe fluksit masiv të emigrantëve në Evropë nga jashtë dhe midis vendeve evropiane, e ka ndryshuar dramatikisht politikën e shteteve-kombe evropiane. Në shekullin XX-të, homogjeniteti etnik shihej si një mënyrë për të ulur tensionet, për të rritur sigurinë dhe forcuar tendencat demokratike.

Pakicat shiheshin me mosbesim. Jo vetëm nga nacionalistët, por edhe nga komunistët. Rezultati i homogjenizimit etnik pas Luftës së Dytë Botërore, është veçanërisht i dukshëm në Evropën Qendrore dhe Lindore. Sot polakët etnikë përbëjnë më shumë se 95 për qind të popullsisë.

Por shekulli XXI, po sjell më shumë larmi. Pas emigracionit vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore e shohin veten përballë një sfide intelektuale:Që ta menaxhojnë me sukses këtë dukuri, këto shoqëri duhet ta heqin nga mendja atë që shumë prej tyre e shohin ende si një leksion të madh të shekullit XX-të:që diversiteti etnik dhe kulturor, përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Demokracive iu deshën disa vjet për ta marrë veten nga kriza financiare e vitit 2008. Çfarë ndikimi mund të ketë koronavirusi mbi shoqëritë demokratike dhe tregjet e hapura?

Kur mendoj për botën pas Covid-19, më kujtohet një frazë nga “Novelat e pakuptimta” të Stefën Lilok:”Lord Ronaldi nuk tha asgjë; ai doli nga dhoma, i hipi kalit të tij, dhe nisi të kalërojë si i çmendur në të gjitha drejtimet!”. / “Bush Center” – Bota.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Më shumë një “sëmundje” sesa “Drakula”, si lindi miti i vampirëve

Publikuar

-

Nga

Nga Stanley Stepanic “The Conversation”

Vampiri është një imazh i zakonshëm në kulturën e sotme pop, dhe që merr shumë forma: nga Alukardi, djali i Drakulës në lojën PlayStation “Kastlevania:Simfonia e Natës”; tek Eduardi, dashnori romantik dhe idealist në sagën “Twilight” (Muzgu).

Në shumë aspekte, vampiri i sotëm është larguar jo pak nga rrënjët e tij në folklorin e Evropës Lindore. Si profesor i studimeve sllave, dhe që kam dhënë për më shumë se një dekadë një kurs leksionesh mbi vampirët e quajtur “Dracula”, jam gjithmonë i magjepsur nga popullariteti i figurës së vampirit, duke pasur parasysh origjinën e tij, si një krijesë demoniake e lidhur fort me sëmundjet.

Referenca e parë e njohur mbi vampirët u shfaq në formën e shkruar në rusishten e vjetër në vitin 1047, menjëherë pasi Krishterimit Ortodoks ajo u zhvendos në Evropën Lindore. Termi vampir ishte “upir” në rusishten e vjetër.

Origjina e kësaj fjale nuk dihet me saktësi, por kuptimi i saj i mundshëm mund të jetë “ajo gjëja në festë, apo sakrificë”, duke iu referuar një entiteti potencialisht të rrezikshëm shpirtëror, për të cilin njerëzit besonin se mund të shfaqej në ritualet kushtuar të vdekurve.

Ishte një eufemizëm i përdorur për të shmangur përmendjen e emrit të krijesës. Mjerisht historianët mund të mos e mësojnë asnjëherë emrin e tij të vërtetë, apo edhe kohën kur u shfaqën besimet rreth tij.

Vampiri i shërbeu një funksioni të ngjashëm me atë të shumë krijesave të tjera demoniake në folklorin e të gjithë botës:Ata u fajësuan për një sërë problemesh, por sidomos për sëmundjet e ndryshme, në një kohë kur nuk ekzistonin njohuritë për bakteret dhe viruset.

Studiuesit kanë parashtruar disa teori mbi lidhjet e sëmundjeve të ndryshme me vampirët. Ka të ngjarë që asnjë sëmundje të mos ketë një origjinë të thjeshtë e“të pastër” për mitet e vampirëve, pasi besimet popullore mbi vampirët ndryshuan me kalimin e kohës.

Por dy prej tyre tregojnë lidhje më të forta. Njëra është sëmundja e tërbimit, emri i së cilës vjen nga termi latin për “çmendurinë”. Është një nga sëmundjet më të vjetra të njohura në botë, e transmetueshme nga kafshët te njerëzit, dhe e përhapur kryesisht përmes kafshimit, një referencë e qartë për një tipar klasik të vampirëve.

Por ka edhe lidhje të tjera shumë interesante. Një simptomë që ndrore e sëmundjes është hidrofobia, frika nga uji. Kontraktimet e dhimbshme të muskujve në ezofag, i detyrojnë viktimat e tërbimit që të shmangin ngrënien dhe pirjen, apo edhe gëlltitjen e pështymës së tyre, e cila i shkakton “shkumëzim në gojë”.

Në disa folklore, vampirët nuk mund të kalojnë dot ujin e rrjedhshëm pa u bartur ose ndihmuar në një farë mënyre nga të tjerët, si një shtrirje e dukshme e kësaj simptome. Për më tepër, tërbimi mund të çojë në frikën ndaj dritës, në modele të ndryshuara të gjumit dhe në një agresion të shtuar, elementë këta që përshkruhen shpesh tek vampirët në një larmi përrallash popullore .



Sëmundja e dytë është pelagra, e shkaktuar nga një mungesë e niacinës (vitaminës B3)ose aminoacidi triptofan. Pelagra shkaktohet shpesh nga dietat e pasura me produkte të  misrit dhe alkoolit. Kur evropianët zbarkuan në Amerikë, transportuan sasi të mëdha misri në Evropë.

LEXO EDHE:  Kriza nga Covid-19/ Presidenti: Qeveria të marrë masa, qytetarët të ruhen

LEXO EDHE:  Shpërndarja e grantit 5 mijë euro për emigrantët/ Balla: Nuk kemi kohë të pushojmë

Por ata injoruan një hap kryesor në përgatitjen e misrit:larjen e tij, shpesh duke përdorur gëlqere, një proces i quajtur “nixtamalization” që mund të zvogëlojë rrezikun e prekjes nga pelagra. Pelagra shkakton dermatit, diarre, demencë dhe vdekje. Po ashtu disa të sëmurë përjetojnë një ndjeshmëri të lartë ndaj dritës së diellit – e përmendur në disa përshkrime të vampirëve – gjë që çon në sëmundjen e lëkurës.

Sëmundje të shumta tregojnë lidhje të forta me rrëfimet folklorike mbi vampirët. Por ato nuk mund të shpjegojnë domosdoshmërisht se si filluan vërtet këto mite. Për shembull, pelagra nuk ekzistonte në Evropën Lindore deri në shekullin XVIII, pra shekuj pasi ishin shfaqur besimet e para mbi vampirët.

Si sëmundja e pelagrës ashtu edhe ajo e tërbimit janë të rëndësishme, pasi ato ishin epidemike gjatë një periudhe kyçe në historinë e vampirëve. Gjatë të ashtuquajturës Epidemia e Madhe e Vampirëve, në vitet 1725-1755, mitet mbi vampirët“u bënë virale” në të gjithë kontinentin.

Kur sëmundja u përhap në Evropën Lindore, shpesh fajësoheshin shkaqet mbinatyrore, dhe histeria mbi vampirët u përhap në të gjithë rajonin. Shumë njerëz besonin se vampirët ishin “të vdekurit” – njerëz që jetonin në një farë mënyre edhe pas vdekjes – dhe se vampiri mund të ndalej duke e sulmuar kufomën e tij.

Ata kryen “varrime vampirësh”, të cilat mund të përfshinin nguljen e një huri me majë në trupin e kufomës, mbulimin e trupit të pajetë me hudhra, dhe një sërë traditash të tjera që ishin të pranishme në folklorin sllav për shekuj.

Ndërkohë, ushtarët austriakë dhe ata gjermanë që luftuan kundër osmanëve në rajon,  dëshmuan për këtë përdhosje masive të varreve, dhe u rikthyen në shtëpi në Evropën Perëndimore me historitë e vampirëve. Por pse ndodhi ajo histeri vampirësh?

Fajtori kryesor ishte sëmundja, por në atë kohë në Evropën Lindore ekzistonte një lloj “stuhie e përsosur”. Epoka e Epidemisë së Madhe të Vampirëve, nuk ishte vetëm një periudhë e sëmundjeve, por gjithashtu edhe e trazirave politike dhe fetare.

Gjatë shekullit XVIII-të, Evropa Lindore u përball me një presion të madh nga brenda dhe nga jashtë, pasi fuqitë vendase dhe ato të huaja ushtronin kontrollin e tyre mbi rajon, me kulturat vendase që shpesh shtypeshin. Për shembull, Serbia u gjend midis monarkisë Habsburgase në Evropën Qëndrore dhe Osmanëve. Polonia ishte gjithnjë e më shumë nën fuqitë e huaja, Bullgaria ishte nën sundimin osman, dhe Rusia po pësonte ndryshime të mëdha kulturore për shkak të politikave të Carit Pjetri i Madh.

Ajo kohë është disi analoge me sot, kur bota po përballet me pandeminë e Covid-19 mes ndryshimeve politike dhe pasigurisë. Ndarja e perceptuar shoqërore, e vërtetë apo e imagjinuar, mund të çojë në reagime dramatike në shoqëri./CNA.al

https://theconversation.com/more-disease-than-dracula-how-the-vampire-myth-was-born-167482

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse epoka aktuale është ajo e konflikteve dhe mungesës se paqes

Publikuar

-

Nga

Nga Mark Leonard “Politico.eu”

Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi një ide të thjeshtë. Bërja bashkë e kombeve dhe popujve krijon paqe, teksa e bën luftën shumë të kushtueshme qoftë edhe për t’u menduar si ide. Duke ndërtuar një komunitet vendesh rreth qymyrit dhe çelikut që u përdorën dikur për të ndërtuar armët, BE-jaia doli që t’i kthejë armiqtë në miq.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, evropianët vendosën të shihnin akoma më larg. Ata shpresonin se duke hapur kufijtë dhe promovuar tregtinë, udhëtimet dhe internetin, mund t’i përhapnin këto leksione nëpër botë dhe të promovonin harmoninë globale.

E vërteta rezultoi të ishte ndryshe. Në vitin 2016, evropianët zbuluan nëpërmjet Brexit dhe zgjedhjes së ish-presidentit amerikan Donald Trump,se shumë nga qytetarët e tyre nuk ishin dakord se bota ishte një vend më i mirë për shkak të ndërlidhshmërisë së saj.

Dhe sjellja e vendeve të tjera – nga Kina dhe Rusia në Turqi dhe Brazil – ka treguar se si nacionalizmi dhe fuqia po shkelin internacionalizmin dhe ligjin. Përfundimi i pashmangshëm është tronditës për shumë evropianë:Lidhjet që bëjnë bashkë botën, mund të përdoren gjithashtu edhe për ta ndarë atë.

Në botën e sotme të globalizuar, gjeopolitika është bërë si një martesë pa dashuri, në të cilën partnerët nuk e honepsin dot njëri-tjetrin, por nga ana tjetër nuk janë në gjendje të divorcohen. Dhe si me çdo martesë të tillë, ajo që dikur ndahej gjatë kohëve të mira është bërë mjeti për të shkaktuar dëme gjatë kohërave të këqija.

Ndërlidhshmëria e tepërt jo vetëm që po i polarizon shoqëritë në grupime rivale dhe po krijon një “epidemi të zilisë”, por po siguron gjithashtu një arsenal të ri armësh për konkurrencën midis fuqive të mëdha. Tani vendet po zhvillojnë konflikte duke manipuluar gjërat që i lidhin së bashku, duke përdorur për shembull sanksionet, bojkotet, kontrollet e eksportit ose ndalimet e importit për qëllime politike.

Por përdorimi si një armë i ndërvarësisë shtrihet përtej tregtisë. Shqetësimet globale shëndetësore duhet ta kishin bashkuar planetin gjatë pandemisë së koronavirusit. Në vend të kësaj, ne pamë diplomacinë e maskave dhe nacionalizmin e vaksinave.

Në fushën e infrastrukturës, Kina është padyshim fuqia më e madhe, që po e përdorur Nismën e Brezit dhe Rrugës, për ta shtuar fuqinë e saj politike përmes varësisë ekonomike. Në frontin e teknologjisë dhe informacionit, gara nuk është vetëm për sferat e ndikimit teknologjik dhe kush vendos standardet, por edhe për demokracinë dhe lirinë e shoqërive tona.

Edhe klima është shndërruar në një fushë beteje. Dhe kjo është diçka befasuese, duke qenë se të gjithë jemi në të njëjtën varkë që po fundoset. Edhe pse ne të gjithë mund ta dimë rastin e Turqisë dhe Bjellorusisë që po i përdorin emigrantët si një armë ndaj shteteve rivale, është fakt që ka pasur mbi 70 raste të përdorimeve të tilla të migrimit masiv në dekadat e fundit, dhe ato kanë pasur efekte të rënda negative.

Sigurisht, lidhjet midis vendeve janë shfrytëzuar edhe më herët. E reja në këtë rast është rrjeti i dendur i lidhjeve që u japin sanksioneve, bllokadave dhe fushatave të marrëdhënieve me publikun (PR) një cilësi kjo virale dhe vdekjeprurëse, që nuk ekzistonte para se bota jonë të përcaktohej përmes rrjeteve.

LEXO EDHE:  Covid/ Shoqata e Infermierëve: Po ushtrojnë presion, e kemi të ndaluar të flasim për mediat

LEXO EDHE:  Ministri i Turizmit, Blendi Klosi rezulton pozitiv me koronavirus



Sot ka një frazë që e përshkruan më së miri gjendjen aktuale, e mbetur pezull midis luftës dhe paqes. Fraza u përdor për herë të parë nga akademikët në fushën e teknologjisë, si Lukas Kello i Universitetit të Oksfordit. Duke synuar që të përshkruanin zonën gri që ata po shihnin, në të cilën po kryheshin miliona sulme çdo ditë të cilat nuk përmbushnin luftën konvencionale, ata rehabilituan fjalën e bukur anglosaksone “unpeace” (jo paqe).

Pranimi i realitetit se ne po jetojmë tashmë në një epokë të mungesës së paqes, ka pasoja të rëndësishme për Evropën. Ndërsa shumë njerëz besojnë se ne po kalojmë në një botë bipolare, në të cilën të gjithë do të detyrohemi të zgjedhim midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, Evropa ka forcën e vet unike gjeopolitike.

Bashkë me SHBA-në dhe Kinën, Evropa është një nga tre perandoritë e ndërlidhjes globale, secila me idetë dhe aftësinë e vet për t’i dhënë formë planetit. SHBA luan kryesisht rolin e portierit. Gjithë prania e dollarit dhe dominimi i tij mbi internetin,i japin mundësi të izolojë vende të caktuara jashtë sistemit financiar global, apo t’i vërë nën mbikëqyrje qytetarët e tyre.

Kina aspiron të jetë një fuqi relacionale. Ajo synon që t’i lidhë vendet e tjera me tregun e saj, dhe t’i fusë ato në sferën e vet të ndikimit. Evropa ka një qasje të ndryshme, duke qenë krijuese e rregullave. 80.000 faqet e Acquis Communautaire, që rregullojnë gjithçka, nga të drejtat e homoseksualëve dhe dënimi me vdekje, dhe deri tek zhurma e korrëses së barit dhe siguria e ushqimit, është sistemi operativ i BE-së.

Dhe Brukseli nuk i përmbahet vetëm këtij sistemi. Ai e përdor fuqinë e tij ekonomike, për t’i bërë ata që bien në kontakt me rrjetin e tij që të ndjekin rregullat. Nëse lidhjet midis vendeve janë bërë armë të rrezikshme, ato do të duhet gjithsesi të menaxhohen.

Unioni është i vendosur që ta bëjë këtë, me rregulla dhe norma që heqin rrezikshmërinë.

Nëse Lufta e Ftohtë u lehtësua me kontrollin e armëve, ekuivalenti për epokën tonë është “çarmatosja e ndërlidhshmërisë”. Paradoksalisht, mënyra më e mirë për të bashkuar botën është krijimi i distancës së mjaftueshme për t’i bërë njerëzit të ndihen të sigurt dhe me situatën nën kontroll.

Linja ndarëse duhet të jetë ajo midis bashkësisë së “menaxhuar” dhe asaj “të pakontrolluar”, në vend të shoqërive “të hapura” dhe “të mbyllura” – në gjithçka, nga tregtia tek migrimi, dhe deri tek teknologjia dhe ndryshimet kulturore. Duam apo nuk duam, ndërlidhshmëria është një thikë me dy presa. Pranimi i kësaj është një ide tjetër e thjeshtë por e fuqishme me potencialin për të formuar botën.

Shënim: Mark Leonard është drejtor i think-tankut “European Council on Foreign Relations”, dhe autori i librit “Epoka e mungesës së paqes:Pse ndërlidhshmëria shkakton konflikte”./CNA.al

https://www.politico.eu/article/welcome-to-the-age-of-unpeace-geopolitics-conflict

LEXO TE PLOTE

Blog

Nga elefantët tek bletët:Si janë përdorur kafshët në luftë gjatë historisë

Publikuar

-

Nga

cna lajme cnapolitike

Gjatë historisë së luftërave njerëzore, kafshët kanë luajtur ndonjëherë një rol thelbësor, sidomos në beteja të caktuara. Kuajt dhe qentë, mund të jenë të parët që mund t’ju vijnë në mendje, por a do t’iu shkonte menjëherë në mendje se edhe delfinët apo bletët, mund të kenë protagoniste në luftë?

Përdorimi i parë i njohur i pëllumbave për të komunikuar me mesazhe, ka ndodhur në shekullin VI Para Erës Sonë, kur mbreti i Persisë, Kiri, thuhej se i përdori pëllumbat për të komunikuar me pjesët më të largëta të perandorisë së tij të mëdha.

Pëllumbat duket se kanë një ndjeshmëri të madhe ndaj fushës magnetike të Tokës, dhe kjo i orienton ata me saktësi në rrugën e kthimit në shtëpi. Ata janë të famshëm, pasi është vërtetuar se gjejnë rrugën për në shtëpi edhe kur ndodhen mbi 2900 km larg.

Për shkak të kësaj aftësie, me kalimin e viteve oficerët e ushtrive të ndryshme i morën pëllumbat në frontet e betejës, dhe i përdorën ata për t’i dërguar mesazhe mbretit apo eprorëve të tyre të komandës. Kështu kur Parisi ishte nën rrethimin e prusianëve në vitet 1870-1871, ushtria franceze dërgoi pëllumba në qytet përmes tullumbaceve me ajër të nxehtë.

Më pas qytetarët e bllokuar, i përdorën pëllumbat për të dërguar mesazhe përtej vijave të armikut. Mbi 200.000 pëllumba u përdorën vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore, që shënoi edhe kulmin e përdorimit të tyre nëpër beteja.

Nisja e transmetimeve radio, i bëri zogjtë më pak të dobishëm në vijën e parë të frontit, dhe pjesëmarrja e tyre në zonat luftarake nuk ishte më e nevojshme. Ndërkohë historia regjistron përdorimin në beteja edhe të arinjve.

Një ari u bë në veçanti i famshëm për shërbimin e tij luftarak. Arushi Vojtek, ishte ende një këlysh në ngjyrë të kafe, kur u adoptua nga trupat polake nga një kompani që merrej me furnizimet. Ariu u rrit prej tyre dhe arriti peshën 400 kg.

Ai u angazhua si ushtar në ushtrinë polake, dhe arriti deri në gradën e kaporalit. Në vitin 1944, ai shkoi në Monte Kazino të Italisë bashkë me kompaninë e tij, ku transportonte kutitë me municione tek burrat gjatë një prej betejave më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore.

Ju ndoshta keni para nëpër filma përdorimin e elefantëve në luftë. Ata janë përdorur për herë të parë për luftë në Indi, diku rreth shekullit IV Para Krishtit. Ata ishin të frikshëm në betejë, pasi i shkelnin për vdekje me këmbë ushtarët armiq me putrat e tyre të rënda.

Shpesh elefantët ishin të blinduar, për t’i mbrojtur ata nga shtizat, shigjetat dhe shpatat e armikut. Nganjëherë në dhëmbë u vendoseshin thumba hekuri. Ushtarët romakë u tmerruan në përballjen  e tyre të parë me elefantët e luftës në Indi, edhe pse në fund arritën që ta fitonin betejën.

LEXO EDHE:  Shpërndarja e grantit 5 mijë euro për emigrantët/ Balla: Nuk kemi kohë të pushojmë

LEXO EDHE:  Turpi ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike, sot jo dhe aq



Më vonë gjenerali romak Tiberius Julius Aleksandër i shtoi kafshët në arsenalin e ushtrisë tij. Romakët i përdorën elefantët në betejat që zhvilluan kundër Spanjës dhe Galisë (Francës së sotme). Gjithsesi, përfitimi psikologjik i përdorimit të elefantëve kundër armikut zhbëhej shpesh nga tendenca e tyre për t’u trembur, duke shkelur kësisoj shpesh trupat e ushtrisë së tyre.

Kur u shpikën topat, ushtritë e ndaluan përdorimin e elefantëve në betejë. Ndërkohë devetë përdoren ende në patrullim në disa nga rajonet më shkretëtinore dhe malore të botës. Ato janë të dobishme për shkak të aftësisë që kanë për të udhëtuar në distanca të gjata, dhe në kushte të vështira, shpesh pa ujë.

Përdorimi i parë i regjistruar i deveve në betejë daton në vitin 853 Para Krishtit. Mbreti Gindibu, një udhëheqësi i famshëm arab, përdori mbi 1.000 deve për të luftuar ndaj asirianëve në Betejën e Qarqar, që ndodhet në Sirinë e sotme.

Më së afërmi në kohë, gjatë Luftës së Parë Botërore, devetë u përdorën në Lindjen e Mesme si nga aleatët ashtu edhe nga osmanët. Qentë janë përdorur në luftë të paktën që në vitin 600 Para Krishtit, kur mbretëria e Lidisë, përdori një tufë qensh të stërvitur për të vrarë sa më shumë pushtues.

Qentë e trajnuar posaçërisht përdoren edhe sot si lajmëtarë, si gjurmues, skautistë apo si roje. Ata përdoren gjithashtu për të nuhatur bombat, ndërsa trupat amerikane i përdorin ata për këtë qëllim në Irak dhe Afganistan.

Kuajt mund të jenë kafsha e përdorur më herët nga të gjithë më luftëra. Ka dëshmi se kuajt janë përdorur nga kalorësit që 5.000 vjet më parë në Azinë Qendrore dhe Evropën Lindore. Në Evropën Lindore, janë zbuluar varre që përmbajnë ushtarë të varrosur bashkë me kalin që kishin përdorur në betejë.

Kuajt vazhduan që të përdoren gjatë luftërave, derisa metodat moderne të transportit i bënë ata të panevojshëm për këtë aspekt. Ndërkohë marina amerikane trajnon rregullisht delfinët për t’i ndihmuar gjatë patrullimeve detare. Ndjenja e ekolokimit që kanë delfinët, u jep atyre mundësinë që të gjejnë nën ujë objekte, që njerëzit nuk munden t’i identifikojnë.

Ato janë përdorur për pastrimin e minave në portin e Umm Qasr gjatë Luftës së Gjirit Persik. Nëpër beteja janë përdorur edhe bletët. Në të kaluarën, disa ushtri katapultuan koshere bletësh mbi muret rrethuese të kështjellave apo qyteteve, për të krijuar kaos midis njerëzve të strehuar brenda. Qyteti i Temiskirës u mbrojt me sukses kundër një sulmi të ushtrisë romake, duke lëshuar bletët në tunelet që po gërmonin romakët nën muret e qytetit të tyre./CNA.al

Burimi:

https://www.warhistoryonline.com/war-articles/animals-in-war.html

LEXO TE PLOTE