LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Elita e rreme e diktaturës

18 Korrik 2020, 10:19, Opinione CNA
Elita e rreme e diktaturës

Sipas mendimit tim, fjala diktaturë dhe fjala elitë nuk mund të qëndrojnë bashkë. Nëse Shqipëria gjatë diktaturës, do të kishte prodhuar një elitë intelektualësh që përfaqësonin fusha të ndryshme, nuk do të ishim këtu ku jemi në vitin 2020.

Elita intelektuale nuk mund të lindë në diktaturë. Nuk mund të përfaqësosh mendim elitar, kur të hiqet e drejta të mendosh dhe e drejta të shprehësh në liri të plotë mendimin tënd.

Elitat krijohen në shoqëri që dinë kuptimin dhe vlerën e fjalës ? liri?. Krijohen në ato shoqëri që dinë të administrojnë lirinë dhe nuk dehen nga kjo e fundit.

Shqipëria e postdiktaturës u deh nga liria. Mendoi se liria e fjalës ishte gjithçka. Mendoi se të shprehje mendimin kundër me zë të lartë ishte gjithçka. Ndërkohë që liria është krejt gjë tjetër.

Shoqëria shqiptare nuk mendoi kurrë të lante hesapet me të shkuarën. Ta lexonte të shkuarën lakuriq. Ashtu siç ishte.

Çdo hetues në vendin përkatës, çdo spiun në vendin përkatës, çdo i persekutuar në vendin përkatës.

Kështu do të ishte përvëluar ajo elite e rreme, që u ngjiz , u rrit dhe po plaket e privilegjuar në Shqipëri.

Do të kish qenë një proces i dhimbshëm, pasi do të përvëloheshin shumë idhuj të rremë, do të shkatërroheshin shumë marrëdhënie njerëzore, por të paktën do ta kishim parë dramën tonë lakuriq dhe do të ringriheshim mbi lakuriqësinë dhe hirin e kësaj drame me vullnetin për të mos ta përsëritur më.

Post Scriptum- Diktaturat prodhojnë njerëz të rremë, dëshmi të rreme dhe si rrjedhim edhe një elitë të rreme./ Elona Caslli

Lajmet e fundit nga