Blog
Si imperializmi rus mund ta rrëzojë nga pushteti Vladimir Putinin

Nga Janusz Bugajski “The Hill”
Presidenti rus Vladimir Putin e ka bazuar mbështetjen e tij të brendshme tek rritja ekonomike dhe ringritja e “Botës Ruse”. Me ekonominë ruse në një gjendje apatie, Kremlini duket gjithnjë e më shumë i predispozuar të sulmojë një nga ish-fqinjët sovjetikë, për të ringjallur projektin e tij perandorak.
Dymbëdhjetë vjet më parë, Rusia pushtoi Gjeorgjinë për të larguar vëmendjen e rusëve nga kriza financiare e vitit 2008. Ndërsa në vitin 2014, pushtoi Ukrainën për të ndihmuar në shuarjen e protestave popullore në rritje kundër regjimit të Putinit.
Një përzierje faktorësh, do t’i bëjë muajt e ardhshëm veçanërisht të rrezikshëm për fqinjët e Rusisë, por edhe për vetë Rusinë. Një politikë e jashtme agresive, mund ta largojë vëmendjen nga rënia ekonomike e Rusisë, dhe pandemia globale e Covid-19 ofron një mundësi strategjike unike.
Kryeqytetet perëndimore, janë të zëna me krizën shëndetësore dhe pasojat e saj ekonomike. Për më tepër, SHBA-ja po përballet me probleme sociale dhe ekonomike në mesin e një fushate zgjedhore thellësisht përçarëse.
Putin do të kërkojë me urgjencë një tjetër aneksim, për ta vendosur sërish Perëndimin “para faktit të kryer”, sidomos pasi ai mund të përballet me një administratë më luftarake, nëse zgjidhet president ish-zv/presidenti amerikan Xho Bajden.
Edhe pse stafi i sigurisë kombëtare e ka shmangur kundërpërgjigjen ndaj sjelljes agresive të Rusisë, Putin e percepton Trump si më të përshtatshëm për të. Dhe nëse Trump rizgjidhet në detyrë, Putini do të synojë të arrijë një marrëveshje të madhe, që do të njohë pushtimet e reja të Rusisë.
Kremlini ka disa mundësi sulmimi përgjatë kufijve të saj të gjatë evropian dhe Azisë Qendrore. Edhe pse Moska aspiron të pushtojë dhe aneksojë Kazakistanin e Veriut, të banuar nga një popullsi e madhe etnike ruse, një operacion i tillë do të ishte i zgjatur në kohë dhe shkatërrues në aspektin ekonomik, si dhe do të armiqësonte aleatët e tjerë të Rusisë në Azinë Qendrore.
Nga ana tjetër, një sulm i drejtpërdrejtë ndaj një anëtari të NATO-s që ka një popullsi të konsiderueshme rusisht-folëse, si Estonia ose Letonia, mund të jetë joshës. Por ai ka të ngjarë të provokojë një përgjigje të amerikanëve për të mbrojtur aleatët e saj.
Më të rrezikuara janë vendet jashtë NATO-s, pasi ato nuk kanë mburojën e një sigurie shumëkombëshe. Ukraina mbetet çelësi i agjendës neo-perandorake të Moskës. Pavarësia e saj dhe integrimi në Perëndim, nxjerrin në pah pretendimet e gënjeshtërta të Rusisë ndaj historisë, identitetit, kulturës dhe territorit të vendit.
Edhe pse e ka pushtuar tashmë Krimenë dhe një pjesë të rajonit lindor të Donbasit, Moska nuk ka arritur ta vendosë Kievin nën kontrollin e vet. Prandaj Putini po shqyrton disa mundësi për të nisur një sulm tjetër mbi sovranitetin e tij.
Në skenarët e mundshëm, përfshihet një ofensivë e re për të zgjeruar territorin e pushtuar në Donbas, me pretendimin se Procesi i Minskut është rrëzuar tashmë, apo edhe aneksimin e drejtpërdrejtë të “Republikave Popullore të Donjeckut dhe Luhanskut.
Një tjetër skenar realist, është një operacion ushtarak i maskuar si humanitar, për të siguruar ujë për Krimenë, që po zhuritet këtë verë nga thatësira e gjatë. Kjo do të përfshijë pushtimin e pjesës më të madhe të bregdetit jugor të Ukrainës, nga deti Azov në qytetin-port të Odesës. Një operacion i tillë, do të bllokonte qasjen e e Ukrainës në Detin e Zi, dhe do të dëmtonte më tej ekonominë e vendit. Ky veprim do të kërcënonte drejtpërdrejt aleatin e NATO-s, Rumaninë, rrugët e transportit tregtar në Detin e Zi, si dhe rrugët energjitike.
Rusia ka vendosur në gjendje alarmi nr.1 mbi 150.000 trupa dhe më shumë se 100 anije luftarake afër kufijve të Ukrainës, dhe po kryen një seri stërvitjesh për sulm. Moska pretendon se po garanton siguri ushtarake ndaj kërcënimeve terroriste, por objektivi duket
më ogurzi.
Një perspektivë e afërt është aneksimi i Bjellorusisë, vend i parë nga Moska si një territor rus, por me një sens të rremë të identitetit kombëtar. Preteksti i shtimit të trazirave në Bjellorusi, dhe zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, mund t’i japin mundësi Putinit të pozojë para botës si çlirimtari kombëtar nga sundimi autokratik i Aleksandër Llukashenkos.
Por askush nuk mund të supozojë se rrëzimi i Lukashenkos, do të paralajmërojë një qeveri demokratike dhe pro-perëndimore në Minsk. Përkundrazi, Moska do të përpiqet të sigurohet që Bjellorusia të mos ndjekë rrugën e Ukrainës dhe Gjeorgjisë drejt institucioneve perëndimore.
Por, pavarësisht përllogaritjeve të tij, ndërtimi i perandorisë së Putinit mund të sjellë edhe probleme të mëdha në shtëpi. Deri më tani, kundërshtimi i hapur ndaj Moskës është sjellë rotull ankesave specifike – qoftë humbja e territorit në Ingusheti, largimi nga detyra i një guvernatori popullor në Kabarovsk në Lindjen e Largët, shtypja e të drejtave gjuhësore tek popullatat etnike jo-ruse, apo ndotja mjedisore në rajonet veriore.
Paradoksalisht, në vend se ta largojë vëmendjen nga problemet e brendshme, një sulm i ri ndaj një vendi të huaj, mund ta shtojë akoma më tej zemërimin e publikut. Një aventurë e kushtueshme që e varfëron dhe izolon më tej Rusinë, mund të ndihmojë në bindjen e segmenteve të mëdha të popullatës ruse, se zgjidhja e vetme është rrëzimi i Putinit nga pushteti.
Shënim:Janusz Bugajski, është bashkëpunëtor i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Uashington. Libri i tij i fundit, me bashkë-autore Margarita Asenovën, titullohet “(Mos)Bashkimi Euroaziatik:Aspektet e brishta të Rusisë”./ Përshtatur nga CNA.al
Lajme të Rekomanduara:

Studimi/ Rreziku nga forma e rëndë e Covid-19, mund të përcaktohet që në fillim të sëmundjes
Arsyeja se pse shumica e njerëzve që preken nga një formë e lehtë e Covid-19 ose nuk kanë asnjë simptomë, ndërsa disa sëmuren rëndë, mbetet...

Bazil Zaharof, “tregtari” i vdekjes që u bë njeriu më i pasur i Evropës
Për shumicën nga ne, emri Bazileios Zakarias, ose Bazil Zaharof, nuk do të thotë asgjë. Megjithatë, ky person la gjurmë në histori me veprimet e...