Connect with Us

Kërkesa e papërballueshme për teste/ Laboratoret amerikane të stresuara

Bota

Kërkesa e papërballueshme për teste/ Laboratoret amerikane të stresuara

Publikuar

-

Laboratoret në mbarë SHBA po ndjejnë barrën e rëndë të testeve të shtuara për koronavirusin. Shtimi i kërkesave ka rezultuar në pritje të gjata dhe ekspertët thonë se vonesat në dhënien e rezultatit minojnë përgjigjen ndaj pandemisë.

Ndërkohë që numri i total i të diagnostikuarve me koronavirus deri tani ka arritur në 3.9 milionë vetë dhe ritmet e përhapjes po intensifikohen, mbingarkesa në laboratoret e diagnostikimit po krijon problem për amerikanët që nuk mund të kthehen në punë deri kur të marrin rezultatin negativ në analiza, si dhe institucione si shtëpitë për të moshuarit që përpiqen të pengojnë përhapjen e sëmundjes në mjediset e tyre. Stres të madh po përjetojnë edhe vetë laboratoret që duhet t’u përgjigjen kërkesave në rritje për teste.

Disa laboratore nuk japin përgjigje për analizat për disa javë, duke shkaktuar frikë tek ata që kanë bërë testin, por edhe duke lënë të hapur rrezikun që persona të infektuar, pa simptoma të vazhdojnë të infektojnë të tjerët, ndërkohë që nuk kanë marrë ende përgjigjen për diagnozën.

“Deri tani kemi qenë të fiksuar ndaj numrit të testeve që mund të bënim në ditë,” thotë Dr. Tom Frieden, ish-drejtor i Qendrës për Parandalimin e Sëmundjeve. “Por pyetja duhet ngritur ndryshe: sa teste po bëhen dhe po marrin rezultatet brenda dite, në mënyrë që personi i infektuar të izolohet menjëherë dhe të njoftohen të tjerët”.

Dr. Frieden dhe ekspertë të tjerë u kanë bërë thirrje shteteve të raportojnë sa kohë u duhet për të dhënë rezultatin e testeve, duke e cilësuar si matëse të përparimit kundër virusit.

Ndërkohë që në SHBA vonesat në rezultatet e testeve janë shqetësim aktual, në shkallë globale numri i personave të konfirmuar me koronavirus arriti të mërkurën 15 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins. SHBA kryeson si nga numri i infektimeve, ashtu edhe nga viktimat me mbi 142 mijë të vdekur nga COVID-19.

Udhëzimet e nxjerra nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve rekomandojnë që shtetet që duan të heqin kufizimet mbi aktivitetin ekonomik e fizik, duhet të jenë në gjendje të japin rezultatin e testit të koronavirusit brenda katër ditësh. Agjencia nxori kohët e fundit rekomandime të reja kundër zhvillimit të analizave të njëpasnjëshme tek pacientët me COVID për të vërtetuar nëse janë shëruar.

“Kjo ka krijuar mbingarkesa në sistem,” tha Admirali Brett Giroir, ndihmës sekretar i shëndetësisë, në komentet për shtyp javën e kaluar.

30-vjeçari nga Ohajo, Zachrey Warner e ka pësuar nga vonesat e sistemit. Më 5 korrik e la punën herët, pasi kishte temperaturë. Shefi i tha të bënte testin. Pasi priti dy javë dhe humbi rrogën e 15-ditëshit pasi nuk kishte shkuar në punë, testi rezultoi negativ. Ai tregon se shumë prej simptomave, si temperatura, dhimbja e muskujve, diarreja pushuan pas pak ditësh, por shefi i tha se nuk mund të kthehej në punë deri kur të merrte rezultatin e testit.

Ai shprehet i gëzuar që rezultoi negativ, por është gjithashtu i mërzitur që humbi shumë kohë e pagë, duke pritur përgjigjen për testin.

LEXO EDHE:  Të shtëna me armë zjarri jashtë një xhamie, humb jetën një person

Vonesat shkaktojnë edhe probleme shëndetësore, përveç atyre ekonomike.

Në Florida, ku numri i viktimave ka arritur rreth 5500, autoritetet u kërkojnë shtëpive të të moshuarve të testojnë të gjithë punonjësit çdo dy javë. Por vonesat në përgjigje kanë bërë që të ngrihen pikëpyetje për vlerën dhe efektivitetin e kësaj politike.

Nëse rezultati jepet pas 2-3 ditësh apo më vonë, testet janë pa vlerë thonë specialistët, pasi është humbur mundësia për të identifikuar personat që janë ekspozuar ndaj të infektuarit dhe për të parandaluar infektime të tjera.

Dr. Leana Wen, eksperte e shëndetit publik, thotë se është e arsyeshme t’i kërkohet personit që bën testin, të qëndrojë i izoluar në shtëpi në pritje të rezultatit, por pritja për ditë të tëra është e papranueshme.

“Nuk mund t’i thuash dikujt që ka fëmijë të vegjël të izolohet për 10 ditë apo më shumë, pa e ditur nëse është apo jo e infektuar”, thotë Dr. Wen.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë thirrje për zgjerimin e testeve për të kontrolluar edhe amerikanët e shëndetshëm, për të penguar përhapjen e virusit nga persona të infektuar, por që nuk shfaqin simptoma. Por Quest Diagnostics një ndër rrjetet më të mëdha të laboratoreve në vend, tha se nuk arrin të përballojë kërkesën aktuale dhe se personat e testuar po presin aktualisht më shumë se një javë.

Quest u bërë thirrje specialistëve të shëndetit të mos testojnë persona të rrezikut të ulët, si për shembull ata që nuk kanë simptoma apo nuk kanë qenë në kontakt me dikë që ka rezultuar pozitiv.

Ndërkohë po shtohet presioni për përdorim në masë të maskave dhe mënyra të tjera për të penguar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Ohajo, Indiana, Minesota dhe Oregoni i shtohen listës së shteteve që e kanë bërë të detyrueshme vënien e maskave./ VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Uragani Sally kërcënon shtetet jugore të SHBA-së

Publikuar

-

Nga

Uragani Sally kërcënon shtetet jugore të SHBA-së

Një uragan i sapoformuar ndodhet në drejtim të bregdetit të SHBA-së dhe kërcënon disa shtete të jugut, përfshirë Floridën, Misisipin dhe Alabamën.

Stuhia tropikale Sally u shpall uragan të hënën, ndërsa pritet të zbarkojë të martën.

Zyrtarët thanë se uragani do të sjellë deri në 30 centimetra shi dhe erëra deri në 135 kilometra në orë në disa zona.

Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards, shteti i të cilit është ende duke u rimëkëmbur nga uragani i muajit të kaluar Laura, kërkoi nga banorët që “të jenë të zgjuar dhe të sigurt”.



Alabama dhe Misisipi shpallën gjendje të jashtëzakonshme, derisa janë në pritje të uraganit, i cili ndodhet rreth 175 milje në juglindje të Billoksit në Misisipi.

LEXO EDHE:  Ratcliffe zë vendin e ambasadorit Grenell si drejtor i Inteligjencës në SHBA

LEXO EDHE:  Gjermani kritikon rendin botëror të Trumpit

Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se uragani ka ndryshuar drejtim dhe nuk pritet të godasë drejtpërdrejt Luizianën, por gjithsesi mund të shkaktojë valë, që mund të çojnë në përmbytje të mëdha.

Të hënën, gati 80,000 shtëpi në Luiziana kanë qenë pa energji elektrike si rezultat i uraganit Laura, i cili ka goditur tri javë më parë.

Përveç Sallyt, janë edhe katër stuhi të tjera tropikale – Paulette, Rene, Teddy dhe Vicky – që janë duke u vërtitur në pellgun e Oqeanit Atlantik./REL

LEXO TE PLOTE

Bota

Franca konfirmon se Navalny “është helmuar me Noviçok”

Publikuar

-

Nga

Franca konfirmon se Navalny “është helmuar me Noviçok”

Presidenca e Francës konfirmoi të hënën se analizat e bëra në këtë shtet kanë arritur në përfundimin se udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, është helmuar me agjentin nervor Noviçok.

Kjo është “në kundërshtim me normat ndërkombëtare për përdorimin e armëve kimike”, thuhet në reagimin e Pallatit Elysee.

Sipas të njëjtit, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, që urgjentisht të ndriçojë “rrethanat e kësaj vrasjeje në tentativë” dhe “të gjejë përgjegjësit”.

Më herët, Gjermania tha se analizat e pavarura të laboratorëve në Francë dhe Suedi kanë konfirmuar se ka prova se kritiku i Kremlinit është helmuar me Noviçok.

“Ne e përsërisim thirrjen që Rusia të tregojë se çfarë ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë evropianë për hapat e mëtejshëm”, tha përmes një deklarate Qeveria gjermane.

Navalny është sëmurë papritmas gjatë një fluturimi brenda Rusisë, më 20 gusht.



Disa ditë më vonë është dërguar në mjekim në Gjermani, me kërkesë të gruas së tij.

LEXO EDHE:  “Çmendet” Kryemadhi/ Nuk pyes për Departamentin Amerikan të Shtetit..!

LEXO EDHE:  Të shtëna me armë zjarri jashtë një xhamie, humb jetën një person

Ka ditë që ekspertët gjermanë kanë konstatuar se Navalny është helmuar me Noviçok, por autoritetet ruse kanë refuzuar të nisin hetime, duke thënë se nuk ka prova të fuqishme për helmim.

Më 9 shtator, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se ka shumë mundësi që helmimi është urdhëruar nga zyrtarë të lartë në Moskë.

Ekipi i Navalnyt, të afërmit e tij dhe të tjerë gjithashtu besojnë se autoritetet ruse qëndrojnë pas helmimit. Kremlini i ka mohuar fuqishëm akuzat.

Spitali Charite në Berlin, ku po trajtohet Navalny, tha të hënën se gjendja e tij është duke u përmirësuar dhe se ai “mund të ngrihet tani nga shtrati”./REL

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Katër viktima në 24 orë/ Bie ndjeshëm numri i të infektuarve në Kosovë

Publikuar

-

Nga

Katër viktima në 24 orë/ Bie numri i të infektuarve në Kosovë

Bie numri i infektimeve nga  koronavirusi në Kosovë.

Gjatë 24 orëve të fundit, Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë raporton se kanë humbur jetën katër pacientë të infektuar, si dhe janë regjistruar 55 raste të reja.



Numri total i rasteve pozitive është 14.692 raste nga 58.425 persona të dyshuar. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 150 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 11.585 raste./CNA.al

LEXO TE PLOTE