Connect with Us

Pse bolshevikët vranë Car Nikollën II dhe Romanovët?

Blog

Pse bolshevikët vranë Car Nikollën II dhe Romanovët?

Publikuar

-

Kur Nikolla Romanov u kurorëzua Cari i Rusisë në vitin 1894, ai dukej tërësisht konfuz. “Çfarë do të ndodhë me mua… po me gjithë Rusinë?”- e pyeti një këshilltar kur mori fronin. “Unë nuk jam i gatshëm të jem një Car. As që kam dashur të bëhem i tillë”.

Njëzet e katër vjet më vonë, ai dukej po aq i hutuar kur një grup njerëzish të armatosur, pjesëtarë të policisë sekrete bolshevike, u rreshtuan para tij për ta vrarë bashkë me familjen. Megjithëse ishte rrëzuar nga froni muaj më parë, i ishte vjedhur kurora dhe ishte burgosur, ai nuk e priste atë fund tragjik.

Por, ndryshe nga Car Nikolla, historianët kanë renditur arsyet e sakta se pse familja Romanov u vra në mënyrë brutale, bashkë me kontekstin historik që çoi në rrëzimin e dinastisë që themeloi perandorinë e madhe ruse. Rrënjët e vrasjes së familjes Romanov, mund të gjenden që në fillimet e mbretërimit të tij.

Si djali i madh i Carit Aleksandër III, Nikolla ishte trashëgimtari i paracaktuar i fronit të babait të tij. Por Aleksandri nuk e përgatiti si duhet të birin, për të sunduar një Rusi që ishte e përfshirë nga trazira të mëdha politike. Një autokrat i rreptë, Aleksandri besonte se një Cari duhet të sundonte me grusht të hekurt.

Ai ndaloi cilindo brenda Perandorisë Ruse që të fliste ndonjë gjuhë jo-ruse (madje edhe në vende si Polonia), goditi lirinë e shtypit, dhe dobësoi institucionet politike të popullit të tij. Për pasojë, Nikolla trashëgoi një Rusi të trazuar.

Disa ditë pas kurorëzimit të tij në vitin 1894, gati 1.400 qytetarë vdiqën të shkelur nga turmat gjatë festimeve për kurorëzimin e tij. Ata ishin mbledhur në një fushë të madhe në periferi të Moskës, për të marrë dhurata, por gjithçka përfundoi në tragjedi.

Ajo ngjarje, përfaqësonte një fillim shqetësues për mbretërimin e Nikollës, dhe reagimi i tij brutal, i dha atij pseudonimin “Nikolla i përgjakshëm”. Gjatë gjithë mbretërimit të tij, Nikolla u përball me pakënaqësitë në rritje të nënshtetasve të tij.

Ai zhvilloi një luftë kundër Japonisë të cilën e humbi. Qeveria e tij masakroi afro 100 protestues të paarmatosur gjatë një tubimi paqësor në vitin 1905. Djali i Nikollës, princi i kurorës, Aleksei, lindi me sëmundjen e hemofilisë. Por familja e mbajti sekret sëmundjen e tij.

Caresha Aleksandra, u bë gjithnjë e më shumë e ndërvarur nga Grigori Rasputin, një klerik mistik, për të cilin ajo besonte se i kishte shpëtuar jetën e të birit. Ndikimi në rritje i Rasputinit brenda familjes mbretërore, u pa me shumë dyshime në publik.

Pastaj në vitin 1914, Rusia u përfshi në Luftën e Parë Botërore, tërësisht e papërgatitur për shkallën dhe intensitetin e luftimeve. Rusët u tmerruan nga numri i viktimave në front. Rusia kishte numrin më të madh të vdekjeve në atë luftë:mbi 1.8 milionë ushtarë, dhe rreth 1.5 milionë civilë.

Lufta shkatërroi çdo lloj normaliteti. Pa burrat në shtëpi, dhe me urinë që pllakosi shumë zona, njerëzit nisën të rebelohen. Në fillim, Nikolla nuk pranoi të abdikonte nga froni, por në marsin e 1917-ës e bëri këtë gjë. Gjatë Revolucionit të Tetorit, bolshevikët e burgosën familjen perandorake.

Nikolla u përpoq t’i bindte britanikët dhe pastaj francezët t’i jepnin azil. Tek e fundit, gruaja e tij ishte mbesa e Mbretëreshës Viktoria. Por që të dyja vendet refuzuan, dhe Romanovët e panë veten në duart e qeverisë revolucionare. Jeta e tyre e re ishte shumë ndryshe nga jeta mbretërore në Pallatin e Dimrit në Shën Petersburg.

Familja mbretërore u vendos së fundmi në Shtëpinë e Ipatievit në Ekaterinburg. Mbrëmjen e 17 korrikut 1918, familja Romanov u zgjua nga gjumi. Rojet i thanë të përgatiteshin për një zhvendosje tjetër. Gratë bënë gati gjërat e tyre, ndërsa në rroba fshehën bizhutë e çmuara, dhe një sasi të madhe parash.

Pastaj, ata u dërguan poshtë në bodrum, ku u qëlluan më armë dhe në fund u çanë me bajoneta. Të shtatë Romanovët vdiqën. Ajo që u duk si një vrasje e momentit, ishte në fakt një veprim i planifikuar me kujdes. Për ditë të tëra, rojet e përgatitur shtëpinë për krimin.

Ata kishin gjetur benzinën dhe acidin sulfurik me të cilin  do të digjnin dhe shpërfytyronin kufomat. Jakov Jurovski, që koordinoi vrasjet, u dekorua personalisht nga Lenini, udhëheqësi i bolshevikëve.

Lenini dhe revolucionarët, e shihnin Nikollën dhe monarkinë si një tumor që e bënte të pamundur ngritjen e klasës punëtore. Por si për ironi, atentatet që ata orkestruan për të zhdukur  monarkinë, patën pasoja për kauzën e tyre. Lajmet se Cari ishte vrarë i dëshpëroi rusët, që nisën të ishin nostalgjikë për monarkinë e rrëzuar.

Edhe sot, në Rusi ka një segment të shoqërisë ruse që dëshiron rivendosjen e monarkisë, përfshirë një oligark që financon një shkollë të krijuar enkas, për t’i përgatitur rusët e pasur për një Rusi monarkike në të ardhmen. Nikolla mund të mos ketë ditur si ta sundojë Rusinë, por monarkia për të cilën ai kishte kaq shumë ndërdyshje, ka ruajtur një pjesë të tërheqjes së saj edhe 112 vjet pas vrasjes së tij./ history.comPërshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Mateo Salvini, “Donald Trump” i Evropës/ Burokracia e Brukselit, e ka shkatërruar ëndrrën evropiane

Publikuar

-

Nga

Nga Adam O’Neal “The Wall Street Journal”

Nëse Italia do të mbante sot zgjedhje parlamentare, sondazhet sugjerojnë se Mateo Salvini do të bëhej kryeministri i ardhshëm i vendit. Edhe pse zgjedhjet parlamentare janë planifikuar pas 3 vitesh, ai nuk beson se do të duhet të presë aq gjatë derisa të rrëzohet qeveria aktuale. Dhe tashmë e ka një ide se të shkaktojë rënien e saj.

Rruga më e qartë e Salvinit drejt pushtetit, kalon përmes një koalicioni të qendrës së djathtë me konservatorët e Fratelli d’Italia dhe partinë pro-biznesit të Silvio Berluskonit Forza Italia. Partia e tij është përshkruar si nacionaliste, populiste, konservatore, si e të djathtës ekstreme dhe madje edhe fashiste.

“Në Itali dallimet majtas-djathtas, fashist-komunist nuk kanë shumë peshë. Unë mendoj se LEGA është përtej ideologjive”- thotë Salvini. Por ai nuk i hedh poshtë të gjitha etiketimet:

“Unë e pranoj të jem “sovranit”. Pasi kjo nënkupton identitetin, kulturën, historinë e Italisë, ligjet e saj dhe fenë tonë. Por mund ta pranoj edhe etiketimin si “populist”, të cilin disa njerëz e konsiderojnë fyerje, por që unë mendoj se është një kompliment”.

LEGA u themelua në vitin 1991 si LEGA NORD, një parti rajonale e përqendruar në kërkimin e një autonomie më të gjerë për veriun më të pasur të vendit. Salvini e ka udhëhequr partinë që nga viti 2013, duke i dhënë një vokacion kombëtar, përmes kundërshtimit të fortë ndaj emigracionit të paligjshëm dhe skepticizmit ndaj Bashkimit Evropian.

Në vitin 2018, LEGA arriti një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me Lëvizjen 5 Yjet të ekstremit të majtë, që zgjati pak më shumë se një vit. Salvini u bë zv/kryeministër dhe Ministër i Brendshëm në qershor 2018, dhe ishte i vendosur në mbylljen e brigjeve italiane ndaj anijeve plot me emigrantë.

Numri të emigrantëve ra ndjeshëm. Por menaxhimi prej tij i kësaj situatë, solli kritika të forta nga Brukseli dhe Vatikani për mungesën e humanizmit. Por ajo qasje e bëri LEGA-n partinë më popullore në vend. Si një kundërshtar i fortë i emigracionit, Salvini mund të duket si versioni i Donald Trumpit në Evropë.

“Unë isha nga të paktët politikanë italianë që besova në fitoren e tij 4 vjet më parë. Dhe vazhdoj të besoj se ai ka qenë një president i mirë, dhe shpresoj se do të rizgjidhet”- shprehet Salvini mbi Trump. Që të dy e shohin njëlloj çështjen e emigracionit, por edhe shumë çështje fiskale dhe tregtare

“Për disa çështje ndërkombëtare, të tilla si marrëdhëniet me Kinën, Iranin dhe marrëdhëniet e ngushta me Izraelin, ne kemi të njëjtën qasje. Nëse unë do të isha kryeministër, Jeruzalemi si kryeqyteti i Izraelit do të njihej nga qeveria ime, ndërsa marrëdhëniet me Kinën dhe Iranin do të pezulloheshin”- thotë Salvini, që është kundër përfshirjes së kompanive kineze në ndërtimin e rrjetit 5G në Itali.



Nga ana tjetër kreu i LEGA-s e sheh Rusinë në një dritë më pozitive. Ai mohoi akuzat se partia e tij është financuar nga Moska. Salvini thotë është thjesht në interesin e vendit të tij që të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë. “Nëse Evropa vendos sanksione ndaj Moskës, ajo e detyron Rusinë të orientohet drejt Lindjes. Unë preferoj ta kem Rusinë si një mike, sesa si një aleate të Kinës”- shton ai.

Selia e BE-se

Por nga ana tjetër a dëshiron Rusia të jetë një mike apo partnere strategjik me Perëndimin? “A ka probleme në Rusi? Po. A është Rusia një vend plotësisht demokratik? Jo. A ka korrupsion atje? Po. Por shihni Turqinë, anëtare e NATO-s, dhe që teknikisht është ende një kandidate për t’u anëtarësuar në BE. Ajo ka të njëjtat probleme, madje edhe më të këqija se sesa Rusia.

Prandaj, nëse është e drejtë të përpiqesh dhe të dialogosh me Turqinë, për mendimin tim është e drejtë të përpiqesh të bisedosh edhe me Rusinë. Erdogani nuk duket më paqësor dhe demokratik se sa Putini”- nënvizon Salvini.

Vitin e kaluar, ai u përpoq të organizonte një lëvizje populiste pan-evropiane përpara zgjedhjeve për në Parlamentit Evropian. Por në fund, partitë populiste dështuan të bashkohen, pjesërisht mbi përçarjet në lidhje me politikën ndaj Rusisë. Por Salvini mendon se populistët e kontinentit mund të krijojnë ende një aleancë.

“Ne duhet t’ia fillojmë nga traktatet origjinale të Evropës. Armikja e ëndrrës evropiane është burokracia e Brukselit, dhe jo Salvini. Kjo burokraci evropiane, e tradhtoi ëndrrën evropiane. Traktati themeltar i BE-së, e vendosi punësimin e plotë si përparësinë e vet. Por socialistët e harruan atë”- vijon më tej politikani italian.

Në thelb, ai dëshiron të krijojë një rrjet evropian të ndryshëm nga boshti franko-gjerman, pasi sipas tij “sot BE do të thotë Emanuel Makron dhe Angela Merkel”. Por a mund ta imagjinojë Mateo Salvini të nxjerrë vendin e tij jashtë BE-së?

“Për momentin, në projektin tonë të gjitha energjitë tona janë fokusuar në rimëkëmbjen ekonomike të vendit, sipas rregullave aktuale, me monedhën ekzistuese dhe unionin aktual. Nëse po më pyetni nëse euro e ndihmoi Italinë, përgjigjja ime është jo. Nëse BE-ja është e drejtë me të gjithë anëtarët e saj, përgjigjja ime është sërish jo”- thotë Salvini.

Megjithatë ai nuk e përjashton në të ardhmen mundësinë e një Italexit:“Britania e Madhe tregoi se mund të jetë e mundur të jetohet edhe pa euron dhe BE-në. Nëse do të detyrohesha të zgjedhja midis Italisë dhe Evropës, unë do të zgjidhja Italinë”.

Koalicioni qeverisës aktual nuk është i etur të thërrasë zgjedhjet e reja, por Salvini mendon se ato do të ndodhin gjithsesi vitin e ardhshëm. Ai argumenton se partia e tij, u dëmtua më shumë nga pandemia se të tjerët, pasi ajo e kufizoi fushatën e tij agresive.

“LEGA është e vetmja parti që jeton si parti”- thekson ai. Ai parashikon që zgjedhjet rajonale të kësaj vjeshte do t’i japin një shtysë të madhe partisë, teksa koalicioni qeverisës do të ketë probleme të përballet me “çështjet e shkollës, papunësisë dhe krizës ekonomike”./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A mundet Kina ta kthejë Evropën kundër Amerikës?

Publikuar

-

Nga

A mundet Kina ta kthejë Evropën kundër Amerikës?

Nga Andrew A.Michta “The Wall Street Journal”

Një nga hilet që përdorin vendet që konkurrojnë me fuqitë e tjera të mëdha, është që të joshin aleatët e kundërshtarit, dhe t’i kthejnë ata në shërbimin të interesave të tyre. Në vitin 1972, Riçard Nikson kreu një vizitë në Pekin, një nga lëvizjet më të guximshme dhe efektive në historinë e politikës së jashtme të SHBA-së.

Në atë kohë Pekini ishte një lojtar rajonal dhe një fuqi bërthamore, por asfare afër një rivali  të afërt të SHBA-së ose Bashkimit Sovjetik. Nikson e ktheu Kinën në një levë të ndikimit amerikan në Azi. Ne jemi tashmë gati të zbulojmë se sa mirë mund ta luajë këtë lojë strategjike vetë Pekini.

Të hënën Bashkimi Evropian dhe Kina mbajnë një samit virtual – që para pandemisë ishte planifikuar si një samit në Lajpcig të Gjermanisë – që synon nxitjen e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për Investimet BE-Kinë.

Ky pakt do të përcaktojë parametrat e tregtisë, adresimin e çështjeve të subvencioneve kineze dhe mbrojtjen e të drejtave evropiane të pronësisë intelektuale, dhe nëse kancelarja gjermane Angela Merkel do të ketë sukses, do të përcaktojë rolin e Kinës në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Deri më tani gjatë negociatave, Pekini i ka rezistuar shumë çështjeve të ngritura nga BE, sidomos për subvencionet. Por ka shenja se kinezët mund të bëhen më tolerantë. Takimi i nivelit të lartë ndodhi vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, dhe u pa nga kinezët si mundësia më e mirë e Xi Jinping për të krijuar një pykë midis SHBA-së dhe Evropës në lidhje me tregtinë.

Selia e BE-se

Për komunitetin evropian të biznesit, qasja në tregun aziatik shihet si thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike të BE-së. Pasja e një traktati me Pekinin do të ndihmonte – të paktën në teori – në mbrojtjen e pronës intelektuale evropiane, dhe parandalimin e blerjes së plotë nga kinezët të kompanive të brishta evropiane.

Evropa ka qenë prej vitesh një element qendror në strategjinë globale të Pekinit. Rreth 75 për qind e importeve evropiane vijnë nga deti, me rrugën e sipërme të Atlantikut të Veriut që është thelbësore. Ndërkohë Kina ka qenë agresive në blerjet e aksioneve në portet kryesore Evropiane.

Më e rëndësishmja, përmes Nismës së Brezit dhe Rrugës, dhe investimeve të saj, Kina ka synuar krijimin e një zinxhiri alternativ furnizimi të vendeve në të gjithë Evropën dhe Azinë.

Lojë përfundimtare e Pekinit, është ajo që unë e quaj “përmbysja globale” e flukseve tregtare të vendosura, të cilat aktualisht favorizojnë rrugët detare, një strukturë që mbështetet tek fuqia detare e SHBA-së.



Nëse Kina mund të zhvillojë një zinxhir furnizimi ndër-euroaziatik dhe ta mbrojë atë, ajo nuk do të ketë nevojë më të përputhet me Amerikën në fushën detare. Dhe ky do të ishte një ndryshim themelor në tregtinë globale dhe shpërndarjen e fuqisë globale.

Kina mund ta bëjë këtë pasi deri më tani Uashingtoni – që e sheh Kinën si një sfidë ekonomike dhe ushtarake të rendit të parë – nuk ka qenë në gjendje të bindë evropianët që ta shohin Pekinin si diçka më të rrezikshme sesa thjesht një problem ekonomik.

Udhëheqësit evropianë po shqetësohen gjithnjë e më shumë për presionet e kinezëve, por ata nuk duan të hyjnë në një aleancë me SHBA-në kundër Pekinit. Nëse vijojnë të ekzistojnë kushtet aktuale, dhe Kina do ketë mundësi të krijojë një pykë midis SHBA-së dhe Evropës, marrëdhëniet normale trans-atlantike do të jenë diçka që do i përkasë së kaluarës.

Një ndryshim i tillë do ta shndërronte Evropën nga porta trans-atlantike drejt Euroazisë në fundin e një zinxhiri furnizimi euroaziatik të kontrolluar nga kinezët, duke i dhënë mundësi Pekinit që të dominojë përfundimisht Evropën dhe të synojë hegjemoninë globale.

Strategjia e Kinës ndaj Evropës e ka edhe një përbërës ushtarak. Flota e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit, ka ndjekur aktivisht synimin e depërtimit në portet evropiane, veçanërisht në Mesdhe dhe Detin e Zi. Ajo ka kryer stërvitje të përbashkëta me Marinën Ruse dhe BE-në, duke filluar nga viti 2018, kur përfundoi stërvitjen e saj të parë detare me Forcën Detare të BE-së në Gjirin e Adenit.

Kina zotëron aksione në shumë porte në Mesdhe, përfshirë Greqinë, Spanjën, Egjiptin, Italinë dhe Marokun, ndërsa marina kineze ka një bazë mbështetëse në Xhibuti, duke u pozicionuar si duhet për të projektuar më thellë në Afrikë fuqinë e vet.

Marina kineze ka depërtuar edhe në Baltik, teksa po investon në Arktik, përmes një tenderi për një anije akullthyese që furnizohet me energji bërthamore 33.000-tonëshe, dhe ka në plan të ndërtojë 4 aeroplanmbajtëse me energji bërthamore deri në vitin 2035.

Kina e sheh Evropën si një rajon, pasuria dhe teknologjia e të cilës mund të shfrytëzohen për të pasur avantazh ndaj SHBA-së. Evropa është një objektiv tërheqës:Kontinenti është i dëshpëruar për qasje në tregje dhe para të gatshme, teksa ekonomia po përpiqet të rimëkëmbet nga pandemia aktuale.

Me Rusinë si një kërcënim për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në krahun e NATO-s, Pekini ka gjithashtu mundësinë të shfrytëzojë përçarjet brenda Evropës. Rritja e antiamerikanizmit në disa vende, do ta bëjë të vështirë arritjen e një konsensusi për kërcënimet, ndërsa rreshtimi midis Pekinit dhe Moskës mund të thellojë copëtimet në Evropë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me SHBA.

Gjendja e dobët e marrëdhënieve SHBA-Evropë, sidomos marrëdhëniet gjithnjë e më të diskutueshme midis Uashingtonit dhe Berlinit, i jep Xi Jingping mundësinë për të bërë “Niksonin” në mënyrën e tij. Uashingtoni duhet t’i kushtojë vëmendje pasojave të samitit BE-Kinë./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Katastrofa e Morias, dhe politika hipokrite e BE-së mbi refugjatët

Publikuar

-

Nga

Katastrofa e Morias, dhe politika hipokrite e BE-së mbi refugjatët

“Der Spiegel”

* Shahrzadi ia doli. Ajo arriti t’u shpëtonte flakëve që e shndërruan Moria-n, kampin më të madh të refugjatëve në Evropë, në një djerrinë të shkrumbuars. Por tashmë ajo nuk di se ku të shkojë. Një 25-vjeçare e ndrojtur nga Afganistani dhe me tipare fizike të imëta, Shahrzad ishte ulur mbrëmjen e së mërkurës përpara kampit të djegur në ishullin grek të Lesbosit, bashkë me burrin dhe dy fëmijët e saj të vegjël.

“Ne nuk e dimë se çfarë do të bëhet me ne tani”-thotë ajo. Ata kanë me vete dokumentet e identifikimit, por shumë pak gjëra të tjera. “S’kemi asgjë për të ngrënë, vetëm pak ujë. Askush nuk na thotë asgjë”- shton ajo. Familja afgane ndodhej në Moria prej 8 muaj kur zjarri shpërtheu mbrëmjen e të martës së shkuar, teksa ata po flinin në kontejnerët e tyre në kamp.

”Ne u zgjuam menjëherë kur pamë flakët, dhe dëgjuam njerëzit të bërtisnin. Morëm fëmijët në krahë, dhe vrapuam në errësirë ​​deri në kodër”-tregon më tej ajo. Ata i panë flakët me hidhërim. Sërish jeta e tyre po shpërbëhej në asgjë. “Moria nuk ka qenë kurrë një vend i mirë”- thotë Shahrzad.

Në kampin e mbipopulluar jetohej plot mjerim dhe frikë. Por të paktën ata kishin një çati mbi kokë. Gati 13.000 njerëz mbetën papritur të pastrehë nga zjarri që ra në kamp, dhe kryeministri grek Kiriakos Micotaqis shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Lesbos.

Qeveria e tij ka në plan t’i strehojë përkohësisht emigrantët në anijet e luftës ose anijet tregtare. Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende me saktësi. Por qarkullojnë të gjitha llojet e teorive, nga të besueshmet deri tek ato absurdet. Disa thonë se zjarri ishte vënë nga radikalët e djathtë, të tjerët fajësuan vetë refugjatët, ndërsa të tjerë akoma janë të bindur se zjarri është shkaktuar nga Turqia si një mënyrë për të provokuar grekët.

Por të enjten, Ministria Greke e Politikës së Migracionit, njoftoi se zjarri ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga vetë azilkërkuesit, si një reagim ndaj masave të karantinës, për shkak të dhjetëra rasteve të identifikuara me koronavirus më kamp. Ndërkohë, është i padyshimtë është fakti që Moria nuk është e vetmja gjë që u rrënua nga zjarri.

Po e tillë është edhe politika evropiane e azilit. Bashkimi Evropian donte ta bënte kampian e Moria-s si një model. Sipas kësaj praktike, kërkesat për azil duhej të përpunoheshin brenda vetëm disa javësh në “vatrat e nxehta” të vendosura në disa ishuj grekë.

Ata që do të njiheshin zyrtarisht si refugjatë, do të shpërndaheshin më pas në vendet e tjera anëtare të BE-së, ndërsa ata që do u refuzohej aplikimi për azil do të ktheheshin sërish në Turqi. Ky ishte në parim thelbi i marrëveshjes që Brukseli arriti me Ankaranë në vitin 2016. Por pak nga pikat e kësaj marrëveshje janë zbatuar.

Në vend të përpunimit me shpejtësi të kërkesave për azil, zyrtarët grekë i kanë mbajtur për periudha të gjata azilkërkuesit në Lesbos dhe ishuj e tjerë të Egjeut, në disa raste edhe me vite të tëra. Shumë pak refugjatë janë rikthyer mbrapsht në Turqi, por vështirë se ndonjë është lejuar të udhëtojë drejt Evropës Veriore.



BE-ja e sheh veten jo vetëm si një fuqi ekonomike dhe politike, por edhe si një fuqi morale. Por në Lesbos, blloku ka humbur gjithçka që mund të ketë mbetur nga autoriteti i tij moral. Një shëtitje nëpër Moria para rënies zjarrit, zbulonte një nga vendet më të pista dhe më të rrezikshme në të gjithë Evropën.

Njerëzit këtu jetonin ngjeshur njëri pas tjetrit, me mbeturinat e kalbëzuara të shpërndara thuajse kudo, dhe me përrenjtë e bllokuar nga malet me mbetje plastike. Këshilltari politik me qendër në Berlin, Gerald Knaus e kishte cilësuar kampin si një “Guantanamo të refugjatëve”.

Midis korrikut dhe fundit të shtatorit 2019, më shumë se 25.000 refugjatë arritën në ishujt grekë. Moria vazhdoi të shtohej me refugjatë, në fillim në 10.000, dhe në mars të këtij viti thuajse 20.000 njerëz. Infrastruktura e kampit, e kishte të pamundur të menaxhonte kaq shumë njerëz.

Uji mungonte për orë të tëra, energjia elektrike po ashtu, duke nxitur disa azilkërkues të ndërhynin vetë në rrjet. Psikologët raportonin se fëmijët zgjoheshin natën duke bërtitur, dhe duke ikur nga çadrat e tyre në panik, ose duke prerë veten me thikë, në përpjekje për t’u vetëvrarë.

Nga ana tjetër edhe banorëve të Lesbosit, u kishte sosur durimi me përdorimin e ishullit të tyre si një bazë për azilkërkuesit nga e gjithë bota. Ata kundërshtuan me forcë ndërtimin e një kampi të ri në veri të ishullit në fillim të këtij viti.

Situata për grekët u vështirësua edhe nga fakti, që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nisi të respektonte gjithnjë e më pak marrëveshjen e tij me BE-në mbi refugjatët. Athina dhe Ankaraja, i kanë rritur shumë tensionet midis tyre javët e fundit, ndërsa konflikti i tyre mbi qasjen në burimet natyrore është intensifikuar akoma më tej.

Njerëzit pranë Micotaqis, janë të shqetësuar se Erdogani mund t’i dërgojë emigrantët sërish drejt Greqisë, për ta vënë Athinën nën presion, ashtu siç bëri edhe në pranverë. Ndërkohë edhe Evropa në tërësi, është larg sa kurrë më parë zbatimit të një politike koherente mbi refugjatët.

Disa shtete si Luksemburgu, besojnë se pas katastrofës në Moria, Bashkimi Evrppian nuk mund të vazhdojë si më parë, ndaj po kërkojnë që vendet anëtare të pranojnë azilkërkuesit që ndodhen aktualisht në Greqi.

Por vende të tjera, si Austria, po vazhdojnë t’i refuzojnë me forcë propozime të tilla. “Evropa do të mbetet e sëmurë, për sa kohë nuk gjen një rrugëdalje për krizën e refugjatëve”- u shpreh për “Der Spiegel” Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Zhan Aselborn.

Marrë me shkurtime./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE