LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Atlantropa: Si u projektua tharja e Detit Mesdhe, për të bashkuar Evropën dhe Afrikën

19 Korrik 2020, 09:42, Blog CNA
Atlantropa: Si u projektua tharja e Detit Mesdhe, për të bashkuar

Vitet 1920, sollën ide të shkëlqyera në dobi të progresit të njerëzimit, siç ishte shpikja e penicilinës dhe semaforëve. Por ajo dekadë, prodhoi edhe një numër projektesh inxhinierike të çuditshme dhe ambicioze.

Më i madhi prej tyre ishte Atlantropa, plani për të mbyllur me një digë Ngushticën e Gjibraltarit, e për të prodhuar energji elektrike të mjaftueshme në gjysmën e Evropës. Kjo do të sillte tharjen e Detit Mesdhe, dhe ndërtimin përmes tij të rrugëve për bashkimin e Evropës dhe Afrikës, dhe krijimin e një super-kontinent të ri euro-afrikan.

Edhe pse tingëllon sot si një histori fantastiko-shkencore, ky plan ka ekzistuar vërtet. Madje, disa qeveri e morën atë seriozisht deri në vitet 1950. Ky vizion i çuditshëm utopik, nisi nga një njeri, dhe nisi të ketë më pas një rëndësi ndërkombëtare, para se fund të braktisej.

Shkencëtarët, filozofët dhe inxhinierët, besuan se mund të zgjidhnin përmes projekteve madhështore, ato që ata i panë si sëmundje terminale të shoqërinë evropiane. Dhe një nga ata ishte arkitekti gjerman Herman Sërgel. Në vitin 1927, në moshën 42-vjeçare, ai hartoi për herë të parë planin e tij për Atlantropa, të cilën fillimisht e quajti Panropa.

Duke u frymëzuar nga projektet e tjera të mëdha inxhinierike si Kanali i Suezit, ai ishte shumë më ambicioz. Plani i tij për Atlantropën, parashikonte ndërtimin e një rrjeti digash përgjatë Ngushticës së Gjibraltarit, duke e ulur nivelin e ujit në Detin Mesdhe.

Digat do të vendoseshin përtej Ngushticës së Siçilisë, duke lidhur Italinë me Tunizinë. Diga të tjera në ngushticën e Dardaneleve në Turqi, do të lidhnin Greqinë me Azinë. Së bashku, këto diga do të siguronin urat lidhëse të Evropës me Afrikën në një rrjet rrugor dhe hekurudhor, duke lidhur bashkë dy kontinentet.

Me më shumë se 660.000 kilometra katrorë tokë të fituar, dhe digat që do të prodhonin energji të mjaftueshme për më shumë se 250 milionë njerëz çdo ditë, Evropa do të kishte një epokë të re të artë të energjisë elektrike të bollshme, hapësira të mëdha, dhe furnizime të pafundme të ushqimit nga toka të reja bujqësore.

Sipas vizionit të Sërgel, super-kontinenti i ri ishte mënyra e vetme për të parandaluar një konflikt të ri botëror. Evropa kishte pak vite që kishte dalë nga tmerri i Luftës së Parë Botërore, ndaj u përpoq gjatë asaj kohe të gjente shpresë për të ardhmen.

Edhe pse kishte pësuar humbje të mëdha në njerëz gjatë luftës dhe pandemisë së vitit 1918, popullsia e saj u rrit nga 488 milion në 534 milionë ndërmjet viteve 1920-1930. Por në të njëjtën kohë, politika evropiane kishte arritur pikën më të lartë të tensioneve ndër shekuj. Kombet si Polonia dhe Jugosllavia, arritën të fitonin pavarësinë e tyre pas dekadave të shumta të sundimit perandorak. Dhe banorët e perandorive të vjetra, kishin frikë se nuk do të kishte vend për ta në aspektin fizik, social apo kulturor.

Në mesin e kësaj klime, në politikën gjermane nisi të bëhej jo pak tërheqës koncepti i Lebensraum (hapësirës jetike). Lebensraum, ishte besimi se gjëja më e rëndësishme që një shoqëri të mbijetonte dhe të lulëzonte, ishte hapësira e domosdoshme për anëtarët e saj. Sigurisht, me vonë ajo ide do të shfrytëzohej në mënyrë të tmerrshme nga nazistët, në përpjekjen e tyre për dominimin e botës.

Në Evropën Qendrore që kishte një popullsi të dendur, dëshira për Lebensraum çoi në përfundimin se nuk kishte vend të mjaftueshëm për të gjithë. Dhe Atlantropa, dukej si formula magjike që do të zgjidhte problemet e kontinentit.

Aspekti më i çuditshëm në lidhje me planin e Sërgel për të tharë Detin Mesdhe, nuk ishin pretendimet e pazakonta, por fakti që ato u morën seriozisht. Ai botoi në vitin 1929 një libër me titull ?Tharja e Mesdheut, ujitja e Saharasë:Projekti Panropa?. Shumë shpejt ky projekti mahniti Evropën dhe Amerikën e Veriut. Në atë kohë, lulëzuan projekte të mëdha inxhinierike si përmbytja e Luginës Tenesi, ndërtimi i Digës Huver, apo hapja nga Bashkimi Sovjetik i Kanalit që lidhte Detin Balltik me Detin e Bardhë.

Dhe nën këtë sfond, Atlantropa dukej një projekt i arsyeshëm, dhe madje emocionues. Madje plani i Sërgel, frymëzoi një roman me titull ?Panropa? në vitin 1930. Aty protagonisti kryesor është një super-shkencëtar heroik gjerman i quajtur Dr.Maurus, plani i të cilit për të tharë Mesdheun, solli të zhvillim të madh për Evropën, pavarësisht përpjekjeve të aziatikëve dhe amerikanëve për të sabotuar përpjekjet e tij.

Mbi atë projekt u realizuan edhe filma, ndërsa Sërgel ngriti Institutin Atlantropa me pjesëmarrjen e financuesve, arkitektëve dhe inxhinierëve të ndryshëm. Për disa vjet, plani pati një publicitet të madh në gazeta dhe revista.

Rrëfimet mbi Atlantropën, shoqëroheshin shpesh me ilustrime me ngjyra, të financuara kryesisht nga gruaja e Sërgel, një tregtare e suksesshme e veprave të artit. Megjithëse ëndrra e tij mahniti shumë evropianë, Atlantropa e kishte një anë të errët, e cila diskutohej rrallë. Diga e Gjibraltarit midis Spanjës dhe Marokut do të ishte e gjatë 300 metra e lartë. Ndërkohë me gjithë vizionin e tij përparimtar, Herman Sërgel kishte një pikëpamje tradicionale mbi kombësinë dhe racën. Por në dallim nga bashkëkohësit e tij nazistë, ai besonte se kërcënimi kryesor për Gjermaninë nuk ishin hebrenjtë, por Azia.

Sipas tij, bota dhe do të ndahej natyrshëm në tre blloqe: Amerika, Azia dhe Atlantropa. Me ndërtimin e digave dhe urave të reja, rajone dhe kultura të shumta që e kishin bazuar tek deti veprimtarinë e tyre për shekuj me radhë, befas do të izoloheshin.

Projekti do të sillte mbetjen pa shtëpi të shumë njerëzve. Një pjesë e propozimit të tij përfshinte bllokimin e lumit të Kongos dhe përmbytjen e Afrikës Qendrore, pa menduar aspak për dhjetëra miliona njerëz që jetonin atje. Uji do të ridrejtohej për në shkretëtirën e Saharasë, duke formuar liqene të mëdha me ujëra të ëmbël, dhe duke e kthyer shkretëtirën në tokë bujqësore.

Në Atlantropën e tij, evropianët e bardhë do të sundonin si raca dominante, duke përdorur për punët fizike zezakët e Afrikës. Sërgel e prezantoi idenë e tij tek nazistët, i bindur se ata do ta mbështesin. Por plani i tij iu duk paqësor nazistëve, në krahasim me atë që kishin në mendje.

Për më tepër, përpjekja e tij për ta kthyer vëmendjen e tyre drejt Afrikës, nuk përputhej me synimin e atëhershëm të Hitlerit për të shkatërruar Bashkimin Sovjetik. Sërgel foli për idetë e tij në Panairin Botëror të Nju Jorkut në vitin 1939, por pa mbështetje zyrtare, ai nuk mundi të ndërmerrte asnjë veprim konkret.

Deri në fund të luftës, ëndrrat e Sërgel për Atlantropën u dukën të pamundura për t?u vënë në zbatim. Pasi luftës, Sërgel u gjend në një kontinent plot me shpresë për të ardhmen. Humbja e fashizmit dhe rritja e fuqisë atomike, premtuan një të ardhme të ndritshme përpara, ndaj ai nisi të promovonte sërish idetë e tij.

Atlantropa tërhoqi vëmendjen e shumë politikanëve dhe industrialistëve. Por edhe pas kapitullimit të nazistëve, Sërgel refuzoi të hiqte dorë nga elementët racistë të vizionit të tij. Për më tepër, bota po lëvizte në një drejtim më praktik.

Në atë kohë u formua Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, që një ditë do të bëhej Bashkimi Evropian. Reaktori bërthamor, sinjalizoi fundin e shpresave për Atlantropën. Më në fund, Evropa kishte qasje në burime të mëdha energjie përmes një projekti shumë më praktik, sesa një rrjeti monstruoz digash.

Me energjinë hidroelektrike të mbetur pas në të kaluarën, ëndrra utopike e Sërgel nuk do të jetësohej kurrë. Deri në fund të jetës, Sërgel shkroi edhe 4 libra të tjerë. Ai botoi mijëra artikuj, dhe dha leksione të panumërta për të promovuar ëndrrën e tij.

Por edhe pse punoi kaq shumë pa u lodhur për të promovuar Atlantropën, ideja do të vdiste bashkë me të. Mbrëmjen e 4 dhjetorit 1952, Sërgel po shkonte me biçikletë në Universitetin e Mynihut për të mbajtur një ligjëratë, kur një shofer e përplasi për vdekje me automjetin e tij.

Në vitin 1960, Instituti Atlantropa u shkri. Që nga vdekja e tij, projekti Atlantropa është zhvendosur në fushën e trillimeve të fanta-shkencës. Megjithëse ai plan nuk ka gjasa të realizohet ndonjëherë, mbetet shumë i çuditshëm për t?u harruar. / All that is Interesting ? Bota.al

Lajmet e fundit nga